Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipni tavolinash

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Shqipni tavolinash

FUNDI I BESIMIT

Unë nuk kam folur me Perëndinë, ndaj nuk e them dot që vdekja ishte aksident. Unë nuk kam folur as me Berishën apo Mediun, që të them se vdekja ishte vrasje. Pa folur me këto dy palë, njëra në qiell e tjetra në tokë, çdo analizë mbi atë që ngjau është hipotezë dhe shërben vetëm për të ushtruar mëndjen, apo për të treguar se kush ka parë më shumë seri të "FBI files" tek "Explorer Channel".

Merrni në dorë çfarëdo libër historie dhe brenda tij do të gjeni shumë personazhe, fundi i të cilëve shënohet me fjalinë "vdiq a u vra në mënyrë të dyshimtë, a që s‘u sqarua asnjëherë". Në fakt, po të vesh pastaj e të shohësh se ç‘kanë thënë qeveritë aso kohe për fundin e tyre, të del se të gjitha kanë deklaruar se vdekjet kanë qenë o aksidentale o, sidoqoftë, asnjëherë të lidhura me qeveritë në fjalë. Megjithatë, gjithë këto përpjekje e stërbetime, nuk kanë mjaftuar t‘i shfajësojnë qeveritë dhe të bëjnë që në librat e historisë ato të hyjnë të pastra. Nga ky rregull nuk kanë shpëtuar as priftërit e tempujve të faraonëve, as senatorët e kohës së Romës, as princërit e tragjedive të mesjetës shekspiriane, as kompllotistët e Evropës së Revolucioneve, as diktatorët ideologjikë të kohëve moderne, e as diktatorucët financiarë të kohëve tona.

Kjo ndodh sepse kur qeveritë fillojnë të humbasin besimin e popujve të tyre, apo e kanë humbur për fare, siç është rasti i kësaj tonës, merret me mënt sa mund t‘u zihet besë kur bëhet fjalë për humbje jetësh. Kjo kategori qeverish pastaj, edhe kur ja kanë dalë të mbijetojnë, a t‘i mbulojnë gjurmët e krimit, nuk u ka vlejtur për shumë, se qeveritë nuk ekzistojnë për të mbijetuar, po për t‘u dhënë jetë popujve që qeverisin.

Prokuroria le të bëjë e ndjekë rrjedhën e saj. Në ju dashtë qetësi, shqiptarët janë gati t‘ia japin. Por puna e Prokurorisë a e Policisë, asfare nuk ka të bëjë me atë çka do mbetet e shkruar në Librin e madh të historisë, atje ku për shtrëngesë të radhëve, qindra ngjarje, shkrime, sherre e debate, ulje-ngritje, fitore e humbje, përmblidhen në një varg të vetëm, që për këtë rast do jetë si për gjithë ç‘ngjet nën qeveritë e palegjitimta të rruzullit: dyshim, errësirë, pabesi.

U përunjem familjarëve të të ndjerit, por veç duke i vënë emër të keqes, mund t‘i japim kuptim ndarjes nga kjo botë të një shqiptari që foli.

TEMPULLI

Dikur i nxehur me një mikun tim që, sapo më kish dhënë lajmin e shkatërrimit të një ure të vjetër, i kthehem gjithë inat: Më kemi bërë si koshi i mbeturinave për nervat tuaja. Sa herë që merrni vesh ndonjë gjë, vini e ma thoni mua dhe flini rehat pastaj, se pas kësaj duhet të rri unë pa gjumë!

Pardje më mbërrin haberi i radhës: "Në Teqe të Melanit kishin prish një pjesë të murit prehistorik dhe kishin bërë antenë". "Kush", pyes mbrapsht. "Eagle Mobile", më vjen përgjigjja.

Kishim një rrjet celulari, AMC e thonë. I mbushi kodrat e malet me antena. Pastaj u bënë dy. Ky i dyti, Vodafon emrin ja thon, mbushi ato maja që nuk ishin zënë nga i pari dhe, meqë majat e lira ishin rralluar, filloi të dhunonte edhe një grup monumentesh, kalash e kishash, që gjendeshin majë kodrave. U shëmtuan shumë syresh, po thamë se mori fund kjo punë. Mirëpo tani sapo u licencua edhe rrjeti i tretë i telefonisë dhe, edhe ky do vërë antenat e veta dhe, meqë kanë mbetur pa zënë vetëm ato vende ku nuk arritën të çajnë dy të parët, natyrisht që ato do zërë. Nuk është punë organesh kompetente, Ministri Kulture, Institut i Monumenteve, Inspektorate e më the të thashë, se këta o s‘i pyet njeri, o marrin copën e tyre dhe s‘bëjnë më zhurmë, po të paktën vetë babai i Teqesë të kish thënë jo.

Vite më parë, kur në pushtet ishin socialistët e korruptuar, për një periudhë kohe u ndërpre vendosja e antenave nëpër monumente. Kujtoj këtu rastin e antenës, që deshën të vendosin m‘u në mes të Manastirit të 40 Shenjtorëve mbi Sarandë. Aso kohe, Tan Shkreli drejtor i Institutit të Monumenteve, hodhi përpjetë me të mirë e të liq, me të mëdhenj e të vegjël dhe ja doli që ta pengonte vendosjen e antenës dhe spostimin e saj jashtë zonës arkeologjike. Thamë se vendosëm një standard atëherëë dhe se shpëtuan monumentet. Mirëpo Shkreli shkoj e vate dhe bashkë me të e mori lumi edhe standardin dhe antenat filluan të lulëzojnë sërish.

Teqe e Melanit është nga më të veçantët vende kulti në këto troje. Atje ku u ngul antena, janë gjetur mure prehistorike që kanë qenë të një tempulli pagan të antikitetit. Më pas, kur luginës së Drinosit u shtri hija e kryqit, tempulli u kthye në kishë bizantine për shumë shekuj, derisa arriti mënga e Haxhi Bektashit dhe e ktheu në Teqe, siç është edhe sot. Tani mbërriti feja e kohës sonë - paraja - dhe ngriti edhe ajo tempullin e saj të çeliktë atje.

Unë jam bektashi, edhe ai që më dërgon mesazhin bektashi është, ndaj shpresoj që Perëndia të na i numërojë për mirë këto që shkrojta, se për të mbrojtur shtëpinë e saj atje në Melan e bëmë.

HALLI I NJEJTE

Të enjten Beqja (Iliri), ish në debat me Boden (Ridvanin) te Fevziu. Të gjitha debatet e këtij lloji, kanë tri faza: fillojnë me shpalosje suksesesh planetare, vazhdojnë me zbritje këmbësh në tokë dhe përfundojnë me ti je hajdut.

Edhe kësaj radhe, kur arriti puna te faza e tretë, Bodja iu kthye Beqes dhe i zuri në gojë se kur kish qenë drejtor, paskësh lejuar që të regjistrohen 28000 pensionistë të rremë. Beqja, që nuk ja kish marrë dorën asaj skemës me tri faza, iu përgjigj se "me letra në fakt nuk janë sa ç‘thotë ministri, 28000, por vetëm 34". Logjika e thjeshtë, ta do që t‘i zësh besë Beqes, se po të ishin vërtet 28000, kushedi se sa herë do kish përfunduar në prokurori Beqja i shkretë dhe se sa konferenca shtypi do kish dalë ministri për këtë punë. Mirëpo, këto lloj debatesh nuk bazohen mbi logjikën, por mbi batutën "lëshoje dhe shko tutje, lër të tjerët t‘i marrin erë".

E solla këtë ndodhinë e së enjtes, se edhe mua më ka ngjarë njësoj me një tjetër ministër të kësaj qeverie që, kur s‘kish ç‘të nxirrte më, tha se unë paskësha dhënë pa fund leje pallatesh me 16 kate anekënd bregut të detit. Edhe unë si Beqja, i kërkova të më jepte një fakt të vetëm dhe madje u përpoqa ta vë edhe në sedër për këtë punë, por aha, më mbeti sedra në dorë, se ministri u hodh tutje.

Tani, ose unë e Beqja duhet të mbajmë mendjen që kemi dhe t‘ia lëmë njerëzisë ta ndajnë punën, ose duhet të mësojmë skemën e Bodes me shokë: "Lëshoje dhe shko tutje, lër të tjerët t‘i marrin erë". Mëndja më thotë se as mua e as Beqes, s‘na shkon kjo e dyta.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama