Përpara se të na duan të huajt, të duam vetveten

Shkruar nga: Zamira Cavo  
Botuar më: 7 vite më parë

Zamira Cavo
Përpara se të na duan të huajt, të duam vetveten

Statusi u mor dhe duket sikur e gjithë klasa jonë politike është në garë se cili apo cilët do të jenë të dëshiruarit për Europën e re politike. (Kjo garë shkon deri në banalitete qesharake sikundër qe mënyra e pranisë së z. Berisha në takimin me z. Barroso, apo në keqpërdorim të fjalës së tij). Madje e gjithë politika vazhdon të na orientojë te qëndrimi ndaj të huajve, të cilët “presim të na vizitojnë”, “presim të investojmë”, “presim të na hapin dyert” etj., etj. Në kohën kur jetojmë duket diçka normale një sjellje e tillë politike, por në kontekstin shqiptar, kjo duhet parë më thellë. Mbivlerësimi i të huajit ka qenë historikisht një karakteristikë e sjelljes sonë. Për shqiptarët një i huaj, qoftë edhe gjysmak në formimin e tij, është një mijë herë më i pranuar se çdo shqiptar i mençur. Ky mbivlerësim shkon deri në përulje qesharake, deri në zhvlerësim të imazhit të vendit, duke na dëmtuar seriozisht. Të vjen turp kur dëgjon që konflikti i brendshëm politik del përtej dhomave të politikës shqiptare, për t’u “gjallëruar” edhe më shumë, sapo vijnë të huajt. Ankohemi për njëri-tjetrin, shajmë e fyejmë njëri-tjetrin dhe këtë e bëjmë edhe me më shumë qejf e pasion, kur kemi të huajt. Politika shqiptare nuk di të veprojë dot ndryshe. Ajo është pjesa e trashëgimisë sonë primitive kulturore. Ndaj ajo që dua të them ka të bëjë me një “Shqipëri ndryshe”. Dhe “Shqipëria ndryshe”, do të thotë më shumë dashuri e besim mes nesh, më shumë tolerancë e mirëkuptim. Askush nuk të “do”, nëse nuk do veten. E nëse kemi një brez të ri, i cili dëshiron me shumicë, të largohet jashtë tij, nëse kemi një rini, e cila nuk gjen “asnjë vlerë” në vendin e vet, nuk kemi pse mbajmë sytë nga “bota” që do të “dashurohet me Shqipërinë”. Gjenerata e re duhet të jetë e “dashuruar” me vendin.

Më parë politika duhet të hedhë sytë brenda nesh. Asnjë klasë politike dhe asnjë lider politik, nuk do të arrijë të kryejë misionin e vet, qoftë edhe minimalisht, nëse nuk përqendrohen në politika intensive në ndërgjegjësimin e brezit të ri. Le të vijmë më konkretisht:

-Brezi i ri sot është brezi që u lind në kohën e demokracisë. Ky brez, në formimin e vet, është i mangët nga pikëpamja historike. Vlerat e krenarisë kombëtare, që sot janë vënë në diskutim, pothuaj të gjitha, nga debatet shterpë apo edhe të qëllimshme të disa “opinionbërësve, e kanë humbur tharmin e ndërgjegjes sonë të përbashkët. E di që do të këtë mes lexuesve që do të thonë se në kohët moderne ky tharm nuk është më i vlershëm. Por më gjeni një vend në botë që i ka kthyer krahët historisë së tij? Duket paradoksale por, po të pyesësh të rinjtë e sotëm, ata shumë pak dinë për historinë dhe gjeografinë e vendit. Shumë prej tyre kanë shëtitur botën, në mënyra të ndryshme, por nuk kanë njohje për Shqipërinë, madje nuk kanë parë më shumë se 5 apo 6 qytete. Si mund ta duan një gjë që ende nuk e njohin?!

-Brezi ynë i ri sot është në qendër të ciklonit të ideve liberale, socialdemokrate, anarkiste fetare komuniste, diktatoriale dhe realisht i riu shqiptar, i paformuar në mënyrë të tillë që të jetë në gjendje vetë të orientohet në tërësinë e këtyre koncepteve, imiton atë çka atij i intereson: “Lirinë” pa kufizim dhe dembelizmin si “kompensim”. I mësuar me teknologjinë moderne, është gati vetëbesues në bindjet e tij, pa u përpjekur të kuptojë apo të argumentojë në mënyrë të shëndetshme dhe me një kurajë qytetare e pjesëmarrëse.

I riu ynë kujton se i di të gjitha, se është i aftë të bëjë gjithçka pa dije, pa mësuar, por me kulturën e trashëguar të “mikut” apo “ryshfetit”. Në këto kushte, politikat tona janë ato që duhet të kuptojnë “brumin” me të cilin duhet të punojë politika. Pra gjithçka negative që sot shfaqet me forcë duhet vlerësuar për të ndërmarrë politika që të orientojnë “ndryshe”. Në vlerësimet tona të përgjithshme vihet re se interesi për shkollën ka ardhur në rënie por, ka ardhur në rritje interesi për “diplomën”. Ja kjo duhet të shqetësojë politikën. Programet tona mësimore duhen orientuar në të kundërtën e asaj çka ka dhënë deri më sot. Por si? Me reforma të pjesshme? Edhe me ato, por në radhë të parë me reforma të përmbajtjes së re që dikton “kapitali ynë njerëzor”.

-Brezi i ri kërkon të largohet nga vendi kur shikon se jo ai që ka studiuar, jo ai i afti, por ai “tjetri”; i padituri, por i “pasuri” në miq apo militantizëm, ka zënë vende pune që orienton politika. Këto dukuri të realitetit tonë, e largojnë rininë nga “atdheu”. Ja një shembull; nga 2000 të rinj të pyetur (gjimnazistë), 91% e tyre janë shprehur se dëshirojnë të ikin jashtë vendit me mundësinë e parë që u jepet dhe 72% e tyre e kanë konsideruar si “shkak” të këtij largimi faktin që, në Shqipëri, askush nuk është në vendin e vet. Sepse fitohet sipas mikut e parasë dhe jo aftësisë!

Një klasë politike nuk mund të ndërtojë asnjë politikë frytdhënëse nëse më parë nuk ka njohur “brumin” që ka. Mendimtari i shquar i brezit të viteve ‘30, Krist Maloki, dikur shkruante: “Për me ngrehë një shtet, ashtu në kuptimin e plotë të fjalës, nuk jemi të zot na tridhjetëvjeçarët e sotëm. Dhe do të dënohemi edhe ma tutje me një gjendje gjysmake, për mos me thanë provizore; sepse na – arkitektat fantasta – s’kemi haber mbi materialin real, sepse na s’e njofim as kombin, as vendin, as … Sepse na kemi ndoshta shumë dije (dituri shkencëtare!) por jo mend e shpirt! … Nuk kemi die që na bajnë bashkë…”

E kam thënë edhe herë të tjera që Reforma e Ligji i mirë është njëra anë e problemit shqiptar, ana tjetër, janë Njerëzit që i vënë në punë ligjet e që realizojnë reformat. Nëse nuk kuptojmë këtë nuk do të arrijmë të bëjmë hapa të vërtetë përpara. Sfida jonë e përbashkët, por mbi të gjitha e elitës sonë politike është sfida me vetveten, sfida për të kapërcyer gjendjen ekzistuese e për ta bërë rininë ta dashurojë vërtet vendin.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama