Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dhelprat dhe Luanet e politikes Shqiptare

Shkruar nga: Zamira Cavo  
Botuar më: 11 vite më parë

Zamira Cavo
Dhelprat dhe Luanet e politikes Shqiptare

Teksa dëgjon një seancë parlamentare, e kupton se sa e domosdoshme është bërë nevoja e zëvendësimit të elitarëve të vjetër të politikës shqiptare. Kjo nevojë diktohet nga realitetet e reja, nga ndryshimet që vetë shoqëria shqiptare ka përjetuar në këto 23 vite. Thuhet se cilësia e demokracisë varet nga cilësia e udhëheqësve të saj. Dhe nëse ne sot, pas gati një çerek shekulli përpjekje për të ndërtuar demokracinë, konsiderohemi si vend me tipare demokratike dhe jo një vend demokratik. Kjo është pa dyshim “meritë” e cilësisë së liderëve tanë politikë. Mendoj se Shqipëria do të marrë frymë lirisht, kur ndryshimi i elitës politike do ketë përfunduar në favor të një elite demokratike.

 

Me zgjedhjet e 23 qershorit 2013, Shqipëria ndjeu një lehtësim, jo sepse në pushtet erdhi e majta, por sepse Sali Berisha nuk do të ishte më fytyra e vetme në ekrane dhe pushteti i tij, pushteti i vetëm në vend. Pavarësisht lotëve të derdhur nga militantët fanatikë, largimi i Berishës edhe nga drejtimi i Partisë u prit si një ogur i mirë për një politikë tjetër. Por duket se Berisha ende tenton ta mbajë të lidhur për gryke Partinë Demokratike dhe Parlamentarizmin shqiptar. Egërsia e tij politiko-linguistike dëshmon për pamundësinë që ka Partia Demokratike për ta “lënë mënjanë” liderin e saj të kaluar. Kjo dobësi e kësaj partie, pa dyshim është dobësi e demokracisë sonë. Çfarë bën realisht Partia Demokratike për të rekrutuar individë të tjerë me fytyrë të re në lidershipin e saj? Realisht shumë pak, për të mos thënë aspak. Dhe këto pak përpjekje tentojnë, për sa kohë që udhëhiqen ende nga Berisha, të rekrutojnë individë fotokopje të filozofisë së tij të drejtimit. Personalisht më vjen shumë keq tek shikoj e dëgjoj z. Basha që mundohet t’i përngjasojë Berishës, por sigurisht në një mënyrë qesharake. Fotokopjet asnjëherë nuk janë më të mira se origjinali!

 

Në Partinë Socialiste duket se ndryshimet po ndodhin me një shpejtësi konstante drejt zëvendësimit. Politika “new generation” e Ramës ka kohë që si pa u ndier e ka futur procesin e rekrutimit të të rinjve në politikë. Falë terrenit tolerues dhe demokratik të kësaj partie ndryshimet nuk kanë qenë traumatike. Cilësia e elitës së re që po përgatitet në këtë parti vlen të studiohet, po ashtu si edhe procedurat që ndiqen për rekrutimin e saj. Kur vetë Rama të zëvendësohet, do të shihet edhe rezultati i këtij modeli.

 

Në LSI është shumë shpejt për të folur për ndryshim elite, por kjo parti duket se ka një model të vetin të krijimit të elitës së saj. Pavarësisht kësaj, lideri i kësaj, force z. Meta, në nivel makro, është padyshim element i rëndësishëm i elitës që duhet zëvendësuar.

 

Në politologji njihen dy tipe elitash, ajo e “dhelprave” dhe ajo e “luanëve”. Të parët janë ata që “gjurmojnë” rastin, janë pa skrupuj, janë të aftë të realizojnë çdo lloj koalicioni pa iu dridhur qerpiku për humbjet e vendit apo koherencën morale. Për ta, parimi kryesor është “fitimi”. Kjo elitë politike shfaq zgjuarsi në kapjen e rastit, në zgjidhjet e krizave afatshkurtra dhe është pa dyshim mjeshtre e kapjes së pozicioneve të rëndësishme në politikën qeverisëse. Dhe natyrisht që në politikë, “dhelprat” rekrutojnë “dhelpra”. Kjo elitë zëvendësohet vetëm me forcë dhe vetëm atëherë kur, siç thotë G.Parry: “mungesa e efektivitetit të drejtimit prej saj sjell pakënaqësi të madhe të masave, që të drejtuara nga ‘luanët’ e përmbysin si elitë.”

 

Tipi tjetër i elitës, “luanët”, shquhen për aftësitë e tyre intelektuale dhe aftësitë për të vendosur rendin dhe qetësinë, për të siguruar një qeverisje të fortë. Koha ka vërtetuar se as vetëm dinakëria, por as vetëm rendi dhe qeverisja e fortë nuk mjaftojnë për të ecur në politikë. Ndaj elitës së luanëve i duhet rekrutimi i “dhelprave”, por “luanët” nuk e kuptojnë se jo shumë kohë pas kësaj “dhelprat” e rigjejnë veten në tërësinë e elitës politike, duke e rimarrë gradualisht të gjithë pushtetin.

 

Ndaj ajo që duhet të na shqetësojë është përgatitja e “tokës” që rrit individë elitarë, me synim që elita e ardhshme politike të jetë një elitë me qasje demokratike të shëndetshme.

 

Së pari, elitat formësohen në sistemin arsimor. Shqipëria është në ngërç serioz në këtë pikë. Edukimi është pa dyshim çështje politike. Nëse shikojmë krimet në Shqipëri, vihet re se shumica e tyre kryhen nga të rinj, jo rrallë nga adoleshentë. Dhe të gjithë të “arsimuar” në ndonjë rast dhe me diplomë universitare. Rekrutimet që elitat partiake bëjnë, jo rrallë lidhen me këtë kategori individësh, të cilët sjellin frymën e “së resë” në politikë. Individë të tillë kanë ngjitur shkallët e karrierës politike dhe në ndonjë rast janë bërë pjesë e parlamentarizmit shqiptar. Dhe kuptohet se në çfarë “qerthulli” do të kërkojnë të rekrutojnë të tjerë. Është ngritur në sistem përfitimi i një pasurie pa punuar, por duke u marrë me politikë. Jo rrallë krimi i sheh partitë politike si streha të mundshme. Të tjerë të rinj shkojnë pas partisë së “preferuar” pasi janë të bindur se duke bërë karrierë në këtë parti, duke i shërbyer sa më mirë liderit të saj, kanë mundësi përfitimi maksimal vetjak. Sistemi arsimor shqiptar duhet të krijojë mbi të gjitha qytetarin shqiptar, me virtyte të qenësishme. A nuk bëri të njëjtën gjë dhe Anglia, kur futi të detyruar “edukimin qytetar” në ciklin e saj arsimor në të gjitha nivelet parauniversitare? Pyetja shtrohet: Kush do ta bëjë këtë reformë?

 

Së dyti, elita menaxheriale në vendin tonë, si një ndër elitat e rëndësishme në një vend, është e kapur keqas nga veset e një ekonomie të trazuar dhe pa rregulla. Kjo “elitë” më shumë ndikon negativisht në qëndrimet e saj ndaj elitës politike se sa e nxit atë për politika të qëndrueshme publike. Dhe universitetet tona që përgatisin menaxherë biznesi janë shumë larg një formimi të qëndrueshëm politik dhe profesional të tyre. Ky është një rreth tjetër vicioz, i cili duhet çarë domosdoshmërisht.

 

Së treti, opinioni ynë publik, për shkak dhe të nivelit të ulët kulturor dhe indiferencës gjenetike, është shumë i ndikueshëm nga idetë e politikës. Këta shfaqen në median tonë, sipas varësisë që kanë këto të fundit me politikën. Opinionistët e kudondodhur dhe gjithëditur bëjnë ekspertin për çdo gjë, duke krijuar ide krejtësisht të gabuara në opinionin publik dhe duke e nxjerrë atë jashtë lojës së demokracisë. Ndaj problem i madh mbetet ridimensionimi i masmedias shqiptare dhe profesionalizimi i gazetarëve dhe opinionistëve qytetarë dhe jo rrogëtarë.

 

Sikundër shihet, edhe pse nevoja e zëvendësimit të elitës politike ka trokitur, ne ende nuk jemi gati të promovojmë një elitë politike të shëndetshme, që edhe pse mund të përzgjidhet nga lideri, të jetë e aftë të ruajë vlerat e veta morale, profesionale dhe demokratike. Pavarësisht kësaj, elementët elitarë të politikës së vjetër gradualisht duhen larguar nga politika, me dhunë apo me dinakëri, kjo u takon elitave të reja.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama