Ilir Meta duhet të flasë

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 7 vite më parë

Armand Shkullaku
Ilir Meta duhet të flasë

Duke vështruar herë Ismail Qemalin e herë Bujarin Nishanin, portretet e të cilëve i ka varur të dy në murin e zyrës së tij, Ilir Meta do ta ketë kuptuar se me atë manovër taktike të atëhershme nuk ka ndikuar aspak në zbutjen e konfliktit që mazhoranca ku bën pjesë po nxit me presidencën dhe disa institucione të tjera të vendit. Prej disa kohësh, LSI po tenton të paraqitet si një forcë e ekuilibruar dhe moderuese, por në momente delikate si përplasjet e fundit mes shumicës dhe institucioneve të pavarura të trashëguara, kjo forcë në rastin më të mirë është strukur dhe në rastin më të keq i ka fryrë zjarrit. Ilir Meta, deri më tani ka bërë të vetin një lloj fjalori paqtues dhe një sjellje prej ndërkombëtari, duke u paraqitur si një kryeplak që ndan të drejtën, i bindur se kështu i forcon më tej pozitat e veta tek votuesit. Se shqiptarët mund ta shohin atë si një politikan që frenon lajthitjet e shumicave dhe nuk i merr frymën opozitës. Se në këtë funksion moderator, edhe kalimet majtas- djathtas- majtas… për të qenë gjithnjë në pushtet, janë të pranueshme. E për t’ia dhënë vetes këto atribute, Meta ka luajtur mjaft mirë. Tha publikisht se nuk do ta hiqte foton e presidentit, u tregua “zemërgjerë” me ish-kryetaren e Kuvendit, e lejon jashtë rregullores të flasë ish-kryeministrin Berisha, ulet me të dhe shfaqet mes protestuesve kundër armëve kimike, deklaron se ka nxjerrë gabime nga e kaluara dhe ka hequr dorë nga ekstremizmat në politikë, betohet se ka integrimin qëllimin thelbësor dhe për këtë është angazhuar të nxisë frymën e bashkëpunimit. Ka dhe plot shembuj të tjerë që e paraqesin Metën sot si e mesmja e artë e politikës shqiptare. E nëse në politikë do të gjykohej nga fjalë e truke të tilla, me siguri LSI do ta dyfishonte rezultatin në zgjedhjet e ardhshme. Mirëpo vjen një kohë kur gjykimi nuk bëhet nga vokabulari i përdorur apo sjelljet teatrale, por nga aktet domethënëse, veprimet dhe qëndrimet e qarta politike.

Për LSI gjithnjë e më shumë po afron momenti kur duhet të japë prova në terren për ato që predikon në teori. Sot, kur qeveria është duke gjeneruar një konflikt të panevojshëm me opozitën dhe me disa pjesë të shtetit që nuk burojnë prej saj apo i ka jashtë kontrollit, LSI do të duhej të ishte diga e parë brenda mazhorancës. Fjalët pa qëndrim nuk mjaftojnë. Mbajtja e fotos së Nishanit nuk e shmangu aspak aksionin e Edi Ramës për t’i shpallur luftë Presidentit të Republikës që nga vendimi i parë i qeverisë së tij e deri më tani. Si kryetar i Kuvendit, Meta nuk mund të reagojë vetëm me mesazhe simbolike, por duhet të thotë fjalën e tij kur dëgjon një ministër që me arrogancë i kërkon presidentit të vendoset mbi palët. Po kështu, kryetari i Kuvendit i ka të gjitha hapësirat ligjore të sqarojë situatën e të vërtetojë se kush ka të drejtë në aferën SHISH- Ministri e Brendshme. Në vend të përdorë deputetë rrangallë për të mjegulluar më shumë këtë histori, kryeparlamentari mund të bënte vërtet arbitrin duke shmangur një përplasje të mazhorancës me Shërbimin Informativ, që në fund të fundit dëmton krejt shtetin. Madje një akt i tij që do t’i shërbente të vërtetës mund t’ia rriste pikët shumë më tepër se “toleranca” ndaj Sali Berishës në parlament. Këto akte të shefit të LSI mund të merreshin jo si kundërvënie ndaj qeverisë ku dhe ai është pjesë, por si një lloj balance e shëndetshme ndaj revanshit tradicional që e josh pushtetin në Shqipëri. LSI e pati provuar diçka të tillë edhe kur ishte në qeveri me Berishën dhe doli kundër shkarkimit të kryetarit të atëhershëm të SHISH apo luftoi për të patur një president sa më konsensual. Këto veprime që përbënin qëndrime të qarta politike dhe jo lojëra tolerance, patën mbështetje publike pikërisht sepse shiheshin si frenim ndaj devijimeve të pushtetit dhe për pasojë zbusnin klimën politike në vend.

LSI është vënë tashmë në provë për të luajtur realisht rolin që vetë ka marrë përsipër. Ajo nuk foli gjatë shembjeve selektive, pranoi të zhbëhej konsensusi për të cilin predikoi aq shumë gjatë qeverisjes me Berishën, nuk po ndihet për aksionet arbitrare të qeverisë që nxisin tension si ato me INUK e gjoba masive, po ngre dyshime për qëndrimin ndaj SHISH dhe konfliktin me kreun e shtetit, veprime këto që po minojnë frymën e bashkëpunimit dhe rrezikojnë seriozisht statusin e vendit kandidat në qershor. LSI, e cila thotë se integrimi është misioni i saj historik, e në emër të tij argumenton edhe kapërcimet politike, do të duhej të kishte një qëndrim për këtë që po ndodh aktualisht. Qytetarët nuk presin që Ilir Meta të kthehet në një aksesor të Edi Ramës, por të qëndrojë si një siguresë ndaj lajthitjeve të mundshme të pushtetit të tij personal. Këtë mision Ilir Meta e ka marrë vetë përsipër në rolin e ri që i ka dhënë forcës së tij politike, si një urë moderuese mes palëve, pavarësisht se në cilin krah gjendet i rreshtuar. Këtë duhet ta bëjë me qëndrime dhe jo me simbolika, ndryshe, në ballafaqimin e ardhshëm me votuesit nuk do ta ketë të lehtë të shpikë një fabul të re. Prandaj, për këtë që po ndodh së fundi në Shqipëri, Ilir Meta duhet të flasë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama