Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Politika e jashtme shqiptare: Një disfatë e vazhdueshme

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 16 vite më parë

Adri Nurellari
Politika e jashtme shqiptare: Një disfatë e vazhdueshme

Politika  e jashtme shqiptare: Një disfatë e vazhdueshme

www.adrinurellari.com

Botuar tek gazeta Shqip

 

Është bërë traditë në vendin tonë që palët e ndryshme politike të sulen për të kapitalizuar çdo zhvillim të politikës së jashtme për kredo politike, dhe rasti më i fundit ishte padyshim ai i vizave të Maqedonisë. Qeveria u orvat që ta portretizonte si arritje politike të vetën heqjen e vizave për shtetasit shqiptarë nga Maqedonia ndërkohë që ajo nuk ishte gjë tjetër veçse produkt i presionit të Bashkimit Evropian. Në të vërtetë vendosja e një regjimit të rreptë të vizave ndaj shtetasve shqiptarë prej Maqedonisë dhe më pas zmbrapsja pas ndërhyrjes së Brukselit, dëshmonte për krejt të kundërtën, dëshmon për një paaftësi të theksuar të shtetit shqiptar për të realizuar interesat më minimale të shtetasve të vetë jashtë vendit. Maqedonia me një prepotencë të patolerueshme vendosi një regjim të rreptë vizash ndaj shtetasve shqiptarë pavarësisht nga fakti që ne e kemi ndihmuar këtë vend duke e njohur ndër të parët si shtet të pavarur si dhe duke i dhënë një rrugëdalje gjatë embargos greke dhe pavarësisht nga fakti që një e treta e popullsisë në këtë vend është shqiptare dukë përbërë një masë nevralgjike për mbijetesën e këtij shteti. Për të treguar se sa pozitë të favorshme kishte vendi ynë për t’iu imponuar Maqedonisë duhet shtuar edhe fakti që ky shtet ka probleme me çdo fqinj të vetin, me Greqinë për emrin janë intensifikuar acarimet, me Bullgarinë për gjuhën, me Kosovën për kufirin dhe njohjen, me Serbinë për kishën. Prapëseprapë, shteti ynë tregoi një dobësi të skajshme dhe u desh ndërhyrja e BE-së për t’i kthyer dinjitetin qytetarëve shqiptarë.

Në vend që ta trajtonin këtë situatë si një shuplakë që kërkonte reflektim dhe reformë rrënjësore në diplomacinë shqiptare, qeveria e deklaroi si një fitore të sajën. Mirëpo kjo deklaratë erdhi tepër herët pasi edhe gjysmë viti pas firmosjes së marrëveshjes mes dy vendeve ajo ende nuk u aplikua ne terren. Maqedonasit për ta çuar deri në fund lojën  e tyre të poshtërimit e lanë që ratifikimin ta bënte parlamenti i pas-zgjedhjeve. Kur ky ratifikim u bë shpërtheu sërish diletantizmi diplomatik shqiptar kësaj radhe me presidentin  i cili e përshëndet këtë ratifikim me ngut, pa patur parasysh faktin që kjo dardhë maqedonase e kishte bishtin prapa, dhe tanimë shtetasit shqiptarë nuk do iu duhet të paguajnë më për vizën maqedonase në kufi por duhet të bëjnë një tjetër pagesë, atë për sigurimin shëndetësor që më parë nuk kërkohej. Nëse më parë shtetasit shqiptarë duhej të prisnin në radhë për të paguar vizën tanimë duhet të paguajnë sigurimin shëndetësor e nuk do ta gëzojnë rehatinë për ta kaluar kufirin në mënyrë të rehatshme siç e bëjnë me Kosovën.

Rasti i Maqedonisë vlen për t’u analizuar pasi është një disfatë flagrante që tregon paaftësinë, inferioritetin dhe mefshtësinë e politikës së jashtme shqiptare e cila kur nuk i bën dot presion Maqedonisë, nuk do mund t’i bëj dot presion asnjë shteti tjetër E ngjashme është edhe situata e Malit të Zi, një shteti në miniaturë që ka probleme me fqinjët e vetë, me serbët të cilët përbëjnë diku tek 30% të popullsisë së këtij shteti si dhe me kroatët për zotërimin e gadishullit të Prevlakës. Shteti shqiptar në rastin malazez mbështeti në mënyrë të  pakursyer pavarësinë e këtij shteti pa vendosur asnjë kusht për përmirësimin e kushteve të shqiptarëve aty paçka se shqiptarët që janë 7%  bënë të mundur që 55.5%  e votuesve të mbështesnin pavarësinë duke kaluar me 0.5% pragun prej 55% që kishin vendosur evropianët si kusht për të njohur rezultatin e referendumit malazez të pavarësisë. Si shpërblim malazezët nuk iu kthejnë shqiptarëve të Malit të Zi pronat e ligjshme, nuk i japin bashkëkombësve tanë atje të drejtën e krijimit të komunës së Tuzit, komunës shqiptare të Ulqinit i japin çikërrima nga fondet që iu takon të marri nga Podgorica, bregdeti i shqiptarëve administrohet nga një kompani shtetërore malazeze dhe shqiptarët lihen jashtë procesit të privatizimit në favor të malazezëve apo rusëve. Sot shqiptarët atje po zhyten gjithnjë e më tepër në skamje, po shtyhen drejt emigracionit ndërkohë që territoret shqiptare po transformohen shpejt demografikisht duke u kolonizuar me malazez nga veriu apo me të huaj.

Mefshtësia e diplomacisë shqiptare në mbrojtjen e të drejtave të shtetasve dhe bashkëkombësve shqiptare mund të shihet edhe në rastin e Kosovës akoma më qartë kur shteti ynë me një servilizëm të skajshëm ndaj perëndimorëve bënte presion që kosovarët të gëlltisnin pakon e hidhur të Ahtisarit ndërkaq tani nuk po luan kurrfarë roli të rëndësishëm në njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Mjafton të përmendet rasti i Konferencës Islamike për të ilustruar këtë fakt, përse tjetër i ngelet anëtarësia e Shqipërisë aty në kushtet kur këto vende nuk njohin Kosovën dhe vendet arabe të majmura nga nafta nuk kanë sjellë ndonjë investim domethënës në Shqipëri sikurse u shpresua prej këtij anëtarësimi. Këto dy gjëra mund të konsideroheshin si motivet e vetme që do të justifikonin futjen dhe qëndrimin e Shqipërisë në këtë organizatë ndërkombëtare.

Pavarësisht nga këto dështime të qarta të politikës së jashtme prapëseprapë qeveria shqiptare pretendon arritje në politikën e jashtme shqiptare duke nxjerrë në pah anëtarësimin në NATO dhe marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ratifikimi i së cilës nga anëtarët e BE-së po ecën me shpejtësinë e kërmillit. Këto dy procese meritojnë pikësëpari të demistifikohen pasi merita e shteti shqiptar për këto procese është minimale. Kjo pasi këto procese zgjerimi janë procese gjeopolitike të stërmëdha të komanduara nga tjetërkund dhe janë të pakthyeshme. Të pretendosh një rol vendimtar të qeverisë së sotshme shqiptare për futjen në NATO është njësoj sikur shqiptarët të pretendojnë sikur e rrëzuan vetë komunizmin duke injoruar faktin që ai proces ortek nisi tjetërkund e ne ishim dominoja e fundit që dashur pa dashur do binte. Merita e qeverive shqiptare nuk mund të matet me drejtimin e këtij procesi sepse ne jemi ishull tashmë brenda BE-së dhe NATO-s dhe herët a vonë dallgët e integrimit do na kapërdijnë edhe ne. Merita matet me kosto oportune, me shpejtësinë e ecurisë së procesit. Kështu kur flitet për këtë shpejtësi në rastin e integrimit evropian mjafton të bëhet një krahasim me vendet e tjera të rajonit për të kuptuar që shpejtësia jonë lë shumë për të dëshiruar. Gjithsesi zhvillimet që lidhen me integrimin Euro-Atlantik tanimë nuk mund të konsiderohen më pjesë të politikës së jashtme por të gjithë politikës shqiptare në përgjithësi pasi këto janë procese shumë sektoriale e nuk prekin thjesht ministrinë e jashtme. Roli i ministrisë së jashtme është minimale në këto procese kur këto dy organizata, BE dhe NATO kanë misionet e tyre monitoruese në Shqipëri dhe për integrimin evropian ka madje një ministri të posaçme .

Për të peshuar cilësinë e punës së ministrisë së punëve të jashtme duhet parë trajtimi që iu bëhet qytetarëve shqiptarë jashtë vendit  duke patur parasysh në mënyrë të veçantë shërbimin konsullor. Konsullatat shqiptare fatkeqësisht ende mund të konsiderohen si simotra të kalbura të gjendjeve civile te rretheve dhe si zyra punësimi për militantët pasi puna e tyre edhe me qeverinë e re nuk ka shënuar ndonjë përmirësim. Madje emigrantët shqiptarë në Greqi dhe Itali dëshmojnë haptazi që në përpjekjet e tyre për të rinovuar dokumentet më shumë abuzohen dhe nëpërkëmben nga funksionarët e konsullatave shqiptare sesa nga zyrtarët grekë apo italianë.  Shtetasit shqiptarë ngelen jetim jashtë vendit ndërkohë që mundësitë për të mbrojtur të drejtat e tyre në vendet pritëse ku ata janë shpesh si emigrant janë shtuar falë mundësive të ofruara nga avancimi në të drejtën ndërkombëtare, në të drejtën evropiane dhe në legjislacionin vendor të vetë vendeve pritëse. Pra edhe pse ne nuk jemi shtet i fuqishëm për t’u imponuar, për konsullatat shqiptare janë shtuar mundësitë dhe hapësirat ligjore për të ndihmuar shtetasit shqiptarë jashtë vendit.

 Megjithatë dështimi më i madh i politikës së jashtme shqiptare ka të bëjë me paaftësinë për të eliminuar izolimin e thellë ku na zhyti komunizmi. Një plagë e thellë kjo mjekimi i së cilës meritonte të ishte një ndër prioritetet kryesore të qeverive post-komuniste. Ne vazhdojmë të jemi një ndër vendet më të izoluara në botë pasi shqiptarët mund të hyjnë pa viza vetëm në një numër shumë të kufizuar vendesh të cilët mund të numërohen me gishtat e dorës.  Pasaporta shqiptare duhet t’i nënshtrohet vizave për pothuaj çdo vend në botë sikur të vazhdonte sot autarkia enveriste. Shteti shqiptar duke u marrë vetëm me gjënë më joshëse dhe njëherazi më të vështirë, liberalizimin e vizave të BE-së, ka anashkaluar faktin që për pasaportën shqiptare kërkohen viza edhe nga vende shumë të varfra që në përgjithësi nuk vendosin viza për të huajt. Janë të shumta vendet e Afrikës apo Azisë Qendrore apo Juglindore që me pak më shumë përpjekje të ministrisë së jashtme shqiptare, duke patur parasysh pozitën e tanishme ekonomike dhe politike të Shqipërisë, do të pranonin që të hiqnin vizat për shtetasit shqiptarë pa kërkuar parimin e reciprocitetit, pra pa kërkuar që ne t’i heqim për ta. Këtë gjë e kanë bërë tashmë me vende të Evropës Lindore që nuk dallojnë shumë nga ne për sa i përket gjendjes ekonomike apo pozitës gjeostrategjike. Në përpjekje për të zbuluar si mund të marrësh një vizë si shtetas shqiptar mjafton të shohësh faqet zyrtare të internetit të disa vendeve të humbura si Tajlanda, Mongolia apo Nepali për të parë që këto shtete i referohen vendit tonë hera herës ende si republika popullore dhe socialiste e Shqipërisë për të kuptuar që ne ende trashëgojmë pozitën e izoluar enveriste dhe se me këto vende ekziston ai nivel marrëdhëniesh i përcaktuar dekada më parë. Më pak viza do të thotë më shumë dinjitet e vlerë për pasaportën shqiptare, më shumë liri lëvizje për shtetasit shqiptarë, më shumë shkëmbime kulturore, turizëm dhe biznes, më shumë konkurrues në një treg gjithnjë e më global.

 Si pjesë e procesit te përafrimit me Bashkimin Evropian do të ishte shumë  e arsyeshme që ministria e jashtme të merrej gjithashtu me eliminimin e ndërsjellë të vizave me ato shtete që janë tashmë jashtë listës së zezë të shengenit në të ashtuquajturin Aneks 2 të Shengenit, pra bëhet fjalë për ato kombësi që nuk kanë nevojë për viza shenjen për të hyrë në vendet e BE-së.  Në këtë mënyrë nuk do na duhej që kur të futeshim në BE në një kohë të dytë t’iu vendosnim këtyre shteteve viza sikurse kërkohet prej kushteve të anëtarësimit që të përdoret e njëjta  listë e zezë e shengenit. Këtu bëhet fjalë për një numër të madh shtetesh të Amerikës Latine si Argjentina, Meksika, Uruguai, Paraguai, Salvadori, Panamaja, Kota Rika, Kili, Brazili, Guatemala, Nikaragua, Venezuela apo shtete të tjera të zhvilluara ekonomikisht si Singapori, Brunei apo  Koreja e Jugut. Po kështu do të ishte e arsyeshme që qeveria shqiptare të negocionte me vendet që kanë viza për shtetasit shqiptarë që shërbimet e tyre konsullore që mbulojnë Shqipërinë në pamundësi për tu vendosur në Tiranë të mbahen të paktën në ambasadat e tyre në ato vende ku shtetasit shqiptarë do mund të udhëtonin pa viza si për shembull Ankaraja apo Shkupi. Kështu shpesh ambasadat e huaja që mbulojnë shërbimet konsullore për Shqipërinë gjenden në vende si Roma, Londra apo Bukureshti dukë bërë që shtetasit shqiptarë të kenë nevojë për një vizë të dytë që të mund të marrin vizën për destinacionin e tyre të preferuar. Dhe shpesh është më e vështirë për të marrë një vizë italiane për të vajtur në Romë sesa të marrësh vetë vizën braziliane apo argjentinase.

Megjithatë dihet që këto probleme të mprehta që kanë shqiptarët me vizat dhe shërbimet konsullore vështirë se mund të kuptohen nga politikanë që kanë një kohë të gjatë me pasaporta diplomatike e nuk kanë hasur vetë ndonjëherë probleme me vizat, dhe aq me pak mund të kuptohen nga një ministër i jashtëm që zotëron një pasaportë holandeze ndërkohë që ka për detyrë të mbrojë interesat e pasaportës shqiptare. Prandaj me sa duket kalvari i pasaportës shqiptare nëpër sportele ambasadash ka për të vazhduar gjatë.

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama