Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Media, përpjekja për të rimarrë pushtetin

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 16 vite më parë

Mentor Kikia
Media, përpjekja për të rimarrë pushtetin

Debati i hapur në "Shqip" për cilësinë e të bërit gazetari dhe rolin e medias si pushtet i katërt në Shqipëri, është një përpjekje e çmuar për të hedhur dritë mbi handikapet dhe problemet e këtij ingranazhi shumë të rëndësishëm të ngrehinës së demokracisë. Dhe është vërtet mirë, që herë pas here, ne t‘u kthehemi problemeve tona për të parë se ku jemi e mbi të gjitha se ç‘mund të bëjmë. Si një punëtor relativisht i hershëm i këtij sektori, nuk ngopem të shikoj se si të gjithë ne të përpiqemi për ta bërë këtë mekanizëm më të fortë e më të efektshëm, në shërbim të shoqërisë dhe demokracisë. Për këtë arsye dhe në përmbushje të misionit të shenjtë të gazetarit - thënies së të vërtetës - që në krye të këtyre radhëve dua të them se media, e veçanërisht shtypi në Shqipëri, janë aktualisht në gjendje të trishtuar, për sa i përket pavarësisë editoriale, shkallës së profesionalizmit dhe ushtrimit të pushtetit të saj.

Do t‘u referohem dy episodeve për ta konfirmuar këtë realitet.

Ndërsa dy gazetarë amerikanë ndodheshin në Tiranë për të mbledhur informacione mbi tregtinë e armëve mes Shqipërisë dhe Afganistanit, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i vetëdijshëm për ç‘kishte katranosur e ç‘do të gjenin ata në hangarin e Rinasit, bëri një propozim "Made in Albania". "Të mos i lëmë gazetarët të futen në hangar dhe kështu ata nuk do ta mësojnë që ne po i zëvendësojmë etiketat e fishekëve", - tha politikani shqiptar. Por kjo ide - nga sa është bërë publike - ishte refuzuar kategorikisht nga përfaqësuesit amerikanë në Tiranë. Ata as që e mendonin që një gazete t‘i mbyllej dera për të shkuar tek e vërteta, sido të ishte ajo. Nuk është nevoja për shumë analiza për të thënë, se nëse ata gazetarë do të kishin qenë të një gazete apo televizioni në Shqipëri, absolutisht nuk do të ishin lejuar të vizitonin hangarin ushtarak ku bëhej ripaketimi i fishekëve.

Nja tri javë më parë, përkoi të bisedoja me ambasadorin e Danimarkës në Shqipëri, ditën që një gazetë në Tiranë kishte botuar një artikull të tij mbi problemet e ndotjes së mjedisit në Shqipëri. Më konkretisht, diplomati i huaj u bënte apel autoriteteve shqiptare dhe jepte rekomandime se si mund të pastrohej Parku Kombëtar në malin e Dajtit, në Tiranë. Këtë artikull, shoqëruar me fotografi të bëra nga vetë ai në lëndinat e mbushura me mbeturina, diplomati ua kishte dërguar të gjitha gazetave qendrore, por asnjëra nuk e kishte botuar.

Referuar rastit të parë, pa asnjë dyshim, duhet të pranojmë se në Shqipëri media nuk është ende e lirë. Madje, mund të themi pa frikë se ka bërë hapa prapa. Media nuk është e lirë, edhe pse sot reporterët nuk futen në burg apo nuk ndiqen pas, orë e çast, prej makinave "Volkswagen", me targa të huaja, të shërbimit sekret. Mediat në Shqipëri janë të lira të shajnë, shpifin e të thonë ç‘të duan, me pak fjalë, mund të çirren si ato gratë e këqija që nuk lënë gjë pa thënë për burrat e njëra-tjetrës. Por ato nuk janë të lira të bëjnë një investigim të vërtetë, të nxjerrin "nga dheu" një skandal e t‘ia thyejnë brinjët qeverisë apo një politikani a zyrtari çfarëdo, të përfshirë në afera korruptive.

Nëse ato do të prekin një çështje delikate, pushteti dhe të gjithë dashnorët e fjalës së lirë, në qeveri e jashtë saj, do të hidhen përpjetë sikur t‘i ketë pickuar një nepërkë. E mbajmë mend si u tërbua Kryeministri ynë ndaj gazetës amerikane "New York Times" kur ajo publikoi artikullin mbi mashtrimet me tregtinë e fishekëve. E mendojmë dot ne se ç‘do t‘i kishte bërë ai një gazete shqiptare po ta kishte publikuar ajo këtë skandal?

Megjithatë duhet ta pranojmë se askush nuk do t‘i kishte hyrë mundimit të investigonte dhe shkruante për Gërdecin, MEICO-n, fishekët e Afganistanit dhe Delijorgjin përpara se t‘ia bënte "bam" në Gërdec, sepse të gjithë i dimë lidhjet e tyre me klanet politike në pushtet e opozitë. Sepse, këto klane, me të gjitha mënyrat, do ta kishin bllokuar një investigim të tillë.

Partitë politike, pasi kanë ndarë popullin në të majtë e në të djathtë, kanë ndarë bizneset në të majtë e në të djathtë dhe i kanë hipotekuar ato si pasuri të patundshme të tyre, në të njëjtën mënyrë kanë shtrirë duart, duke kontrolluar pjesën dërrmuese të medias. E ndërsa kjo është meritë e politikës, fatkeqësia është në anën tonë, pra të gazetarëve që janë skllavëruar prej politikës. Në kushtet kur politikat editoriale, më shumë se nga editorët, përcaktohen nga zyrat e marketingut dhe raportet e botuesve me partitë dhe politikanët, pjesa dërrmuese e mediave janë shndërruar nga pushtet, në vegël e pushtetit dhe politikës. Shikoni se si në Shqipëri, çdo broçkull që thuhet në zyrat e partive përbën lajm për pjesën dërrmuese të gazetave e TV-ve. Politika ia ka dalë ta gjunjëzojë median e ta vërë në shërbim të saj, si mënyrë për të marrë apo mbajtur pushtetin. Në këtë kontekst, ne jemi bashkëpërgjegjës për mbajtjen gjatë të këtij gjirizi politik, që sot bën thjesht rotacionin procedural të pushtetit. Është e trishtueshme të shikosh pjesën më të madhe të TV-ve, nga kombëtarët në Tiranë e deri te TV-të që transmetojnë kaseta dasmash në fshatra, se si të gjithë në kor emetojnë konferenca shtypi, deklarata, fjalime politike, thashetheme zëdhënësish, replika zyrtarësh e të tjera dërdëllitje zyrash të këtij lloji. Dhe akoma më e trishtueshme është të shikosh të nesërmen, se si pjesa dërrmuese e gazetave i riprodhon këto deklarata e i boton ato të plota.

Gjithnjë e më rrallë i blej të tëra gazetat për t‘u "hedhur një sy", pasi sinqerisht nuk ke çfarë lexon, sepse shpesh ato përdorin për tituj edhe strishat e lajmeve që televizionet kanë transmetuar në dhjetëra edicione një ditë më parë. Dhe po kështu sillen edhe lexuesit e thjeshtë, sepse ata nuk gjejnë aty asgjë nga ato që u intereson atyre, nuk gjejnë aty problemet që ata hasin çdo ditë në jetën e tyre...

Qytetarët nuk i blejnë gazetat, sepse aty flitet pak ose aspak, për shqetësimin e nënave që grinden prej flokësh, kush të hipë më parë fëmijën në një tren lodrash rrangallë në ndonjë minipark, sepse sheshet e parqet në çdo qytet të vendit u janë dhënë firmave të ndërtimit për t‘i mbushur me pallate. Nuk ka asgjë për mungesën e parkimeve publike, torturën e qytetarëve për të udhëtuar me urban, pallatet e lidhura me tela telefoni e elektriku si shtëllunga leshi, për zjarrfikësen dhe autoambulancën që nuk hyjnë dot në lagjet me rrugica të ngushta nga babëzia e ndërtuesve. Nuk ka asgjë për mbeturinat që po e mbysin këtë vend anembanë, për ca mijëra njerëz që sëmuren nga lëkura pse jetojnë në brigjet e një lumi të ndotur nga kimikatet që hedh një fabrikë pa leje mjedisore etj. Ky realitet, gjetkë do t‘i alarmonte mediat, por në Shqipëri ka kohë që lajmi, për shumicën e mediave, fillon me njoftimet e zëdhënësve për konferencat e shtypit.

Ja pse nuk u habita aspak që gazetat e Tiranës nuk ia kishin botuar artikullin ambasadorit danez, që bënte thirrje për të shpëtuar Parkun e Dajtit. Ato duan politikë! Sipas logjikës sonë mediatike, një ambasador mund të kritikojë apo lëvdojë një politikan, po jo të shqetësohet për mbeturinat që po na qelbin republikën tonë e që ne pretendojmë të jetë turistike. Kjo klimë mbytëse ka shkaktuar një mjedis autocensure dhe dembelizmi mes komunitetit të gazetarëve. Reporterët e rinj, sot mund të ndjehen keq nëse themi se para vitit 1997 reporterët punonin më shumë. Pa internet, pa email, pa njoftime shtypi, pa celular e makina, pak vite më parë reporterët ishin më guximtarë, më të zotë dhe shtypi ishte më i pushtetshëm ndaj politikës e vetë pushtetit.

Por çfarë ka ndodhur sot? Media është bërë më shërbëtore, më e kontrolluar, më e përdorur dhe më abuzive. Disa fletushka e ekrane janë hapur nga biznesmenë që i përdorin herë për mbrojtje e herë për sulm, në varësi të interesave të tyre ekonomike. Ka pronarë mediash, e madje edhe editorë, që e përdorin statusin dhe median që drejtojnë, për të përfituar sheshe ndërtimi e për të fituar tenderë rrugësh. Në këtë vazhdë, ne shikojmë sot se si shumë reporterë të djeshëm, që kishin luks një biçikletë për të bredhur rrugëve në kërkim të lajmit dhe ndërronin redaksitë brenda një nate për 30 mijë lekë të vjetra më shumë, sot si redaktorë e editorë, janë bërë banorë të fshatrave turistike në bregdet, duke pasur fqinjë deputetë, ministra e biznesmenë. Janë bërë pjesëmarrës të jetës së luksit dhe frekuentues të jetës së salloneve politike. Duhet të kujtojmë se pagat në ndërmarrjet mediatike nuk ua mundësojnë një luks të tillë. E mbaj mend kryeredaktorin tim të parë Karlo Bollinon e më pas Fatos Baxhakun dhe ndjej keqardhje që sa pak shanse kanë sot shumica e reporterëve të rinj për "t‘u bërë", nën drejtimin e këtij soji redaktorësh, të cilët këtë profesion të shenjtë e ka shndërruar në biznes të dëmshëm për demokracinë.

Për të ilustruar më shumë përdorimin e medias dhe atë që e pret një media pas përdorimit, do të kujtoja një kolegun tonë, i cili çdo ditë bënte dy komente, njërin pro dhe tjetrin kundër ish-kryeministrit Nano. Sepse shpesh i kishte ndodhur, që në varësi të marrëdhënieve ditore të botuesit me Kryeministrin, të ndryshonte shkrimin, nga pro në kundër e anasjelltas, në mes të natës, kur gazeta duhej të nisej për në shtypshkronjë. E, kështu ai ia gjeti ilaçin: "I ke gati të dy variantet, shef". Dhe të gjithë ne pamë se si ajo gazetë degradoi nga një pushtet gjigant mediatik, në një fletushkë pa vlerë sot në tregun e gazetave.

Jetojmë në republikën që ka standardet më të ulëta, të paktën në Evropë, të zbatimit të ligjit dhe funksionimit të shtetit, ku nuk zbatohen vendimet e gjykatave, nuk gjobitet ai që hedh mbeturina në rrugë, nuk penalizohet ai që thyen një pemë në park, nuk pengohet ende ai që bën shtëpi pa leje, nuk ndëshkohet ai që vjedh energjinë, nuk ndalohet ai që lan makinat me ujin e pijshëm dhe qytetarët mbeten pa ujë. Jetojmë në vendin ku gjithkush bën ç‘të dojë me pronën e tjetrit dhe me pronën e shtetit, ku gjithkush pret e shkatërron ç‘t‘i zërë syri e askush se ndalon, ku gjithkush bën ç‘të dojë në shtëpinë e tij, me fëmijët dhe gruan e tij, e madje edhe kur e vret, habitet që e fusin në burg, sepse ajo është pronë e tij.

Në vitet ‘90, Shqipëria e realizoi revolucionin politik, e më pas edhe atë ekonomik. Tashmë ky vend ka nevojë për një revolucion social e shoqëror. Nuk ka thjesht nevojë të ndërrojë Kryeministrin, por të ndryshojë mentalitetin e të qeverisurit dhe të të jetuarit në komunitet dhe media duhet të ishte në ballë të një revolucioni të tillë. Për fat të keq, ne jemi në rolin e shërbëtorit të politikës që as ka ndërmend e as që dëshiron ta bëjë një gjë të tillë. Për këtë arsye, është detyra jonë ta rimarrim fronin e pushtetit që na takon dhe të luajmë rolin që duhet të luajë në shoqëri, pa pritur që "dikush" të vërë dorën në zemër e të na japë të gjithë liritë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama