Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Tirane - Beograd - Tirane

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 10 vite më parë

Blendi Fevziu
Tirane - Beograd - Tirane

Linja ajrore ka ndërruar emër e me gjasë edhe pronar, por stjuardesat ngjajnë po ato që JAT ka pasur për shumë vite me rradhë në udhetimin Beograd – Tiranë. Flasin pak fjalë shqip, duken miqësore dhe as nuk e dijnë që në Kryeqytetin e tyre ka udhëtuar ekipi kombëtar i Shqipërisë për një ndeshje që ngjan më shumë se sa e tillë. Bëjnë fotot me shallin kuq e zi të një tifozi dhe ofrojnë shliva me xhentilesë.


Por klima në avionin e air Serbia që udhëton nga Tirana në Beograd me një grup tifozësh, gazetarësh e biznesmenësh, të gjithë me bileta në xhep, ndërron sapo mbërrin në Kryeqytetin Serb. Policët e sigurisë nuk duket se janë njoftuar për afro 30 tifozët shqiptarë që janë në avion, por sërish shalli kuq e zi që ka ngjallur kuriozitetin e stjuardesës shërbën si copa e kuqe e torreadorëve. Një shef shërbimi “vigjëlent” turret me ngut për të marrë në dorë edhe pasaportat e vulosura me kujdes, pyet nëse jemi duke shkuar në stadium dhe vendos të bllokojë të gjithë grupin që ka përballë. Nuk pyet për akreditim të UEFA, nuk pyet për karta gazetari dhe as për lejen e lëshuar nga Federata Serbe e futbollit për gazetarët që janë regjistruar paraprakisht. Polici ka gjetur “armikun”, ka qenë “vigjëlent” dhe tani qëndron përballë grupit që pyet se përse janë ndaluar, pa ditur të japë në fakt një shpjegim. Heq kapelen, kruan me forcë kokën e madhe dhe pas disa ufesh të zgjatura thotë vetëm dy fjalë: Nema problema bre!


Ka 10 vjet që s’kam qenë në Beograd. Herën e parë kam udhëtuar aty me një avion special në vizitën që ish Kryeministri Meta bëri në Jugosllavinë e athershme në Majin e 2002. Pata një intervistë të gjatë në atë kohë me Kryeministrin Xhinxhiç dhe duhet të them që qëndrimi i tij m’u duk i moderuar për kohën dhe jepte shpresë për një marrëdhënie ndryshe mes dy vendeve. Në 2004 isha kthyer sërish në një konferencë. Jeta në Beograd më ishte duket më pak entuziaste se sa ajo e vitit 2002, por vendi dukej i qetë. Kisha qenë sërish me Andi Bushatin dhe me Baton Haxhiun, i cili sipas një telefoni, na njoftoi se ndodhej edhe ai në Beograd për të parë ndeshjen e Shqipërisë. 10 vjet më pas, situata po më dukej më e trishtë se dy herët e tjera. Policët ishin të ngurtë, aspak profesionalë dhe mënyra e tyre e sjelljes më kujtonte më shumë policët e Lindjes së Mesme dhe Vendeve të Afrikës, por jo ato të një vendi Europian. Kështu kisha ngelur një herë në Afrikën e Jugut, një herë tjetër në Kazablanka të Marokut dhe akoma më keq një herë në Palestinë. Në ndryshim nga tre vendet e tjera, policët serbë nuk flisnin asnjë fjalë anglisht dhe kishin në fytyrë një shprehje që më të çuditur se sa ne bënte ata vetë.


Po aq të habitur shfaqeshin përballë Ambasadorit shqiptar që kishte mbërritur nga qyteti; të habitur ndaj nesh. Ju desh pak kohë të kuptonin se nuk na ndalonin dot, se ligjet e futbollit na jepnin të drejtëm të ishin në llozhat e stadiumit dhe në fund thanë me gjysmë zëri një PO. Dukeshin të trishtuar, ose të befasuar që “armiku” po hynte. M’u kujtua një reportazh i gjatë i Kapuciskit për policët e kufirit sovjetik dhe s’di pse, ata të Beogradit m’u dukën po kaq të vjetër e demode sa policët e harruar të “Imperiumit” sovjetik. Si mund të jetë një vend që synon integrimin në BE kaq mendrisht i izoluar, pyeta veten? Si mund të vuajë nga sindroma e “armikut” dhe si mund të gjejë armiq në 30 persona që udhëtojnë nga vendi i tyre për të ndjekur një ndeshje futbolli të ekipit të tyre kombëtar?! Vështirë t’i japësh përgjigje. Aq më tepër që situata bëhej edhe më absurde nga vendimet e javëve të fundit. Tifozë të Shqipërisë nuk u lejuan, simbolet kombëtare u ndaluan! A ka mundësi në një Europë të shekullit të XXI të ndalosh dikë të besojë, adhurojë, ose tundë një simbol tek i cili beson? A ka mundësi në një Europë pa kufij të kesh frikë nga 300 tifozë që mund të vinin të veshur kuq e zi në Beograd? Kam përshtypjen që më shumë se sa frikë nga tizofët tanë, ishte një frikë e serbëve nga vetvetja.


Rruga nga Aerporti në Beograd ishte po ajo. Hoteli i vjetër Interkontinental ku kisha qëndruar edhe dy herët e shkuara tashmë ishte bërë Croën Plaza, por kamarierët ngjanin ende në republikat ish sovjetike. Paguje me euro dhe të kthenin dinarë; kërkoje karikim për celularin dhe të jepnin të mbushje një procesverbal. Shumë larg botës moderne dhe shumë larg sjelljes që Shqipëria dikur e izoluar ka adaptuar ndaj vizitorëve sot.


Holli ishte i mbushur plot me shqiptarë dhe tensioni ishte më shumë për rezultatin se sa për atë që mund të ndodhte në fushë. U ula pak minuta me disa futbollistë dhe m’u duken të qetë. Por siç mora vesh më pas, ish futbollistë të Prishtinës së viteve ’80 i kishin njoftuar se shqiptarët e Kosovës qenë provokuar gjithnjë në Beograd. Paralajmërimi i tyre m’u duk demode në një kohë dhe botë tjetër, por për fat të keq, pak çaste më vonë, kur mbërritëm në stadium e kuptova që ata kishin të drejtë.


Në 19.30 u nisën për atje. Ekipi iku para nesh, i rrethuar me forca sigurie, ndërsa autobuzi ynë modest, ku mund të fusje edhe 80 vjeçarin Miço Papadhopuli, shoqërohej me 11 makina policie. Mbërritëm të shpenguar, si në çdo stadium të botës, por zbritja nga autobuzi qe një traumë e vërtetë. Mbi 200 policë të forcave speciale na futën në mes, na ngjeshën dhe në formë kuadrati na shoqëruan në një kënd të stadiumit të caktuar për ne. Nuk ishte një vend, ishin disa bokse për shtypin dhe personat VIP, krejt të izoluara dhe me një pamje të keqe mbi fushë. Njëri prej shefave të policisë fliste rrjedhshëm shqip si edhe disa të tjera. Na tha se babain e kishte nga Peja. Sjellja e tij dhe e kolegëve ishte korrekte deri në fund.


U ulëm në llozhën e Stadiumit, ndërsa tifozët poshtë, sapo na njohën pak çaste më vonë nisën ulërimat dhe thirrjet agresive. Bënin gjeste fyese, kërcënuese, shanin me zë të lartë, por në sytë tanë ishin qesharakë. Ngjanin si ca qënie mjerane që kishin inat me disa njerëz që s’i konsideronin hiç dhe as donin t’ja dinin se ata ekzistojnë në këtë botë. Kishim mllef dhe urejtje me të gjithë: shqiptarët, flamurin tonë, NATO –n, Amerikën dhe këdo. Dukeshin si fosile të një kohe tjetër, që befas, kishin dalë nga bota e tyre dhe përballeshin me një botë ku refuzojnë të hyjnë: Kjo është Serbia reale, pyeta veten? A mund të mendojë dhe të sillet kështu një shoqëri? Absurde dhe e pashembullt. Një histori që nëse ata vetë nuk e korrigjojnë do jetë një mallkim për vetë Serbinë.


Ndeshja nisi. Nuk kam parë kurrë një stadium më agresiv dhe keqdashës. Ulerinin: Vdekje shqiptarëve, fërshëllenin himnin: bënin shenjën e prerjes së kokës. Mendova që këta mjeranë janë nisur gjithë jetën të presin koka dhe në fund kanë prerë kokën e vet! Ndaj sot, janë shumë më mbrapa se sa kanë qenë si jugosllavë 35 vjet më parë!


Më dukej sikur nuk i kontrolloja dot emocionet. Mendoja se si po silleshin shqiptarët që ndiqnin këtë ndeshje dhe nisa të besoj se ekipi po ndihej më i sigurtë në fushë. Një rast i Canës, një tjetër i Mavrajt dhe në hesthjen e shkaktuar prej tyre në stadium, ato 10 brohoritje tonat u përjetuan keq. Tifozët i kthyen shpinën fushës dhe filluan të godasin me sende të forta bokset ku ishim ne. 30 mijë vetë kundër 30! Një gjest burracak dhe pa sens. Policët e sigurisë ndërhynë. Na kërkuan të braktisim pamjen dhe të grumbullohemi në korridor. Në fushë kish nisur hedhja e fishekzjarreve dhe kapsollave. Situata po ndizej. Kjo ndeshje nuk zgjat më shumë se 5 minuta i tha Sokol Kushta njërit prej tanëve që kishte pranë. Njeriu që kishte vulosur me heshtje po këtë stadium 27 vjet më parë me atë gol mbresëlënës kishte të drejtë. Në qiellin përballë nesh, u shfaq befas një objekt fluturues. Dallova foton e Ismail Qemalit dhe ngjyrat Kuq e Zi. Kaq munda të shihja nga aty ku na tërhoqën. Mendova se ishte një lojë e tifozëve serbë për të ndjegur simbolet shqiptare. U ndjeva keq. Së paku deri atë moment që helikopteri lodër, filloi të vallzonte mbi kokën e tifozëve të nervozuar që u bënë edhe më keq. Ngjante një lojë, më shumë fan, por një lojë që befas u shndrua në një betejë për simbolet. Ngjarjen e kanë parë të gjithë, sherrin, përplajsen. Dolëm sërish në vendet tona për të parë atë që po ndodhte. Pamë ekipin që u fut nën breshërinë e goditjeve dhe e ndjemë që ata nuk do të ktheheshin më në fushë. Ndeshja kishte mbaruar! Për fatin e keq, ajo që mund të shërbente si urë bashkëpunimi mes dy vendeve, po kthehej në një hendek që vështirë se për shumë kohë do ta kalojë dikush. Stadiumi u nervozua. U tensionua. Siguria na njoftoi se kishte vështirësi të na mbronte nëse do kishte vërshim. Por s’pati asgjë nga këto. Tensioni real nuk zgjati më shumë se 15 minuta. Më pas, gjithçka ra në heshtje. Tifozët serbë vetë. Presidenti i tyre qe larguar me inat dhe ngut. Nuk e kuptoj ende përse Presidenti i një vendi, duhet të shqetësohet nga një helikopter që fluturon, qoftë edhe nëse ai mban simbolet e një vendi tjetër. Në atë stadium dhe atë fushë, në çdo rrethanë, duhej të kishte qindra flamuj kuq e zi, siç duhet të ketë në ndeshjen që do zhvillohet në Shqipëri flamuj serbë. Ndarja me thikë, krijimi i tensioneve, është absurdi më i madh.
Tensini ra, por ajo që erdhi më pas, ishte bezdi dhe neveri. Policët kërkonin helikopterin ose telekomandën e tij. U vërtitën mes nesh dhe siç morëm vesh më pas edhe mes futbollistëve të ekipit kombetar. Helikopteri nuk gjendej. Ju kishte ikur. 5000 policët në fushë, nuk e ndalën dot një lodër me 4 helika. Teknologjia është bërë më inteligjente se sa planet policore të shtetit serb!


E kërkuan dëshpërimisht mes nesh, edhe pse helikopteri erdhi nga jashtë; bënë procesverbale, mbajtën shënime dhe na mbyllen gjatë në autobuz. Por në fund, u detyruan të na lenë. Udhëtum sërish nën masa ektreme sigurie, ndërsa rruga nga stadiumi në aeroport ishte e mbushur me policë dhe makina ushtarake!


Ju bashkuam futbollistëve plot shenjë në fytyrë në charterin e ekipit. Ishin të qetë, pa tension. Ishin krenarë për atë që kishin bërë edhe pse, asnjëri prej tyre nuk donte që ngjarjet të shkonin kështu. Kishin ardhur të luanin futboll dhe po dëshmonin deri në momentin e ndërprerjes se mund ta bënin këtë më mirë se sa ekipi serb.


Udhëtimi qe i qetë dhe aty këtu me humor. Më bëfasoi fytyra plot energji e Taulant Xhakës dhe një lloj krenarie për atë që ndodhi në fushë; u impresionova nga qetësia e Etrit Berishës; nga vendosmëria e Lilës apo shenjat në fytyrën e Canës. Kuptova se kishin vendosur që të reagonin të gjithë bashkë dhe ishin të vendosur që nga ajo fushë, të dilnin me dinjitet. E bënë këtë dhe kur zbrisnin shkallët e avionit, ishin po aq krenarë. U befasuan nga thirrjet e tifozëve që prisnin; u prekën nga vendosmëria e tyre për t’i pritur deri në orët e para të mangjesit; u gëzuan nga fishekzjarret që përflakën qiellin e Rinasit. Ishte një pritje spontane, pa organizim, pa prapamendim. Ishte një pritje, ku kombi, i thoshte përfaqësuesve të tij: Faleminderit për këtë që bëtë! Dhe ata e meritonin këtë falenderim.
Blendi Fevziu

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama