Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipni tavolinash

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Shqipni tavolinash

VJEDHJA E PROGRAMIT

Partisë Socialiste po i vjedhin programin. Para ca ditësh ky qe lajmi i ditës. Kam dëgjuar për shqiptarë që vjedhin armë, për biznesmenë që vjedhin shtetin, për shtet që i vjedh të gjithë, apo për politikanë që vjedhin votat, por për Parti që vjedhin programin s‘kisha dëgjuar gjëkund. Arsyeja është e thjeshtë. Një Parti është e majtë a e djathtë, sipas radhës dhe udhës që ka zgjedhur dhe njerëzia e votojnë se bën pikërisht ato gjëra që i shkojnë krahut të vet se, po bëri ato të kundërshtarit, nuk do ta votojnë më as të sajtë. S‘do ta votojnë se, e para duke bërë gjërat e palës tjetër po shkon kundër programit të tyre dhe e dyta, njerëzve u bie më kollaj të votojnë të zotin e programit të vjedhur, sesa kopjacin. Ndaj kjo që bëri vaki këtu, mund të ngjasë vetëm në Shqipëri, ku programet as që i ka zënë njeri për bishti deri më sot dhe kanë shërbyer thjesht sa për t‘u gjet Kola në punë. Megjithatë, e ka edhe një të mirë kjo punë. Ka të mirën që, më në fund, partitë po fillojnë të detyrohen nga ndjekësit e tyre që të kujdesen jo vetëm për parulla e mitingje, por edhe për programet.

Veç kësaj edhe këtë modë, modën e programeve, e solli në Shqipëri Partia Socialiste dhe të tjerët duan s‘duan do ta ndjekin, në s‘duan të mbeten jashtë kohës. Ashtu siç edhe shumicën e reformave të brendshme nëpër partira, i sollën të parët socialistët. Kujtoj këtu parimin "një anëtar një votë", përqindjen e grave, e të tjera si këto që, në fillim të gjithë i përfolën dhe pastaj, po të gjithë i kopjuan. Ashtu si edhe modelin e të lënit të pushtetit pa qenë nevoja për kryengritje, e sollën sërish socialistët se, me ç‘më kujtohet mua, në këta 95 vjet, që nga Ismail Qemali, te Vidi, te Zogu, tek Italia, te gjermani, te Enveri e deri te Saliu i 97-ës, 2005-a ishte rasti i parë që shqiptarët zbuluan se mund të lihet pushteti edhe pa kthyer përmbys shtetin. Para se të më thoni se po ekzagjeroj, më gjeni një pushtet tjetër të ndërruar pa dhunë në këtë vend dhe pastaj hajt të flasim.

BOMBA E VOJOS

Në defterin e madh të armëve të vjedhura në depot e shtetit shqiptar, mungojnë ende nja 300 mijë pushkë e mitraloza, disa milionë bomba e granata dore dhe nja një miliard fishekë (saktësoj jo "1 milion", por "1 miliard"). Ku janë? As në Siberi e as në Alaskë, por këtu mes nesh, prapa murit të fqinjit, apo poshtë dyshemesë së komshiut, në këtë pëllëmbë vend që i thonë Shqipëri dhe ku themi se ligji sundon sovran. Në çdo kontroll që bën policia dhe për çfarëdo arsyeje që ta bëjë, do të gjenden edhe armë pa leje. Kontroll për vjedhje, për drogë, për kontrabandë, për dokumente false, për shmangie tatimi, për çdo gjë, armët janë aty bashkëshoqëruese të çdo shqiptari.

Mirë ato 300 mijë pushkët edhe mund t‘i kuptoj, se helbete popull trim e liridashës, po atë milionin e bombave të dorës, nuk ma nxë mendja për qamet. Se, edhe sikur secili nga ata që ka bomba, të ketë 100, i bie që të paktën janë 10 mijë familje shqiptare që kanë bomba në shtëpi, poshtë krevatit ku flenë fëmijët, apo sipër dollapit të rrobave. T‘u thuash të çmendur nuk shkon, se janë ca si shumë.

Para ca ditësh në Podgorije të Korçës, policia bëri luftë me një fshatar që, në inatin e parë që e zuri me fshanë, mori torbën e bombave që poshtë frigoriferit (një Zot e merr vesh pse i mbante atje) dhe i hapi luftë tërë dynjasë. Më në fund e zunë me gjithë torbën e bombave, apo më saktë, të atyre që i kishin mbetur pa hedhur.

67 vjet më parë në vitin 1942, italianët rrethuan në një shtëpi Vojo Kushin që kishte një kobure me 6 fishekë dhe një bombë dore. Punë e parë që bënë pushtonjësit, zbrazën lagjen nga banorët se mos dëmtohej njeri dhe pastaj e shtrënguan Vojon në rreth derisa e vranë, pa e lënë as ta hedhë atë të shkretë granatë mbi tankun e Italisë. Vojo Kushi u bë Hero i Popullit dhe hyri në histori për një granatë që as nuk e hodhi dot. Po ky trimi i Podgories ku meriton të hyjë? Po ata qindra mijë shqiptarë që, për të zezë të vet dhe për turp të botës, mbajnë armë e bomba në shtëpi, ndërsa bota mban kompjuterë e procesorë, në cilën faqe të historisë meritojnë të hyjnë? Në atë të të marrëve, apo në atë të shekullit të XV? Dhe pastaj çuditemi me njëri-tjetrin: Mor po ç‘kanë këta të Evropës që nuk na pranojnë?

ATA MË HËNGRËN FANIN

Plot 92 vjet rrojti David Smiley (Smajli), për t‘u shuar më 13 janar të këtij viti. Kishte qenë oficer në misionet angleze në Shqipëri në kohë të Luftës dhe për gjithë jetën ruajti një lloj dashurie alla britanike për vendin në malet e të cilit u kacavor për dy vjet rresht. Them "alla britanike", pasi në librat e tij të kujtimeve ia del të jetë i ftohtë ashtu si veç një përfaqësues i Luanit Britanik di të jetë. Këtu, nëpër malet tona i panë sytë shumë gjëra. Pa partizanë e gjermanë, ballistë, legalistë e të paangazhuar, trima e frikacakë, luftra, heroizma e kriminelë, pa nga të gjitha dhe shkroi edhe libra për ç‘ka i la në mendje vendi i largët i shqiptarëve. Por mbi të gjitha, në kujtesë për gjithë jetën, e shoqëroi një ndodhizë, nga ato që ne, njerëzit e këtyre maleve, as do ta kishim vënë re.

Kolonel Smajli shkruan në kujtimet e veta se, ditëve të vjeshtës 1943, mbante një mushkë të bukur e të shëndetshme, me të cilën kapërcente malet bashkë me luftëtarët shqiptarë. Mushkës i kishte vënë emrin "Fani", në respekt të zonjës Hëzllak, albanologes dhe adhuronjëses së madhe të shqiptarëve, që i kish folur atij me aq pasion për zakonet e ndenjësve të vendit të shqipeve. Pastaj një ditë, Smajlit iu desh të linte Shqipërinë për ca kohë, për të raportuar pranë shtabit aleat në Greqi dhe u nda me lot në sy nga mushka e dashur, duke iu lutur "shqiptarëve të mij" siç i quante ai, që ta mbanin mirë Fanin derisa ai të kthehej. Në krye të dy muajve, me t‘u kthyer, pyetja e parë që bëri ishte "Si është Fani?". Imagjinoni reagimin e tij, kur i erdhi përgjigjja "-E hëngrëm". Për ata që nuk e imagjinojnë dot reagimin e tij, ju them se edhe pas 60 e kusur vjetësh, Smajli sa ish gjallë, të parën gjë që kujtonte kur e pyesnin për Shqipërinë ishte që ... "ata më hëngrën Fanin". I fundit që ma ka treguar këtë histori, është Ani Tare, i cili e takoi atë para nja dy vjetësh.

I qoftë dheu i lehtë kolonel Smajlit atje në Britani.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama