Enver Hoxha i Edi Ramës

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 7 vite më parë

Armand Shkullaku
Enver Hoxha i Edi Ramës

Në gjashtë muaj të qeverisjes së majtë, tema e enverizmit apo e rikthimit të hijes së tij,  është diskutuar më shumë se në 16 vitet e fundit në Shqipëri. Figura e Hoxhës papritur ka risjellë në skenë ndarjet e vjetra të fillimit të ’90-ave, në një kohë kur ata që qeverisin, si Rama ashtu edhe Meta, e kanë prerë kërthizën e tyre politike duke u ngritur kundër regjimit të Enver Hoxhës. Çfarë ka ndodhur? Si u bë kaq prezente figura e ish-udhëheqësit komunist dhe mbi të gjitha, pse e ndryshoi kaq ndjeshëm qëndrimin ndaj tij kryeministri i sotëm?

 

Si ka mundësi që Edi Rama, i cili nuk lë rast pa vizatuar në mediat e huaja fillimet e tij antikomuniste, sot eviton të distancohet nga ngjarje gati zyrtare që nderojnë figurën e Enver Hoxhës? Nuk thotë asgjë kur një ministër i tij përkulet në shenjë respekti përpara fotos së diktatorit dhe kjo pamje shfaqet për sytë e miliona shqiptarëve, përfshi edhe ata që ende nuk i dinë ku i kanë eshtrat e njerëzve të tyre të pushkatuar nga Hoxha. Kërkon ta kalojë në heshtje ngjarjen rrënqethëse të dhjetëra fëmijëve të rreshtuar me urdhër midis varreve në Përmet e që nderojnë me grusht si pionierët e Enverit. E nëse nuk i thotë dot gjë Pandeli Majkos (Pandit në fakt nuk mund t’i thuash ndonjë gjë) që pozon me grusht mes një grupi enveristësh, të paktën në një ditë si 5 maji do të duhej të nderonte dëshmorët e të dënonte regjimin që ekzekutoi edhe vetë ata që luftuan për liri. Edi Rama kryeministër nuk bëri asgjë nga këto. Nuk bëri jo sepse një mëngjes u gdhi nostalgjik për regjimin komunist dhe jetën e tij të dikurshme. As se zbuloi se figura e Enver Hoxhës qenkësh komplekse e duhej rivlerësuar. As se në zemrën e tij fshihet thellë venerimi për diktatorin.

 

Në fakt, Edi Ramës as nuk i kërcet për Enver Hoxhën. Ai e ka hallin tjetërkund. Këtë zhurmë e këtë debat që po prodhohen me kaq intensitet në gjashtë muajt e fundit, kryeministri i ka në funksion të qëllimeve të tij politike. Duke provokuar një ndarje ideologjike, madje me tone të nxehta si në fillim të viteve ’90, ai u hedh një kockë për t’u lëpirë militantëve fanatikë, që në mungesë të saj do të kafshonin atë vetë, të zhgënjyer nga fillimet e qeverisjes së majtë. Në mënyrë indirekte ai u risjell atyre përplasjet e egra të 20 viteve më parë, për t’u kujtuar se armiku është përsëri tek dera. Nuk kanë rëndësi vendet e punës, premtimet, pakënaqësitë ndaj qeverisë, kur rreziku projektohet diku tjetër. Dhe kush mund t’i ndezë më shumë emocionet, ndarjet dhe rreshtimin sesa provokimi me historinë e afërt. Kuotat e besimit që bien në sondazhe mund të fitohen duke sajuar beteja ideologjike.

 

Në pamundësi për t’i bërë njerëzit për vete me qeverisje të mirë, kryeministri kërkon t’i mbajë pas vetes me histori të keqe. Në këtë betejë të re të shpikur, Edi Rama do t’u tregojë të vetëve se është plotësisht me ta, se është një nga ata, edhe kur është fjala për Enver Hoxhën. Prandaj ai nuk distancohet nga skandale si ato që ndodhën më 5 maj. Me heshtjen e tij, ai lë të kuptohet se për hir të postit që ka nuk mund të dalë hapur me një fotografi të Enverit, por me zemër është aty mes pionierëve që vigjilojnë me grusht në varreza sipas Porosisë së Madhe të komandantit. Edi Rama nuk mund të thotë se Enver Hoxha ishte një kriminel, se ministrat që e nderojnë atë shkelin rezolutën e parlamentit që i dënon krimet e tij dhe enverizmin. Kjo e vërtetë i rrezikon besnikërinë e një tufe votash, shton zemërimin ndaj tij të socialistëve fanatikë që tashmë kanë shprehur pakënaqësitë e para pas euforisë së 23 qershorit dhe i kompromenton maskën që ka pranuar të vërë që kur vendosi të bëjë karrierë në Partinë Socialiste.

 

Do të mbahet mend një intervistë e tij në “Opinion”, ku megjithë këmbënguljen e Blendi Fevziut, nuk i bënte goja ta quante diktator Enver Hoxhën. Edi Rama nuk e ka për gjë t’i tradhtojë bindjen apo veprën e tij personale për hir të interesave të momentit. E ka bërë sa herë është vënë në provë. Pak rëndësi kanë shkrimet dhe qëndrimet e tij të dikurshme për Enver Hoxhën, më pak akoma se çfarë ka thënë për enveristët e marksistët brenda PS. Enver Hoxha tani i duhet. Jo thjesht për t’i kopjuar fjalimet e imituar përshëndetjet me dorë që i bën popullit. Ai i duhet që së vdekuri të sajojë një betejë tjetër për të gjallët. Si ato të dikurshmet. Madje po të mundte, Edi Rama do t’i huazonte edhe shprehjen e famshme duke e modifikuar në: “Edhe bar do të hamë e Enverin nuk e shkelim”. Mund t’i bënte punë në këto kohë të vështira.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama