Çështja e votës së emigrantëve?

Shkruar nga: Adri Nurellari  
Botuar më: 12 vite më parë

Adri Nurellari
Çështja e votës së emigrantëve?

Çështja e votës së emigrantëve?*

Botuar tek gazeta Shekulli

www.adrinurellari.com

 

Shkrimi i djeshëm i titulluar “Vota e emigrantëve, borxhi i pashlyer” hidhte pikëpyetje për një shkrim tim të më hershëm që quante të papjekur propozimin e G99, gjë që më detyroi të shkruaja këtë replikë për të analizuar kundër argumentet e paraqitura nga Z. Kojdheli dhe për të sqaruar më tej çfarë doja të thosha me artikullin tim të parë. 

Unë pajtohem me Z. Kojdheli që vota është e drejtë kushtetuese, por kushtetuta shqiptare ka juridiksion në territorin e Shqipërisë, e për rrjedhojë shtetasve shqiptarë që janë emigrantë, duhet të kthehen në Shqipëri që të ushtrojnë këtë të drejtë, dhe kjo gjë funksionon edhe sot, ata janë nëpër listat e votuesve gjatë zgjedhjeve tona. Mirëpo standardet ndërkombëtare të të drejtave e garantojnë ose promovojnë të drejtën e votës brenda një vendi por nuk e parashikon që një shtet ta garantojë të drejtën e votës për shtetasit e vetë që gjenden jashtë. Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR ) që përbën edhe konventën më të rëndësishëm ndërkombëtare për të drejtat politike  thotë në mënyrë të qartë në nenin e dytë se “shtetet që aderojnë marrin përsipër që t’i respektojnë dhe sigurojnë këto të drejta për të gjithë individët brenda territorit dhe juridiksionit të shtetit.

Për sa i përket përdorimit ilustrativ të lidhjes mes taksimit dhe përfaqësimit, qëllimi ishte që të nxirrte  në pah diferencën që ekziston mes emigrantëve që kontribuojnë e janë të lidhur me Shqipërinë dhe atyre që janë shkëputur njëherë e mirë duke mos i futur të gjithë në një thes. Kjo është një ndër arsyet kryesore pse mendoj se propozimi nuk është pjekur sa duhet pasi duhet të jetë më e kompletuar dhe e përpunuar si dhe nuk përshtatet shumë me kontekstin kohor kur po ngrihet si çështje.

Kur bëhet fjalë që të votojnë ata bashkëkombës që janë jashtë vendit duhen dalluar disa kategori specifike që janë marrë mirë në konsideratë nga shtetet e tjera që kanë vendosur dispozita për votën e emigrantëve. Së pari të larguarit e detyruar, refugjatët, azil-kërkuesit dhe këtu bëhet fjalë për njerëz që janë larg vendit sepse janë shpërngulur me dhunë ose janë persekutuar në vendlindje dhe jo sepse kanë dashur. Së dyti ata që gjenden jashtë për shkak të detyrës specifike që bëjnë për shtetin, dhe këtu bëhet fjalë për zyrtarë, personel ushtarak dhe diplomatik. Së treti janë emigrantët e përkohshëm apo sezonalë të cilët vazhdojnë të paguajnë taksa ose të dërgojnë remitanca në shtëpi. Së katërti pjesa tjetër e diasporës, emigrantë të ngulitur në vendet pritëse, bashkëkombës tanë me shtetësi tjetër dhe me rezidencë të përhershme në dhe të huaj.

Grupi i parë është veçanërisht i rëndësishëm për shtetet qe dalin nga konfliktet  si për shembull Iraku, Afganistani, Bosnje Hercegovina, Kosova, Timori lindor, Kamboxhia. Në këto vende votimi i refugjatëve dhe i të shpërngulurve ishte më se legjitim dhe kishte rëndësi themelore për të mundësuar pajtimin kombëtar, ndërtimin e institucioneve demokratike stabël si dhe për t’iu kundërvënë përpjekjeve për pastrim etnik. Grupi i dytë kuptohet që e kanë më se të legjitimuar të drejtën e votës. Grupi i tretë mund të justifikohet por ka nevojë për rregullime që t’i përshtaten mundësive dhe kontekstit të vendit. Kurse për mendimin tim emigrantët e grupit të katërt në mënyrë kategorike nuk justifikohet dhe në të vërtetë numërohen me gishta shtetet që iu garantojnë votën këtyre individëve.

Ndërkohë mendoj se ekzagjerohet roli i marketingut politik apo medias ndaj banorëve të Shqipërisë ndërkohë që ka që këto janë mjetet kryesore të informimit të emigrantëve. Rezultati i zgjedhjeve të vitit 2005 nuk ka të bëjë detyrimisht me aftësinë e Partisë Demokratike për të gënjyer por me zhgënjimin e thellë ndaj keqqeverisjes socialiste. Atribuimi i humbjes se vitit 2005 vetëm ndaj aftësisë së PD-së për të mashtruar është një shenjë papërgjegjshmërie e Partisë Socialiste dhe mungese vullneti për të pranuar gabimet e së kaluarës dhe për t’u reformuar për t’iu dhënë shqiptarëve një ofertë më të mirë për të ardhmen. Kjo sjellje elektorale e votuesve shqiptarë konfirmohet në zgjedhjet lokale të vitit 2007. Në këto zgjedhje Partia Demokratike u ndëshkua për zhgënjimin e shkaktuar dhe mosmbajtjen e premtimeve dhe kursit ideologjik të pretenduar. Kjo duket qartë nga fakti që votuesit e qyteteve që i dhanë fitoren në vitin 2005, i shkaktuar humbjen brenda më pak se dy viteve. Në vitin 2005 PD morri në Tiranë 9 deputetë nga 12 të mundshmit, në Durrës gjashtë nga gjashtë, në Korçë dy nga tre, në Lushnje dy nga dy, në Vlorë dy nga tre, mirëpo të gjitha këto qytete nuk ia dhanë votën PD-së në zgjedhjet vendore.

Një tjetër mangësi e propozimit është përshtatshmëria e votimit me sistemin elektoral. Konkretisht në Shqipëri me ndryshimet e reja do të votohet proporcionalisht në 12 zona elektorale me shumë kandidatë. Ku dhe si pritet që të numërohen votat e emigrantëve, a do ketë vende ekstra të garantuara në parlament për votat e emigrantëve, a do quhen votat e emigrantëve një zonë më vete, a do quhen votuesit anëtarë të zonës elektorale ku kanë qenë rezident për herë të fundit në Shqipëri?

Një tjetër mangësi që duhet sqaruar është lloji i votës që duhet t’iu garantohet. A do lejohet të votohen në zgjedhje parlamentare, në zgjedhje vendore apo referendume? Shumica e shteteve që mundësojnë votat e emigrantëve garantojnë votimin për zgjedhjet qendrore pasi hamendësohet se ata mund t’i ndjekin në një far mënyre zhvillimet në nivel kombëtar. Mirëpo janë të pakta shtetet që lejojnë votat e emigrantëve për zgjedhjet vendore.

Një tjetër arsye pse artikulli im i mëparshëm e quante të papjekur propozimin në fjalë kishte të bënte jo vetëm me faktin që ishte i pakompletuar e nuk merrte në konsideratë të gjitha faktorët dhe aktorët por edhe sepse është i parakohshëm duke patur parasysh kontekstin e zgjedhjeve tona. Është një shpërqendrim ndaj prioritetit të sotshëm tonin për të siguruar më në fund zgjedhje të ndershme brenda Shqipërisë. Në këto kushte është e pandershme që t’iu premtohet emigrantëve një propozim i parealizueshëm. Edhe sikur të ishte i drejtë që emigrantët të mund të votonin prej vendit të tyre të rezidencës, pamundësia për ta realizuar e diskrediton. Një projekt që të jetë i pjekur dhe i drejtë duhet që të jetë jo vetëm i sofistikuar dhe i përpunuar por edhe i mundshëm. Për shembull në ekonomi njihen koncepte si efekti i fqinjësisë apo tragjedia e të mirës së përbashkët. Ka njerëz që ndotin ajrin apo ujin apo ndërmarrin një veprim tjetër që dëmton palë të treta apo të mirën e përbashkët dhe do të ishte e drejtë që të gjithë dëmtuesit e mundshëm të identifikoheshin e të ngarkosh detyrim dhe të dëmtuarit të shpërbleheshin, mirëpo është e vështirë identifikimi, caktimi i dëmit apo garantimi i të drejtës së pronësisë ndaj ajrit apo ujit.

Së fundmi kjo nismë ka një paqartësi tjetër të madhe, a është ky propozim i paragjykueshëm apo i instrumentalizueshëm, a vjen si pasojë e një konsensusi të gjerë apo e një interesi të ngushtë? Këtu po përmend rastin e Kroacisë meqenëse u përmend si shembull nga kolegu im. Gjatë viteve 90-të Kroacia sapo u krijua si shtet i pavarur kishte të garantuara 12 vende në parlament për votat e emigrantëve, më shumë sesa në fakt iu takonin të kishin duke patur parasysh numrin e atyre që votonin, (120 vende të zgjedhura nga banorët kroatë dhe 15 të rezervuar për minoritetet) të cilët kishin një prirje të binin pre e retorikës patriotike dhe të votonin radikalët nacionalist. Të gjitha këto vende shtiheshin në dorë nga partia nacionaliste në pushtet HDZ e Franjo Tuxhmanit  e cila merrte 45% të votave të banorëve të Kroacisë ndërkohë që merrte 90% të votave të diasporës. Kjo dukej qartë që ishte një strategji tendencioze e qeverisë së Tuxhmanit, dhe u reformua me demokratizimin e Kroacisë në vitin 2000, duke i dhënë vetëm 5 vota emigrantëve.

 

 

*Replike ndaj artikullit : http://www.g99.org/index2.php?pg=details&id=64&nid  i cili ka qene replike e artikullit : http://www.adrinurellari.com/?p=90

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama