Rama, Berisha dhe Kryeministria!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 9 vite më parë

Blendi Fevziu
Rama, Berisha dhe Kryeministria!

Kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë lënë pas shumicën e adoleshentëve të Shqipërisë, duke u bërë protagonistët numër një të rrjetit social më popullor në Shqipëri, “Facebook”. Më shumë se sa në sallën e Parlamentit; më shumë se sa përpara kamerave apo në faqet e gazetave kanë nisur dhe preferuar këtë stil të ri përballjeje. Një përballje që ka mbajtur pezull mediat dhe vëmendjen e publikut, edhe pse është e para e llojit të saj në Shqipëri. Thuajse pa përmendur emrin e njëri-tjetrit, ata kanë postuar statuse dhe foto, thelbi i të cilave është përplasja për ambientin e selisë së Këshillit të Ministrave dhe gjendjen aktuale të saj. Gjithçka nisi 48 orë pas hyrjes së qeverisë së re në zyrë dhe postimit që Edi Rama u bëri disa fotove të marra në ambientet e brendshme të Kryeministrisë. Foto të përzgjedhura me kujdes për të krijuar ndjesinë e keqe të një godine ku kujdesi thuajse mungonte plotësisht.


Postimi i fotove nga Kryeministri i vendit, pa dyshim që ishte gabim. Ishte një gabim nga ato që Rama i kuptoi edhe vetë përderisa tentoi ta relativizojë si lajm duke postuar edhe fotot të tjera të institucioneve, përtej atyre të selisë së Kryeministrisë. Personalisht mendoj se ka dy mënyra se si duhet parë ky debat. Duke nisur nga akuzat e Ramës.


E para, Rama është votuar për Kryeministër i Shqipërisë, dhe jo sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Gjesti parë i tij duhej të kishte më shumë lidhje me administrimin e vendit dhe me vendimet e mëdha politike, sesa me kurimin e imazhit të selisë së Kryeministrisë. Më e denjë ishte që ai të qëmtonte në vendimet politike të qeverisë paraardhëse, dhe jo në bodrumet apo depot e Kryeministrisë. Dhe as në garazhet e saj. Ky debat, pa ndonjë impakt të madh, ishte në fakt edhe një shmangie nga problematika e madhe me të cilën Rama ka premtuar se do të përballet.
E dyta, postimi i fotove nga Kryeministri në llogarinë e tij në Facebook u duk si një “akuzë” dhe “goditje” ndaj Kryeministrit paraardhës. Rama e di që zyra ku punoi për tetë vjet Sali Berisha është rikonstruktuar nga Kryeministri Ilir Meta në vjeshtën e 2001-shit. Atëherë ajo tentoi të sillte një imazh disi më ndryshe të institucioneve shqiptare, imazh që i përputhej një kursi të ri zhvillimi të vendit pas luftës së Kosovës. Në atë zyrë, me ndonjë spostim të vogël ka punuar edhe Kryeministri Majko; edhe Kryeministri Nano e së fundi për tetë vjet Sali Berisha. Ishte një zyrë normale, e denjë për një Kryeministër, por që nuk reflektonte shkëlqimin e dikurshëm të asaj godinë dhe as trashëgiminë me vlerë që Gerardo Bosio, arkitekti i saj, kishte lënë aty.


Rama e dinte po ashtu që mermerët e sharruar të Kryeministrisë dhe dëmtimi i rifiniturave origjinale nuk ishte bërë nga administrata e Berishës, por nga një rikonstruksion i saj në vitin 2003. Rikonstruksion madje për të cilin as Nano nuk dinte gjë. Rama e merrte me mend që në tetë vitet e tij si Kryeministër, Berisha s’ka shkelur në asnjë cep tjetër të godinës veç korridorit që të çon në zyrën e Kryeministrit, dhe zor se ka qenë kureshtar të shohë se ç‘ndodh përreth, detyrë që, normal, në atë godinë e ka tjetër kush. Ai e di që edhe nëse ato korridore s’kanë qenë aq të bukura sa mund të ishin, Berisha zor se ka kthyer kokën të shohë detaje. Të akuzosh Berishën me fotot që qenë qëmtuar nëpër godinë, edhe pa ia përmendur emrin, është thjesht spekulim.


Postimi i fotove dhe dueli i tyre ishte njëra anë e këtij debati që ndezi mediat dhe rrjetet sociale më shumë se sa një debat thelbësor, si ai i ndryshimit të sistemit të kontrollit të biznesit të kompanive VIP, apo ai i ndalimit të importit të mbetjeve urbane. Ana tjetër e të njëjtit debat është rikonstruksioni i fasadës, zyrës dhe disa ambienteve të tjera të selisë së qeverisë që Rama po bën. Duke hequr transparencën financiare (që duhet bërë patjetër) dhe ndjekjen e procedurave ligjore (po aq e detyrueshme), nuk besoj se ajo që po ndodh është as mëkat dhe as gabim. Akoma më tepër, kam bindjen që Rama dhe ekspertët që ai ka vënë në ndjekje të saj, Lame dhe Shkreli, pa dyshim që mund të sjellin një produkt shumë afër atij origjinal, të denjë për ndërtesën e qeverisë dhe zyrën e një Kryeministri. Të gjithë e dimë që rrethimi i Kryeministrisë në shkurt 2004 ishte pa leje nga Bashkia dhe një ndërtim i paligjshëm; e dimë që garazhet e ndërtuara midis Kryeministrisë dhe Ministrisë së Integrimit kishin ngritur kokë, ditë pas dite, pa asnjë llogaridhënie dhe sipas tekave të shoferëve të njërit apo tjetrit; të gjithë e dimë që lulishtja pas QKR ishte shndërruar në një tokë të braktisur dhe të shëmtuar në zemër të qytetit. Rikthimi i tyre në formën e parë është pa dyshim një vendim për t’u përshëndetur.

 

Siç është edhe ai i kryetarit të PD, Basha, për lirimin e hapësirave të dikurshme të SHQUP dhe kthimin e tyre në një ambient publik për qytetarët. Nuk ka asnjë dyshim që zyra e Kryeministrit mund të jetë shumë më dinjitoze dhe përfaqësuese me mobiliet që Bosio kishte dizenjuar për të; me mermerin origjinal në vend të laminatit, apo me grilat e racionale në vend të perdeve të rënda të damaskut. Përderisa kjo mund të realizohet, përderisa ambienti ku rri Kryeministri i Shqipërisë në katin e dytë (përfshi zyrën e tij, sallën e madhe, sallën e dikurshme të ngrënies dhe dy korridoret) mund të rikthehet ashtu siç ishte, kjo është një gjë pozitive për vendin. Madje shumë pozitive. Rama ka dëshmuar se ka ditur të ndërtojë ambiente interesante në vendet ku ka punuar: Ministrinë e Kulturës, Bashkinë apo edhe PS. Profesioni i piktorit e ka ndihmuar në këtë drejtim dhe askush s’ia ka mohuar këtë. Por mund ta bënte të gjithën pa bujë e pa akuzuar padrejtësisht njeriun të cilit i zuri vendin. Dhe pa dyshim, në përputhje me ligjet e shtetit. Edhe pse ky nuk është debati më i rëndësishëm në vend, unë besoj se një seli përfaqësuese edhe e kuruar me kujdes, dëshmon seriozitetin e shtetit dhe, mbi të gjitha, vazhdimësinë e tij. Madje rikonstruksioni i Kryeministrisë duhet vijuar me atë të Pallatit të Brigadave apo selisë së Parlamentit. Për të treguar kujdes ndaj asaj trashëgimie që në fakt është aq e pakët në Shqipëri. Por theksoj edhe një herë, kjo s’duhet parë si pjesë e luftës politike të ditës dhe as si akuzë ndaj atij që i zuri zyrën dy javë më parë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama