Fushata e mazhorancës për zgjedhjet në Tiranë ka nisur jo vetëm herët, por edhe me një mobilizim të pazakontë. Kryeministri po shfaqet çdo ditë para kamerave bashkë me kandidatin e tij për të prezantuar projekte nacionale, por që janë një fushatë e pastër lokale. Vetë kandidati po shfrytëzon ditët e fundit si ministër, në kufijtë e ligjit, për të dalë nëpër ekrane në emër të ministrisë, por në fakt e bën në shërbim të bashkisë.
Numri një i qeverisë shpenzon orë të tëra duke u marrë personalisht me kandidatin e opozitës, duke montuar foto e duke shkruar citate në facebook sikur Shqipëria të mos kishte asnjë problem tjetër. Kandidati ka nisur të mbledhë ethshëm fonde nga biznesi për fushatën e tij, ka bërë gati posterat e spotet elektorale dhe ka rreshtuar reparte të tëra të gatshme për një fushatë agresive. Kryeministri nuk la bamirës e shpëtimtarë pa i futur në një koalicion të ekzagjeruar elektoral, ku ideologji e vetme është kapja e çdo vote.
Ky mobilizim duket edhe më i pazakontë po të kemi parasysh se e majta hyn në zgjedhjet e Tiranës, bashkë me partitë mercenare, me një diferencë të llogaritur nga zgjedhjet e 2013 prej rreth 90 mijë votash. Ajo ka avantazhin e të qenit në pushtet dhe për rrjedhojë të të gjitha resurseve që vijnë prej tij. Ka ngritur një makineri të stërmadhe propagande, që vihet në lëvizje nga paratë që shkojnë për agjencitë publicitare dhe mediat utilitare, duke e bombarduar çdo ditë opinionin publik me imazhet e kryeministrit dhe kandidatit të tij për Tiranën.
I gjithë ky arsenal elektoral ngjan edhe më disproporcional po të shikojmë se në anën tjetër është një kandidat i përulur dhe modest, që flet me fjalë të thjeshta dhe sillet pa shumë bujë. Pikërisht profili i Halim Kosovës e nxjerr edhe më në pah arrogancën e fushatës së mazhorancës, e bën atë të duket më shumë si një aparat monstruoz johuman dhe jo si një takim normal me qytetarët që bëhet njëherë në katër vjet.
Mobilizimi i pazakontë i mazhorancës mund ta ketë tamam këtu një shpjegim të mundshëm. Sa më shumë shfaqet në publik Halim Kosova, aq më shumë ai kontraston në mënyrë të natyrshme me kandidatin e Edi Ramës. Sepse, nëse për mjekun e njohur nuk kërkon asnjë sforcim sjellja me qytetarët, për Erjon Veliajn ajo është një mundim i vërtetë. Nëse Kosova duket prej së largu që është i natyrshëm, Veliaj duhet të interpretojë në maksimum për të ngjarë i dashur me të varfërit, i ndjeshëm me romët, i kujdesshëm me mediat dhe i vëmendshëm me interesat. Dhe megjithë përpjekjet që bën, edhe ata që e mbështesin bien dakord se është shumë fals dhe nuk ka talent për aktrim.
Duke mobilizuar të gjitha resurset e mundshme, politike, mediatike, financiare etj., Rama beson se mund të kompensojë kështu problemin që shkakton personaliteti i Veliajt, prandaj dhe e ka nisur herët dhe me vrull këtë fushatë. Mirëpo fushata vështirë se mund të ndryshojë perceptimin për individët. Ajo ndoshta mobilizon më shumë votuesit e majtë të dalin të votojnë, por nuk ua fut dot në zemër kandidatin që për çdo gjë bën sikur. Fotot me jetimët, romët, të varfërit, të papunët etj., fjalitë patetike dhe leifenizmi i ministrit të Mirëqenies, nuk i zhbëjnë dot heqjen e asistencës për ta, shifrat e frikshme të braktisjes së vendit, shembjes së mundësive të vogla për të mbijetuar, burgosjes për energjinë dhe gjithë masat e tjera ndëshkimore.
Në këtë kontekst, ku falsiteti i kandidatit përforcohet edhe nga aksionet e qeverisë, takimet normale të Halim Kosovës me qytetarët e Tiranës krijojnë një kontrast të madh me fushatën e Ramës dhe Veliajt. Sa më shumë kjo fushatë tenton të eliminojë këtë kontrast, aq më shumë ajo ngjan e pavërtetë, arrogante dhe larg njerëzve.
Me mënyrën e tij origjinale, ndonjëherë duke lëshuar edhe ndonjë batutë të pazakontë për gjuhën para kamerave, Kosovës i mjafton të jetë vetvetja për të bërë dallimin me kundërshtarin. Ky avantazh i arritur pa pikë mundimi nga kandidati i opozitës, e zhvlerëson dhe madje e bën qesharak gjithë atë mobilizim të mazhorancës (treni i koalicionit elektoral, betejat mediatike, forumet e bujshme…) që synon ta paraqesë të vërtetë dhe njerëzor kandidatin e saj. Energjitë e Ramës dhe Veliajt, më mirë të shkojnë në ndonjë drejtim tjetër, sepse shndërrimin e një buratini në njeri e ka bërë vetëm zana e Pinokut. Erjonin mund ta votojnë si kandidat të së majtës, si kandidat të Ramës, pra si zgjedhje partiake, por jo si njeriun e popullit që ai kërkon të duket. Në këtë drejtim, çdo fushatë do ishte e kotë.