Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Media e shkruar si problem i vetvetes

Shkruar nga: Agim Isaku  
Botuar më: 16 vite më parë

Agim Isaku
Media e shkruar si problem i vetvetes

Debati aktual i hapur në gazetë, në lidhje me atë se ç‘po ndodh me shtypin e shkruar, në mënyrë indirekte është një diskutim për funksionimin e demokracisë sonë. Kjo jo vetëm sepse vetë media është një nga "pushtetet" e demokracisë, por edhe sepse përmes medias, shoqëria (opinioni publik, thuhet së fundmi) realizon kontrollin e saj mbi pushtetet e tjera. Është pikërisht kjo cilësi që i jep asaj autoritetin dhe karakteristikat e një pushteti të katërt. Me fuqizimin e medias elektronike, me fuqizimin dhe penetrimin në rritje të internetit, por edhe të burimeve të tjera të informacionit, që sa vjen e bëhen edhe më globalë, pa asnjë dyshim lipsej që edhe media e shkruar në Shqipëri të apdetohej, të përshtatej me këtë realitet të ri. Brenda këtij "pushteti" tashmë të diversifikuar ndjeshëm, roli i medias së shkruar gjithsesi mbetet specifik. Pavarësisht se media elektronike ka një ndikim publik më të gjerë, nëse do të duhet që të kërkosh një analizë të thelluar -opinionbërëse-, atëherë qoftë në Francë, qoftë në Itali apo Shtetet e Bashkuara, duhet t‘i drejtohesh shtypit të shkruar.



Duket sikur thënia latine "E shkruara mbetet, fjala fluturon" është materializuar pikërisht në këtë diferencë. E, në këtë këndvështrim, një analizë specifike e gjendjes së medias së shkruar është e domosdoshme, pavarësisht se duket disi e vonuar. Fakti i pranuar nga të gjithë se tirazhi i gazetave te ne sa vjen e ulet, përkundër fatit që titujt shtohen, është prova më e mirë se ky "institucion" është i sëmurë dhe asnjëherë nuk u ngrit në nivelin që prisnim. Madje, paradoksalisht, ndryshe nga ndonjë gjykim që e konsideron periudhën ‘92-‘97 si periudhë paramediatike, në gjykimin tim, ka qenë pikërisht kjo periudha më e mirë e shtypit shqiptar. Gazetat ishin realisht opinionbërëse. Gazetarët pretendonin të përmbushnin misione. Tirazhet rriteshin. Debatet ishin prezentë dhe përplasja e mendimeve po ashtu. Pa kishte edhe rrahje gazetarësh, edhe burgosje të tyre, edhe botues "aventurierë", edhe sharlatanë, edhe entuziazëm romantik, edhe ëndërrimtarë me bollëk… Në mënyrë paradoksale, pikërisht represioni shtetëror i Berishës së Parë, e fuqizoi këtë media dhe e shndërroi në një pushtet real në jetën e vendit. Ndryshe ndodhi më pas… Nejse.



Pa dashur të përsëdyt ato që tashmë janë thënë, do të shtoja se përgjithësisht nuk prirem të arsyetoj ngarkuar nga bishtat emocionalë të kompleksit të viktimizimit, sëmundje tejet e përhapur në shoqëritë post-diktatoriale dhe të varfra. Kjo është evidente kur përpiqesh ta delegosh përgjegjësinë e gjendjes së shtypit te bizneset që mbështesin shtypin (duhet thënë faleminderit, sigurisht edhe pse gjithkush e di se shumë prej tyre e "përdorin" median si mburojë të abuzimit fiskal, deformimit të tregut, presionit të pandershëm ndaj institucioneve të konkurrencës së lirë, e kështu me radhë). Kjo është evidente edhe kur përpiqesh të fajësosh pushtetin apo politikën që e ka "korruptuar" këtë shtyp (dhe jo vetëm). Për mendimin tim modest, problemi kryesor i shtypit është pikërisht brenda shtypit. Pra atje, brenda tij, janë arritjet dhe po atje duhet të kërkohen edhe dështimet. Teorizimet vetëpërkëdhelëse, sipas së cilit për gjendjen e keqe të shtypit e ka fajin biznesi apo politika, që na qenkan ku e ku më poshtë në nivel nga shtypi dhe mediat, pra ku e ku më të korruptuar, më mediokër, më korruptues, nuk janë gjë tjetër veçse një mënyrë justifikimi i gjendjes dhe pasojë e një vetëdije ku ekzibicionizmi, që vetvetiu është pjesë e psikologjisë së personit publik, nuk të lejon të shohësh se në një shoqëri, cila do qoftë ajo, ndaç diktatoriale, ndaç demokratike, elementet bazë (përfshi edhe "pushtetet") shkojnë në harmoni me njëra-tjetrën.



Nëse kemi këtë klasë politike që kemi, nëse biem dakord që ligjërimi politik është përkeqësuar ashtu si edhe niveli i parlamentit, nëse jetesa është vështirësuar dhe varfëria është rritur, nëse institucionet e pavarur bëhen gjithnjë e më të varur (p.sh., unë nuk e kuptoj dot se si punojnë gazetarët e ekonomisë në kushtet kur nuk kanë asnjë statistikë të besueshme përpara, hiq ndonjë raport të institucioneve ndërkombëtare), pra në këtë situatë nuk ka se si edhe shtypi të lulëzojë dhe të mos jetë pjesë organike e këtij realiteti. Madje, par shkak të misionit të tij si përcjellës i një opinioni avanguardë të shoqërisë, si opinionbërës pra, pse jo, ai madje duhet të ndjehet në një shkallë jo të vogël edhe përgjegjës për realitetin. Po, ja, do të më thotë dikush, pesha e fjalës ka rënë, pushteti nuk e çan kokën për ç‘thua, korrupton, ble dhe shet e kështu me radhë. Dhe kjo është e vërtetë. Por, a ka njeri në këtë rruzull që nuk e di se kudoqoftë, edhe në shoqëritë më të stabilizuara dhe demokratike, ëndrra e pushtetit ka qenë dhe mbetet korruptimi i "pushteteve të tjerë", domethënë i gjyqësorit, i legjislativit dhe sigurisht e veçanërisht edhe i medias?



Nëse këto pushtete "dorëzohen", pra blihen dhe shiten, atëherë shkaku duhet kërkuar te të shitshmit dhe të bleshmit, thënë ndryshe: te media që pranon të vihet në shërbim të kujtdoqoftë jo për shkak të politikave editoriale, apo për shkak të bindjeve të editorialistëve, por për shkak të afilacioneve korruptive në rastin më të keq dhe atyre klanore në rastin më të mirë. Por, mund të vazhdojë të këmbëngulë zëri tjetër, ç‘të bëjmë kur pronarët e gazetave kanë interesat e veta dhe nuk të lejojnë të botosh ç‘të duash? Dhe kjo është po ashtu e vërtetë. E kush nuk e di, p.sh., që te njëra gazetë nuk flet dot kundër Berishës, te një tjetër nuk përmend dot Jozefinën e tek ato që mbeten nuk mund të kritikosh Ramën? Para disa ditësh, një miku im, që drejton një emision tepër të ndjekur opinionesh më kallëzonte se njërin nga të ftuarit nuk "ia lejonte" Rama të merrte pjesë në debat. Lerë karrigen bosh dhe denoncoje këtë gjë, i propozoi një nga të pranishmit. Jo, u përgjigj gazetari, sepse pas kësaj rrezikoj të mbyll emisionin përfundimisht ca nga pronari, por kryesisht sepse, pas kësaj, shefi i partisë s‘do lerë njeri që të më vijë në emision.


Pra, të gjithë e dimë se deri për të marrë pjesë në një debat, leja "merret" te partitë, që në fakt nuk janë asgjë më shumë veçse klane të kryetarëve përkatës. E, për këtë, fajtori kryesor duhet kërkuar te gazetarët. Një ndodhi tjetër më vjen ndër mend. Teksa punoja në Spanjë, i pata kërkuar një shkrim Kadaresë, si zë autoritar në lidhje me Kosovën, meqenëse ofensiva mediatike serbe po lulëzonte në mediat e gadishullit Iberik. Kadare shkroi një nga shkrimet e vet shumë të mirë. Fola me kryeredaktorin dhe një nga editorialistët më të mirë të "El Pais". Patjetër, më thanë, e kemi për nder të kemi Kadarenë në faqet tona. Prita një ditë, dy... katër. Shkrimi nuk u botua. Shefat në fjalë më thanë se duhet të flisja me përgjegjësin e politikave editoriale. E takova. Autor i njohur tekstesh filozofikë. Më vjen keq, më tha, e njoh Kadarenë, e pëlqej si shkrimtar, por politika editoriale e gazetës sonë është e ndryshme nga fryma e Kadaresë. Pas negociatave, shkrimi u botua me shënimin redaksional "Shkrimi i shkrimtarit nacionalist shqiptar, Ismail Kadare, nuk përputhet me filozofinë tonë botuese, por ne po e botojmë nga respekti për shkrimtarin". E vërteta është se shkrimi pas kësaj pati tepër jehonë, por kjo është tjetër gjë: unë doja thjesht të dëshmoja vetëdijen e politikave botuese të atyre që realisht janë media opinionbërëse dhe institucione të shoqërisë. E, këtu te ne, nëse pronarët kanë këtë peshën financiare, të përgjigjen - jemi ne që kemi pranuar këtë kontratë me ta. Reagimi?



Më tregoni një rast kur aradha e gazetarëve është sjellë si një komunitet në mbrojtje të fjalës së lirë? (Jo thjesht të marrjes së rrogave, pushimeve nga puna apo mosmarrjes së vizave nëpër ambasada). Sa shkrime nuk botohen (jo për shkak të kualitetit, por për shkak të "mospërputhjeve" me interesat e pronarëve) dhe cili ka qenë reagimi i "komunitetit" në raste të tilla? Kështu dalim sërish tek analiza e "pushtetit të katërt". Sa është media realisht pushtet dhe sa është i fuqishëm (në këtë rast "I fuqishëm" përkthehet "influent në shoqëri", dhe jo në lejëra për fshatra turistikë, ndërtime e kështu me radhë)? Fuqia e një pushteti, na mësojnë politologët, qëndron tek aftësia e tij për të jetuar dhe për t‘u sjellë i pavarur, pra që të zotërojë të gjithë instrumentet që e shndërrojnë atë në një institucion të vërtetë. Dhe një nga këta instrumente është aftësia e të vepruarit si një komunitet, një komunitet i organizuar që ka edhe aftësinë e vetëkontrollit. Si reagon ky komunitet kur, p.sh., kryeredaktorët flaken nga puna varësisht nga shija (më së shumti e induktuar nga politika) e pronarëve? A ka ndonjë media, e cila funksionon e drejtuar nga bordi i kryeredaktorëve, të cilët përpunojnë edhe politikat botuese? Ç‘bëjnë shoqatat e gazetarëve? Ç‘kanë arritur deri tani për mbrojtjen ligjore të gazetarëve? Ç‘ligj i kanë propozuar parlamentit në këtë drejtim? Ku kanë shkuar paret e pafund të asistencës ndërkombëtare për mediat? Ç‘bëjnë institutet e ndryshme që pretendojnë se merren me mediat?



Mos vallë jemi të gjithë pjesë e një realiteti ku pushtetet janë përzierë keqas me njëri-tjetrin dhe e ke të vështirë të ndash më vete politikanin nga gazetari dhe biznesmeni? Dhe nga këtej dalim tek ai që konsiderohet "mision". A ka një mision shtypi shkruar te ne? E, për cilindo që merret sadopak me këto punë, është e qartë se ka një diferencë jo të papërfillshme mes të qenit misionar dhe të qenit pjesë organike e një realiteti që sa vjen e më shumë korrupton dhe korruptohet. Në botë profesionet që përmbushin misione janë të pakët. I tillë konsiderohet ai i mësuesisë, priftërisë dhe i gazetarit. Dhe janë të keqpaguar, duke përmbushur kësisoj karakteristikat e një shoqërie të "pamoralshme", siç është edhe kjo që dëshirojmë të ndërtojmë më së shumti me mentalitetin tonë thellësisht ballkanik dhe komunist.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama