Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nje serb e nje EULEX ne Shqiperi

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 16 vite më parë

Mentor Kikia
Nje serb e nje EULEX ne Shqiperi

Në Kosovë, qeveria është e shqetësuar se misioni ligjor ndërkombëtar, i quajtur EULEX, nuk po e shtrin ndikimin e vet në të gjithë territorin e vendit. Problemi më i madh, sipas qeverisë, është Mitrovica, pasi atje serbët nuk e njohin gjykatën shqiptare, as policinë dhe as prokurorinë, e për disa muaj me radhë, e pushtuan edhe ndërtesën e drejtësisë. Ndërkohë, disa të rinj në Prishtinë, të grupuar në një organizatë që kërkon më shumë vetëqeverisje, organizuan disa manifestime, duke kërkuar që misioni EULEX të mos ketë shumë kompetenca, pra që drejtësinë në vendin e tyre ta bëjnë organet dhe institucionet e shtetit të Kosovës.

Iu referuam këtij realiteti në shtetin më të ri në botë, ndërkohë që në Shqipëri ka nisur të shkruhet skenari për një nga tragjikomeditë më të çuditshme që janë luajtur ndonjëherë në skenën e shtetit shqiptar. Tashmë që shteti shqiptar po i afrohet pragut të një shekulli nga krijimi i tij, është thuajse në të njëjtin standard me shtetin e Kosovës gjashtëmuajshe. Ashtu siç qeveria në Prishtinë kërkon që EULEX të marrë në dorë drejtësinë, edhe Kryeministri ynë po kërkon që, një tjetër EULEX të vijë e të bëjë drejtësi edhe në Shqipëri.

Por ndryshe nga Kosova, e cila ka një problem madhor, pasi serbët nuk e lënë shtetin të mëkëmbet dhe drejtësinë të bëhet, qeveria e Tiranës ka hallin e madh se si ta shpëtojë një serb nga drejtësia shqiptare. Nisma duket vërtet e padëgjuar. Një Kryeministër kërkon një aksion ndërkombëtar për të hetuar prokurorinë e vendit të tij, ashtu si ai që hetoi incidentin e minave në kanalin e Korfuzit, apo si ai që po ndan tani kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë!

Nëse Kryeministri mendon vërtet se drejtësia jonë ka nevojë seriozisht të mbikëqyret nga misione të huaja juridike, atëherë duhet të pranojmë se jemi në pozita aspak të denja për t‘iu bashkuar NATO-s së shpejti, e më tej edhe BE-së. Kjo do të thotë se Shqipëria është një vend që ka ende nevojë për protektorat ligjor. Në vitet e para të pluralizmit, ndikimi i huaj në Shqipëri ishte aq i dukshëm, sa disa ambasadorë dilnin edhe në mitingjet e partive. Ata kërkonin me çdo kusht që forcat demokratike të vinin në pushtet edhe në këtë vend. Më pas, faktori ndërkombëtar mbikëqyri të gjitha proceset e reformimit, prodhimit dhe implementimit të kuadrit të ri ligjor. U mbikëqyrën reformat ekonomike dhe fjala e misioneve të huaja në Tiranë ishte, shumë herë, më e rëndësishme se vetë ligji.

Proceset zgjedhore kanë qenë dhe janë tërësisht në fokusin e vëzhgimit të ndërkombëtarëve dhe, për pasojë, ne ende nuk kemi një institucion verdikti, të cilin ta besojmë kur e thotë fjalën e fundit. Faktori ndërkombëtar ka qenë shumë herë vendimtar për të zgjidhur ngërçe të mëdha politike. Të gjithë e mbajmë mend se si, në zgrip të afateve ligjore për zgjedhjet e fundit vendore, ambasadorët i detyruan politikanët tanë të mbyllen në Presidencë për 24 orë me radhë, ashtu si kardinalët në konklavën e Vatikanit kur zgjedhin Papën, derisa gjetën një zgjidhje për votimin me certifikata. Ky mjedis ka krijuar një klimë mosbesimi tek institucionet tona dhe për çdo gjë na duhet t‘u drejtohemi të huajve për të na thënë se ç‘është e mirë dhe ç‘nuk është e mirë.

Së fundmi, Kryeministri ynë vendosi të mos ta rinovojë marrëveshjen për një mandat të ri qëndrimi të misionit të FMN-së në Tiranë, sepse, sipas tij, ekonomia jonë nuk ka më nevojë për asistencë. Përtej dyshimeve që hedh opozita për këtë lëvizje, ky duket një lajm i mirë, që do të thotë se Shqipëria mund të qeveriste vetë, të hartojë e zbatojë vetë planet ekonomike. Po ashtu, ishte një kthesë e rëndësishme kur si mazhoranca, ashtu dhe qeveria, i besuan prokurorinë një gjykatëseje të re, të cilën me mburrje e quajtën edhe Silvia Konti.

Por vetëm pak kohë pas këtij bekimi që iu dha një juristeje të re, ne iu drejtuam një eksperti të huaj të vijë e të kontrollojë frenat e makinës së Kosta Trebickës, sepse pas deklaratave të opozitës, nuk kishim më besim tek ekspertët tanë. Vetëm pak ditë pas kësaj, është Kryeministri që ndërmerr një tjetër nismë të paprecedentë. Në emër të mbrojtjes së biznesit nga paudhësitë e prokurorisë, ai kërkon një mision ndërkombëtar ligjor për të hetuar hetimin e prokurorisë. Duke rrëzuar çdo shkallë besimi te prokuroria, ai ngre po ashtu një hetim parlamentar mbi këtë institucion.

Nuk po i referohemi faktit se për kë biznesmen bëhet fjalë dhe ç‘lidhje ka ai me qeverinë, por faktit se Kryeministri i një vendi kërkon që juristë të huaj të vijnë dhe të hetojnë prokurorinë e vendit të tij. Nuk po kërkojmë të mësojmë nëse ka pasur precedentë të tjerë të reagimit të Kryeministrit në këtë mënyrë, edhe kur janë cenuar biznesmenë shqiptarë, madje shumë më keq se sa akti formal i "ngrirjes" së tokës së Damir Fazliç në Porto Romano. Prokuroria, Doganat dhe Tatimet kanë qenë protagonistë të shumë vendimeve ndaj biznesit, që më pas kanë rezultuar arbitrare kur janë shqyrtuar nga gjykata, por asnjëherë nuk e kemi parë kaq të shqetësuar një Kryeministër sa në rastin e Fazliç. Dy muaj iu bllokua anija me gaz të lëngshëm një importuesi të madh, kohë gjatë së cilës një tjetër importues, i afërt me qeverinë, e shkarkoi gazin dhe e mbushi tregun e uritur. Një muaj të tërë ndenji ai pas derës së drejtorit të doganës dhe nuk e takoi dot, qoftë edhe pesë minuta. E paditi vendimin e doganës dhe gjykata urdhëroi anulimin e tij, por dogana nuk e respektoi as vendimin e gjykatës. E gjithë kjo histori u bë publike në media disa herë, por nuk pamë asnjë zyrtar të shqetësohet për padrejtësitë që i ishin bërë një biznesmeni nga institucionet e shtetit.

E gjithë kjo gurgule duket sheshit se është ngritur enkas për një njeri. Por shqetësimi i Kryeministrit për një mik të familjes së tij, shkon përtej caqeve, kur u drejtohet ndërkombëtarëve. Dhe kjo është edhe më e dëmshme se vetë klientelizmi që demonstrohet në këtë rast. Përpjekjet disavjeçare për të krijuar institucione të pavarura e të besueshme shkatërrohen befas në një ditë dhe me një deklaratë.

Nëse qeveria shqiptare vërtet do t‘u drejtohet disa vendeve mike, - sikurse tha Kryeministri - për të kërkuar ekspertë ligjorë për të hetuar procedurën e nisjes së një hetimi nga prokuroria jonë, sinqerisht nuk e mendoj dot se si do të reagojë "vendi mik" ndaj një kërkese të tillë. Dhe, duke qenë se Kryeministri kërkon që të huajt të japin verdiktin për hetimin e një të huaji, është sërish një i huaj që po përpiqet që kjo histori absurde të mos shkojë deri në fund. Është sërish një mision diplomatik, ambasada amerikane, që i ka dalë përpara qeverisë, është pra një "Eulex" politik që kërkon të frenojë ardhjen e një "Eulex"-i ligjor, pasi këtu nuk ka serbë që na kanë pushtuar gjykatën. Paçka se është një serb që na është ngatërruar nëpër këmbë e po bën lëmsh shtetin, drejtësinë dhe politikën.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama