Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipni tavolinash

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Shqipni tavolinash

Dy herë kam shkrojtur për bëmat e LSI-së dhe të dyja herët kam bërë llafe me kryetarin e partisë sime. Është kryetar ai, e ka hallin të madh, se duhet të bëjë bashkë të gjithë kundër Saliut, ndaj me të tijën ndoshta ka të drejtë, ndërsa unë vetëm lapsin kam dhe i jap siç e mendoj gjënë.

Ditën e mitingut unë s‘pashë gjë, se isha në mes njerëzve që marshonin në bulevard. As ata që marshonin me mua s‘panë gjë, se e kishin mëndjen te marshimi, por atyre që na panë në televizor, u tërhoqi vëmëndjen një skenë e pahir në fillim të marshimit. Sapo lumi i njerëzve u vu në lëvizje, në krye u shpalosën ca pllakata të stërmëdha me siglën LSI, që i mbanin ca djem qafëtrashë dhe, më pas u panë ca djem të tjerë me qafë normale, që iu afruan atyre dhe u thonin t‘i hiqnin ato pankarta. Natyrisht që fituan ata djemtë me qafë të trashë, se dukeshin të ushqyer mirë e paguar bajagi, ndërsa ata djemtë që u thonin t‘i hiqnin parullat ishin nga ata të shkollave, që flasin me "Ju" dhe mund t‘i flakësh tej me një të shtyrë.

Pyes më pas si është kjo punë dhe më shpjegojnë se ishte rënë dakord që në protestë nuk do të kishte sigla e flamurë partish, por vetëm njerëz që protestojnë. Kjo, jo vetëm për të mos bërë paradë flamurësh, jo vetëm për të treguar se nuk protestojnë partitë por populli, por edhe për respekt të atij fatziut që me vdekjen e tij u bë sebep për të dalë njerëzia në rrugë. PS-ja i qëndroi fjalës se, në fund të fundit, nuk i duheshin flamurët për t‘u kuptuar se kush e kish nxjerrë gjithë atë popull në bulevard. Edhe të vegjlit e tjerë i qëndruan fjalës, se edhe ata e kanë mbledhur mëndjen se kush e ngre vërtet popullin të lëvizë, ndërsa ata të LSI-së e bënë siç bëhet në stadium: "e fusim shishen në brekë që të mos na i shofi polici dhe pastaj kur s‘ka ç‘na bën më, e qesim dhe i gjujm arbitrit".

Atje te rreshti i parë i marshimit, fituan ata djemtë me qafa të trasha, se parulla me LSI vazhdoi të valvitej, po zgjedhjet, zgjedhjet a i fitojnë dot ata qafëtrashët, sado të ushqyer e të paguar të jenë? S‘besoj, se po të ishte kaq kollaj, e zgjidhnim punën duke ushqyer ata, e duke ndënjur në shtëpi ne të tjerët. Zgjedhjet do fitohen nga ai lumi i madh i njerëzve me qafa të holluara nga hallet që, kur u mbushet mëndja, nuk kanë nevojë për kodoshllëqe parullash që të lëvizin e të tregojnë fuqinë e tyre.

Është shumë e përpjetë rruga drejt pushtetit, për t‘u ngjitur e gjitha me hilera parullash, apo më keq akoma "kripto-parullash". Si do t‘i zë besë unë nesër-dej në fushatë elektorale, socialistit të integruar, kur ai sot nuk më rri në fjalë as për një gjë kaq të vogël sa kjo: Do dalim në miting pa parulla që njerëzia të na shohë që po bashkohemi. Dakord? Dakord - më thotë. Dhe pastaj kur nisemi, ai ngre tutat dhe nxjerr që andej dy hunj të gjatë me beze, ku ka shkruar emrin e partisë së vet. Çfarë duhet të bëj unë, apo kushdo tjetër si unë, për t‘i mbushur mëndjen atij, se vërtet jemi të barabartë në të drejtën për të bërë hije mbi dhe, por kjo nuk do të thotë se e kemi hijen njësoj?

Duhet ta ketë hequr edhe më parë në kurriz populli këtë hall, qëkurse na ka lënë atë historinë e buallit që turfullonte e tundëte kokën në të përpjetë, duke tërhequr i dërsirur qerren, ndërsa ndën bisht i zukaste miza që i dukesh se po e bënte ajo punën. Turfullon bualli, turfullon edhe miza në bisht të buallit.

Hej dreq, kush dëgjon prapë kryetarin tani!

TRAKTAT PER DRITEN

Ndërsa shkruaj, ekrani më fiket para syve. Ikin dritat. Njeriu shkoi në Hënë, u kthye dhe po përgatitet të shkojë në Mars, filloi dhe mbaroi Lufta e Ftohtë, ndërtoi çentrale bërthamore dhe shpiku fijet optike, mbaroi shekulli dhe mijëvjeçari i vjetër dhe filloi i riu, dhe në Shqipëri ende s‘ka dritë.

Të gjithë ne që nxijmë letër e bëjmë fillozofira, ia fusim kot. Të gjitha janë kot, për sa kohë në këtë tokë nuk kemi dritë. Nuk është punë që bëhet kjo. Asnjë shkrimtar, gazetar, fillozof, politikan a poet në histori të botës, nuk ka shkrojtur, bërë vizione e tjerrë fillozofira, duke ndenjur me dorë në zemër se mos i ikin dritat. Mos më thoni që "atëhere nuk ikin dritat se s‘kishte drita". S‘kishte dritë elektrike vërtet, po njerëzia ndriçoheshin me dritat e kohës: me llamba, me qirinj, shandanë e gaz. Dhe sikur papritur, në mes të të shkrojturit, Homerit t‘i mbaronte qiriri dhe t‘i thoshin s‘ka qiri tjetër, se s‘ka prodhuar Bojaxhiu a Saliu i ahershëm, iu siguroj që Homeri nuk do merrej më me Akilin, Odhisenë e Agamemnonin, po do ulurinte për dritat dhe do shkruante mallkime për Bojaxhinë e Salinë e kohës së tij. Fakti që sot ne na ka arritur Odhiseja dhe Iliada, tregon se Homerit nuk i mungonte drita.

As Marksit, kur shkruante se si duhej përmbysur bota e vjetër, drita kapitaliste nuk i mungonte. Se po t‘i mungonte drita, nuk do merrej me të ardhmen e botës, po me hallin e dritave. Dhe nëse neve sot nga Marksi na ka mbërritur "Kapitali" dhe "Manifesti i Partisë Komuniste" dhe jo "Manifesti i Dritave", kjo tregon se Marksit nuk i mungonte drita.

Drita, ajo me pishtar, është fitorja e parë e madhe e njeriut të shpellave mbi natyrën. Luftën tonë sot, pas 100 mijë vjetësh të asaj fitores së parë, nuk e kemi më me natyrën, se ajo na i dha mëntë e duart për ta bërë dritën. Lufta jonë, e shqiptarit të shekullit të ri, është me ata që nuk janë në gjendje të na i japin dritën.

Atëhere, të gjithë ne që nxijmë letër, nuk ia futkemi kot, se diç do vlejnë edhe këto rradhë për dritat. Atyre që do vijnë më pas e do na shpluhurisin letrat, kur të shohin se nuk iu kemi lënë traktate, poema, fillozofira e romane, por traktate për dritën, do thonë: S‘do kenë patur dritë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama