Cili do ta fitoje bashkine e Tiranes?

Shkruar nga: Zamira Cavo  
Botuar më: 6 vite më parë

Zamira Cavo
Cili do ta fitoje bashkine e Tiranes?

Në kohët e sotme, kryeqytetet e shteteve kanë marrë një rol të jashtëzakonshëm. Sfidat e kryeqyteteve janë sfida të këtij shekulli. Ndaj dhe “lufta” politike për të fituar drejtimin e këtyre metropoleve është luftë mes “titanëve” të mendimit dhe veprimit bashkëkohor. Të drejtosh sot një kryeqytet është pothuajse njësoj si të drejtosh gjithë vendin. Dhe kjo ndodh kudo në botë. Në kryeqytete sot jeton një pjesë shumë e madhe e qytetarëve të vendit, realizohet jeta administrative e publike si në asnjë qytet tjetër. Madje kërkohet që këto qytete të funksionojnë mbi bazën e nevojës për të qenë “inteligjentë”. Smart city, është sot nevojë e rindërtimit të kryeqyteteve të epokës globaliste. Për të gjitha këto arsye (dhe të tjera që nuk mund të rreshtohen për arsye vendi), “lufta” politike për Bashkinë e Tiranës është dhe do të jetë “luftë” mes titanëve tanë politikë. Në mendimin tim, çdo kryetar i partive të mëdha politike shqiptare do të dëshironte, madje do ta ëndërronte Bashkinë e Tiranës. Ka disa arsye që e bëjnë kaq shumë të dëshiruar mandatin e kryetarit të bashkisë kryeqytetase. Këto arsye, përtej atyre që numërova, kanë të bëjnë me mentalitetin neooriental të politikës shqiptare. Duke u nisur nga çfarë ka ndodhur këto 24 vjet, mund t’i rendisim në këtë mënyrë arsyet:

fakti që në Tiranë banon rreth një e treta e popullsisë së vendit, do të thotë se mundësitë për të shtuar elektoratin e partisë janë të jashtëzakonshme.

Kryeqyteti është padyshim “hambari” i tenderimeve të pushtetit vendor, pra ka mundësi të mëdha për të punuar sërish “për të mirën e partisë”.

Kryeqyteti të jep vlerën e vërtetë politike përballë ndërkombëtarëve, të cilët e konsiderojnë kryetarin e bashkisë si figurën nr. 3 të vendit, pas Presidentit dhe Kryeministrit. Këto e të tjera janë arsye të dukshme pse partitë do të punojnë fort për të zgjedhur në krye atë që dëshirojnë. Nëse do e thjeshtonim pak problemin, do të vinim në terrenin konkret të politikës së sotme për këto zgjedhje.

Rilindjes i intereson shumë që Bashkia e Tiranës të jetë në “dorën e saj”, kështu do të mundësonte shumë më tepër qëndrueshmëri politike. Por problemi është i qartë: Cilin mund të kandidojë Partia Socialiste që mund të quhet nr. 3 i vendit? Mundësia e vetme që z. Rama të mos ketë nesër rivalë të brendshëm në parti, është që në këtë post të katapultojë një emër të “dorës së dytë” në kuptimin figurativ. Pra, një person, i cili ta dëgjojë e të veprojë verbërisht konform porosive të z. Rama. Kjo do të thotë që z. Rama vetë, të fuqizohet dyfish institucionalisht. Por do të ishte krejtësisht vetëvrasje politike, pasi asnjë figurë e kësaj “kategorie” nuk do të arrinte dot t’i jepte frymë Tiranës. Madje edhe z. Rama do ta kishte të pamundur të kontrollonte njëkohësisht edhe qeverinë edhe bashkinë. Pakënaqësia do të arrinte nivele të larta dhe rreziku i humbjes së mandatit tjetër do të bëhej evident. Ndaj besoj se, z. Rama sot gjendet në vështirësi për emrin.

Lëvizjes Socialiste për Integrim, sigurisht që i intereson shumë ky pozicion. Madje jam e bindur se dhe vetë z. Meta do të kandidonte me shumë dëshirë nëse do të arrihej një kompromis me Ramën (nëse akoma nuk është arritur). Me një post kryeparlamentari që i shërbeu vetëm për të ripastruar figurën dhe që i ka krijuar komoditetin e nevojshëm për t’u rishfaqur në politikë fuqishëm, Meta do ta dëshironte maksimalisht këtë post. Në fund të fundit, një “bashkëpunim” i tillë dikur me z. Rama ka qenë i “suksesshëm”, por kur pozicionet i kishin të kundërta. Sot, fare mirë mund t’i shkëmbejnë për hir të kompromiseve që mbajnë në këmbë qeverinë. Natyrisht që një marrëveshje e tillë do ta minimizonte përfundimisht Partinë Socialiste si forcë politike.

Në krahun opozitar, kërkesat janë edhe më të mëdha. Ndaj Partia Demokratike do të kandidojë figurë të një modeli perspektiv. Pra që edhe nëse nuk e arrin ta fitojë, sërish të hyjë në radhën e figurave të “larta të partisë” me perspektiva të reja. Ndaj dyshoj se do të propozohej sërish z. Basha. Vetëm nëse ky i fundit e ka vërtet në dorë të rikandidojë, atëherë mund të jetë një kandidat potencial. Por personalisht gjykoj që z. Basha nuk është se ka ndonjë rol real ndikues e përcaktues në Partinë Demokratike, plus që dhe figura e tij po humbet çdo ditë në bursën politike, ndaj dhe dyshoj se nuk do të rikandidohet.

Një kandidaturë tjetër opozitare mund të ishte vetë z. Bamir Topi, i cili ka rihyrë në politikë me të gjitha forcat dhe me synime të përcaktuara. Ndoshta dhe me një “marrëveshje” mund të krijojë hapësirë për një kandidim.

Por cili do ta fitojë Bashkinë e Tiranës?

Kjo është pyetja që përgjigjen do ta marrë nga qytetarët e saj. Unë mendoj se ka ardhur koha që qytetarët të kërkojnë që kandidaturat për kreun e bashkisë të jenë konkurruese me programe konkrete. Qytetarët e Tiranës të votojnë jo individin, por programin më të mirë. Sot Tirana u ngjan qyteteve të dorës së fundit në botë. Në Tiranë nuk ka as bulevard, as mjedis që të edukojë, nuk ka as infrastrukturë kulturore e nuk ka as shërbime minimale; ujë e drita! Tirana ka nevojë për njerëz vizionarë. Në Tiranën e sotme kërkohet përkushtim, kërkohen vlera tek ai individ që do të jetë kryeqytetari i saj. Nëse nuk do të konkurrohet në këtë formë, cilido tjetër që do të mund të “fitojë” falë partisë apo “parave” të hedhura në fushatë, jo vetëm nuk do të zgjidhë problemet tona, pra problemet e qytetarëve të Tiranës, por do ta shkatërrojë edhe më keq kryeqytetin e Shqipërisë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama