Pse nuk duhet rikandiduar asnje pushtetar lokal

Shkruar nga: Zamira Cavo  
Botuar më: 5 vite më parë

Zamira Cavo
Pse nuk duhet rikandiduar asnje pushtetar lokal

Në këtë situatë akuzash e kundërakuzash mes pozitës dhe opozitës, në këtë atmosferë grindjesh e mosbesimi pa fund, politika shqiptare do të përballet shumë shpejt me zgjedhjet lokale. Dhe si në çdo periudhë parazgjedhore, balta dhe llumi politik do lëshohet sërish pa më të voglën brerje ndërgjegjeje në jetën tonë të përditshme. Nuk besoj se ka shqiptar që të mos jetë lodhur nga kjo baltosje, nga kjo ndyrësi politike. Parlamenti shqiptar sot është me gjasë Parlamenti më i anatemuar për figurat që ka, për individët që janë në krye të një pushteti të dalë nga “zgjedhjet e lira”. Gjithsesi, ajo që më bën të shkruaj këto radhë është frika se kjo ndyrësi politike do të riprodhojë edhe për një mandat një baltë që do mbulojë jetën tonë të përbashkët. Duke ditur se çfarë po gatuhet skutave të politikës për zgjedhjet e ardhshme lokale, nuk ka si të mos shkruaj për thelbin e vërtetë të tyre: të zgjedhurit. Çfarë kategorie individësh do kandidojë politika në këto zgjedhje? Sepse rreziku i madh i demokracisë është nxjerrja në krye e batakçinjve, të paaftëve dhe maskarenjve. I kërkoj ndjesë lexuesit për këta terma, por pasqyrojnë një realitet që tashmë e njohim të gjithë. Ndaj në mendimin tim, politika zyrtare shqiptare është sot para shansit të fundit që ka: Të ndryshojë qasjen reale ndaj të kandiduarve të saj. Asnjë, po vërtet asnjë pushtetar i pushtetit lokal nuk duhet të rikandidohet më për këtë pushtet. Arsyet janë shumë më të qenësishme sesa justifikimet se “ky kryetar bashkie ka punuar mirë”, apo “ky kryetar komune ka fisin nga mbrapa dhe na siguron fitoren”. Ky mentalitet primitiv i politikës sonë anadollake ka prodhuar një specie të keqe të drejtuesve të pushtetit lokal; specien e një klase që ka tashmë jo vetëm sjelljen prej çifligari ndaj votuesve, por edhe një bazë ekonomike të “mirë” që e ka siguruar nga ky pushtet. Por më konkretisht:

Të gjithë këta pushtetarë të komunave apo bashkive, pa asnjë dallim të majtë apo të djathtë, janë përgjegjës për kasaphanën e madhe urbane ndaj vendit. Janë përgjegjës për çka i kanë bërë territorit. Nga statistikat që vetë qeveria publikon, rezulton se nuk ka njësi të pushtetit vendor që të mos jetë cenuar nga kjo katrahurë. Ndaj qoftë edhe për këtë fakt asnjeri prej tyre nuk do duhej të rikandidohej. Nuk më duket aspak me vend që të thuhet se ky kryetar bashkie, i Durrësit, apo Korçës, Elbasanit apo  Shkodrës etj., etj., kanë punuar mirë ndaj e meritojnë rikandidimin, pasi masakra urbane tregon të kundërtën.

Të gjithë pushtetarët lokalë janë përgjegjës për perceptimin negativ që kanë qytetarët ndaj shërbimeve që ofron pushteti lokal. Po anashkaloj faktin që në shumë raste pushteti lokal as nuk funksionon fare për qytetarët.

Pushtetarët lokalë janë përgjegjësit e modeleve të debateve tejet të politizuara. Këshillat bashkiakë kanë treguar se janë as më shumë e as më pak, por një kopje e keqe e politikës së ditës. Politizimet kanë sjellë vonesa në investime, vonesa në përgjigje të kërkesave ndaj qytetarëve dhe kjo për gjatë gjithë mandatit të tyre.

Të zgjidhesh apo pretendosh të rizgjidhesh për një mandat të tretë apo dhe të katërt, nuk është aspak demokratike. Në kohët e sotme nuk ka njerëz të pazëvendësueshëm. Ndaj është demokracia. Por politika e “madhe” me kryetarët kandidojnë preferencat e tyre që në mendimin tim, nuk kanë të bëjnë me qasjen programatike, as dhe vizionare, por me interesat klienteliste të njërit apo tjetrit. Si mund të pretendosh, madje edhe publikisht, rikandidimin për një mandat të tretë, kur qyteti që ti drejton është një katrahurë e vërtetë? Unë nuk bëj çudi me vetëshpalljet për rikandidim, pasi ata jo vetëm ia dinë mirë përfitimet që vijnë nga kjo punë, por besojnë se janë në gjendje të “blejnë” aq vota sa mund ta bëjnë të sigurt fitoren. Kjo nuk është demokraci. Kjo është një formë e shëmtuar e feudalizmit politik shqiptar.

Mësimi i parë që vjen nga historia është thënia e madhe e XH. Djuit: “Një qeverisje që del nga vota e popullit nuk mund të jetë e mirë nëse ka nxjerrë në krye njerëz të paedukuar me demokracinë”. Unë do të shtoja dhe me qytetarinë. Pasi pushteti lokal është pushteti më pranë njerëzve dhe halleve të tyre.

Mësimi i dytë vjen nga praktika botërore: një qeverisje demokratike do të thotë solidaritet, bashkëpunim dhe interes publik. Fatkeqësisht, asnjërën prej tyre nuk e kemi gjetur në këtë “elitë” pushtetarësh lokalë. Përkundrazi, interesat e tyre private kane prevaluar deri në mashtrime gjigante kur një licencë na shitet si “liri”, kur një interes privat na shitet për “nevojë publike” dhe kur interesi personal na shitet si solidaritet politik.

Natyrisht jam e ndërgjegjshme se ndryshimi në qeverisjen vendore vjen nga programi politik, nga vizioni i forcës politike, por jam edhe më e vetëdijshme se individët e “mësuar” me metodën e tyre të drejtimit të pushtetit vendor, dinë mirë vetëm interesat klienteliste. Ndaj e ritheksoj me forcë moskandidimin e asnjë prej pushtetarëve lokalë.

Nëse z.Rama apo z.Basha do të rikandidojnë qoftë edhe një nga pushtetarët aktualë, them se nuk do kemi më shpresë se kjo elitë politike mund të bëjë diçka pozitive në favor të demokracisë dhe qytetarëve. Atëherë do duhet ta marrim fatin tonë vetë në dorë duke bojkotuar tërësisht zgjedhjet lokale.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama