Nuk kemi shpatulla per te mbajtur kaq shume krim e korrupsion

Shkruar nga: Zamira Cavo  
Botuar më: 5 vite më parë

Zamira Cavo
Nuk kemi shpatulla per te mbajtur kaq shume krim e korrupsion

Nuk di të them me siguri nëse është krimi që ka kapur politikën apo vetë politika është kriminalizuar në aktivitetin e saj. Por një gjë e them me bindje: kaq shumë korrupsion e krim nuk kemi më fuqi morale, ekonomike e sociale për të përballuar! Shqipëria është kthyer në pronën private të politikanëve, të cilët ose janë lidhur me krimin ose e diktojnë atë! Dhe ky nuk është më thjesht  një perceptim i ndonjë grupi njerëzish, por duket çdo ditë e më tepër, si një realitet i përditshëm që po na kërrus e po na merr peng të ardhmen. Institucionet e shtetit shqiptar ecin mbi dy binarë: binari i interesit privat dhe binari i interesit klanor. Ajo që mungon është binari publik, të cilin shteti ynë prej 24 vjetësh e ka katandisur si binarët e hekurudhës shqiptare! Dy elementët kryesorë janë: a) burimet njerëzore që përbëjnë institucionet e shtetit dhe b) politikat që ato prodhojnë.

Po le të ndalemi më konkretisht:

Parlamenti shqiptar është modeli i parë se si politika vetë është kriminalizuar. Ka kaq shumë ngjarje që të bën ta besosh këtë fakt, sa nuk ka nevojë as për deklaratat e ambasadave të huaja e as për deklarata të bëra nga individë të ndryshëm. Në Parlamentin e shqiptarëve jo vetëm ka njerëz me të kaluar kriminale, por edhe me të tashme të tillë. Deputetë që fshehin kriminelë në makinat e tyre të blinduara, deputetë që “vrasin” ose “vriten” nga njëri-tjetri, deputetë që përdorin legjitimitetin e popullit për të bërë pasuri personale, deputetë që janë të tillë vetëm, sepse duan të hartojnë ligje për të mbrojtur krimet e tyre ekonomike, morale. Po kush i ka votuar këta? Sigurisht ne, po kush i ka përzgjedhur? Liderët e politikës shqiptare, qoftë majtas apo djathtas saj. Po partitë? Partitë në Shqipëri kanë kohë që kanë vdekur. Sot ekziston vetëm modeli “LSI” si modeli i partisë metademokratike. Ky model bazohet thjesht në interesa private që sigurisht mund të përcaktohet si model pragmatist i mungesës së moralit dhe interesit publik. Por ky model nuk mund të jetë model i një partie në një sistem demokratik. Ndërsa Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, falë politikave të liderëve të tyre, e kanë humbur përfundimisht rolin e tyre demokratik. Të gjithë aktivitetin e tyre këto dy parti e kanë limituar te zgjedhjet dhe përzgjedhjet e dy liderëve të tyre. Të tjerët, pra partia do duhet të thirret vetëm në mitingje ose në ndihmë të fushatave elektorale për të votuar individët që këta kryetarë kanë përzgjedhur, pa i pyetur fare ato! Konkluzioni duket qartë: Një Parlament  i tillë dhe nesër një pushtet lokal i përzgjedhur në mënyrë të tillë, nuk sjell asnjë garanci se në Shqipëri politika do merret me çështje publike! Dikush mund të thotë se liderët dinë të zgjedhin dhe është përgjegjësia e tyre. Por duke parë se si kanë depërtuar në Parlament individë kriminalë, nuk gjej dot siguri që nuk do depërtojnë edhe në pushtetin lokal ashtu sikundër kanë rezultuar deri tani. Për më tepër, duke parë që askush nga ish-politikanët e zyrtarët e lartë të akuzuar për vjedhje, vrasje e shtije copash territori, nuk është dënuar dhe as ka gjasa që të dënohet, më bind se edhe në të ardhmen kështu do të vazhdohet.

Në Parlamentin shqiptar nuk ka dallim mes pozitës dhe opozitës. Dallimi i vetëm është mes: deputetëve që kanë hyrë në sallë për konturazh dhe deputetëve që përfaqësojnë krimin dhe lidhjet me krimin!

Çfarë politikash prodhon një Parlament i tillë? Duke e konsideruar Shqipërinë si pronën e tyre private, pushtetarët tanë për 24 vjet e kanë katandisur ekonominë tonë në ditë të hallit! Klane dhe grupe klanesh me background të dyshimtë, janë favorizuar dhe favorizohen nga ligjet e Parlamentit shqiptar dhe nga një kuadër i dobët ligjor. Minierat, lumenjtë dhe pasuritë e tjera publike u janë dhënë e po u jepen me koncesion këtyre grupimeve. Po kështu hartohen e aprovohen ligje për të favorizuar biznesin e x apo y, në arsim apo shëndetësi, në mjedis apo bujqësi, që dhe pse nuk ka asgjë të përbashkët me krahun politik në pushtet, sërish bëjnë pjesë në klanet e pushtetarëve. Politika shndërrohet kështu në politikë të kriminalizuar. Ndërsa populli gjendet nën një trysni mes varfërisë dhe nevojës për të bërë shtet! Të pasur virtualisht në një Shqipëri që na e ka falur Zoti me resurse të mëdha natyrore, shqiptarët janë sot populli më i varfër i Europës, falë politikave kriminale që janë ndjekur e po ndiqen nga institucionet tona “legjitime”. “Ne emër të popullit”, politika në vend që të dënonte krimin dhe kriminelët ka varur vetë popullin  në litarin e varfërisë!

Drejtësia shqiptare është një tjetër shtyllë e shtetit e cila është kapur në rrjetën e krimit dhe korrupsionit. Me gjyqtarë të katapultuar nga krimi, me korrupsion të shpallur si të “ligjshëm” nga vetvetja, drejtësia shqiptare jep drejtësi ndaj krimit, por jo ndaj viktimës!

I njëjti model është edhe në institucionet publike. Me gjithë “luftën” kundër korrupsionit sërish në krye të institucioneve shpesh janë “gjetur” individë me të kaluar kriminale ose individë krejtësisht të paaftë për postin, të cilët e konsiderojnë “pronë” vendin e tyre të punës. Ky model drejtuesi ka dy qasje: trajtimin e vartësve të tij si skllevër dhe interesin maksimal për të “rregulluar” tenderët e për t’i bërë qejfin “shefit” ose lobuesve të tij! Çfarë mund të presë populli nga institucione që drejtohen me këtë model?!

Rrethi i krimit është një rreth vicioz që duket sikur nuk mund të çahet dot kurrë! Por shpatullat tona si popull tashmë janë dobësuar aq shumë sa nuk kemi më fuqi për të mbajtur këtë peshë. Opozita politike aktuale realisht do duhej të ishte vënë në bankën e të akuzuarve dhe të dënohej. Por ajo është në Parlament për të mbrojtur pikërisht të djeshmen e saj. Cila opozitë do të mund ta përmirësonte situatën? Në Shqipëri nuk mungojnë njerëz me integritet, njerëz me ideale dhe moral publik, njerëz që mund të sakrifikonin për të bërë një Shqipëri për shqiptarët. Askush nuk mund ta mendonte pak vite më parë që një zyrtar i lartë të japë dorëheqjen, sepse nuk shkel dot mbi moralin e tij, sepse nuk kërrus shpinën për t’u trajtuar si skllav, apo sepse e kupton që  po përdoret nga shefi i vet. Por sot këto po ndodhin. Arsyeja  nuk është aspak politike, por është arsye durimi dhe zgjimi. Unë besoj se njerëzit e tillë kanë filluar të mos jenë më indiferentë, por të bashkojnë zërat për të mos lejuar më që krimi të bëjë Shqipërinë, por Shqipëria të varrosë krimin. Mbase kjo do të jetë opozita reale e Shqipërisë. Sepse sikundër thoshte Burke, nuk ka krim më të madh se ai që kryen dikush që pati në dorë të bëjë diçka të mirë dhe nuk e bëri!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama