Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipni tavolinash

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Shqipni tavolinash

Ngryste vetullat Gramoz Ruçi tek nëmëronte pyetjet njëra pas tjatrës për Salinë, jo po ku e takove këtë, jo po e kujt është kjo firmë, jo ja shite Arkanit, po ta bleu Sllobodani. Ja nëmëronte një nga një dhe fliste ngadalë, që gazetarët t‘i shënonin të gjitha, po që t‘i shënonte edhe Saliu që dëgjonte nga zyra. I thotë mëndja Gramozit, se demek Saliu është Gordon Brauni, që po i the gjysmë llafi, e zë meraku dhe nxiton të sqarohet në Dhomë të Lordëve.

S‘arrivi Gramozi të soste dyzinën e vet të pyetjeve, kur proftasën një dyzinë të tjera. Fazliçi kish vënë përpara si dhëntë, 3 Ministra, plus 3 Gjeneralë, plus 2 Kolonelë, plus edhe 2 Drejtorë dhe u kërkonte hesap se si ruhet kufiri. U dhjefsha mu në yje të spaletave, o gjeneralët e vëndit tim, se më mirë t‘ua bëj unë, sesa të vijë një horr nga Sërbia e t‘ua bëjë siç ua bëri para kamerave. I madh e i vogël u tmerruan e u turpëruan kur panë atë skenë. U turpëruan se të gjitha nishanet e shtetit, me flamur, betim, spaleta, ministri e sekrete, i mori lumi dhe u tmerruan se panë se kujt ja kishim besuar sekretet e shtetit.

Në këtë moment i thashë vetes "stop" dhe i dhashë karar t‘i shoh anën e mirë kësaj mënxyre. Dhe donte bërë shpejt kjo, para se të më lozte tepeleku i kokës, kur i shikoja të gjithë ulur sërë-sërë para Fazliçit. Kështu, e qetësova veten, duke thënë se edhe në kohë të Zogut italianët ishin këmbëkryq në ministritë tona dhe ç‘i gjeti malet tona, Italia erdhi e shkoj dhe prapë këtu mbetëm ne. Po edhe jugosllavët më ‘46-ën ishin shtruar këmbëkryq në të gjitha zyrat dhe gjeneralët tanë u raportonin atyre për çdo mizë që lozte poshtë e lart. Mirëpo edhe jugosllavët ikën më ‘48-ën dhe prapë këtu mbemë ne jo ata. Po pas tyre, një më një jua treguam sekretet sovjetikëve që kishin zënë gjysmat e zyrave tona dhe pastaj një ditë edhe këta ikën dhe këtu mbemë ne. Po ç‘sekrete kemi ne, që na marrtë lumi, kur që nga ‘90-a e prapa, ky vënd nuk ka më as derë e as penxhere. E ç‘sekrete do na marrë Fazliçi neve, morrat e Kavajës apo koqet e misrit pa kokrra të Jemin Gjanës. Mund të na vijë ca turp që i rrinin si pula gjeneralët e ministrat Fazliut, pa sa për sekrete, aha, ato na i kanë marrë të keqen me kohë.

Si u qetësova nga kjo anë dhe ua them edhe juve që t‘i vini kapak me këtë mëndje, më zuri tjatër siklet. Pasi ka një vit që ulërin e kërcënon sa herë e zë qameti i radhës, kësaj here për Fazlinë, Saliu as thirri e as ju gërmush kujt. U shfaq duke qeshur dhe, kur e pyesin për të, kthehet, qesh e bën hoka. Pastaj hidhet e flet buzëgaz për domosdoshmërinë integruese dhe respektin për opozitën. Ja kam frikën Saliut kur thërret, se do ketë bërë ndonjë zullum, po ca më shumë ja kam kur qesh, se është e sigurtë që kësaj radhe zullumin s‘ja mban dheu. Hileja e të ligut është jo kur duket i trëmbur, po kur çfaqet i sigurtë e puthadorë.

Kur Skënderbeut i mbaroi buka në rrethim të Krujës, Kol Malçi një malcur i squet, i dha mëndje si ta hidhte hallin që i kish zënë. Ushqyen një mushkë me grurin e fundit që kishin dhe e rrokullisën nga muret poshtë ku, si i plasi barku, turqit panë që bashkë me zorrët, u përhap ferrave edhe gruri. Ngrehuni të shkojmë, paskësh thënë i pari i turqve, se këta paskan grurë edhe për mushkat e jo më për njerëzit. Kësaj historie sot i thonë të luash me bllofin. Këtë po bën edhe Saliu sot pas 500 vjetësh. As ai është Skënderbe e as ne s‘jemi turq, po në mëndjen e tij, të malësorit, fle hilja e lashtë e Kol Malcit, hile që kryen punë sa herë e zënë keq e s‘ka nga luan.

HALLI I AMBASADOREVE

Po bën njëzet vjet që Shqipëria është plot me të huaj gjithë tituj tringëllonjës, "ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i akësh shteti a mbretërie" i thonë njërit, "përfaqësonjës i përhershëm i një organizme ndërkombëtare" i thonë tjatrit, apo një tjatri akoma "i deleguar special i fistek organizate", e kështu radhë-radhë. Vijnë me çanta plot me ligje e projekte, me matrica dhe kushte, që duhet t‘i aplikojmë që t‘i ngjasim Evropës. Shtetarët tanë u rrinë qiri më këmbë dhe i dëgjojnë pa bërë as gëk as mëk. Pastaj ata, ambasadorët ndjekin se si miratohen ligjet që kanë sjellë ata vetë të hazërta nga Brukseli a Strasburgu, ndjekin sesi politika shqiptare zbaton detyrat e shtëpisë me zell e bindje dhe, të kënaqur shkruajnë e u bëjnë raporte të mëdhenjve të tyre anekënd kryeqyteteve të botës, për përparimin e hatashëm të Shqipërisë dhe fytyrën integruese të politikanëve të saj. Pa pastaj u kërkojnë shteteve dhe organizmave që i kanë dërguar këtu, që të shtojnë ndihmat, grantet, donacionet e kreditë, për të ndihmuar në ngritjen e institucioneve të pavarura që janë vënë në udhë të mbarë. Dhe kështu rrjedh koha, me rroga të mira e sajdisje si pe mbreti, sa në Sheraton e sa në Kryeministri, vitet shkojnë derisa u mbaron mandati dhe duhet të largohen nga vëndi i shqipeve.

Atëhere papritur zgjohen dhe kuptojnë që i gjithë mandati i tyre ka vajtur dëm. Kryeministrat e ministrat, vërtet i kanë pritur në Kryeministri e nëpër ministrira, e i kanë dëgjuar pa hapur gojë, mirëpo ç‘u kanë thënë nga një vesh u ka hyrë e nga tjetri u ka dalë. Ligjet vërtet janë miratuar në Parlament, por deputenjtë e kanë ngritur dorën sa për të qenë në rregull, se pastaj as që i zbaton njeri. Paratë vërtet janë harxhuar për të ngritur e trajnuar administratën, po posaqë një qeveri bie, e reja që vjen nxiton të çojë në shtëpi të trajnuarit e armikut, për të marrë në punë hunjtë e mikut.

Ç‘të bëjnë të zestë ambasadorë? Të zënë të shajnë, të mallkojnë e t‘u bëjnë raporte qëndrave të tyre për ç‘u panë sytë? Mirëpo po të bëjnë kështu, edhe që këtej do të ikin si të përzënë, por edhe atje ku do venë do t‘u thonë: "Pa dale një herë, si është kjo punë që, pasi na shkruat tri a katër vjet rresht për përparimet e Shqipërisë dhe rolin tuaj në këtë punë, tani në fund na thoni që dështuat?". Jo, jo s‘është punë që bëhet kjo. Atëhere, mos është më mirë të gënjejnë të dëshpëruar deri në fund, duke lëvduar përparimet me hapa gjigantë të vëndit liliput? Kështu edhe marrin një medalje nga Presidenti në Pallat të Brigadave, edhe do t‘i përcjellin me fanfara e buzëqeshje në Rinas, edhe atje ku do venë mund të mburren për sukseset e arritura, edhe mund të tundin xhaketën që t‘u tingëllijë medalja dhe kështu karriera vazhdon e qetë të shkojë përpjetë. Pastaj inatin mund ta nxjerrin në shtëpi me gratë, apo në klubet e Brukselit me miqtë, ku mund të shajnë pa rrezik horrat e Ballkanit në përgjithësi, apo maskarenjtë e Tiranës në veçanti.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama