Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipni tavolinash

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Shqipni tavolinash

HARAMI

Lef Nosi, ka qenë ministër i Postave në Qeverinë e Ismail Qemalit, erudit, studiues, filatelist me famë botërore, koleksionist dokumentesh me vlerë kombëtare (ndër të tjera edhe i dokumentit origjinal të Shpalljes së Pavarësisë). I dënuar me vdekje më ‘46-ën, teksa priste ditën e pushkatimit, në takimin e fundit me familjen, u la porosi: "Amanet pullat". Kapteri që e ruante, e shtyn duke i thënë: "Budallë, ti po shkon në plumb, e bëhesh merak për pulat", injorant siç ishte, ngatërronte "pulat" me "pullat", për të cilat as që e kish idenë se ç‘ishin.

Kjo histori e trishtë më shkoi ndër mend kur më thanë se Pangoja më paskësh quajtur me përçmim në sallë të Kuvendit: "Ai që merret me pulla" dhe kish vazhduar pastaj me lloj-lloj të sharash. Ajo që e bën për kuje e vaj këtë punë, nuk është edhe aq fakti që ai flet e më shan nga një tribunë, ku unë nuk mund t‘i kthej përgjigje, por është se ai që flet kështu, nuk është më një kapter injorant i vitit 1946, por bash ministri i Kulturës i vitit 2008.

Fati e do që të banoj në një lagje me Pangon. Ai në një vilë trekatëshe pa leje, ndërsa unë në kat të tretë të një pallati me leje. Kjo punë bën që, të njohur e të panjohur, të më ndalin në rrugë e të më thonë lloj-lloj gjërash për të. Unë u them se kam bërë be publike, madje në gazetë, që nuk do merrem me të, ndaj kot që më tregojnë edhe punën e shtëpisë së tij pa leje por edhe historirat me studente, apo lloj-lloj historira të tijat me, me nder jush, putana e karaputana poshtë e përpjetë Shqipërisë. Kot e kanë edhe ata të ministrisë që vijnë ende e më tregojnë thagmat dhe pazaret e tij, por edhe hallexhinjtë që më rrëfejnë për gjobat që i kanë paguar. Kot e kanë edhe ata që vijnë të më tregojnë për pallatet që po bën në Malin e Robit, apo për vilën që mori në Gjirin e Lalëzit, si bakshish për një leje dhe ku pretendoi që edhe t‘ia mobilonin para se ta pranonte. Kot e kanë edhe ata që më tregojnë gjobat 20 mijë eurosh që merr për çdo leje gërmimi që jep në zonat arkeologjike, kot e kanë edhe ata që më tregojnë batutën që qarkullon nëpër ministri: kur kalon ministri nëpër korridore fshihen dy gjëra: femrat dhe portofolat.

Kot e kanë të gjithë, se nuk kam ndër mënt të merrem me horrllëqet e tija. Por, që nuk merrem me të, nuk do të thotë se nuk do të merrem edhe me gjënë më të shtrenjtë që kam në shpirt: trashëgiminë e këtij vendi që, për të zezë të vet, fati e deshi të bjerë në dorë të tij.

Le të më thojë ç‘t‘i mbajë kandari e të më quajë si të dojë, hajdut e pullaxhi, katranjos e injorant, mor po edhe spiun a krokodil po deshi, por ndërkaq të dijë se një ditë do përgjigjet. Jo për ato që më ka thënë mua, se ato ja le Perëndisë. As për ç‘ka bërë me gjithë hallexheshat e fatzezat që nuk kalonin dot klasën pa parë tavanin e tij. Edhe këto ja lë në dorë Perëndisë kur të lajë haletë me të. Por, para drejtësisë së njerëzve do përgjigjet deri më një, për çdo lek timin dhe të shqiptarëve që duhej të shkonte për të shpëtuar kujtesën tonë dhe që shkoi në xhepat e tij, për çdo gur të shkulur nga kalatë dhe për çdo suva të rënë nga kishat e xhamitë që nuk u ndreqën dot, se edhe ato dy lekë të shkreta që duhej të bëheshin llaç për to, shkuan e u bënë rrush e kumbulla për kodoshllëqet e ministrit.

ZJARREVENESI

Ta lëmë Pangon tani dhe të merremi me gjëra më për të qenë. Po jo or, jo, e lëmë ne, po nuk na lë ai.

Të premten u hoqën nga lista e monumenteve edhe dy ndërtime, njëri i shekullit XVII, ndërsa tjetri i të XIX. Kur u hartua në vitin 2004 ligji për trashëgiminë kulturore, futëm aty një nen, sipas të cilit, në rast të shkatërrimit apo të djegies së një monumenti, edhe nëse ai nuk mund të rindërtohej, ndalohej dhënia e lejes së ndërtimit në vendin e tij për të ndërtuar më shumë sesa volumi i monumentit ekzistues. Këtë kurth e ngrehëm me qëllim që të shkurajonim Neronët e kulturës, pra t‘u thoshim që, edhe nëse e digjni një monument për të ndërtuar një pallat, kjo nuk është e mundur, pasi ligji do të ndalonte të ndërtohej më shumë sesa kishte qenë monumenti fatkeq. Bëmë ligjin dhe thamë se shpëtuam, por harruam se shpirtligu s‘ka derman. Ja gjetën anën edhe kësaj pune. Tani i djegin monumentet, pastaj mbledhin një komision të tredhurish që i kanë vënë emrin "Këshilli Kombëtar i Restaurimit" dhe ky komisioni vendos që, meqë monumentet janë djegur duhen hequr nga lista e monumenteve. Pasi i heqin nga lista, thonë që, meqë objektet nuk kanë më titullin Monument, ato nuk i zë ai neni që thashë më sipër dhe kështu që mund të ndërtohet pa kufi në rrënojat e tyre.

Ka ca kohë që me këtë metodë zjarrvënësish po shkojnë njëra pas tjetrës monumente në Tiranë, Shkodër, Elbasan e Gjirokastër, ndërsa ka që në janar që po përpiqem ta denoncoj këtë barbari, por deri tani vetëm zëre se i kam folur murit. Ato që shkuan e vanë po i harroj, se të vdekurit nuk ngjallen më, por më zë tmerri kur kujtoj se me këtë metodën "digj - hiq nga lista - bëj pallat", mund të shkatërrohet edhe shenja e fundit e së shkuarës sonë, ndërsa ne do vazhdojmë të tregojmë përralla për potencialet e pasurive tona kombëtare.

Kush mund t‘i bëjë derman kësaj bande kriminelësh? Ministri i Kulturës do thoni ju, se ai është në krye të institucionit që është krijuar dhe e paguajmë vetëm për këtë punë. Po ç‘më thoni o të gjorë, kur Pango është vetë hajduti që po i nxjerr fundin kësaj pune! Autoriteti i vetëm shkencor që mund t‘i mbante dorën Pangos është Instituti i Monumenteve, por mos harroni se ka dy muaj që drejtori ka dhënë dorëheqjen, pikërisht se nuk merrej vesh me Pangon dhe faktikisht Institutin mund ta nëmërojmë në listën e të vdekurve të pakallur. Epo me që nuk i bëjnë dot gjë ata që ka nën vete, të shohim nëse mund t‘ia mbajnë dorën ata që ka përsipër, Kryeministri pra. Po qe për këtë, edhe sikur jo Berisha, por edhe një më i mirë të kish qenë në vënt të tij, s‘mund të presim të heqë ministrin dhe të rrezikojë Qeverinë për një hajdut më shumë a më pak. Ndaj, as Kryeministri nuk ndërhyn. Sa për opinion publik në këtë vend, ai gjendet para dy mundësive: ose nuk i dëgjohet zëri se nuk ka zë, ose edhe kur i vjen zëri nuk gjenden veshë për ta dëgjuar dhe kështu që katandisim të gjithë që askush të mos jetë në gjendje të bëjë gjë.

Uluni pra o miq bashkë me mua, të shohim me durim si na shkon pa kthim para syve trashëgimia, dhe të lusim Perëndinë që barbarët zjarrvënës të nginjen me të vjedhur përpara se t‘i kenë nxjerrë binanë Shqipërisë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama