Entuziazmi i Ramës për vëlla Taipin

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 8 vite më parë

Armand Shkullaku
Entuziazmi i Ramës për vëlla Taipin

Ismail Qemali, pak kohë pasi u var me vendim qeverie në muret e institucioneve shtetërore shqiptare, tani u bë edhe me vëlla. Jo një vëlla dosido, por një vëlla të shtrenjtë, që pas 100 vjetëve ia gjeti një rilindas i ditëve tona. Në një ceremoni që nuk mund ta ndeshësh në asnjë vend normal perëndimor, ku mbizotëronte entuziazmi provincial dhe patetizmi demode, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpalli dashurinë pa kushte për vëllain e rigjetur. Në fakt është i njëjti vëlla, që e kishte bërë të thartohej kur erdhi gjatë fushatës në qershor të vitit 2009 të përuronte Rrugën e Kombit në krah të Sali Berishës, por atëherë me siguri që Rama nuk i kishte zbuluar ende “lidhjet e gjakut”.

 

Tani që është kryeministër vetë, edhe Erdogani është vëllai ynë. Shfaqje të tilla si ajo e të mërkurës në Prizren nuk kanë asnjë lidhje me diplomacinë dhe politikën e jashtme të një shteti që synon anëtarësimin në BE. Për shqiptarët këto deklarata dashurie dhe vëllazërie janë atavizma të kohërave në të cilat provuan nënshtrimin dhe izolimin, dhe jo marrëdhënie të dinjitetshme partneriteti dhe reciprociteti. Janë skena që të sjellin ndërmend dalldisjen pas vëllezërve sovjetikë e atyre kinezë, rrënimin e dinjitetin dhe brohoritjet për çdo lider të pushtetshëm që i donte aq shumë shqiptarët. Fotos së tre kryeministrave në skenën teatrale në Prizren i mungonte vetëm shënimi: Tre luanë ka Ballkani/ Hasha, Edi, Erdogani. Po nëse Thaçi dhe Erdogani, njëri për fushatë elektorale dhe tjetri për ta shtrirë depërtimin turk aty ku kanë ardhur dikur të parët e tij, kanë arsye për atë performancë alla turka në Prizren, kryeministri Rama mund t’ia kishte kursyer vetes dhe Shqipërisë një pozitë të tillë.


Edi Rama nuk është një rockstar që përshëndet fansat duke zbritur shkallët e aeroportit apo një nga ato yjet e Hollivudit që fashinohen pas liderëve të fortë të botës dhe këpusin mufka dashurie nga lehtësia e mosnjohjes së gjërave dhe papërgjegjshmëria që iu fal profesioni. Edi Rama është kryeministër i Shqipërisë dhe duhet ta dijë, ose dikush ka për detyrë t’ia thotë, se kanagjegji ku ishte aktor kryesor zhvillohet në zemër të fushatës elektorale në Kosovë dhe përkrahja e tij për kandidatin e PDK në Prizren është një ndërhyrje që lëndon partitë e tjera që janë në garë. Hashim Thaçi ka qenë shumë i kujdesshëm për ta evituar të njëjtën skenë kur Erdogan erdhi në Shqipëri gjatë fushatës elektorale të vitit 2009. Kryeministri shqiptar nuk ka asnjë arsye të marrë anë në një garë që duhet ta ndajnë votuesit në Kosovë dhe të shfaqet si mbështetës i një krahu të caktuar politik.

 

Ai duhej ta dinte gjithashtu se kandidati i PDK në Prizren, ashtu si dhe disa eksponentë të tjerë të kësaj partie me të cilët është afruar më parë, ndodhet nën hetim gjyqësor i akuzuar për korrupsion. Thaçi vërtet e ka shpallur Prizrenin si Jerusalemin e PDK, por kryeministri shqiptar nuk është pjesë e kësaj sfide. Pas problemit që shkaktoi me LDK në vizitën e tij të parë si kryeministër, rreshtimi në Prizren është një ndarje tjetër jo vetëm me LDK, por me të gjithë atë pjesë të politikës dhe shoqërisë në Kosovë që nuk mendon si Hashim Thaçi.

Një kryeministër i kujdesshëm, që nuk e rrëmben gjaku i vëllazërisë, duhet të jetë i informuar gjithashtu se depërtimi turk në Kosovë ka provokuar reagime të shumta tek një pjesë e madhe e shoqërisë që dyshojnë se pas privatizimeve të aseteve publike nga kompanitë turke fshihen afera korruptive dhe familjarë të kryeministrit Erdogan janë të përfshirë në to. Një tjetër debat që do të duhej të respektohej nga kryeministri i Shqipërisë është edhe ai që po zhvillohet prej gati dy vitesh në Kosovë pas kërkesës së ministrit turk të arsimit, po në Prizren, për rishikimin e teksteve të historisë, ku periudha e sundimit osman të konsiderohet si bashkëjetesë dhe jo si pushtim.

 

Vëllazëria pasionante me kryeministrin Erdogan, edhe në emër të së shkuarës, është një ndërhyrje brutale në këtë debat e Shqipërisë dhe shkon në sinkron me strategjinë e neootomanizmit për të zbutur dhe zbardhur të kaluarën në emër të rikthimit të Turqisë së sotme si një fuqi qendrore në Ballkan. Po kështu, Edi Rama do të duhej të kishte parasysh ndjeshmërinë e lartë që ekziston në Kosovë ndaj tentativave të islamit radikal për të ndërhyrë në laicitetin e shtetit dhe qëndrimin e zotit Erdogan dhe partisë së tij në Turqi që kur kanë ardhur në pushtet. Por mbi të gjitha, kryeministri i Shqipërisë me entuziazmin që shfaqi në Prizren ndaj vëllait të madh turk, ngriti pikëpyetje të madhe për modelin që ka për zemër në drejtimin e shtetit. Erdogan dhe partia e tij janë shumë larg modeleve perëndimore për të cilat thotë se synon Edi Rama. Në Turqi, të drejtat e njeriut kanë ardhur duke u tkurrur, opozita ndihet e shtypur dhe burgosjet e gazetarëve e kanë kërcënuar seriozisht lirinë e shprehjes. Shteti është në duart e një njeriu dhe bizneset private goditen në mënyrë selektive.



Kryeministri i Shqipërisë sigurisht nuk ishte ftuar për të mbajtur qëndrime kritike ndaj homologut turk dhe për interesa strategjike të Shqipërisë i duhet të ketë raporte sa më të mira me Ankaranë. Por kur ato kalojnë kufijtë normalë të marrëdhënieve ndërshtetërore, kur kthehen në deklarata dashurie dhe historie, kur përzihet gjaku dhe politika, nuk kanë asgjë të përbashkët me diplomacinë moderne perëndimore. Deri tani, Edi Rama na bëri vetëm me një vëlla, të shohim se ç’do të na sjellë më vonë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama