Pushteti në rritje i LSI

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 7 vite më parë

Armand Shkullaku
Pushteti në rritje i LSI

Të ashtuquajturit rebelë brenda grupit të PS-së u kthyen në vathë. Këtë javë ata nuk do të kenë asnjë ditëlindje për të festuar, por ky fakt vështirë se e ngushëllon kryeministrin Rama. Ai u detyrua, që në 300 ditët e para të pushtetit, të negociojë (me ndihmën e Ruçit dhe Ballës) me deputetët e tij, të cilët e shpërfillën në mënyrë qesharake javën e kaluar. Pas këtij precedenti, çdo “ditëlindje” e mundshme rrezikon ta lërë me gisht në gojë kryeministrin dhe ta kushtëzojë në çdo hap të qeverisjes së tij.

Pas kësaj ngjarjeje dhe detyrimit për të negociuar me “rebelët”, Edi Rama duhet ta ketë kuptuar se nuk i ka më as duart e lira dhe as arrogancën e 1 milion votave për t’i bërë gjërat siç do vetë. Këtu nuk është fjala vetëm për ndonjë grup të mundshëm deputetësh socialistë, të cilët për momentin nuk bëjnë të mundur një shumicë të cilësuar, por mbi të gjitha për LSI që në këto kushte ka në dorë vetë pushtetin e Edi Ramës. Me disa vota kundër brenda të vetëve, fati i kryeministrit varet ekskluzivisht nga LSI dhe, pavarësisht prej emrit, nuk e shpëton dot as ndonjë komardare me pulla si Shpëtim Idrizi. Pa qenë nevoja të bëjë asgjë, Ilir Meta është shndërruar pak nga pak në maskën e oksigjenit të qeverisë Rama.

Në fakt, jo tamam pa bërë asgjë. Ilir Meta nuk u gjend rastësisht në drekën e ditëlindjes së shpikur të deputetit Mark Frroku. Thuhet se ai u ka kërkuar deputetëve socialistë të shkojnë në parlament, duke evidentuar rëndësinë që ka numri i tyre për mazhorancën dhe për rrjedhojë mundësinë e madhe për të kushtëzuar kryeministrin. Ndonjëherë ndërmjetësime të tilla si ky i Metës ngjajnë më shumë si konfirmim apo zyrtarizim i ndarjes që është duke ndodhur. Vajtja e Ilir Metës në tryezën e deputetëve të pakënaqur të PS, pavarësisht motivit, i dha peshë aktit të tyre dhe krijoi idenë se përderisa vetë kryetari i Kuvendit apo njeriu numër dy i mazhorancës ka shkuar të negociojë, ngjarja nuk është thjesht një tekë e disa deputetëve veriorë dhe se kryeministri gjendet vërtet i kushtëzuar.

Por ka edhe elementë të tjerë që të bëjnë të mendosh se gjithçka që ka ndodhur kohët e fundit brenda të majtës, ka rezultuar në rritjen e peshës jetike të LSI. Ndonëse nuk është thënë ndonjëherë hapur, qëndrimet e deputetëve “rebelë” ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i kanë shkuar për shtat, në mos kanë qenë në sinkron të plotë, edhe me atë çka mendon LSI për të. Për njerëzit pranë kryeministrit nuk është sekret fakti se Ilir Meta nuk ka qenë dakord që Saimir Tahiri të emërohej ministër i Brendshëm dhe ka kundërshtuar deri në momentet e fundit këtë emërim, por nuk ka mundur ta ndryshojë. Herë pas here deputetë të LSI kanë folur publikisht (por pa emër) për një ministër që duhet të shkarkohet dhe daljet e Ilir Metës për të vlerësuar punën e Saimir Tahirit vetëm sa e kanë përforcuar dyshimin për pozitat e tij. Deklaratat e forta të Tom Doshit për politizim të policisë dhe dështim të Saimir Tahirit në drejtimin e ministrisë, ndonëse nuk janë duartrokitur në publik, me siguri janë mirëpritur brenda mureve të LSI. Deputetët e kësaj të fundit kundërshtuan fort projektligjin për policinë, duke e detyruar kryeministrin Rama të ulej me ta në një tryezë bisedimesh në një nga vilat qeveritare. Kundërvënia e LSI në emër të këtij projektligji qe aq e fortë sa Metës iu desh përsëri të fliste nga Shkodra për frymë konstruktive brenda mazhorancës. Dhe sa herë Meta e thotë këtë, me siguri që diçka tjetër zien larg syve të publikut. Ndoshta është duke zierë zëvendësimi i Tahirit me fjala vjen Taulant Ballën dhe kryeministri do të detyrohet ta pranojë këtë. Ose ndoshta diçka tjetër.

Por pavarësisht përplasjeve ende të padukshme, një gjë është e qartë. Në ekuilibrin e forcave brenda mazhorancës, LSI ka forcuar pushtetin e saj. A i duhet kjo gjë për të mbrojtur veten apo për të zgjeruar hapësirën e saj të dominimit, kjo është një çështje e LSI. PS dhe kryeministri Rama tashmë janë përballë faktit se jo vetëm reformat që kërkojnë 84 vota, por vetë pushteti i tyre varet nga Ilir Meta. Nga sot, çdo grupim të pakënaqurish brenda PS e ka një adresë ku mund të koordinojë veprimet e veta. Madje pa qenë nevoja ta bëjnë hapur këtë. Tërheqja e Ramës dhe shmangia që i bëri ballafaqimit me deputetët e tij, dëshmon se ai tashmë e ka marrë sinjalin. Prandaj nuk ka asnjë arsye të gëzohet që këtë javë nuk pati ditëlindje. Nga sot e tutje, çdo festë e vogël mund t’ia prishë festën e madhe të 1 milion votave.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama