Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Varrezat greke? Po ato të mijëra çamëve?!

Shkruar nga: Shpëtim Idrizi  
Botuar më: 16 vite më parë

Shpëtim Idrizi
Varrezat greke? Po ato të mijëra çamëve?!

Marrëveshja e fundit për ndërtimin e dy varre-zave greke në Shqipëri, kaloi thuajse pa asnjë vëmendje në opinionin publik, dhe për fat të keq dhe politika nuk pati asnjë qëndrim institucional. Ministria e Jashtme bëri të ditur veprimin e vet, në një lloj sinkronizimi me homologen e saj greke, por duke ruajtur disa mistere në deklarimet e saja. Një veprim që i ngjau në fakt legalizimit të ndërtimeve pa leje. Varreza e Këlcyrës ishte ngritur dhe thjesht u legalizua, nuk merret vesh nëse ajo e Gjirokastrës do jetë një e re, apo zgjerimi i asaj të Bularatit. Ministria jonë e Jashtme nuk dha asnjë përgjigje për kërkesën e bërë disa javë më parë nga Shoqata Patriotike “Çamëria”, Instituti i Studimeve për Çamërinë dhe PDI për ngritjen e një obelisku në Paramithi, në kujtim të masakrës së Qershorit të 1944, ku brenda një dite u masakruan 700 burra, gra, pleq e fëmijë, duke shënuar kështu fillimin e genocidit çnjerëzor grek karshi popullsisë çame, ku 4600 vetë, burra, gra, pleq e fëmijë vdiqën, u masakruan vetëm sepse ishin shqiptarë.

 Ajo nuk dha asnjë përgjigje dhe për kërkesën tjetër për ndërtimin e një varreze përkujtimore pranë urës së lumit Kalama në tokën greke, në përkujtim të viktimave të pafajshme të genocidit grek. Ç’mund të themi për këtë marrëveshje? Dihet që prej kohësh grekët kanë bërë kërkesa për ngritjen e varrezave të ushtarëve të tyre. Asnjë qeveri nuk ka guxuar ta pranojë një marrëveshje të tillë. As demokratët e dikurshëm, as socialistët. Nëse ishte qeveria e PD-së ajo që e firmosi marrëveshjen, është ajo që mban përgjegjësi për mungesën e transparencës dhe të dinjitetit në realizimin e saj. Mungesa e transparencës ka sjellë në mungesën e diskutimit publik për llojin e marrëveshjes.

Pikë së pari, autoritetet tona nuk kanë diskutuar dhe as nuk kanë lejuar të diskutohet statusi i ushtrisë dhe i ushtarëve grekë që kanë vdekur në Shqipëri. A ishte ajo një ushtri pushtuese, apo ushtri çlirimtare? Të gjitha dokumentet historike tregojnë se ajo ishte një ushtri pushtuese, që u soll si e tillë në territorin shqiptar. Autoritetet greke të pushtimit nuk lejuan festimin e Ditës së Flamurit në qytetet shqiptare; ata shkatërruan shumë objekte kulti të fesë myslimane dhe madje dhe ortodokse në Shqipëri - shiko librin e Beqir Metës për marrëdhëniet shqiptaro-greke. Ai citon shumë kuadro drejtues të politikës greke që e konsideronin territorin shqiptar, Shqipërinë e Jugut, si plaçkë lufte në rregullimet e ardhshme të pasluftës. Ata nuk donin dhe as nuk lejuan në Shqipëri të lindte rezistenca antifashiste, në mënyrë që Shqipëria të konsiderohej pas konfliktit si vend aleat i Boshtit.

Së dyti, kur Greqia rezulton të jetë vend pushtues, me çfarë logjike ne duhet të pranojmë ngritjen e varrezave masive në territorin tonë? Nëse lejojmë grekët, pse nuk duhet të lejojmë italianët dhe të gjithë pushtuesit e tjerë që kanë shkelur tokën tonë në dy konfliktet botërore? Pse jo serbët e Luftës së Parë që na çliruan nga turqit, siç kërkoi Kryepeshkopi i Kishës serbe? Në frazeologjinë e përdorur qoftë nga Ministria jonë e Jashtme, qoftë nga ajo greke, përdoret shprehja për arsye humanitare. Shprehje shumë e saktë. Po, ky duket i vetmi argument për të cilin ne mund të pranojmë varreza të tilla, megjithëse gjermanëve nuk besoj t’i ketë shkuar ndërmend t’i kërkojnë francezëve apo rusëve ngritjen e varrezave të tilla.

Familjet, normalisht duhet të kërkojnë t’i kenë afër vetes eshtrat e ushtarëve të vrarë dhe jo në një territor tjetër. Besoj që shteti humanitar grek duhet të ishte kujdesur e të jepte fonde që këta ushtarë, megjithëse kishin kaluar territorin e tyre gjeografik dhe historik, të ktheheshin dhe të preheshin pranë familjeve të tyre, madje dhe shteti shqiptar duhet të ishte i gatshëm si gjithmonë të kontribuonte për këtë akt humanitar. Por dhe sikur ta pranojmë justifikimin humanitar, ka aq shumë çështje humanitare që ne duhet të paraqesim para Greqisë, sa ne nuk mund të mbyllim sytë.

Pse shteti shqiptar nuk kërkon ngritje varrezash për të gjithë ata shqiptarë çamë ose jo, që janë vrarë në territorin grek, prej njësive nacionaliste të Zervës? Nëse pala greke thotë se ata ishin bashkëpunëtorë të fashizmit, atëherë le të ngrihet një varrezë për ata fëmijë dhe gra të pafajshme që u masakruan çnjerëzisht. Në mos një varrezë, të paktën një lapidar që të kujtojë historinë e tyre tragjike. Por nëse pala shqiptare nuk ka pasur kurajo të kërkojë varreza apo lapidarë, pse vallë nuk ka pasur kurajën të kërkojë që një grup pleqsh që nuk po i tret dheu të shkojnë dhe të vendosin një tufë me lule në ato vende ku të afërmit e tyre vdiqën nga uria, u përdhunuan dhe u vranë, se varreza nuk ka?

Historia e marrëveshjes për varrezat është një histori e mungesës së turpshme të dinjitetit nga qeveria e Sali Berishës, që gjithmonë është shitur si patriot. Është dëshmi e gjunjëzimit të një pragmatisti, që për të ndenjur në pushtet, mund të bëjë gjithçka. Për palën greke, kjo marrëveshje është dëshmi e një mungese të theksuar humanizmi. Dyfish antihumane. Së pari, pse nuk ia çon të afërmve të atyre ushtarëve të vdekur në Shqipëri, eshtrat e tyre, që t’i kenë afër. Por do t’i ketë në të ashtuquajturin Vorio-Epir, si simbol therorizimi për tokën e dëshiruar. Së dyti, pse mohojnë në mënyrë të paturpshme krimet dhe mizoritë e genocidit të tyre mbi shqiptarët çamë. Si ka mundësi që ky vend anëtar i BE-së mban këto standarde të dyfishta?

Të paktën të kishin respekt dhe të ishin mirënjohës për Marko Bocarin, Bubulinën, Xhavellën dhe kapedanët shqiptarë të Çamërisë, që bënë dhe udhëhoqën revolucionin për pavarësinë e Greqisë. Sigurisht ata nuk e mendonin kurrë që ne pasardhësit e tyre do të kishim këtë fat dje dhe sot. Çdo veprim në politikë ka pasoja. Ne pamë se Sali Berisha nuk ka kurajo as dhe kur Shqipëria do të hyjë në NATO, pra nuk është Shqipëria e 1997-ës. Se ai nuk di dhe nuk ka kurajë të trajtojë as çështjet humanitare, as ato teknike të pronave, siç e quan ai çështjen çame. Le ta zgjidhte si teknike, por të paktën të bënte diçka.

Ndërsa për politikën greke, mund të themi se ajo vazhdon t’i ketë të errësuara sytë prej historisë dhe jo prej të ardhmes. Iniciativa të tilla, një këmbëngulje si ajo për të ngritur varreza kudo nëpër Shqipëri, do të provokojnë ndjesi antigreke në Shqipëri, veçanërisht tek të rinjtë. Kështu nuk shërbehen objektivat e sotme, të ligjshme të ekspansionit ekonomik grek në rajon. Isha i detyruar t’i shkruaja këto radhë jo vetëm si anëtar i komunitetit çam, por sepse besoj thellësisht në postulatin: MIQESIA NDERTOHET VETEM MBI TE VERTETEN! Unë jam bindur që vetëm kështu dhe duke e parë komunitetin çam dhe minoritetin grek si ura bashkëpunimi, do të kemi një miqësi të sinqertë me fqinjët tanë, me të cilët në këtë Ballkan me histori të trazuar, kemi kaluar të mirat dhe të këqijat.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama