Sindroma e vitit zero

Shkruar nga: Zamira Cavo  
Botuar më: 6 vite më parë

Zamira Cavo
Sindroma e vitit zero

Çuditërisht, ne shqiptarët u “mësuam” gjatë 100 viteve me “vitin zero”. Çdo elitë politike që ka ardhur në pushtet, ka “fshirë” me një të rënë të lapsit gjithçka është bërë nga paraardhësit. Qeverisja “Hoxha” fshiu nga defteri gjithçka ishte bërë nën qeverisjen e Ahmet Zogut, qeverisja “Berisha” “fshiu” nga defteri gjithçka ishte bërë nën qeverisjen “Hoxha”. Sot, qeverisja “Rama” duket se nuk po i shpëton dot këtij tundimi. Sindroma e vitit zero, realisht e ka lënë Shqipërinë në një lëvizje boshe. Elitat tona politike me filozofinë e tyre primitive, e ëndërrojnë historinë si të filluar me ta. Ndaj në ndryshim nga vendet e tjera, ne nuk e kuptojmë dot ç’do të thotë zhvillim i qëndrueshëm. Ndaj hyjmë në konflikte pa fund dhe nuk arrijmë të ecim krahas vendeve të tjera.

Historia jonë e zhvillimit ka padyshim shumë gabime. Çdo qeveri ka punuar sipas mundësive dhe filozofisë së saj. Por askush nuk mund të pretendojë se çdo gjë e arritur nga paraardhësi është e gabuar, madje e dënueshme. Mohimi i praktikave të gabuara, mohimi i së keqes së trashëguar nga paraardhësit në politikë, nuk do të thotë mohim i gjithçkaje dhe çdo gjëje! “Me ujin e qelbur nuk duhet hedhur poshtë edhe foshnja” thoshte dikur një filozof. Ndaj sindroma e vitit zero ka krijuar një kaos të vërtetë në zhvillimin tonë të ekonomisë, kulturës dhe institucioneve tona. Por le të ndalemi konkretisht.

Qeverisja “Berisha” është sjellë sigurisht si një qeverisje e tipit ballkaniko-mafioz, duke krijuar shumë probleme dhe duke tejkaluar shpesh dhe kufijtë e lirisë demokratike. Megjithatë brenda këtij kaosi ka pasur, pa më të voglin dyshim, edhe mjaft gjëra që duhen vlerësuar. Le të marrim dy sektorët më publikë që lidhen drejtpërsëdrejti me interesin e përditshëm qytetar; arsimin dhe shëndetësinë. Në të dy këta sektorë ka pasur mjaft probleme të rënda. Probleme që lidhen me korrupsionin, me indiferentizmin dhe me fitimin personal. Por kjo nuk do të thotë se këta sektorë kanë qenë të paralizuar dhe askush nuk ka punuar apo nuk ka pasur arritje në segmente të veçanta. Nga ana tjetër ka pasur dhe një kuadër ligjor mbi të cilin është vepruar ose jo. Nëse kuadri ligjor nuk është i standardeve të kërkuara, ai duhet ndryshuar, por nëse ky standard qëndron, atëherë theksi vihet mbi zbatimin pa as më të voglin tolerim të këtij standardi. Sot të dy këta sektorë kanë vënë para një trysnie të paparë psikologjike, por edhe institucionale, të gjithë punonjësit e tyre, mësues, mjekë e infermierë. Sipas zyrtarëve të lartë të institucioneve përkatëse, të gjithë mësuesit, mjekët e infermierët duhet të hyjnë në provim testimi, i cili u rrezikon vendin e punës. Në dukje të vjen ta duartrokasësh një ide të tillë, pasi mendon (pa u thelluar) se “mirë bëhet përderisa janë sektorë me shumë probleme”. Por, në një vështrim më të thelluar, unë kuptoj se ky lloj vlerësimi është një shprehje e hapur e sindromës së vitit zero. Mjekët, mësuesit dhe infermierët, kanë nga një diplomë, e cila është marrë nga institucionet përkatëse universitare. Janë diploma të lëshuara nga këto institucione jo vetëm në kohën e qeverisjes “Berisha”, por edhe të qeverisjes “Meta”, “Majko”, “Nano”, “Hoxha”… Pra është një histori shumëvjeçare brenda diplomave të tyre. Nga ana tjetër mësuesit, mjekët dhe infermierët me eksperiencë të konsiderueshme të punës së tyre, e kanë të “dyfishtë” diplomën, jo sepse e kanë përmirësuar punën e tyre falë eksperiencës, por edhe sepse u janë nënshtruar kualifikimeve të herëpashershme. Nëse mendojmë se as diploma nuk vlen e as kualifikimi që u është bërë nuk vlen, atëherë duhen zhvlerësuar ligjërisht të gjitha institucionet dhe kuadri ligjor i tyre. Nëse vendoset provimi i shtetit, i cili licencon punën e tyre si profesion, sigurisht që do krijohej një mundësi edhe më e mirë filtrimi për të pranuar në punë individë të licencuar. Por kjo kërkon kuadrin e vet ligjor. Sot nuk mund të pretendosh të fusësh në testim një mësues apo mjek i cili ka 10 apo 20 vjet që punon dhe që ka kaluar kualifikimet 1, 5 apo 10-vjeçare, por që nuk qenka “licencuar” nga “provimi i shtetit”, i cili në kohën e tyre nuk ka qenë i përcaktuar ligjërisht. Nuk po i hyj mënyrës se si do të testohen e nga kush do të testohen, sepse është një problematikë më vete. Por e them vetëm parimisht në konceptin e testimit, si sindroma e vitit zero. Bota vë disa standarde, të cilat duhen kërkuar individualisht nga çdo mësues, mjek apo infermier. Nuk ka testim “kolektiv” me urdhër nga administrata, qoftë kjo dhe ministria përkatëse! Dyshimi se këta njerëz nuk kanë kualifikimin që “duam ne” është një shkelje e rëndë e të drejtave të tyre. Por, përpos kësaj, mendoj se trysnia që shkakton kjo politikë, është më e rëndë se sa përfundimi i saj. Psikologjikisht “lodhja” nën stresin e testimit kolektiv dëmton jo vetëm mësuesin, mjekun apo infermierin, sepse cenon rëndë personalitetin e tyre, por cenon dhe gjithë aktivitetin e përditshëm të tyre. Dyshoj se mund të zhvilloj aktivitet normal të rregullt një individ, i cili është nën këtë stres e që është mbushur me frikën se mos humbasë vendin e punës, një vend kur besimi te testimet kolektive dhe mënyra e përzgjedhjes është pothuaj 0. Ndaj mendoj se masa të tilla nuk mund të konsiderohen reforma, pasi në vlerësimin tim, kjo reformë konsiderohet një strategji e përpunuar me hapa konkretë, e shtrirë në kohë, e diskutuar dhe pranuar nga grupet e interesit dhe institucionet përkatëse. Askush në demokraci nuk ka tagrin e zhbërjes së gjithë këtyre hallkave institucionale, ligjore e demokratike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama