Shqiperia myslimane dhe Europa

Shkruar nga: Zamira Cavo  
Botuar më: 7 vite më parë

Zamira Cavo
Shqiperia myslimane dhe Europa

Edhe pse besoja sinqerisht që këtë fundviti Shqipëria do të merrte statusin e vendit kandidat, sërish kisha një dyshim. Ky dyshim vinte nga fakti i një rezultati që, censusi ynë nxori mbi popullsinë shqiptare. Sipas këtij censusi, në vendin tonë, 57.2% e popullsisë është myslimane. A është “faji” i shqiptarëve që i përkasin kësaj feje? – mund të pyesë dikush. Sigurisht që jo! Por Europa vazhdon të mbetet skeptike ndaj popullsive me fe të ndryshme nga e saj. A nuk është sjellë po kaq dyshues Bashkimi Europian ndaj Turqisë? A nuk e lodhi Turqinë pritja e gjatë me shpresën se vit pas viti do bëhej pjesë e Europës? Pse mendoj se Europa vazhdon, në pjesën më të madhe të saj, të mbajë qëndrim dyshues e deri diskriminues ndaj popullsive me fe myslimane? Kam disa arsye:

Së pari, besoj se duhen marrë në konsideratë faktorët socio-demografikë. Popullsia shqiptare është në më shumë se gjysmën e saj popullsi myslimane, duke e bërë vendin një vend mysliman. Nga ana tjetër, mosha mesatare e popullsisë shqiptare është rreth 30 vjeç. Pra një popullsi e re, e cila ka mundësinë potenciale të rritet me hapa më të shpejta se popullsia tashmë e plakur europiane. Ky fakt e bën edhe më të dukshëm skepticizmin europian, i cili e ka, të themi, paranojë historike frikën nga myslimanizmi. Sipas studimeve, individët me moshë nën 30 vjeç, sot përbëjnë 49% të popullsisë myslimane në Europë dhe brenda viti 2030 mendohet që ky grup individësh, pra në moshën 30-vjeçare, të arrijë në 42% të popullsisë myslimane europiane, përkundrejt 31% të popullsisë jomyslimane që jeton në Europë. Ky ndryshim kahesh, sigurisht nuk është fort i mirëpritur në Europën tradicionaliste nacionaliste. Ndaj ajo preferon të shtyjë në kalendat greke, pritjen e shqiptarëve për t’iu bashkuar BE-së, edhe pse e di mirë se popullsia shqiptare është sot për sot, me dëshirën dhe besueshmërinë më të madhe ndaj BE-së.

Së dyti, është e vërtetë që sot ka shumë popullsi myslimane në vendet e BE-së dhe kjo shifër sot numëron rreth 15-20 milionë. Brenda 2025 mendohet që kjo shifër të dyfishohet. Dhe pse kjo popullsi është pjesë integrale e vendeve të BE-së, sërish perceptimi për ta është i dyshimtë. Ata vazhdojnë të jenë objekt diskriminimi dhe poshtërimi, madje shpesh dhe objekt konfliktesh mes grupeve të ndryshme. Sfida e BE-së është shumë e madhe në lidhje me sigurimin e të drejtave të kësaj pjese të popullsisë, të cilën e kanë brenda vetes. Është i kuptueshëm pra skepticizmi i BE-së për të shtyrë sa më shumë statusin për Shqipërinë. Ideja se “ne mezi po përballojmë këta që i kemi brenda” e bën më të kuptueshëm refuzimin ndaj statusit për Shqipërinë.

Së treti, diskriminimi fetar është një barrierë e fortë e pjesëmarrjes së popullsisë myslimane në jetën e vrullshme socio-politike të Europës. Niveli i diskriminimit të popullsisë myslimane në vendet e Europës në 5 vitet e fundit është shtuar. Kjo e bën edhe më të fortë reagimin e popullsive jomyslimane ndaj mospranimit ose më mirë zgjerimit të hartës europiane me një shtet mysliman. Nga ana tjetër, debati mediatik në lidhje me këtë diskriminim, është gjithnjë në favor të popullsisë jomyslimane. Media amplifikon çdo rast të dukshëm dhune, krimi apo mosbindjeje që vjen nga ana e individëve me përkatësi fetare myslimane. Ndaj nuk është shumë e vështirë të kuptohet perceptimi tërësisht i gabuar i qytetarëve autoktonë europianë, ndaj popullsisë myslimane, si bartëse e një “kulture të prapambetur” si bartëse e konflikteve, që janë pasojë e kësaj kulture etj., etj. Kjo situatë është e dukshme në vendet e zhvilluara europiane. Studimet që janë kryer përfshijnë vendet e Europës Veriperëndimore si Holanda, Danimarka, Anglia, Franca etj. Pikërisht këto vende ishin dhe më skeptiket në raport me pranimin e Shqipërisë, si një vend me një status kandidat.

Së katërti, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë gjithnjë problematike për Europën dhe imazhi i europianëve për popullsitë e këtyre vendeve është në një masë të dukshme dyshues. Serbia është vendi i fundit jomysliman që kërkon të aderojë në BE. Nëse ky vend do kishte treguar një minimum qartësie politike në lidhje me Kosovën, unë jam e bindur se sot do kishte qenë krahas Kroacisë në BE. Ndaj mendoj se Serbia sërish do jetë hapa para nesh në bashkimin e saj me Europën. Realisht BE-ja ka përkrahur me shumë më pak kushte dhe ka pranuar në gjirin e saj vende të tilla si Rumania apo Bullgaria, që nuk janë fort larg reformave tona institucionale apo sociale. Fakti që BE-ja nuk shton “kërkesat” apo kushtet, sikundër jemi mësuar t’i dëgjojmë deri më sot, ndaj nesh, e bën edhe më paragjykues mendimin se shkaku i parë dhe më kryesor, është qenia një vend me popullsi myslimane.

Së fundmi, perceptimi për shqiptarët dhe Shqipërinë në Europë nuk është i mirë për shkak edhe të problematikës politike që kemi demonstruar në këto vite. Kjo, sidomos në politikën tonë të jashtme. Ambasadat tona në Europë, për shkak, herë të buxheteve të vogla, e herë për paaftësi të personave që e përbëjnë trupën tonë diplomatike, nuk kanë mundur ta përcjellin realitetin e një populli që historikisht është detyruar të luftojë i vetëm për mbijetesën e tij dhe që gjithnjë ka aspiruar t’i bashkohet Europës, e cila ende vazhdon ta refuzojë. Shqipëria ka nevojë për një diplomaci kulturore të hapur, e mbi të gjitha, ka nevojë për një kohezion politik të qëndrueshëm.

Gjithsesi, politikat për zhvillimin tonë ekonomik e reformat tona, ne duhet t’i bëjmë për vete, pasi Europa duket se do na i mbajë dyert mbyllur edhe për disa kohë…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama