Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dicka pertej Kadarese...

Shkruar nga: Agim Isaku  
Botuar më: 16 vite më parë

Agim Isaku
Dicka pertej Kadarese...

Para disa ditësh, një miku im që jeton në Shtetet e Bashkuara dhe që, si shumëkush që jeton jashtë, është tepër i ndjeshëm ndaj Shqipërisë, ndërsa të gjithë janë të përfshirë në sherre politike këtej dhe andej oqeanit, ndërsa ekranet kullojnë ankth financiar dhe bota po rishikon trendin e ekonomisë dhe të doktrinave të saj, më dërgonte shkrimin e Carls Mekgreth, sipas së cilit kandidati kryesor i mundshëm për çmimin "Nobel" në letërsi për këtë vit është Ismail Kadare.

1.

Në të vërtetë, dhënia e çmimit "Nobel" të këtij viti, si rrallëherë është paraprirë nga një debat ndërkontinental, i cili zuri fill nga deklarata e sekretarit të Përhershëm të Akademisë Suedeze që e jep këtë çmim, i cili ishte shprehur se letërsia amerikane është tepër e izoluar dhe nuk i përmbush kriteret për ta merituar këtë çmim.

Kjo deklaratë u përcoll nga një reagim i ashpër i opinionit amerikan, sipas së cilit, kjo akademi jo në pak raste ka qenë e prirur nga gjykime (paragjykime) politike në procesin e dhënies së këtij çmimi. U kujtua në këtë rast se një numër i madh artistësh që ende edhe sot e gjithë ditën shërbejnë si yje polarë për ata që rishmë hyjnë në letërsi (nga Tolstoi deri te Borgesi) ishin padyshim mbështetja kryesore e këtij argumenti reaktiv, shoqëruar edhe me faktin se të paktën dy prej fituesve të viteve të fundit nuk janë dalluar veçse si aktivistë politikë, më së shumti dhe thjesht si antiamerikanë apo si aktivistë publikë kundër luftës në Irak (si për shembull Fo dhe Pinter).

Nejse, ky debat përbën temën e një diskutimi të një natyre tjetër që nuk është në objektin e këtij shkrimi…

Këtu do të përpiqemi të flasim për diçka tjetër që na intereson ne, shqiptarëve.

2.

Lajmi që gazeta prestigjioze, "New York Times", botonte para dy ditësh një shkrim, sipas të cilit, Ismail Kadare mbetet mbase kandidati kryesor për marrjen e çmimit "Nobel" për vitin 2008, nuk përbën ndonjë risi për ata që gjithsesi janë të interesuar për udhën që ka marrë fati i shqiptarëve në botë, në këtë realitet, i cili duam apo nuk duam ne, gjithnjë e më shumë po bëhet global. Mirëpo në të njëjtën ditë me marrjen e lajmit të mësipërm, një tjetër mik që i ndjek me kujdes zhvillimet në këtë mëngë të Ilirisë Perëndimore, më dëshmonte se qenka botuar në Shqipëri një libër i ri, i gjithi kundër Kadaresë (diçka për një gjyq moral të Kadaresë), i cili, siç kuptohet është mbështetur thellësisht në argumente morale(?!). Në vetvete, vetë këto fakte, pavarësisht mënyrës totalisht të ndryshme se si i përqasesh ngjarjes, përbëjnë një dëshmi konkrete të realitetit të hapur në të cilin jetojmë.

Në të vërtetë, prita që ndonjë media ta transmetonte këtë forecast të gazetës prestigjioze, pasi, mendoja, përderisa gjëmojmë edhe se ç‘thotë një aktor apo këngëtar i rastësishëm që shkel ndër këto anë në lidhje me zhvillimet e vendit, përderisa rrëmojmë në gjysh-stërgjysha të personaliteteve botërore për të gjetur rrënjët shqiptare, fakti që Kadare është sërish kandidat për çmimin më të madh letrar të botës, pa asnjë dyshim do të kishte përkëdhelur ndjenjën nacionale të ndokujt. S‘rezultoi kështu. U dha madje edhe lajmi se e njëjta gazetë kishte reflektuar në faqet e saja të rëndësishme deri edhe dyshimet politike dhe popullore shqiptare në lidhje me vdekjen e Trebickës, por… asgjë për shkrimin e lartpërmendur që ishte edhe për Kadarenë…

3.

Një tjetër mik që ka përfunduar një shkollë shumë të njohur drejtësie amerikane më kallëzonte se në sit-in e shkollës na qenkej hapur një debat në lidhje me "sherrin" Maqedoni-Greqi në lidhje me emrin, "sherr" që u bë shkak që Maqedonia të vonohej në anëtarësimin e saj në NATO. Argumentet domosdo ishin të natyrës ligjore dhe mbështeteshin te kodet e shumtë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe te precedentët, sigurisht. Ca i jepnin të drejtë Greqisë, ca Maqedonisë. Një pjesë e tretë shtronte domosdoshmërinë e rishikimit të së drejtës së vetos në shumë institucione ndërkombëtare. Ndërsa ky miku im zgjodhi të bëjë një shpjegim tjetërlloj. E gjeti me vend të sjellë për ish-bashkëstudentët një histori humoristike me subjekt mitologjik. Po e sjell edhe unë për lexuesit, paçka se shumëkush mund ta dijë.

Shën Pjetrit i shkon Zoti për inspektim. Inspektuan së bashku Parajsën, pastaj shkuan në zonën e Ferrit, ku njerëz dhe popullsi të ndryshme zjeheshin pafundësisht në zjarre të rrëmetshëm. Të gjithë kazanët ishin të mbuluar me kapakë të rëndë, përveç njërit.

-Po atë kazanin pse e ke lënë të hapur?,- e pyet Zoti Shën Pjetrin,- kështu rrezikon që të dënuarit të dalin përjashta…

-Mos kini merak, im Zot, atje kam futur ballkanasit. Ata nuk e lenë njëri-tjetrin të ngrenë kokë,- iu përgjigj Shën Pjetri me një barrë përvojë.

Dhe atëherë, më tregonte miku im, i gjithë debati u kthye në këtë drejtim: te karakteristikat e popullsive dhe të ndryshimet që ekzistojnë mes tyre. U kujtuan në këtë debat rastet e Kosovës, Serbisë, Bosnjës, Transilvanisë, Qipros…

A ka ndonjë gjë nga kjo histori që duhet të na bëjë të mendojmë edhe ne? Në ç‘shkallë është mes nesh i gjallë lëngu vetëshkatërrues?

4.

Figura tepër komplekse e Kadaresë do të sillet për një kohë të gjatë në analizat tona dhe të brezave që vijnë. Kompleksitetin e kësaj figure e ndërlikon edhe më tepër fakti që ai pothuajse ishte i maturuar në komunizëm, megjithatë nuk e ndërpreu aktivitetin e tij edhe pas rënies së diktaturës. Fakti që ai, ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë nuk është kufizuar vetëm në aktivitetin letrar, por nuk ka hezituar asnjëherë që të jetë edhe një figurë aktive publike, pa asnjë dyshim e ka ndërlikuar edhe më shumë gjykimin e tij. Ndërsa fakti që gjatë kohës së komunizmit ai ka qenë jo vetëm anëtar partie, por edhe deputet, edhe nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë, i jep të drejtë shumëkujt që jo vetëm të gjykojë, por edhe të abuzojë, së paku politikisht. Jo më shumë se pak muaj më parë ishte sërish Qosja që e sulmoi sërish, duke e konsideruar si një shkrimtar, të cilit kultin ia paskësh krijuar komunizmi dhe diktatura.

Një sërë pyetjesh lindin në mënyrë të menjëhershme. Nëse paskësh qenë kjo e vërtetë, pra që komunizmi paskësh pasur këtë atribut jashtëkohor, atëherë do të duhej që shkrimtarët më të mëdhenj publikë shqiptarë do të ishin Shefqet Musaraj, Llazar Siliqi, Jakov Xoxa, Sterio Spasse, Fatmir Gjata, Aleks Çaçi, Dritëro Agolli etj., çka nuk rezulton të jetë aspak e vërtetë.

E, nëse do të pranonim të vendosnim një kriter politik, qoftë edhe ai i antikomunizmit ekstrem, nuk mund të gjykohet keq Kadare për aktivitetin e tij shoqëror dhe të anashkalohet Agolli, i cili mori drejtimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë në momentin më të zi të historisë së kohës së diktaturës dhe që e drejtoi atë në atë mënyrë që të gjithë e dinë.

Dhe së fundi, lind një pyetje (të cilën nuk do të kisha asnjë dëshirë që ta shtroja, pasi në thelb mbart të njëjtin kriter gjykimi kundër të cilit vazhdoj të shprehem) dhe kjo pyetje tingëllon edhe më e habitshme: A ishte më keq të ishe anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare, apo i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë?

5.

Nuk është hera e parë që në momentin kur Kadare është në shortlist-ë dhe i afrohet çmimit "Nobel", ndër ne rigjallërohet thuajse në mënyrë ciklike një aradhë sulmesh. Në të përfshihen shitëse bulmeti që rezultojnë aktive në bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit, pseusofondamentalistë islamikë, ish-komunistë të linjës së ashpër, shkrimtarë të pasuksesshëm, akademikë që lenë për të dyshuar në shijet e tyre…

Sidoqoftë, kjo është një temë e gjerë, që kërkon një shqyrtim po ashtu të gjerë. Kësaj radhe le të bashkojmë lutjet tona që Ismail Kadare ta marrë këtë çmim, i cili nuk është se i lipset atij më shumë se sa të gjithëve neve, shqiptarëve...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama