Mami dua të bëhem i famshëm! Pse çmenden shqiptarët pas tabloideve?

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 12 vite më parë

Adri Nurellari
Mami dua të bëhem i famshëm! Pse çmenden shqiptarët pas tabloideve?

Mami dua të bëhem i famshëm! Pse çmenden shqiptarët pas tabloideve?

Botuar tek gazeta Shqip

www.adrinurellari.com

 

Prej vitesh po shihet që media shqiptare është gjithnjë e më shumë nën një proces tabloidizimi dhe po vihet re që në shoqërinë shqiptare po ngrihet një kulturë e skajshme celebritetesh. Kjo vihet re shumë qartë sidomos tani gjatë verës kur jeta politike dhe profesionale në përgjithësi po zbehet si pasojë e pushimeve duke i dhënë mundësi që në faqe të parë dalin vetëm lajmet për personalitetet e famshme. Bile gazeta me tirazhin më të lartë është tabloide dhe ndërkaq disa prej gazetave të përditshme më me peshë  kanë nxjerrë suplementet e tyre verorë të posaçme për tabloide. Ndërkohë që zhanre me rëndësi të gazetarisë si gazetaria investiguese, gazetaria ekonomike, gazetaria a reportazhit apo socialja ngelen ende të pazhvilluara në median shqiptare.

Kultura e të famshmëve është bërë gjithnjë e më e pranishme fal rritjes së rolit të medias në jetën e globit e për pasojë është shndërruar në një çështje të rëndësishme diskutimi për studiuesit e medias dhe komunikimit. Së pari njëherë burimi i kësaj tendencë masive gjendet pikërisht tek roli i papërmbajtshëm i medias elektronike. Fillimisht komunikimi ishte linear ku një njeriu i përcillte një thashethem dikujt tjetër e kështu me radhë, që të merrje nam duhej shumë kohë, mirëpo sot komunikimi televiziv e ka zëvendësuar atë personal, sot është masiv, si dallgë që mund të lag njëherazi një breg shumë të gjerë.

Por përveç mahnitjes gjithëpërfshirëse të shoqërisë sonë nga magjia e televizionit, janë identifikuar edhe motive të tjera që kanë ndihmuar për të ndërtuar këtë kult vipash. Ku kult luan një rol arratisje nga realiteti sikurse janë bërë telenovelat apo të tjera forma dëfrimi. Përballë problemeve të koklavitura njerëzit preferojnë të largohen e të zhyten në njëfarë hipnoze apo amnezie kolektive duke u marrë me të famshmit. Një lloj braktisje e realitetit të zbehtë për t’u marrë me një virtualitet mediatik të gjallë e shumëngjyrësh. Shumë njerëz jetojnë jetë mediokre, monotone e shpesh të dëshpëruara dhe një mënyrë për ta kapërcyer këtë gjë është lidhja e vetes me jetëra më të lavdishme, me ato të yjeve të parapëlqyer. Mirëpo duke injoruar problemet e botës reale për t’u marrë me ndodhitë e jetëve të të famshmëve këto probleme personale nuk zgjidhen, por majisen.

Politologët si Putnam e lidhin këtë dukuri me rënien e përgjithshme që po pëson kapitali social, njerëzit janë duke u atomizuar duke ndërvepruar gjithnjë e më rrallë me njëri tjetrin, duke u socializuar dhe angazhuar gjithnjë e më pak ne veprimtari shoqërore, duke u dhënë më pak ndaj hobeve apo sporteve e duke kaluar gjithnjë e më shumë kohë me pultin në dorë në shoqërinë e televizionit.

Një tjetër shpjegim për rritjen në përgjithësi të kulturës së celebriteteve e dhënë nga sociologët është edhe fakti që kjo kulturë po zëvendëson rënien e nivelit të zellit për fenë. Ideja është që shenjtorët fetarë tanimë po zëvendësohen nga të famshmit që jo më kot thirren shpesh me terma fetarë si idhujt apo ikona. E ku mund të vihet re kjo tendencë  më mirë se në rastin e një vendi si Shqipëria me shumë pak besim fetar, ku vakumi i fesë, dhe nevoja për të adhuruar plotësohet nga moria e vipave e larmishëm që na ofrohen nga media.

Psikologët japin një shpjegim tjetër që e lidhin me familjarizimi me fytyrat e të famshmëve. Falë teknologjisë së informacionit me ata takohemi shumë herë më dendur sesa me farefisin. Sa më shumë ta shohim një fytyrë aq më shumë e pëlqen truri ynë nëpërmjet të ashtuquajturit “efekti i ekspozimit”. Truri e bën përpunimin e një imazhi të njohur shumë më të lehtë dhe shumë të pranueshëm e të pëlqyeshëm.

Ky degradim drejt kulturës së të famshmëve mund të konsiderohet si një simptomë shqetësuese për shoqërinë shqiptare. Rolin e krijimit të kultit të të famshmëve e ka vënë re ende pa u zhvilluar mirë televizioni, Daniel Boorstin i cili na paralajmëronte edhe për një dallim ndërmjet të famshmit dhe heroit. Para katër dekadash shkruante se “adhurimi i të famshmëve dhe adhurimi i heronjve nuk duhen ngatërruar. Megjithatë ne i ngatërrojmë çdo ditë dhe duke vepruar kështu ne jemi duke privuar veten nga modelet e vërteta e dinjitoze. Ne po shpërfillim burra apo gra që janë të famshëm sepse janë madhështor përkundrejt atyre që na duken madhështorë thjesht sepse janë të famshëm,.” Pra aq shumë jemi të mrekulluar me të famshmit sa na ndodh që të mos vlerësojmë siç duhet heronjtë e vërtetë të përditshëm, ata që nuk bujë të madhe por të cilët demonstrojnë talent, kurajë, vetëmohim, altruizëm apo përkushtim të vërtetë. Pra kemi një proces zvetënimi kah banaliteti, prej admirimit të një njeriu gjenial, prodhues, shkencëtar, artist apo sipërmarrës drejt njeriut që është në qendër të thashethemeve mediatike, që më parë ka bërë namin pastaj veprat (kuptohet nëse do të bë ndonjëherë ndonjë vepër të denjë për lavdi).

Dhe ky adhurim ndaj heronjve të rremë është veçanërisht shqetësuese në një shoqëri si kjo jona, ku mbizotëron kopjimi, plagjiarizmi, piratimi i ideve, krijimeve apo veprave të të tjerëve, e ku merita profesionale e artistëve, gazetarëve apo akademikëve shqiptarë është akoma më minimale. Mjeshtëria më e madhe e një krijuesi sot është që të dijë të fshehë apo maskojë sa më mirë gjurmët e burimit origjinal, pasi ka dhënë komandat Ctrl C dhe Ctrl V (cut and paste) për të përvetësuar materialin e grabitur.

Meritokracia zhduket në kësilloj shoqërie. Krijuesi i vërtetë nuk është më individi por media, e kjo është sidomos e vërtetë me emisione Talk Show apo Big Brother ku pjesëmarrësit bëhen të famshëm jo sepse kanë ndonjë arritje por sepse iu jepet rasti të shfrytëzojnë trampolinën e quajtur televizion. Pra e vetmja meritë është që të jesh i pranish në vendin e duhur në momentin e duhur. Person publik si një person para publikut e jo për merita publike. Kjo bën që të krijohet një brez të rinjsh që mendojnë se hapi i parë i rëndësishëm është të nxjerrin një imazh perfekt të tyre, të prodhohen kartëvizita e të shpërndahen pa teklif,  të krijohet një rreth i gjerë të njohurish, të hapen faqe personale në myspace, hi5 apo facebook e mbushja e tyre me kontakte, krijimi i një nami, emri apo reputacioni,  e mandej të vrasin mendjen se çfarë gjëje të mirë do të donin të bënin me jetën e tyre. Aq shumë rëndësi ka fama sa gjithnjë e më shumë njerëz nuk duan të bëhen muzikantë të famshëm, sportistë të famshëm apo gazetarë të famshëm por thjesht të famshëm.

Ajo që është akoma më shqetësuese është se publiku admiron të  famshmit duke hamendësuar se paraqitja e tyre është rrjedhojë e talentit, aftësive dhe suksesit individual të personit në fjalë. Mirëpo arritjet e shoqërisë sonë janë në më të shumtën e rastit bashkëprodhim dhe në fakt këngët, emisionet televizive, filmat janë në më të shumtën  e rasteve realizime në grup, duke patur prapa kontributin vendimtar të shumë orkestruesve, kompozitorëve,  regjisorëve, skenaristëve, gazetarë apo stafeve ndihmues sipas rastit.

            Një tjetër problem është se gjithnjë e më shumë shkohet tek njerëzit e show-biz për t’iu marrë këshilla për gjëra të rëndësishme si varfëria, papunësia apo ndotja e ambientit gjë që është tronditëse kur mendon se disa njerëz fizikisht të pashëm me ndopak talent të tejshtrydhur e të lodhur mund të ndikojnë shijet, normat apo opinionin e shoqërisë edhe për fusha ku nuk janë protagonist.

Një tjetër rrezik i kësaj vipo-manie është se ajo zhduk dallimin midis jetës publike dhe private duke e cenuar seriozisht rëndësinë e kësaj të fundit. Obsesionimi ndaj jetëve të tyre po e bën gjithnjë e më të pranueshme cënimin e shenjtërisë së familjes apo futjen e hundëve në gjëra intime e delikate që nuk bën të dihen apo përfliten prej të tjerëve.

Mirëpo edhe pse duket se po krijohet një botë ku kurorat e dafinës i marrin vetëm të famshmit, duhet thënë se nga ky kult të famshmit nuk dalin detyrimisht të larë e të fituar. Fakti që fama sot është gjithmonë e më tepër e shkëputur nga realizimet apo arritjet është  i mirënjohur nga vetë të famshmit të cilët shpesh e vuajnë shumë këtë. Dhe sipas shumë psikologëve kjo është një ndër arsyet pse shumë njerëz të famshëm e kuptojnë zbrazëtinë e tyre, e vuajnë përbrenda që nuk e meritojnë admirimin e publikut dhe për rrjedhojë zhyten në depresion apo jepen pas drogës apo alkoolit.

Vipat hasin edhe në një problem tjetër psikologjik që shpjegohet në mënyrë interesante nga ekonomisti  i famshëm i shkollës austriake. Ludwig von Mises në librin Mentaliteti Anti-kapitalist. Mises thoshte se ndryshe nga pasta e dhëmbëve apo sallamrat ndaj të cilave konsumatorët zhvillojnë besnikëri, njerëzit mërziten lehtë nga argëtuesit. Jo më kot sektori i dëfrimit quhet shpesh variete, sepse duhet të ndryshojë dhe jeta e një argëtuesi duhet të përballet me trysninë e këtij instabiliteti apo risku. Këtë gjë e nxjerr në pah edhe Boorstin i cili thotë që kalimi i kohës bën heronjtë, por shkrin e shpërbën të famshmit. 

Një tjetër rrezik është procesi i shpjeguar më së miri nga Chuck Palahniuk në librin e tij satirik Të Gjuajturit (The Hounted) ku flet për dëshirën e masave për të krijuar një imazh celebriteti të ngjashëm me të një perëndie, dhe pasi ta jetë krijuar një dëshirë të shfrenueshme për ta shkatërruar këtë imazh dhe për ta nëpërkëmbur dhe përbaltur këtë individ në mënyrat më ekstreme të mundshme. Kjo shpjegon pse tabloided janë kaq shumë të dhëna ndaj gërmimit të skandaleve, problemeve, dallavereve, të metave të vipave, sepse masat duan që mitet të shemben. Dhe kur bie nga një piedestal i lartë, padyshim që vritesh shumë.

 

 

 

 

 

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama