Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipni tavolinash

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Shqipni tavolinash

Lenini krijoi revolucionin dhe i dha atij shërbyesin: Revolucionarin profesionist. Në këtë profesion, Lenini bashkoi nevojën e revolucionit për idealistë dhe nevojën e idealistit për rrogë. Shekulli i ri pa shembjen e kësaj skeme dhe zëvendësimin e revolucionarit profesionist me atë të politikanit profesionist. Politikani profesionist do të duhej të zgjidhte nevojën e politikës për idealizëm dhe të idealistit për rrogë.
Koha jonë, që e sheh idealizmin si anakronizëm, po e zëvendëson politikanin idealist me politikanin e suksesshëm.

POLITIKANI I SUKSESSHEM

Politikani i suksesshëm është liberal, ai nuk i beson kurrë ato që thotë. Të thuash marrëzira dhe t‘i besosh ato, përfundon në diktaturë. Të thuash marrëzira nga halli i shefit, është thjesht liberalizëm.

Politikani i suksesshëm e urren shtetin. Shteti është një mekanizëm i madh i komplikuar, i cili përpiqet të funksionojë jashtë politikës dhe për këtë përbetohen të gjithë. Por po të ndodhte kjo, politikani i suksesshëm do të mbetej pa punë, ndaj ai bën të pamundurën që ta prishë a t‘i heqë ndonjë vidë.

Politikani i suksesshëm nuk ka ide, ai ka vetëm mendime. Politikani i suksesshëm nuk mbron ide, ai mbron vetëm mendime.

Politikani i suksesshëm e braktis mendimin në sekondën që sheh se mendimi i shfaqur nuk është më popullor. Për të nuk është e rëndësishme nëse mendimi është i drejtë apo jo, por nëse është popullor apo jo.

Politikani i suksesshëm nuk ka specialitet, ai mund të bëjë çfarëdo lloj pune. Sot pranon gjithë energji të bëjë ministrin e Financave, nesër atë të Mbrojtjes, siç mund të bëjë sot atë të Shëndetësisë e nesër atë të Kulturës.

Politikani i suksesshëm nuk specializohet në asnjë degë. Kjo, përveçse humbje kohe, do ta linte atë më këmbë në momentin që për ndonjë arsye do të rezultonte e zënë karrigia në ministrinë për të cilën ai ishte specializuar.

Politikani i suksesshëm nuk ka asnjëherë kohë të lirë. Dita e tij e punës fillon në kafen e Kuvendit, vazhdon në kafen e ministrisë, pastaj në kafen e "Rognerit", të "Tiranës", të "Sheratonit", pastaj në kafen e Bllokut, pastaj në kafen e kësaj, pastaj në të asaj.

Politikani i suksesshëm është ai që ka kuptuar se politika është si tavlla, nuk i hyn në punë askujt veç atyre që po luajnë, shërben për të shkuar kohën dhe po fitove, të bën edhe me pará.

Politikani i suksesshëm nuk lexon libra për disa arsye. E para, po të lexonte libra, do t‘i neveritej politika e suksesshme dhe e dyta, siç thamë, ai nuk ka kurrë kohë të lirë. Po të lexonte libra, nuk do kishte kohë për kafe dhe kjo do ta linte të paazhornuar. Në politikën e suksesshme, të azhornohesh nëpërmjet kafes është shumë më e dobishme sesa të azhornohesh nëpërmjet librave. Librat të tregojnë se ç‘duhet të bësh vitin e ardhshëm, por duhet të zgjidhësh vetë se ç‘duhet të bësh nesër, ndërsa në kafe mëson se ç‘duhet të bësh nesër, pa u bërë merak për vitin që vjen. Dhe e treta, nëse do të lexonte libra, nuk do kishte kohë për të krijuar probleme dhe për të zgjidhur halle.

Politikani i suksesshëm nuk zgjidh probleme, ai zgjidh halle. Halli është një gjë që i intereson dikujt në një moment të caktuar, ndërsa problemi është një gjë që u intereson shumë njerëzve në kohë të ndryshme. Të zgjidhësh një problem do të thotë të ngresh një mekanizëm që funksionon automatikisht edhe në mungesë të zgjidhësit, ndërsa të zgjidhësh një hall do të thotë të kesh aty prezencën e zgjidhësit që e ka në dorë. Për këtë arsye, politikani i suksesshëm nuk zgjidh asnjëherë probleme, pasi kështu do të mbetej pa punë.

Mënyra më fitimprurëse për të zgjidhur një hall është duke krijuar një problem. Populli (në kohët kur nuk kishte shoqata për mbrojtjen e kafshëve) e ka përkufizuar këtë metodë me shprehjen: "Me një gur vret dy zogj". Për shembull, nëse tre veta me një sy, kërkojnë të punësohen në administratë, logjika e thjeshtë të thotë që të bësh një ndryshim në ligj, sipas të cilit të gjithë njerëzit me një sy punësohen në administratë. Kjo është të zgjidhësh problemin, por ka një të keqe brenda. Nga ky moment, njerëzit me një sy nuk do të kenë më nevojë për politikanin. Atëherë politikani i suksesshëm zgjidh vetëm hallin. Ai thotë: "Tre njerëzit me një sy që erdhën të më takojnë, të punësohen në administratë". Kjo do të bëjë që ata të tre t‘ia dinë për nder politikanit të suksesshëm dhe, veç kësaj, të gjithë të tjerët me një sy do të kenë nevojën e tij për t‘u punësuar edhe ata.

Politikani i suksesshëm e trajton më seriozisht futbollin sesa politikën. Futbolli është një gjë me interes, pasi të bën popullor, ndërsa politika jo, pasi njerëzit e kanë më të lehtë të kuptojnë futbollin sesa politikën.

Politikani i suksesshëm nuk ka turp nga vartësit. Nëse do të kishte turp, nuk do të bënte të paktën gjysmën e maskarallëqeve që bën, gjë që do t‘ia ulte me 50% normën e fitimit.

Politikani i suksesshëm e urren korrupsionin. Aq shumë e urren, saqë nuk shpall asnjëherë se nuk ka të korruptuar. Ai thotë se të gjithë janë të korruptuar. Kjo ka dy të mira. E para, digjet i njomi me të thatin dhe e dyta, meqë të gjithë janë të korruptuar nuk mund të dënohet asnjëri, se përndryshe do kishim diskriminim.

Politikani i suksesshëm ka një mënyrë të vetën për të shkarkuar stresin që i krijon të thënët gënjeshtra pa ndërprerje. Ai tallet me atë që ka thënë para kamerës dhe mikrofonit, në momentin që fiket kamera dhe mikrofoni.

Politikani i suksesshëm nuk harxhon kurrë kohë duke mbrojtur një çështje publike, po nuk qe aty pranë një kamera që të përjetësojë dhe bëjë publik debatin e tij.

Politikani i suksesshëm nuk harxhon kurrë kohë me çështje, efekti pozitiv i të cilës do të duket në legjislaturën tjetër.

Politikani i suksesshëm nuk merret kurrë me vizione. Vizionet kanë një të keqe të madhe: përgjithësisht duan më shumë se një legjislaturë për t‘u realizuar.

Politikani i suksesshëm nuk i fsheh kurrë veset e shoqërisë, përkundrazi i denoncon me zjarr ato. Ai që përpiqej t‘i fshihte veset, ka qenë tipi i politikanit të suksesshëm të shekullit që shkoi. Politikani i suksesshëm i shekullit të ri e ka kuptuar se njerëzit nuk kanë kohë të presin rezultatet, ata mjaftohen me denoncimin.

Politikani i suksesshëm midis 10 jetimëve dhe një gazetari zgjedh të shpëtojë nga mbytja gazetarin. Të shpëtosh 10 jetimë, të bën të dalësh në të gjitha gazetat për një ditë, ndërsa të shpëtosh një gazetar, do të thotë të dalësh në atë gazetë për tërë jetën.

Politikani i suksesshëm nuk lufton, por vetëm luan luftash, nuk bën beteja politike, por vetëm manovra politike. Ndaj, pasi ka mbaruar denoncimin e armikut, shkon të pijë kafe me të, apo pasi e ka sharë me nënë e babë në studion televizive, shkon të hajë darkë me të.

Politikani i suksesshëm është si uji, ai merr formën e problemit që e përmban. Në mëngjes merr formën e problemit të mëngjesit, ndërsa pasdite merr formën e problemit të pasdites, i cili zakonisht është i kundërt me atë të mëngjesit.

Politikani i suksesshëm ia del të mbledhë vota nga të varfrit dhe pará nga të pasurit. Në këmbim ju premton të dyja palëve se do t‘i mbrojë nga njëri-tjetri.

Politikani i suksesshëm i zgjidh problemet gjithmonë në mënyrë të gabuar. Po t‘i zgjidhte drejt, ato nuk do të paraqiteshin më dhe kështu që ai do të mbetej pa punë.

Politikani i suksesshëm nuk tregon kurrë rrugën që duhet ndjekur. Aftësia e tij është të nuhasë nga do vejë turma dhe kështu të kthehet andej një sekondë më parë. Kështu është gjithmonë në krye "Unë bëj atë që doni ju, për këtë jam lideri juaj".

Politikani i suksesshëm nuk është nacionalist, pasi ai e ka fshirë atë në emër të integrimit. Kjo nuk bën që t‘i kujtohet parimi stalinist i "flijimit të nacionalizmit në altarin e internacionalizmit", pasi nuk e la mendja që të nxjerrë mësime nga historia.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama