Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Metafizikë e « Vetvetes ».

Shkruar nga: Gjergj Xexo  
Botuar më: 16 vite më parë

Gjergj Xexo
Metafizikë e « Vetvetes ».

Pas leximit të Historia e « tjetrit » të I. Kadaresë.
 
Cila është fytyra e « Tjetrit » ? Ja edhe pyetja që ngacmon shkrimtarin e shquar Kadare dhe ve në lëvizje penën e tij. « Tjetri » primitiv që çfaqet në hyrje të shpellës, « Tjetri » si fantazëm mesjetare që bredh natën në muret e kështjellës së mbretit danez dhe që intrigon spektatorët e « Globusit » të Londrës, « Tjetri » historik që ngjyros epopetë, që jetëson ngjarjet, « Tjetri » nacionalist që drithëron gjakun dhe ushqen doktrinën, se fundi « Tjetri » komunist që frymëzon masën e verbër proletare dhe që masakron borgjezinë. « Tjetri » kadarejan.
Ku është « vetvetja » në këtë skemë? Pasi edhe filozofi më i rëndomtë është në gjendje të thotë se « tjetri » egziston vetëm përkundrejt dhe në lidhje me « veten » : si vetëkundrim i saj - « vetvetja », si përzgjatim i saj - « tjetërqënia », si dyzim i saj - « alter ego », si projektim i saj mbi botën - « stereotipi », si tjetërsim i saj - « tjetri ». Nga ana tjetër, « vetja » afirmohet dhe përcaktohet vetëm përkundrejt « tjetrit ». Ja pra edhe dialektika përbërëse e çdo gjallese identitare, e sejcilit prej pluralizmave.
 
*
 
Dy nga figurat më të gjalla të shkrimit janë gjeneza e « Tjetrit » - mishërimi njerëzor që i çfaqet njeriut primitiv - dhe transcendimi eterik i tij – Fantazma hamletiane që shëndrron dramën njerëzore në tragjedi jashtëkohore. Në dy kohë dhe katër lëvizje, shkrimi mjeshtëror ritmon mendimin dhe fton lexuesin t’i nënështrohet logjikës së mëposhtme :
- Imazhi i « tjetrit » është po aq i lashtë sa edhe vetë njerëzimi. Çdo element i qenies individuale e thekson dhe e shumëfishon – ngjyra e lëkurës (e dalluar nga syri), gjuha (e ndjerë nga veshi), feja (e përçuar nga mendja)… dhe kur këto të fundit janë të pamjaftueshme, ky imazh i bën thirrje edhe elementëve të jetës shoqërore - ideja, doktrina, qytetërime..
- « Tjetri » përbën tharmin e vetë Historisë, elementin aktiv të memorjes së shkruar (dhe të pashkruar) pasi si e para dhe e dyta strukturohen dhe ritmohen nga vargjet robërve të kapur në luftë, parakalimet e humbësve kokulur, flamurët armiq - plaçkë lufte, të prangosurit komandantë gjuhëprerë apo mbretër të qorruar…
- Njeriu është munduar të largohet nga qethulli shkatërrues i hakmarrjes, i ngjallur nga dhuna e « tjetrit », me anë të antidoteve mistifikuese – « gjaku » i mistershëm si kriter i grupit, identiteti i përbashkët si vlerë përbashkuese e tufës, doktrina si shenjtërim i identitetit..
- Forma më e verbër dhe më shkatërruese e hakmarrjes është ajo e predikuar nga Marksi në Manifestin e tij të famshëm, i cili tashmë duhet lexuar jo më në kontekstin utopik të komunizmit primar, në të largëtin vit 1848, por në funksion të « eksperimentit gjakatar » që ai frymëzoi – rregjimet totalitare komuniste.
 
Nëse shkrimi është i shkathët dhe mjeshtëror, a mund të thuhet e njejta gjë për logjikën e brendshme që banon mendimin dhe që frymëzon dorën ?
 
 
Kur historia e « tjetrit » kqyret si pasqyrim i të sotmes së « vetvetes ».
 
1. Ndoshta « homo sapiensi » fqinjë i atij shpellarit tonë primitiv mund të merret për « tjetrin » kadarejan, por vështirë se ai mund të jetë « tjetri » metafizik pasi antinomia jonë « vetvehtja-tjetri » nuk është karakteristike e qenies biologjike. Në të kundërt, primitivi ynë e kish tjetrin brenda shpellës së tij, tek të vetët - në gjirin e tufës matriarkale. Ja përse, megjithëse mjeshtërore, shprehja :
 
Kur njeriu i shpellës është kthyer te të vetët, me një fytyrë të lemeritur, për të njoftuar se ka parë një gjë tejet të frikshme, tejet të përçudur, diçka që desh ia ka marrë gojën. Ndaj dhe kur shpellarët e tjerë i bërtasin: “Ç’ishte ajo? Que-est ce que c’était ça? Cto eto byllo? Wer da? Who’s there? Stand and unfold yourself!”
 
mbetet diku në erë, e varur me fillin e « padukshëm » të fiksionit në atmosferën e errët të shpellës sonë të gjenezës.
Në agim të egzistencës së tij, njeriu i shpellës ndeshej ndoshta me frikën, me forcën, me tmerrin, me dhunën, me shëmbëlltyrën e tij ende të panjohur, me vetë Zotin – por jo me “tjetrin”.
 
2. Po aq vështirë e kam të pranoj se Fantazma e shquar e mbretit hamletian, simboli i dyfishtë jetësor-vdekësor i Shekspirit të mund të përfaqsojë « tjetrin » kadarejan. Është e vërtetë se mbështjellja jomateriale e të atit të Hamletit tremb rojet mbi bedena, prish gjumin e këshjellarëve dhe trazon shpirtin e vetë Princit. Veçse gjithçka dëshmon se ajo s’është gjë tjetër përveç « alter ego » e personazhit, dyzimi i tij i dhunshëm që kërkon shpagë – vdekjen, ndërkohë që « vetvehtja » njerëzore tërhiqet nga jeta – dashuria, pushteti. Ky është edhe thelbi i dramës shekspiriane që ndryshe mund të quhet edhe hezitim dhe që shëndrrohet në tragjedi nga momenti që vdekja fiton mbi jetën, nga çasti që personazhi vendos t’i përgjigjet pyetjes egzistencialiste « To be or not to be… ».
Në se drama merret me luftën e brendshme, tragjedia merret me vrasjen – me asgjësimin e « tjetrit » që në rastin tonë është « alter ego » i « alter egos », vellai uzurpator i mbretit të vrarë.
 
Padyshim, « tjetri » kadarejan identifikohet me tjetërsimin përjashtues, me antagonizmin mes qënies dhe tjetërqënies armike, gjenerator i dhunës dhe i dhimbjes i cili sipas tij është po aq i vjetër sa edhe vetë njerëzimi. Eshtë një nga mënyrat e leximit të realitetit të sotëm, por jo e vetmja dhe aq më pak kodi deshifrues, i pranuar si i tillë nga filozofia, nga antropologjia, nga sociologjia - nga shkencat shoqërore në pëgjithësi. Përballë këtij deshifrimi praktik, shpjegues i njëanshëm i konflikteve, luftës, përgjakjeve qëndrojnë një varg figurash elementare : « tjetërsim ndaj të jashtmes » - vende, popuj, grupime njerëzore që i përkasi kulturave dhe traditave të ndryshme; « tjetërsim ndaj të brendshmes » - tjetri i vulosur nga tjetërsia fizike, trupore, zakonore; « tjetërsim ndaj të qenurit » - përkatësisë kombëtare, etnike, fetare. Raportet diferencuese dhe integruese të këtyre elementëve krijojnë një tjetërsi – e kundërta e njëjtësisë (identitetit) - që nuk është e dhënë njëherë e përgjithmonë as në kohë as në hapësirë.
 
Në fund të fundit, cili është « tjetri » - një person ? një gjini ? një grup social ? një shtresë ose klasë sociale ? një shoqëri ? apo një qytetërim ?
 
«  ..Askush nuk është pazgjidhshmërisht Tjetri ; ai është vetëm pasi nuk jam unë ; duke thënë që ai është tjetri, ende nuk kam thënë diçka të vërtetë ; edhe më keq, nuk di asgjë dhe nuk dua të di asgjë, pasi çdo karakterizim pozitiv do të më pengonte që t’a vendosja në këtë kategori relative të pastërt siç është tjetërsimi »
 
Përse duhet atëhere të lëshohemi në një fluturim të tillë kohor dhe të kqyrim nga lart me syrin e zogut rojet danezë mbi bedenat e Elsinorit, vargjet e robërve në Romën e lashtë, grekët e vjetër në qytet-shtetet e tyre, ushtritë fantazëm hitito-urite bile deri dhe Homo Sapiensin në pragun e shpellës së tij ? për t’i kujtuar lexuesit se fytyra e Tjetrit faqet kudo dhe mbi çdo send : mbi ajrin e ngrirë nordik, mbi sheshin me diell mesdhetar, mbi rërën e përvëluar lindore deri edhe mbi gurin parahistorik ; që kjo fytyrë gjendet brenda objektit dhe çfaqet sikundër imazhi i Krishtit mbi cohën që i kish shërbyer si qefin ; që edhe rruaza e kuqe e gjakut përmban mesazhin origjinal të Tjetrit – gjenetikën vrastare.
 
Në qoftë se është kështu, ku duhet kërkuar « tjetri » mes bashkësisë kakofonike të kullës së Babelit ? në rrëfimin e Abrahamit biblik dhe djemve të tij Ismail – origjina e « kombit » mysliman dhe Isak – origjina e « kombit » çifut ; në kasaphanën e Trojës së lashtë ku veç pendët mbi kaskë ose ngjyra e tunikës dallonte grekët nga trojanët ? mes turmës shumëngjyrëshe dhe shumëgjuhëshe të gladiatorëve që përfundonin ose si mish për qentë ose qytetarë të lirë ? pranë çifutit Jezu që themeloi fenë e krishterë ? mes rradhëve të perandorëve romakë që ishin po aq të ndryshëm mes tyre sa edhe krahinat e perandorisë? mes gjeneralëve bizantinë që ishin po aq vendas sa edhe barbarë ? mes papëve afrikanë të Romës ?
 
 
Kur mendimi i « vetvetes » korrigjon shkrimin e « tjetrit ».
 
Në qoftë se projektimi kohor jashtëhapsinor përdoret nga Kadare për të vendosur kuadrin e shkrimit, indin e intrigës, alegoria e Fantazmës hamletiane i shërben per t’i vënë fre irracionalitetit, për të kanalizuar hakmarrjen e verbër të përçudnisë komuniste – duke i bërë thirje një Fantazme tjetër jashtëpersonale, anonime pasi kolektive :
« Një Fantazëm magjeps Evropën : fantazma e komunizmit. Të gjitha fuqitë e Evropës së vjetër janë bërë njësh në një Aleancë të Shenjtë për të përndjekur këtë fantazëm.. »
Përveç figurës së stilit, cila është lidhja mes këtyre dy « fantazmave » të shquara? Asnjë lidhje. Në qoftë se e para është veçse dyzim i vetvehtes – pa qenë në gjendje të identifikojë fytyrën e « tjetrit », të dytës i mungon « vetvehtja » - pasi reflekton vetëm fytyrën e « tjetrit » shfrytëzues, shnjerëzor – i denjë vetëm për t’u përmbysur.
 
Nuk është vendi këtu as për të bërë autopsinë e komunizmit si rend shoqëror, as për t’u marrë me krimet e kryera në emrin e tij, as edhe për të analizuar figurën e mjekërroshit ekonomist-filozof-historian europian, vepra e të cilit ende vazhdon të tërheqë vëmendjen e sociologëve, ekonomistëve dhe politologëve të botës mbarë.
Sidoqoftë, vëmendja tërhiqet nga mënyra e përdorur nga Kadare për të çmontuar një nga veprat e Marksit, të përmendurin « Manifest të Partisë Komuniste », duke na përmendur me këtë rast edhe « idenë qëndrore » të asaj broshure-ese :
..krimi është bërë prej borgjezisë, kundër proletariatit botëror, rrjedhimisht kërkohet revanshi i tij: përmbysja e borgjezisë, vendosja e diktaturës së proletariatit.
Pas leximit të shkrimit të Kadaresë dhe interpretimit të tij të mendimit dhe të përtejmendimit marksist, m’u desh t’i rikthehem tekstit origjinal për t’a lexuar disa herë. Pasi « i duhet dhënë Cezarit ajo çka është e Cezarit » - dhe Brutusit ajo çka i mbetet Brutusit!
Rizbulova atë që edhe Google e shkruan shkoqur :
-         që broshura nënvizon egzistencën e lëvizjes komuniste në Evropën e vitit 1848.
-         Që ajo rendit konceptet e Marksit (dhe të Engelsit) lidhur me zhvillimin e shoqërisë njerëzore të deriatëhershme (historia si histori e luftës së klasave, borgjezia që kish zëvëndësuar klasat e vjetra feudale me të reja, format e vjetra të shtypjes me të reja, format e vjetra të luftës së klasave me të reja) ;
-         Që ajo thekson tendencën e borgjezisë për të shtrirë pushtetin e saj mbi botën mbarë si dhe qëllimin e saj themelor (dominimin ekonomik e politik, grumbullimin e kapitalit dhe të pasurive, shfrytëzimin e rrogëtarëve) ;
-         Që ajo përmend synimin e komunistëve (shfuqizimin e pronës private – atë të borgjezisë – pa i hequr askujt të drejtën e vjeljes së produktit shoqëror, shfuqizimin e shfrytëzimit të njeriut nga njeriu, shfuqizimin e koncepteve të kombit – pasi proletarët nuk kanë komb.) ;
-         Që ajo shpall krijimin e një bashkësie të re, kondita e domosdoshme e të cilës është zhvillimi i lirë i sejcilit dhe zhvillimi i lirë i të gjithëve ;
-         që një e treta e broshurës përbëhet nga parathëniet e saj në gjuhë të ndryshme ;
-         Së fundi, që asnjëherë në të nuk përmendet termi « diktaturë e proletariatit », bile as thjesht « diktaturë ».
 
Sa për ato pak paragrafët që « mezi gjenden » në tekstin e Marksit, ku ai shtron « problemin » e hakmarrjes së kufizuar ndaj borgjezisë, të cilësuara nga Kadare si « naivitet ulëritës » duhet t’i bëjmë pyetje lexuesit Kadare : - për ç’vepër të Marksit bëhet fjalë ? pasi në ato pak faqe të Manifestit të sipërpërmendur, asnjë rresht nuk përmend atë « duzinë miliarderësh, që mbajnë çelësat e kapitalit, që duhet të veçohen në një ishull, ku të ngrysin të qetë ditët e tyre ». Ndoshta bëhet fjalë për disa rreshta të ndonjë vepre tjetër të tij (Kritikë e Filozofisë politike të Hegelit? Kritikë e filozofisë të të drejtës ? Ideologjia gjermane ? Mizerja e filozofisë ? Kritikë e ekonomisë politike – në variantet e saj ? apo ndoshta Kapitali ?…). Ndoshta bëhet fjalë për ishullin e Utopisë së Tomas Morit – ose për Ishullin Misterioz të Zhyl Vernit…
Kam përshtypjen që duke zgjedhur « Manifestin » e Marksit, Kadareja ka gabuar shenjën. Ndoshta do të ish më mirë të ishte kapur me veprën e Leninit, ku edhe referencat e « diktaturës së proletariatit » nuk mungojnë. Ajo çka i mungon krejtësisht kësaj të fundit është « Fantazma » - si edhe lidhja e tërthortë me tragjeditë e Shekspirit.
 
Kushdo është i lirë të lexojë (ose të mos e lexojë) veprën historike-ekonomike-politike-filozofike të Marksit dhe t’a interpretojë jo vetëm sipas bindjeve por edhe në funksion të realitetit, bile dhe të aktualitetit. Sigurisht, ajo ka frymëzuar militantët dhe ka nxitur partiakët për të synuar pushtetin, për të shëndrruar Shtetin. Por, në çfarëdo këndi që t’a kqyrësh, analizës teorike të kapitalit dhe të rolit të proletariatit nuk mund t’i veshësh përgjegjësinë materiale për Revolucionin e Tetorit leninist, për terrorin e kuq stalinist, për megallomaninë vdekjeprurëse çausheskiane, për paranojën diktatoriale hoxhiane, për kokëfortësinë izoluese kastriste ose për gjenocidin polpotist. Do të ishte tepër komode – bile dhe po aq naive – të mundohesh të transportosh përgjegjësinë dhe fajin e dikujt, mbi ndërgjegjen e të cilit peshojnë me dhjetra mijra në mos miliona viktima, mbi një mendimtar dhe shkrues të të kaluarës, me të vetmin argument se këto shkrime modeluan kokën dhe frymëzuan dorën e diktatorit. Përndryshe, na duhet të çkishërojmë Hegelin dhe Fojerbahun – që frymëzuan vetë Marksin; Niçen, Shopenhaurin dhe Vagnerin – që ushqyen shpirtërisht Hitlerin dhe rregjimin e tij (një gjenocid i pashoq), Volterin, Rusoin dhe Monteskjënë – që përgatitën Revolucionin francez (një tjetër kasaphanë e përgjakshme) ; dhe pse jo, shën Agustinin dhe shën Thoma d’Akuinin – si frymëzuesit e Kryqëzatave; për të përfunduar me profetin Muhamet – si përgjegjës për terrorizmin e sotëm islamik.
 
Më mbetet të shtoj se, në një vështrim të fundit, historia e « tjetrit » s’është gjë tjetër veçse historia e « vetvetes ».

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama