Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

A eshte kjo diktature e lire?

Shkruar nga: Agim Isaku  
Botuar më: 16 vite më parë

Agim Isaku
A eshte kjo diktature e lire?

1.

"Jena të depolitizum…"

Shumëkush ka pasur rastin që të blejë bukë në orët e vona të natës, tek ato dritaret ku nuk komunikon me shitësit, por direkt me bukëbërësit që punojnë në turnin e natës. Përveç aromës së bukës së pjekur dhe miellit, ndesh edhe ca njerëz thellësisht të lodhur. Të djersirë nga zjarri i pandërprerë i furrave dhe të veshur me tesha që mes atij mundimi të përgjithshëm përcjellin një bardhësi të pabesueshme që dëshmon më shumë se sa respektim ligji, një fisnikëri të hershme që, si në të gjitha shoqëritë e varfra, përthyhet në respektin për bukën.

Në një portë të tillë trokita edhe unë para dy ditësh, në mesnatë pothuajse. Pasi u përshëndetëm, me një ndjenjë komplekse faji të pashpjegueshëm dhe të paarsyeshëm, e pyeta duke buzëqeshur bukëpjekësin se nga ishte.

- Nga Shkodra, - më tha, teksa fshinte me përparëse duart, që sapo i kishte larë dhe shtoi: Nga Vau i Dejës.

Vura sërish buzën në gaz.

- Je me Nard Ndokën? - e shtyva më tej bisedën, duke menduar se kësisoj i krijoja afërsi më tepër.

Ai më pa me dyshim.

- Apo me Jozefinën, - shtova me shpejtësi, duke e shndërruar buzëqeshjen në një të qeshur idiote.

- Jo, jo, na jena të depolitizum…

Ishte vërtet i trembur. Edhe i lodhur tej mase, sigurisht.
Vajza e një mikut tim që punon në një institucion qeveritar më tregonte se edhe atje njerëzit kanë frikë të flasin lirisht dhe opinionet politike i shprehin në fshehtësi. Një tjetër mik, biznesmen i mesëm, i urtë dhe fetar i vërtetë, aktivist i spikatur i Partisë Demokratike, më tregonte se ka disa muaj që nuk e shajnë dot Edi Ramën në mbledhjet e Partisë Demokratike, sepse nëse e bëjnë një gjë të tillë, të nesërmen u vjen për kontroll policia tatimore e Berishës. Biznesmenë, nëpunës të vegjël apo të mesëm të shtetit, polici rrugor që e ke pas njohur dikur, nëse je person me "xanxë", të përshëndet me frikë. Policia bashkiake e Edi Ramës të bllokon rrugën dhe rrotën e makinës. Dhe njerëzit e rëndomtë tremben.

Trembja ndihet gjithandej. Njerëzit u shmangen bisedave politike, ose edhe kur flasin për politikë, flasin të konformuar.

- Siç po shkojnë punët, ndonjë ditë, - më thoshte një miku im që merret me biznes, - do të flasim vetëm për motin dhe futbollin, njëlloj si në kohën e diktaturës, teksa udhëtonim në autobus apo në tren…

Dhe, ata shumë politologë që janë marrë me studimin e këtyre fenomeneve, theksojnë se në shoqëritë postdiktatoriale, ku institucionet janë ende të brishta dhe jo efektive e funksionale, ringjallja e frikës mund të pengohet vetëm nga politikanë që e kanë moto të tyren liberalizmin, tolerancën dhe respektin për kundërshtarin. E, në këtë profil, askurrë nuk mund të futen as Rama dhe, sigurisht, as Berisha, paçka se në mënyrë paradoksale ky i dyti është ku e ku më i edukuar politikisht (pavarësisht llojit të politikës që përfaqëson) se i pari.


2.

Greva, si fasadë demokratike

Tashmë, pas një heshtjeje të turpshme të ditëve të para, për grevën e urisë që ka disa ditë që e kanë filluar Meta dhe deputetë të tjerë, flasin të gjithë. Parti të tjera të vogla anatemojnë në të dyja krahët me një "fuqi" të panjohur deri dje. Skena e djeshme që u zhvillua në Parlament dhe që u ndoq drejtpërsëdrejti përmes televizioneve, ishte një turp për shumëkënd që vazhdon ta marrë rrogën si deputet. Heshtja e tyre është e ngjashme me heshtjen e deleve, teksa shoqen e tyre e shqyen ujku, është e ngjashme me indiferentin që kthehet në shtëpi gjakftohtë, teksa lagjja po digjet. Pesha e rëndë e ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit ishte në të vërtetë një test i rëndë edhe për karakterin e shumëkujt që pretendon se merret me politikë.

Por, vështruar nga një anë tjetër, ajo pamje që u përcoll dje nga Parlamenti, vetë greva e urisë, tubimi përballë Kuvendit, përleshjet me policinë, njëherësh mund të shërbejnë edhe si një fasadë mashtrimi, shërbejnë për të krijuar iluzionin e një vendi normal demokratik. Dhe kjo ndodh për një shoqëri, ku në të vërtetë demokracia është mbytur nën peshën e rëndë të pisllëkut "politik" dhe të pazareve të fëlliqura, që nuk kanë se si të konsiderohen "kompromise politike". E, në këtë këndvështrim, Ilir Meta po i "shërben" krijimit të këtij mashtrimi. Prandaj, mbase do të lipset ta rishikojë vendimin e tij për grevën, të cilën edhe Rama, edhe Berisha, do të mund ta shesin paturpësisht si provë të një demokracie funksionuese.


3.

Kanë humbur ca institucione dhe ca njerëz

Të gjithë i kujtojmë demonstratat dhe protestat e pafundme të "Mjaft!", angazhimet e pafundme të një sërë institucioneve në mbrojtje të një gazetari, i cili pretendonte të ishte dhunuar nga një ministër; protestat deri për një fushë plehrash, për lirinë e fjalës, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike e kështu me radhë. Një djalë i ri, madje i mirëpaguar në mënyrë të pakontrolluar, nuk përtonte të protestonte për gjithçka. Ky djali, së bashku me shokët e tij, tani nuk është se kanë ikur jashtë shtetit për ndonjë master. Jo, janë këtu dhe aspirojnë për të kapur majat e politikës të kacavjerrë pas "politikës së re" të Ramës. E, nëse vërtet kanë ndonjë aspiratë demokratike, - gjë që e kam pas vënë në dyshim qysh herët, - do të duhej të bëheshin prezentë tani. Pasi Che Guevara, fotografinë e të cilit e mbajnë nëpër T-shirt-e, mezi do ta kishte pritur një situatë të tillë revolucionare. E, bashkë me ta, kanë humbur komitete të të drejtave të njeriut, të mbrojtjes së mediave të lira, institucione të tjera që mirëpaguhen për "asistencë" ligjore… Kanë humbur njëherësh edhe ca ish-politikanë, ish-kryeministra, ish-kryetarë kuvendesh, ish-liderë shpirtërorë, ca deputetë, që në mënyrë të turpshme dje na dëshmuan se nuk posedojnë as minimumin e ndjesisë së bashkësisë së racës njerëzore. Deri dje, kolegët e tyre kishin katër ditë pa bukë, ishin përballë tyre dhe ata shtireshin sikur nuk i shikonin. Dinjiteti njerëzor kishte rënë në fund të këmbëve.


4.

Përtej një sekuence filmike

Edhe pse nuk duket etike që, ndërsa një numër miqsh politikë janë të ngujuar në një grevë urie, do të risillja këtu një episod nga një film, që e kam parë para ca kohësh. Është thjesht një film komik, prodhim i Hollivudit, jo edhe aq bashkëkohor. Ngjarjet zhvillohen në një shtet hipotetik, emri i të cilit është i ngjashëm me shumë emra shtetesh të Amerikës Qendrore dhe Jugore. Kemi të bëjmë me një diktaturë. Është një diktaturë tipike e këtyre viseve: drogë, liri pa hesap sipërmarrjeje, familje mafioze që kontrollojnë politikën, "asistencë" ndërkombëtare që e mban në këmbë këtë diktaturë, samba vithesh të rrumbullakëta… Skena që do t‘ju përcillja është kjo: Dy ushtarë të Gardës së diktatorit ndodhen para dy posterave, që në të vërtetë kanë të njëjtin portret, atë të diktatorit, vetëm se njëri nga posterat është në ngjyrë të kuqe dhe tjetri është blu. Njëri nga ushtarët i thotë shokut të vet: "Kësaj radhe unë do të votoj për Presidentin blu". "Është e drejta jote, mund të votosh lirisht për cilindo nga këta të dy, - ia kthen shoku, - ne jetojmë në një diktaturë të lirë".


5.

Në vend të mbylljes

Në shumë libra, që tentojnë të analizojnë diktaturat, ka pafundësisht përcaktime për diferencat mes tyre. Ata cilësojnë diktaturat antike, ato të mesjetës - ku shfaqen për herë të parë edhe diktaturat e ndritura, - diktaturën fashiste, atë naziste, diktaturën borgjeze dhe atë komuniste. Pastaj arrijmë te termi demokraturë, që ngërthen një gjendje të ndërmjetme mes diktaturës dhe demokracisë, ashtu sikundër cilësohej edhe Shqipëria deri para do kohësh. Më tej ndeshen edhe terma të tjerë, që thuajse homologojnë me diktaturën si demokraci monarkike, nepotike, diktaturë demokratike etj., deri tek e ashtuquajtura diktaturë e butë (soft dictatorship).

Po ne në ç‘sistem jetojmë? Demokracia është rrënuar në themelet e saj: vota e lirë blihet dhe numërohet në mënyrë korruptive, dy liderët kujdesen të ndryshojnë jo vetëm sjelljen politike, por deri edhe Kushtetutën, thjesht në mbrojtje të interesave të veta, por njëherësh kemi të drejtë të blejmë e të shesim, - domethënë zotërojmë iluzionin e një ekonomie të lirë e të së drejtës së sipërmarrjes së lirë, kemi gazeta dhe media të pafund, ku edhe pse mund të thuash kohë më kohë ç‘mendon, askush nuk merr përsipër të të përgjigjet, pa kemi edhe trafiqe gjithëllojësh, të ligjshëm e të paligjshëm. Mund të dalësh në rrugë i palarë, ose i larë. Mund të divorcohesh, të bashkëjetosh, të jesh poligam dhe të bësh orgjira. Mund të zgjedhësh mes diktatorit blu dhe të kuq…

I ke të gjitha "liritë", me përjashtim të lirisë politike.

E, kështu, lehtësisht mbërrijmë tek arsyetimi se demokracia jonë është duke u shndërruar me shpejtësi në një diktaturë të lirë… A do ta pranojnë shqiptarët këtë gjendje?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama