Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ne kete shoqeri te marre

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 16 vite më parë

Mentor Kikia
Ne kete shoqeri te marre

Kjo është një poezi e përkthyer prej fjalëpeshuarit Mihal Hanxhari, nga i famshmi Giuseppe Del Guido. Nuk ka nevojë për koment dhe për t‘u shpjeguar për kuptimin që mbart kjo poezi. Por ka kontekst të fuqishëm me marrinë dhe marrëzitë që ndodhin në skenën e përditshmërive tona. Thelbi i poezisë lidhet me padrejtësinë e përdorimit të drejtësisë. Kur për mëkatin e vogël aplikohet dënimi i madh dhe për mëkatin e madh padrejtësisht përfiton nderimin e madh të imponuar.

Një ditë më parë mësoj se dy kolegëve të mi, dy ndër emrat më të shquar të artikulimit kurajoz në zhanrin e opinionit dhe analizës në median e shkruar dhe atë audiovizive, nga drejtues të lartë të administratës publike në shenjë servilizmi dhe bindjeje të verbër u janë pushuar nga puna familjarët e tyre. E kam fjalën për familjarë dhe të afërm të analistëve të njohur Andrea Stefani dhe Mustafa Nano. Të dy kolegëve iu pushohen nga puna motrat dhe zotit Stefani edhe bashkëshortja, e cila kishte 14 vjet në vendin e vet të punës në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës. Jam i sigurt se nëse vihemi në kërkim të ndonjë rasti tjetër, padyshim që s‘do ta kemi të vështirë për ta gjetur. Ndërkohë që disa prej gazetarëve profesionistë që punojnë si reporterë në qytetet kryesore të vendit, shpesh përplasen me sjellje të tilla administratorësh dhe drejtuesish me përkatësi politike.

Servilizmi hapur ka dalë në shërbime të cilat po i shkaktojnë një kosto pushtetit dhe qeverisësve të sotëm. Akte të tilla, të cilat realizohen me lehtësi procedimi burokratik, në të vërtetë shprehin dimensionin e rrezikshëm që ka një mentalitet nëpunësish me bindje dhe me pasione politike. Besnikë të kësaj race mendojnë se të qenit në administratë është mundësi për larje hesapesh dhe për privilegjime fanatikësh.

Është një sjellje e shëmtuar, e cila mendoj se prej disa vitesh duhej të ishte lënë në harresë për realitetin e shoqërisë sonë. Përvoja e fillimtranzicionit dhe ajo e periudhës së konfliktualitetit politik kanë qenë të mjaftueshme për të mos iu rikthyer më në ditët e sotme. Sjellje të tilla janë të shëmtuara, jo vetëm në ngjasimin e tyre me kohët moniste dhe ato autokratiko-politike, por më së shumti në vlerën reminishenciale që mbartin me çastet më të egra të tranzicionit tonë 18-vjeçar. Ndodhi të tilla të kujtojnë periudhën e parë postkomuniste kur në administratën e vendit u abuzua deri në papërgjegjshmëri, me kalimin e kriterit politik në krye të rendit të cilësive dhe aftësive që duhej të kishin punonjësit e administratës.

Pse kjo hakmarrje meskine ndaj familjarëve të gazetarëve dhe pse pikërisht në kohën kur ajo është plotësisht e pavlefshme?

Të ndëshkosh një gazetar me veprime të tilla, do të thotë të mos llogarisësh asgjë për vetveten dhe për besueshmërinë tënde te babëzoti politik. Kjo është një marrëzi të vegjlish, që bëhet si shërbesë dhe normë për të fituar besim te superiorët e tyre politikë. Akti i tyre i turpshëm tenton të shkaktojë një dhunë të hapur financiare mbi gazetarët dhe familjet e tyre. Ajo në një kuptim të drejtpërdrejtë financiar ia arrin një farë qëllimi, pasi familjet e gazetarëve nuk kanë burime të tjera ekzistence dhe natyrisht mbeten kategoria që e ka të plotë ndërgjegjen e limiteve financiare për çdo muaj.

Administratorët me tesera partiake janë kategori e dyshimtë dhe e rrezikshme. Ata janë ndoshta ndër kategoritë me më pak transparencë në deklarimin e të ardhurave dhe pasurive të tyre. Shantazhi që tentojnë të bëjnë mbi gazetarët është vërtet mjeran. Sjellja e tyre e fundit është një marrëzi e vogël, e cila po i shkakton një dëm shumë të madh imazhit real të qeverisjes dhe administratës së sotme politike. Kjo lloj dhune financiare e gjetur dhe e aplikuar në adresë të gazetarëve dhe familjeve të tyre, diskrediton përdoruesit e saj dhe burimin prej nga rrjedh ajo.

Prej kësaj marrëzie duhet hequr dorë, por mesa duket urdhri duhet dhënë "nga lart". Ndalja e veprimit të këtyre besnikëve dhe fanatikëve duhet kryer sa më parë, nëse nuk duhet mbërritur në raportin kritik mes politikës dhe mediave. Liria që buron prej qëndrueshmërisë dhe garancisë sociale dhe financiare të gazetarit është e vlefshme edhe për integritet profesional dhe besnikëri ndaj së vërtetës. Këta tinëzarë mesa duket e kanë të dëgjuar këtë vlefshmëri. Ata të sulmojnë për të të ulur dhe rrënuar standardin e të mirave materiale ty dhe familjes. Kjo është psikologji sunduese dhe mentalitet xhandarik i atyre që e manifestojnë. Për këtë shkak tentojnë të cenojnë atë dhe të shkaktojnë "pika të dobëta dhe gropa nevojash" për komunitetin e gazetarëve dhe njerëzve të mediave oponente. Kjo intrigë mediokre e fanatikëve politikë merr vetëm peshën e një marrëzie të vegjlish si

shërbim ndaj ustallarëve të mëdhenj në pushtet dhe në pasje. Lejimi i mëtejshëm i saj shton marrëzinë e pushtetit dhe pësimet e sjelljes së tij për qytetarët dhe profesionistët e kësaj shoqërie. E përderisa ato përsëriten dhe guxojnë të manifestohen deri te gazetarët më spikatës të këtij tregu, e përderisa në këtë shoqëri sot mediat janë nën thundrën e një krize financiare dhe regjimi informal, atëherë apelimi dhe reagimi ndaj kësaj skote besnikësh dhe nëpunësish të mandatuar është eminent dhe jetik. Në këtë shoqëri të marrë lypet dhe shpëton solidariteti i normalëve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama