Te besh politike me televizione e rrjete sociale

Shkruar nga: Zamira Cavo  
Botuar më: 7 vite më parë

Zamira Cavo
Te besh politike me televizione e rrjete sociale

Teknologjia moderne sot e ka garantuar politikën në rrugëtimin e saj demagogjik. Qeverisjet e kanë gjithnjë e më të lehtë të bëjnë të “vuajturin”, ndërsa shpërdorojnë paratë tona, të bëjnë të “ndershmin”, teksa shesin e blejnë me paratë tona interesa personale. Kujdesi i tyre i vetëm është përdorimi sa më i shpeshtë dhe efikas i medias. Kjo ndodh kudo në botë. Por ka vetëm një ndryshim: opinioni, i cili konsumon ose jo këtë demagogji. Në vendin tonë, u bënë gati 15 vite që shqiptarët mbajnë sytë nga televizionet për të shpresuar në ndonjë dritë jeshile për veten. Por më kot. Gjendja e tyre ekonomike dhe sociale ka ecur në përpjesëtim të drejtë me këtë demagogji. Po t’u referohemi kohëve më të vona, mund të them se sa më shumë fliste z. Berisha për sukseset e vendit, sa më shumë shfaqej ai ose ministrat e tij në televizione, duke folur për rritje ekonomike, aq më shumë degradonte ekonomia e vendit dhe varfërohej xhepi i shqiptarëve. Ndaj dhe fytyra e z. Berisha që shfaqej çdo ditë në televizor, u shndërrua në sëmundje sociale. Pasoja? Njerëzit e kundërvotuan për të mos e parë më në televizor. Në të gjithë këtë përshkrim nuk mund të mos nxjerrim një konkluzion që ka të bëjë pikërisht me opinionin publik. Sjellja e këtij opinioni në zgjedhjet e fundit tregoi se ai ka filluar të kuptojë demagogjinë, ka filluar të mos e pranojë më trajtimin si turmë. Rilindja fitoi pikërisht, sepse opinioni publik kërkoi të largonte nga sytë e tij demagogjinë berishiste! Pra ishte një votë kundër! Të paktën Rilindja kështu duhet ta lexojë. Premtimet e saj lindën shpresa të mëdha. Por në të njëjtën kohë krijojnë shumë mundësi që të sjellin zhgënjime të mëdha. Në këtë sfond politik, çdo vonesë në politika publike, çdo përsëritje e gabimeve të paraardhësve e bën edhe më zhgënjyese qeverisjen e re.

 

Shqiptarët janë të varfër dhe pse të ardhurat për frymë mund t’i kenë të larta. Pabarazia është thelluar dhe njerëzit mezi presin të shohin ndryshim. Por çfarë po ndodh?

 

Së pari: Teknologjia e ka magjepsur keqas edhe Rilindjen. Media vizive është e mbushur në çdo orë të ditës me qeveritarë që shkojnë e inaugurojnë qytet më qytet degët apo zyrat ose institucionet e reja të varësisë. Nuk e gjej fare të udhës që Kryeministri të shpërndajë tapitë qytet më qytet, thua se është në fushatë. Mjafton një dalje për të treguar politikën dhe kaq. Nuk ka pse Kryeministri shkon e takon fasonët, doganierët etj., “derë më derë”. Nuk ka pse, përderisa është e njëjta politikë që mund të promovohet me një dalje të vetme. Kjo “magjepsje” me teknologjinë është e dukshme në rrjetet sociale, ku postohen me dhjetëra foto të ministrave. Shpesh dhe në variantin selfie! Nëse vazhdohet me këtë politikë, demagogjia dashur pa dashur, do të mbushë vendin e politikës reale. Dhe kjo do të thotë të bësh të njëjtin gabim si paraardhësi.

 

Së dyti: Kam dëgjuar këto ditë në disa mjedise shprehjen: “Hë mo se edhe këta si ata që ikën janë!” Kjo thënie, që shpesh mban edhe shtytjen e politikës opozitare, të bën të mendosh se ka mjaft gjëra që nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. Një ndër ato është rikthimi i përgjegjshmërisë politike e institucionale, për të cilën Rilindja u betua se do ta kishte bazën e saj qeverisëse. Por pse nuk ka një përgjegjshmëri të tillë për gjithë ato emërime, të cilat opozita i ka cilësuar me precedentë penalë? Dikush mund të thotë se nuk kanë qenë të vërteta. Përderisa janë kryer dorëheqje, do të thotë se ka gjëra që nuk shkojnë. Por kush mban përgjegjësi? Njerëzit sërish shikojnë daljet qesharake publike të njërës palë apo tjetrës në ekrane me moton “ky tha e ai tha”. Pra vazhdohet me të njëjtën metodë pune: Dil në televizor dhe fol të kundërtën e asaj që thotë kundërshtari! Por kjo nuk është politikë. Është thjesht demagogji primitive!

 

Së treti: Në çdo dalje në ekrane, qeveritarët mbrojnë tezën (duket kolektive) se “do të bëjmë reforma”, se “vendi ka nevojë për reforma” etj. Por çfarë reformash, si dhe kur, zor se gjen ndonjë shpjegim. Në daljet publike gjenerohen fjalë pa fund, shpesh edhe konfuze, që përpiqen t’u mbushin mendjen shikuesve se po punohet shumë, kur realiteti tregon ecje të ngadalshme dhe jo rrallë mbetje në vend. Dhe më e keqja është se kur bën ndonjë vërejtje, të thuhet: Prit se ne po punojmë, është akoma shpejt. Të lësh kohën të rrjedhë pa politika konkrete, të ndjeshme dhe efikase dhe t’i japësh përparësi vizionit mediatik, nuk është as më shumë e as më pak, por demagogji! Njerëzit sërish shikojnë se korrupsioni vazhdon, se gjendja në spitale është po e njëjta, se matura shtetërore hyn sivjet njësoj si vitin e kaluar me ndonjë shtesë të vogël sikundër është gjuha e huaj provim i detyruar pa sezon, e që personalisht dyshoj të jetë e suksesshme, se siguria ushqimore është në nivele inekzistente…

 

Politika qeverisëse ka në qendrën e saj çështjet e publikes dhe jo të personales. Rilindja është ende në kohë të kryejë aktin e vërtetë të rilindjes, por kjo nuk bëhet me të njëjtat politika që sollën dështimin e paraardhësve.

 

Berisha e mbajti gjatë pushtetin se u bëri “ndere” me paratë tona militantëve të vet. Nuk mund ta them këtë për Partinë Socialiste, por LSI-ja që shfaqet në ekrane jo kaq shpesh, por me shumë “sharm politik”, sigurisht që po vepron si paraardhësit e pushtetit. Ata po investojnë për militantët e tyre. Në këtë drejtim, Rilindja është dy herë e humbur: e para, nga selfie televiziv dhe e dyta nga dy modele veprimi konkret.

 

Së fundmi: Që të mos zërë vend shprehja “edhe këta njëlloj janë”, lufta kundër korrupsionit duhet filluar jo nga “viktimat” e vogla, por nga peshqit e mëdhenj. Nuk dua të rikthej mendimin gati fiks se gjyqësori është i korruptuar, sepse këtë e dinë edhe fëmijët, por nga koha që nuk pret. Rilindja ka shumë punë për të bërë. Ka vërtet shumë punë, e ndërsa e shpenzon kohën me kurim imazhi viziv, dështimi është në prag të derës. E keqja më e madhe është se edhe opozita aktuale është e modelit më të dështuar demagogjiko-primitiv!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama