Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ne dhe Bota

Shkruar nga: Agim Isaku  
Botuar më: 16 vite më parë

Agim Isaku
Ne dhe Bota

1.

Lajmi se një ekspert amerikan ka mbërritur tashmë në Shqipëri (emri i ekspertit do të harrohet sapo çështja të mbyllet, njëlloj siç u harruan edhe emrat e prokurorëve dhe specialistëve danezë që asistuan prokurorinë në "zbardhjen" e çështjes "Hajdari") është pjesë e kureshtjes njerëzore shqiptare. Shumëkush do të mund të kthehet në anën tjetër dhe të mos e prishë gjumin e vet thuajse letargjik. Prokurorët mund të rrinë të qetë. E dinë amerikanët këtë punë, do të mërmërijnë në tymrat e kafeneve. Politikanët po ashtu do të mbështesin këtë sipërmarrje besimplotë se gjërat do të rrjedhin në drejtimin e duhur. Madje për të gjithë, edhe për ata të së ashtuquajturës opozitë.

Po kështu, ndo ca ditë më parë u desh fax-i i kompanisë franceze të farërave shterpë të misrit që heshtja të binte në kampin politik dhe mediatik të Shqipërisë. Ankesat e Ramës u dukën si pa shije. Kishin thënë francezët.

Një poet (deri dje i panjohur dhe nesër po ashtu i destinuar të jetë i harruar), merr një çmim në konkursin e një fshati (komunë, thirret sot) diku në Itali dhe menjëherë shpallet nga gazetarët që asnjë libër nuk kanë lexuar në jetën e tyre, si personazh VIP… E pyesin për gjithçka.

Një piktor. Një grua shtatzënë. Një hekurthyes. Një bojaxhi… Të gjithë të respektuar në profesionin e tyre bëhen menjëherë objekt i kamerave, por vetëm me një kusht: të jenë emigrantë apo të vijnë nga jashtë shtetit, nga Perëndimi. Dhe ata i pyesim për politikën, artin, urbanistikën, ndotjen e ambientit, dashurinë dhe kriminalitetin madje...

Shitet një kompani e rëndësishme shtetërore. Ndihmësministri sqaron me një naivitet të habitshëm se shifrat janë gabim dhe shton me pamje kinse të pafajshme thënien latine, sipas së cilës gabimi është edhe sot e gjithë ditën njerëzor. Sepse, shton ai, atë po e blenë të huajt, madje jo thjesht të huajt, por më shumë se sa kaq: amerikanët, jo rusët, sikundër këmbëngul, mbase me të drejtë, ndonjë gazetë apo informacion tjetër.

Edhe më e rëndë bëhet pamja nëse ai që flet në publik apo edhe në ndonjë tavolinë kafeneje qëllon që rastësisht të punojë në ndonjë ambasadë të huaj (perëndimore) të akredituar në Tiranë. Po kumtoi diçka ai (ajo), çështja mbyllet. Ia vuri kapakun, do të thoshte me këtë rast shumëkush…

2.

E, përmes këtyre rasteve është e lehtë të shtrojmë një pyetje të thjeshtë: Në ç‘raport jemi në të vërtetë ne me të huajt, apo thënë ndryshe: me botën me të cilën dëshirojmë të njësohemi duke u integruar? Sa kanë ndikuar këto dy dekada të hapjes së Shqipërisë për të kthyer normalitetin në këto marrëdhënie, atë normalitet të munguar së paku gjatë periudhës tepër të gjatë të vetizolimit komunist të vendit?

Sa seriozisht e kemi, në analizë të fundit, referimin ndaj ekspertizës së botës dhe sa të sinqertë janë posaçërisht politikanët tanë kur përmendin "aleatët tanë strategjikë"?

3.

Ngjarja që do të sjell më poshtë është zhvilluar në një qytet të vogël të jugut të Shqipërisë, që mund të ishte po ashtu edhe në veri.

Ishte pragu i zgjedhjeve lokale, 2007. Dritat vinin e shkonin. Gjëmonin gjeneratorët. Isha rrethuar nga një grumbull militantësh, mes së cilëve ndodhej edhe kandidati për kryetar bashkie i mbështetur nga opozita. PD-ja kishte rikandiduar kryetarin aktual. Biseda sigurisht që do të sillej rreth zgjedhjeve. Komisionet dhe komisionerët. Certifikatat dhe falsifikimi. Numëruesit. Fisi X dhe soji Y. Me ne. Me ata. Doktorët e spitalit. Të fortët e qytetit. Biznesmenët…

- Po amerikanët, ç‘thonë? - pyeti dikur njëri nga të pranishmit duke parë me kureshtje nga unë që vija nga "qendra".

E pashë me habi.

- Kam dëgjuar që amerikanët ia kanë hequr vijën Berishës, - e gjeti me vend të sqaronte më tej pyetjen e përparshme i njëjti person që dukej krejt i pasigurt.

- Amerikanët nuk kanë asnjë opinion në lidhje me zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë së qytetit tuaj, - iu përgjigja në mënyrë totalisht zhgënjyese për të pranishmit, - por unë di se kryetari që është ka reputacion të mirë ndër njerëz…

Takimi u mbyll pa asnjë shenjë gëzimi. Figura ime ishte zvogëluar tërësisht në sytë e tyre. Me siguri burrat u kanë mërmërirë atë mbrëmje pale ç‘broçkulla grave të tyre në dhomat e ftohta e pa drita. Me siguri diçka kanë thënë edhe për amerikanët…

Zgjedhjet u fituan nga kundërshtari, pavarësisht se "amerikanët" i paskëshin hequr "vizën" Berishës…

4.

Të gjithë i mbajmë mend deklaratat e Berishës, ndërsa opozita kërkonte hetime për rrugën Durrës-Kukës dhe skërmitjen e tij teksa i këshillonte deputetët e PS-së që të mos kruheshin me kompaninë amerikane në fjalë. Po ashtu mbajmë mend edhe vrapin e zyrtarëve të qeverisë, të cilët me urgjencë shpejtuan të deklarojnë se ajo që ndodhi në Gërdec na ishte një pasojë e kontratave me amerikanët… Kush nuk i kujton emocionet e larta disaditore të kryetarit të radhës së PS-së, i cili paralajmëronte se për Gërdecin dhe krimin e atjeshëm do të botohej një shkrim edhe në gazetën "New York Times"… Pastaj atë seri të pandërprerë SMS-sh nisur drejt mediave për takime të mundshme me ambasadorin, pastaj detyrimin e zyrës së këtij të fundit për të bërë sqarimin e radhës dhe për të shmangur keqkuptimin po ashtu të radhës, pastaj SMS-të e zyrës së kundërshtarit po për takimin me ambasadorin…

5.

Sëmundje e re e politikës postkomuniste?

Për efekte studimi m‘u desh të futem për ca kohë nëpër arkiva. Mes të tjerash pashë nga një kënd tjetër edhe marrëdhëniet mes Hoxhës dhe Bashkimit Sovjetik. Ishin arkivat e Rusisë përmbledhur në një botim të "Toenës". Në raportimet e ambasadorit sovjetik por edhe të të ngarkuarit me punë të Bashkimit Sovjetik në Tiranë, lexon gjëra krejt të tjera nga ato që na ka përrallisur Hoxha në veprat e veta. Hyn Koçi Xoxe dhe del Nako Spiru pasi kanë paditur pa mëshirë njëri-tjetrin si "deviacionist". "Heroi" i dy luftërave, Mehmet Shehu, i njohur për krimet ç‘njerëzore të kryera me dorën e tij, përjarget në rrëfimet e veta "të sinqerta" para të ngarkuarit me punë. Të gjithë padisin të gjithë dhe të gjithë, pasi betohen për dashurinë e pakufi ndaj "Stalinit të madh" dhe Kremlinit, kërkojnë mbështetje për karrierën e tyre të mëtejshme, karrierë e cila ishte e lidhur ngushtësisht edhe me ndëshkimin e shokëve "antiSovjetikë".

Ndoca vite më parë, një nga ish-ambasadorët e SHBA-së në Athinë botoi rrëfimet e veta dhe talljen e vazhdueshme të tij me "autoritetet" greke, të cilët, me ç‘duket, aso kohe vuanin nga e njëjta sëmundje që dëshmohet në letërkëmbimin e përmendur më sipër. Skandali ishte i paparë. Mirëpo vetvetiu të lind pyetja: po sikur ambasadorët e Jugosllavisë, të Bashkimit Sovjetik, të Kinës së Mao Ce Dunit apo të Amerikës, Gjermanisë, Anglisë, Italisë, Greqisë apo qoftë edhe të Holandës së vogël e të largët të publikojnë ndonjë ditë kujtimet e tyre të çiltra, si do të ndjeheshin një pjesë aspak e vogël e politikanëve tanë?

6.

E, në këto arkiva që përmenda më lart, mes të tjerash - e ka vënë në dukje me zgjuarsi edhe Baxhaku në një nga shkrimet e veta lidhur me këtë libër - të bën përshtypje se është Stalini i cili i tërheq vëmendjen Hoxhës se lufta e klasave në Shqipëri ishte ca si shumë e ekzagjeruar, pasi dimensionet e pronës këndej nga ne të të ashtuquajturve "kulakë" ishin aspak të përfillshme dhe të pakrahasueshme me ato të "kulakëve" në ish-Bashkimin Sovjetik.

Mirëpo sjellja e Enverit pas kthimit nga Moska nuk reflektoi aspak këshillën e "butë" të Stalinit. Përkundrazi, pasi trumbetoi gjithandej këtë miqësi, e përdori për të bërë atë që bëri dhe që të gjithë e provuam në shpinë. Sepse Enverit nuk i hynin në punë as "idetë" e Stalinit. Atij i duhej thjesht dhe vetëm "mbështetja" politike e tij dhe këtë mbështetje ta përdorte pastaj për të realizuar ato deformime që e lanë pas edhe stalinizmin vetë…

7.

A vërehet e njëjta dukuri edhe sot? Sa i shërbejnë marrëdhëniet e mira me botën perëndimore ndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike, sa i shërbejnë këto "miqësi" bërjes së kësaj demokracie funksionale dhe produktive për zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e konsoliduar të njerëzve? A jemi ende duke "vuajtur" edhe sot e kësaj dite të njëjtën trashëgimi të komunizmit, i cili nuk mund të mbijetonte pa një "Kremlin"?

Të gjithë patëm rastin të ndjekim atë që Hollbruk e tha në Kosovë dhe që e përcollën edhe mediat. Miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha pak a shumë ai, është e nevojshme (e domosdoshme, do të shtoja unë), por jo e mjaftueshme.

Kushdo që do të përpiqej të depërtonte në këtë deklarim të një prej diplomatëve më të rëndësishëm të kohëve të fundit të SHBA-së, do të mund të kapte brenda saj diçka që mbase edhe vetë Hollbruk nuk e di: fenomenin e të deleguarit të përgjegjësive te… kryemiku.

Ky fenomen i shëmtuar mbart në thelb diçka edhe më të keqe, paaftësinë e personit i cili ka marrë përsipër të drejtojë, për të vendosur e për të përmbushur përgjegjësitë që populli ia ka deleguar. Ka brenda këtij "delegimi" edhe kompleks të liderit të një vendi të vogël, edhe paaftësinë vendimmarrëse, edhe paaftësinë për të krijuar marrëdhënie partneriteti me të tjerët, por ka edhe dembelizmin tonë të njohur e tradicional. Më së miri kjo dukuri u dëshmua në aksionin diplomatik të njohjes së Kosovës së pavarur, që sigurisht nuk kishte se si të fillonte pas shpalljes së pavarësisë në mesin e shkurtit. Nuk është e vështirë të kuptohet se diplomacia dhe politika shqiptare e të gjithë krahëve ia vari këtë kambanë SHBA-së. Nuk janë të pakët ata politikanë të cilët kur i pyet në lidhje me këtë çështje, të përgjigjen: e dinë amerikanët këtë. Sa t‘i kemi ata… Nuk e thonë përfundimin e fjalisë, por kuptohet, kanë dashur të thonë: sa i kemi ata, e kemi kalin hipur (Të pushtetit të vet, kuptohet lehtësisht.)

E, kushedi pse më kujtohet tregimi i një mikut tim, i cili mori pjesë në një garë lokale çiklizmi, ndërsa isha mësues në Lezhë. Gara ishte Lezhë-Zejmen, nja dymbëdhjetë kilometra gjithsej, mirëpo miku im është edhe sot e gjithë ditën shëndetlig. Atëherë u kap pas spontës së një kamioni që mbartte zhavorr dhe… ua hodhi shokëve, fare pa u lodhur.

A nuk duken në të shumtën e herës edhe politikanët tanë kështu, duke udhëtuar pa pedaluar?

8.

Që Shqipëria dhe kombi shqiptar ka përcaktuar gati në mënyrë instiktive si aleat strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa asnjë dyshim ka qenë një nga vendimmarrjet më të rëndësishme të postkomunizmit. Këtë e dëshmoi jo vetëm qetësimi i Ballkanit, jo vetëm zgjidhja (qoftë edhe e pjesshme) e çështjes sonë kombëtare. Këtë e ka dëshmuar në vazhdim qëndrimi i SHBA-së edhe në shumë probleme të zhvillimit demokratik të Shqipërisë. Por delegimi i çdo lloj vendimmarrjeje te dyert e Shtëpisë së Bardhë, keqpërdorimi i asaj dere jo rrallë për përfitime thjeshtësisht personale apo të pushtetit shumë shpesh i abuzuar, është një histori që nuk ka se si të mos të të zgjojë nevojën e rishikimit të marrëdhënieve tona me botën, domethënë të gjetjes së një balance në këtë realitet ku dëshirojmë të integrohemi.

Dhe kjo nuk mund të arrihet me hiletë tradicionale që karakterizojnë të sjellurit tonë edhe sot e gjithë ditën dhe që mishërohen më së miri te liderit tanë mendjengushtë që edhe mikun e fusin në hall. Dhe kjo nuk mund të arrihet veçse me aktivizimin efikas të institucioneve, ku Këshilli i Sigurisë Kombëtare duhet domosdo të gjejë vendin e vet dhe të dalë nga inekzistenca.

Ndryshe rrezikojmë të biem pre e një teorie, sipas së cilës Evropa nuk është gjë tjetër veçse një zgjatim i Azisë, më në perëndim, kuptohet.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama