Pse i duhej Korça kryeministrit Rama

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 8 vite më parë

Armand Shkullaku
Pse i duhej Korça kryeministrit Rama

Kryeministri Rama ka zgjedhur të heshtë deri tani për skandalin e rëndë të blerjes së votave në Korçë, të zbuluar dhe denoncuar nga emisioni investigativ “Fiks Fare”. Në kulmin e betejës së tij populiste kundër paligjshmërisë, Rama ka legalizuar bixhozin me votat e qytetarëve duke iu shmangur përgjegjësisë dhe duke mbyllur gojën e sytë përpara një akti që do të bënte me turp çdo lider politik, aq më tepër dikë që ka premtuar të ndryshojë sistemin e të rilindë vendin. Me heshtjen ndaj rastit të Korçës, janë forcuar dyshimet për çka ka ndodhur më 23 qershor dhe është dhënë një shembull i keq se deformimi i vullnetit të zgjedhësve nuk do të ketë të ndalur as pas ndërrimit të pushtetit. Përbetimet se vota e lirë nuk do të preket, paskan qenë thjesht pjesë e koshit të premtimeve për të ardhur në pushtet.

Edi Rama mund të kishte reaguar fort për atë që ndodhi. Të distancohej nga ajo skemë e shëmtuar, ku të rinj nevojtarë dëshmonin devocionin ndaj partisë në këmbim të 2 mijë lekëve. Të shkarkonte krerët lokalë përgjegjës dhe pse jo, të kërkonte ai vetë përsëritjen e zgjedhjeve në Korçë. Kjo do të ishte “forca e shembullit” që nuk do të kishte vlerë vetëm për Korçën, por për të gjithë Shqipërinë. Që do të rriste besimin e qytetarëve tek vota e tyre dhe do ta bënte Ramën një lider që bën diferencën.

Mirëpo ky mbetet iluzion. Të gjithë e kanë të qartë, edhe ata që e kanë votuar e mbështetur, se Edi Rama që flet nuk është Edi Rama që vepron. Se filozofia e tij është ajo e mbijetesës nëpërmjet intrigave të vogla, kompromiseve pa princip apo aleancave të paturpshme dhe jo ajo e akteve të forta morale politike. Prandaj në vend të distancimit ndaj skandalit të Korçës, sajoi justifikime qesharake si pagesat e furgonëve për studentë aktivistë të FRESSH-it. A i shkon një kryeministri, një lideri të një force të madhe politike të fshihet pas teksteve infantile që një kryetar dege dhe disa studentë i recitojnë përmendësh? Këto manovra vërtetojnë edhe njëherë se Edi Rama që flet nuk është ai që vepron. Në zgjedhjet lokale të 2011-ës dhe në ato të 23 qershorit, vetë Rama bërtiste me të madhe për biletat e avionit që PD u paguante të rinjve të FRPD për të ardhur e votuar. Në spote elektorale të PS shiheshin duar në pranga si kërcënim për ata që do të ofronin shpërblim në këmbim të votës. Rilindja denonconte me të madhe përdorimin e shkollës nga politika dhe premtonte se tjetër shembull do të jepte kur të vinte në pushtet. Dhe shembull më të mirë se ky i Korçës nuk mund të jepte për t’u treguar qytetarëve se rilindasit që flasin nuk janë ata që veprojnë. Projekti i ri për arsimin, modernizimi i shkollës, motivimi i të rinjve nga dija, profesioni dhe merita, u shfaq si degradim i personalitetit të tyre duke u vënë në radhë për një mëditje elektorale. Mësimi i parë që ata morën nga rilindja është se vota ka çmim dhe se për të ecur në jetë duhet ta shesësh atë atje ku duhet. A mund të mendojë një student sot se nesër do të punojë për shtetin shqiptar pa qenë i kushtëzuar me votën e tij? Heshtja e kryeministrit është një bekim për devijimin dhe një ndëshkim për mendjet e lira.

Rasti i Korçës do të cilësohej sporadik nëse kryeministri do të ishte distancuar prej tij. Për më tepër kur nuk kishte arsye të njollosej në një palë zgjedhje ku fitorja dukej e sigurt. Çfarë nevoje kishte, pyesin shumë njerëz, të prekte zgjedhjet për një kryetar bashkie, kur sot ka një pushtet të fortë e të parrezikuar. Përgjigja nuk lidhet vetëm me zgjedhjet në Korçë. Ajo ka të bëjë me filozofinë që Edi Rama ka ndaj pushtetit, që e konsideron produkt të vullnetit të tij dhe jo të ligjit. Që kërkon t’i ketë të gjitha dhe gjithçka pa dhënë llogari dhe pa bërë transparencë, vetëm me argumentin se ai ka gjithnjë të drejtë. Se për të, Shqipëria është një bashki e madhe, ku ai është kryetari-pronar që vendos që nga emërimet e deri tek votimet. Ka të bëjë me atë Edi Ramë që nuk duron dot ta kritikojnë, që e bezdisin ata që mendojnë ndryshe, që nuk pranon gafat e tij edhe kur ato janë skandaloze si votimi në Korçë. Ai kërkon të mbetet lideri i pagabueshëm edhe kur blerja e votës del sheshit, edhe kur aksionet e policisë kthehen në flluska sapuni, edhe kur kazinotë rihapen, edhe kur prishja e ndërtimeve shkon përtej ligjit. Ai nuk do të pranojë publikisht thelbin e tij, që është krejt ndryshe nga ajo që predikon përpara kamerave.

Edi Rama nuk kishte nevojë të prekte zgjedhjet në Korçë, ashtu siç nuk ka nevojë të lërë hapur derën e mazhorancës për dezertorë nga kampet e tjera politike. Ai e ka fitoren, i ka numrat, e ka mbështetjen e duhur që të punojë i qetë për premtimet që ka marrë përpara shqiptarëve. Por përsëri nuk ndihet komod, kërkon më shumë. Ndoshta sepse thellë, brenda vetes, është koshient se në atë karrige nuk mundi asnjëherë të vinte falë betejave të veta politike, por si rezultat i një përkuljeje pa dinjitet ndaj Ilir Metës. Prandaj ai nuk beson tek forca e moralit, tek aktet e dinjitetshme politike, por tek mekanizma si ai Korçës apo i blerjes së deputetëve si shembuj të fuqisë së tij politike. Është filozofia e tij politike si kryetar bashkie, si kryetar opozite dhe tani si kryeministër. Nuk mund të presim që Edi Rama që qeveris Shqipërinë të jetë ndryshe nga ai që kemi njohur. Këtë duhet ta mësojnë edhe studentët kur të vijë koha e 2 mijë lekëshit të ardhshëm.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama