Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kush ia zgjodhi kriminelet Rames

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 10 vite më parë

Armand Shkullaku
Kush ia zgjodhi kriminelet Rames

Edi Rama duhet të jetë vërtetë në një hall të madh. Ai mezi arriti të lidhte disa fjali sot në Kuvend, kur nisi të fliste për pensionet dhe doli tek 21 janari. Në më pak se dy vjet në pushtet, kryeministri që mori përsipër Rilindjen e Shqipërisë po shikon t’i vërtetohen çdo ditë akuzat e kundërshtarëve të tij se ai synoi pushtetin si qëllim të vetëm, pavarësisht mjeteve për ta arritur atë. Se pranoi të bëjë aleancë edhe me djallin dhe tashmë ndodhet brenda lojës së tij.


Sot, pas votimit në Kuvend për t’i hapur rrugën arrestimit të dy deputetëve të shumicës, shqiptarët panë kryeministrin e tyre që foli se duhej të fliste, por në fakt nuk tha asgjë. Atë që nuk e tha me fjalë, Rama e demonstroi me nervozizmin e tij, me akuzat bajate ndaj opozitës, me rikthmin e 21 janarit për të balancuar politikisht prokurorinë dhe me mungesën totale të një ndjese publike. Ai u detyrua sot, faqe gjithë botës, të gëlltisë lugën e parë të çorbës që ka gatuar vetë.


Edi Rama është në hall në radhë të parë me aleatin e tij kryesor, Ilir Meta, të cilin dy vjet më parë e sulmonte me zemër dhe sot është i detyruar ta mbrojë fare pa zemër. Rama është gjithashtu në hall edhe me deputetët e tij. Ai i vërtiste fjalitë sot në gojë pa thënë asgjë, sepse nuk mund të fliste dot hapur për Tom Doshin, një nga njerëzit e tij më të afërt, të cilin e prezantonte dy vjet më parë si një nga Rilindasit e shquar të ekipit të tij, ndërsa tani i ka hapur rrugën për ta dërguar në qeli. Nuk flet dot as për Mark Frrokun, të cilin e bëri aleat për kokë, ndonëse e dinte që në partinë e tij, i dyti në listë ishte një individ i akuzuar për vrasjen e një oficeri të lartë policie. Nuk u del për zot as dy deputetëve me të cilët krenohej kur goditën kolegun e opozitës dhe tani me heshtjen e tij ka dhënë “miratimin” për dënimin e tyre.


Kryeministri do duhej t’u tregonte sot shqiptarëve atë që po ngjet me mazhorancën e tij. Se si ndodhi që ajo përfshi në një spirale të tillë skandali ku çdo ditë shfaqet një i akuzuar i ri dhe nuk dihet se ku do të përfundojë zinxhiri. Dhe për ta bërë këtë, Edi Rama kishte vetëm një mënyrë. Të fliste hapur dhe të kërkonte ndjesë publikisht. Të pranonte se ai e ka ditur që në fillim se çfarë individësh po u ofronte shqiptarëve për të votuar në listat e tij. Se çfarë aleancash lidhi për të ardhur në pushtet dhe deri ku u detyrua të shkojë për disa mijëra vota më shumë. Ai do të duhej të pohonte se gjithë kjo telenovelë e pështirë që po zgjat me javë është kësti parë i kredisë së lartë që Edi Rama ka marrë për të ardhur në pushtet. Dhe duke pranuar këtë, angazhimi i tij për një distancim nga bota e krimit në të ardhmen do të ishte më e besueshme. Pse jo, mund të kishte edhe mbështetje më të gjerë nga opinioni publik.


Në vend të ndershëmrisë politike në një moment kritik për Shqipërinë, kryeministri zgjodhi të bëjë atë që di më mirë. Ta shkarkojë përgjegjësinë tek të tjerët dhe të ndezë motorrin e lodhur të propagandës. Ai u përpëlit sot para Kuvendit duke mos gjetur asnjë argument bindës për atë që po i ndodh brenda vathës së tij. Mbajti një leksion të stërpërdorur mbi të djathtën, përsëriti batutat bajate me Shqup, u kujtua të kërkojë drejtësi për 21 janarin, provoi të bëjë herë grindavecin e herë strategun, por në fund nuk tha se si ndodhi që Rilindja sot po kthehet në Riciklim. Madje kulmin e arriti ku akuzoi opozitën se po bëhej zëdhënësja e Durim Bamit, një gangsteri nga Fushë- Kruja.


Në fytyrën e kryeministrit dallohej qartë se as ai vetë nuk i besonte ato që thoshte, por ishte i detyruar të thoshte diçka. Meqë nuk mund të shpjegonte dot se përse ky gangsteri nga Fushë Kruja, me dijenë e tij, pra të vetë kryeministrit, ishte takuar tri herë me ministrin e Brendshëm e me drejtues të lartë të policisë dhe ata e kishin pritur me kafe e muhabet në zyrat e shtetit, ateherë rrugëdalje e vetme mbetet propaganda dhe armiku i klasës. Në të kundërt, kryeministri do të duhej të shpjegonte edhe përse ai, ministri Tahiri dhe drejtori i policisë nuk bënë kallazim në prokurori për dëshmitë e gangsterit nga Fushë- Kruja, të cilin tani kërkon t’ia faturojë opozitës. Ky është vetëm një shembull nga logjika e hallit që e ka zënë kryeministrin. Sepse ka shumë e shumë të tjerë.


Në thelb të gjendjes në të cilën gjendet sot shumica dhe kryeministri, nuk është as mënyra se si bën opozitë PD dhe as se çfarë thotë apo nuk thotë Durim Bami. Problemi i vërtetë qëndron tek aleanca e dikurshme me djallin për të cilën ka ardhur momenti për të dhënë llogari. Sa më shumë të fshihet Edi Rama pas gishtit aq më të vështirë do ta ketë shkëputjen nga rrjeta që ka thurrur vetë. Në fjalën e tij sot në Kuvend kryeministri sugjeroi të mos përdoret fjala dekriminalizm i parlamentit sepse, tha ai, “populli nuk ka zgjedhur të përfaqësohet nga kriminelë”. Kjo është e vërtetë. Populli ka zgjedhur të votojë përfaqësuesit që i caktojnë kryetarët e partive. Se kë ka caktuar Edi Rama, sigurisht nuk është faji i popullit. Populli tashmë po rri e vështron. Dhe sot pa një kryeministër në hall.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama