Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipni tavolinash

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Shqipni tavolinash

Si u nxeh mirë debati për Skënderbenë, i dhashë karar të ulem edhe unë e të shkruaj për këtë punë. Siç e do zakoni i tyre, shqiptarët e kthyen edhe këtë diskutim shkencor në luftë llogoresh, ku në njërën duhet të futen me domosdo ata që e dashkan Skënderbenë dhe më tjatrën ata që sipas atyre të llogores së parë, duan t‘i bëjnë varrë.

Mirëpo Perëndia deshi të m‘i sillte mëntë në vënt, përpara se të futesha edhe unë në njërën pe këtyre dy istikamëve. Për këtë më këndoi në vesh e më tha: Artan be, para se të shkruash e të bësh teorira me Skënder be, hidhu një sy në internet forumeve ku po diskutohen këto punë. Ja ndoqa këshillën, po ç‘më panë sytë atje s‘tregohet me të treguar. Njerëz që shanin njëri-tjatrin me rrënjë e degë, i shitur, spiun, horr, maskara, qelbanik, pa atdhe, serboviç, UDB-ist, e ç‘t‘u them tjetër. Ata që e kishin futur veten në llogoren e Skënderbeut, u lëshoheshin me këto fjalë ca të tjerëve, që jo se ishin futur vetë, po i kishin shtyrë me zor në llogoren tjetër, që u ishte caktuar spiunëve të UDB-së.

Meqë vetë nuk dua as të futem në llogoren e të parëve, se nuk jam mësuar t‘i them kujt horr e spiun, e as në llogoren tjetër, ku të degdisin pa një pa dy si antikombëtar, një herë thashë të rri e të flas së jashtmi. Mirëpo si në çdo luftë, po ndënje jashtë llogores të ha plumbi nga të dy krahët, ndaj ua dhashë këmbëve me sa munda, të iki sa më larg nga kjo tollovi dhe, do kisha shpëtuar vërtet, sikur në të ikur e sipër, të mos dëgjoja mes të shtënave intelektuale t‘i thonin të 99-at edhe Lubonjës. Aty i mbajta këmbët. Zor të gjeni dy shqiptarë që të jenë zënë e kenë bërë llafe mes tyre, sa unë me Lubonjën, por kjo nuk m‘u duk arsye e mjaftë që, një njeriu që, si pak të tjerë ka bërë burk për fjalën e lirë në kohën e fjalës së burgosur, sot në epokën e fjalës së lirë t‘i thonë të mbyllë gojën.

Kuptova atëherë se të gjithë po ia fusim kot, edhe ata që thërresin me bejte për Skënderbenë, edhe ata që duan të bëjnë shkencë për Skënderbenë. Historia është shkencë dhe, si të gjitha shkencat e zanatet e tjera, ka një çantë me vegla, e prapë bishti mbetet jashtë. Mirëpo ç‘po bëjmë ne? Ne me këtë debat, po shkruajmë shkencën e historisë popullore. Ashtu siç munt të shkruajmë edhe shkencën e kimisë popullore apo të fizikës bërthamore popullore. Si të gjitha shkencat, edhe shkencë e historisë do studionjësit e saj, do analizat e saj, do revistat e specializuara ku debatohen tezat e saja, do para për t‘ja financuar studimet, do e ç‘nuk do. Ndërsa ne thjesht e kthejmë në muhabet gazetash dhe diskutimesh popullore. Imagjinoni Ajnshtajnin që diskuton nëpër gazeta teorinë e relativitetit dhe përpiqet t‘i mbushë mëndjen klasës punëtore dhe fshatarësisë punonjëse për drejtësinë e teorisë së tij. Po Ajnshtajni ish-burrë me mënt dhe rronte në një vënt të mënçurish, ku secili bënte punën e tija. Ndërsa ne, le që nuk nxjerrim dot Ajnshtajnë, por edhe kur një i tillë na qaset, Shmiti në këtë rast, i vëmë drunë dhe i tregojmë se si është e vërteta pa u lodhur.

Tjatër gjë që vura re, është se më çdo 100 vetë që flasin për këtë punë, 99 syresh e vetmja gjë që kanë lexuar për Skënderbenë është libri i leximit të klasës VIII, ndërsa më çdo 100 vetë që shkruajnë e shajnë Shmitin, ‘90 as që e kanë vrarë mendjen ta lexojnë. Mua vetë m‘u deshën të paktën tri javë ta lexoj e ta përtyp, të konsultohem me burimet e mia dhe me ato që përmend ai dhe pastaj të marrë guximin të jap ndonjë gjykim.

Të vjetrit, që kanë hequr picirën në jetë, na kanë lënë një llaf: "Njohuritë gjysmake janë më të rrezikshmet", thoshin ata. Se ai që s‘di fare s‘hap gojë, ai që i di të gjitha thotë gjëra të mençura, ndërsa ai që di një këtu e një atje, flet marrëzira dhe merr në qafë dynjanë. Shmiti, që i jemi lëshuar në kurriz, di mbi një dyzinë gjuhë të gjalla e të vdekura, flet një shqipe të pastër që shumë nga ata që e shajnë nuk e flasin dot, pa ka edhe nja dhjetë vjet që rrëmon nëpër arkiva që këta as e dinë ku bien. Pasi ka shtruar këtë bazë, është ulur e ka shkruar një libër tri gisht të trashë për Skënderbenë tonë. Meqë nuk më rezulton ndonjë shqiptar tjetër që t‘i hyjë këtij gajreti, më të shumtit e atyre që flasin, bëjnë thjesht atë që gjithmonë bëjnë shqiptarët, i hyjnë detit më këmbë dhe pastaj, kur mbyten, ia vënë fajin detit.

Është fat për një vend të vogël të ketë studionjës që t‘ia dedikojnë jetën siç bën Shmiti, është fat për çdo vënd të ketë mejtonjës që shkojnë kundër rrymës si Lubonja apo Klosi, dhe përgjigjja jonë nuk është që t‘u bëjmë vënd po nxitojmë t‘u themi mbyllni gojën. Në situatën mjerane në të cilën gjendet sot shkenca shqiptare në përgjithësi dhe, shkencat albanologjike në veçanti, e shoh si dhuratë të Perëndisë daljen e një gjermani të ftohtë që bie në dashuri me kombin tonë dhe që i kushton atij jetën dhe studimet e veta. Natyrisht pastaj që ne, si shqiptarë të vërtetë, nuk mund të reagojmë ndryshe, përveçse duke e treguar me gisht e duke ia nxirë jetën me sa kemi në dorë.

Po të ish veç për të qarë, do kisha lojtur nga mëntë, por ka edhe momente kur më vjen të qesh. Një nga argumentet që të lëshojnë në kurris dhe u duket bllokonjës është ky: "Pa guxo t‘u prekësh Vashingtonin amerikanëve, Robin Hudin englezëve, apo Vilhelm Telin zvicerianëve, ç‘do të të bëjnë!". E çdo të të bëjnë, u them juve se me të marrët kam frikë të shpjegohem, hiçmosgjë.

Shkenca moderne, pa i lëvizur nga vëndi këto figura, ka vazhduar të bëjë punën e saj dhe sot, çdo amerikan me shkollë e di që Vashingtoni ishte thjesht një latifondist, i cili prekej nga sistemi i taksave që donin të vinin anglezët dhe për këtë u ngrit kundër tyre. Kam dëgjuar një studionjës amerikan që gjakftohtë shprehej se Vashingtoni pati fat që fitoi, se po të kishte humbur, ai do të ishte harruar në histori si një prej mijëra rebelëve që në shekuj janë ngritur kundër Kurorës Angleze dhe, kur janë kapur janë varur. Mirëpo kjo nuk e ndalon as Amerikën, as botën e as mua ta nderojmë këtë figurë, pa ju hequr dru historianëve.

Shkenca moderne e ka thënë fjalën e saj për Robin Hudin dhe zotin e tij, Rikard Zemërluanin, që ishte thjesht një dorëshpuar që varfëroi gjithë Anglinë duke shkuar vite të tëra poshtë e përpjetë Evropës dhe Tokës së Shenjtë. Mirëpo, kjo nuk i ndalon englezët të vazhdojnë të bëjnë libra e filma me Robin Hud, duke i lënë sidoqoftë historianët të bëjnë saktë punën e tyre.

Sa për Vilhelm Telin, puna është ca më e thjeshtë. Shkenca moderne ka vërtetuar që ai nuk është figurë reale, por legjendë e cila në periudhën e romanticizmës mori veshje reale. Por kjo nuk i pengon zviceranët që dëshirën e tyre për liri t‘ia veshin një figure legjendare, pa varur për gjuhe ama shkencëtarët që bëjnë punën e tyre.

Kështu që vendosa të mos hyj në diskutimin mbarëpopullor të historianëve popullorë për heroin popullor. Por ky vendim nuk më heq dëshirën të shpall një dashuri rë rindezur. Deri para se të lexoja Shmitin, megjithëse kisha lexuar gati çdo gjë të shkruar për Skënderbenë, e trajtoja atë paksa si një krijesë të largët, joreale, si një statujë mitike mbi gur. Shmiti ma zbriti nga shkëmbi, i shkriu bronxin që e kish ngrirë, ma bëri njeri prej vërteti, me halle e sherre, të mira e të liga. Bëri që të shihja e jetoja çdo ditë të heroit, të më dukesh se kalëroja krah tij orë pas ore gërxheve të Dibrës, të më fanepsej si i gjallë plaku mjekërbardhë tek psherëtinte i lodhur herë në kep të Rodonit e herë pyjeve të Matit. Falë gjermanit Shmit, sot unë them me bindje: "Unë e dua Skënderbenë".

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama