Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sfidat e Lulzim Bashes

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 11 vite më parë

Mentor Nazarko
Sfidat e Lulzim Bashes

Me shumë të drejtë, figura deri më tash të një rëndësie të caktuar të Partisë Demokratike, vazhdojnë të analizojnë procesin më të fundit zgjedhor të këtij subjekti politik. Ka brenda këtij angazhimi dëshirë për protagonizëm të orës së fundit, dëshirë për shkëputje nga hija e rëndë e Sali Berishës që errësonte këdo, ka vullnet të mirë, ka frustrim, ka gjithçka.


Ato që janë zhvillime të brendshme të një partie, megjithatë, nuk paraqesin interes të jashtëzakonshëm publik në kushtet e prioriteteve të mëdha që ka një shoqëri si kjo e jona. Si pasojë, ne duhet, ne mund të pranojmë dhe t’i japim shans afirmimi dhe produkteve të proceseve të diskutueshme zgjedhore, siç ishte ai i Partisë Demokratike më 22 korrik. Jo sipas aksiomës popullore se nga ferra lind trëndafili, por se jo domosdoshmërisht një proces problematik zgjedhor mund të sjellë si pasojë një lider problematik. Ashtu siç është e vërtetë dhe e anasjella. Legjitimiteti i brendshëm i Lulzim Bashës ka kohë të fitohet. Nëse ai do japë prova të mira në qeverisje, këto probleme në kushtet e një Shqipërie që ka eksperiencë të shkurtër pluralizmi, kapërcehen. Me fjalë të tjera, Sali Berisha mund të jetë zgjedhur kryetar i PD-së në fillim me një proces të rregullt, por kjo nuk e pengoi të jetë ai që ishte. Edhe Edi Rama nuk u rizgjodh kryetar me ndonjë proces të rregullt, por kjo s’do të thotë që prej këtij elementi të paragjykojmë mungesën e legjitimitetit të tij, ashtu dhe cilësinë e qeverisjes së tij nesër.

 

Vetëm në veprat e realizmit socialist heroi pozitiv bën gjithçka shumë mirë.


Ky është seti i parimeve mbi të cilat mund ta shikojmë Lulzim Bashën, kreun e ri të Partisë Demokratike. Basha ngjan se ishte zgjidhja më e mirë mes dy ofertave, në kushtet e dhëna. Basha përfaqëson një figurë karizmatike brenda kësaj partie dhe në shoqëri, megjithëse në moshë të re. Me gjithë vërejtjet për të se do duhet të ndahet mes Bashkisë dhe partisë, diçka që do dobësojë performancën e tij në njërin ose në tjetrin krah, qenia e Bashës në krye të Bashkisë më të madhe të vendit është element pozitiv për të. Përballë një fuqie të madhe ekzekutive si ajo e së majtës, Basha do të kontrollojë gjithashtu pushtet, burime, materiale dhe njerëzore, diçka që e bën atë më fortë se sa kandidati tjetër, ama Basha do duhet të tregojë aftësi reale në administrimin e Bashkisë, gjë që s’e ka bërë dukshëm deri më sot. Basha përfaqëson dikë që gëzon simpati ndërkombëtare. Basha ka eksperiencë qeverisëse apo administrative, madje dhe eksperienca e UNMIK-ut në Kosovë është epërsi. Basha e njeh gjuhën e moderuar, siç tregoi me fushatën e Tiranës. Më në fund, Basha ka dhe mbështetjen e faktorit më të fortë në PD, siç është Berisha, me liderin historik, një lidhje që ngjan si lidhje kongjenitale.


Mbi Bashën ekzistojnë një grup kritikash, të cilat vijnë kryesisht prej kampit të majtë, por të cilat duhet të merren me një farë rezerve. Në thelb të tyre qëndron sërish Berisha, raporti i tij politik dhe institucional me udhëheqësin e tij shpirtëror. Le t’i marrim me radhë. Problemet ligjore në rolin e Bashës në ndërtimin e Rrugës së Kombit s’mund të imagjinohen si të tijat, por ekskluzivisht si të Berishës, madje dhe të qeverisë, sa kohë që vendimet mbi rrugën, madje kanë marrë karakter kolegjial – si vendime qeverie. E njëjta gjë dhe për Marrëveshjen e turpshme të ujërave me Greqinë, negociatat e së cilës janë udhëhequr ekskluzivisht prej Berishës, dhe Basha thuajse asnjëherë s’ka mbrojtur një marrëveshje si kjo. Edhe në tragjedinë e 21 janarit, roli i Bashës, i cili dhe fizikisht atë ditë ka ndenjur në zyrën e Berishës, është inekzistent për këdo që njeh si funksionon Berisha. Për më shumë, Basha nuk e ka mbrojtur sjelljen e 21 janarit në mënyrë agresive si rivali i tij Olldashi. Me një fjalë, mungesa e autoritetit, e protagonizmit të tij pozitiv në të gjitha këto ngjarje, është problem më i vogël se sa përfshirja e tij në vetë të parë në secilën prej tyre. Janë këto rastet më flagrante ama ku patronati i Berishës ka qenë problemi më i madh i karrierës së liderit të ri.


Ky patronat, kjo mbështetje e Berishës, është burimi i forcës së Bashës, por mund të bëhet dhe burimi i dobësive të tij nëse ai nuk do të dijë të zgjidhë disa sfida të rëndësishme në rrugën e tij si kryetar. Edhe Rama, si çdo outsider (dikush që ka ardhur nga jashtë partisë direkt në nivele të larta,) ka hyrë në politikë në nivele të larta prej Nanos, por ai shumë shpejt e kapërceu atë me përkushtimin në punë, kreativitetin në administrim etj., etj., pra dhe Bashës i duhet dhënë benefici i dyshimit në lidhjen e tij me Berishën: lidhje e përjetshme apo e përkohshme.
Sfidat e Bashës


Janë të shumta, por ne do të merremi vetëm me disa prej tyre, ato që janë më të rëndësishme.


Së pari, Basha do duhet të na imponojë ta marrim seriozisht. Ne jashtë PD-së dhe anëtarësinë e PD-së, apo hierarkët e vjetër të saj. Ky është problem serioz, sepse madje dhe vetë Berisha është në një situatë të tillë. Kreu i PS-së po i injoron shfrimet e Berishës në Faceboook, që janë me të vërtetë irracionale, ose takticizma të vjetër propagandistikë që s’kanë asnjë vlerë praktike. Kreu i PS-së nuk po merret fare me rikthimin e doktor Adhamudhit në politikë, pas provës se si do reagohej pas vdekjes së tij politike me anën e dorëheqjes. Kreu i PS-së po injoron gjithashtu dhe Bashën, për të cilin s’ka harxhuar asnjë fjalë, megjithëse ky i fundit, nën ndikimin e Berishës, po e sulmon jashtë stilit të tij në leksik dhe në zë. Basha ka probleme për t’u marrë seriozisht edhe për shkak të aktivizimit të Berishës në qëndrime periodike politike. Nëse për iks gjë, Berisha që akoma merret me gjithçka ka mbajtur një qëndrim, atëherë çdo qëndrim i Bashës do shihet në mënyrë krahasuese me të.


Së dyti, Basha ka problem të madh me llojin e partisë që do të udhëheqë. Zgjedhjet e 23 qershorit hodhën në kosh modelin leninist të partive shqiptare, modelin e strukturuar në territor, me seksione, grup seksione etj., etj. Kush merret me shqyrtime politike e di se në këto zgjedhje, me këtë model, shprehje e të cilit ishte Olldashi, PD-ja realizoi maksimumin e angazhimit të vet politik, strukturor, financiar në gjithë historinë e vet, por arriti minimumin e rezultatit. Basha ka shansin historik të mendojë për një parti të tipit të ri, një parti të tipit elektoral, të tipit amerikan, e cila të mund të funksionojë në kushtet e reja të Shqipërisë së shekullit të 21-të. Zgjedhja dhe jetësimi i një modeli si ky jo vetëm që do ta bënte PD-në pioniere të modernizimit të politikës shqiptare, duke ia marrë primatin PS-së, por dhe do t’i japë mundësi Bashës që në mënyrë graduale të largojë gardën e vjetër të PD-së, që sot është pengesa e tij kryesore.


Si pasojë, Basha duhet të konceptojë dhe një lloj të ri opozite. Kjo opozitë e re duhet të kapërcejë modelin konfliktual, të prapambetur që ka bërë Berisha, madje edhe kur ka qenë në qeverisje, sepse Berisha me qejf dhe në Ekzekutiv ka bërë opozitarin. Ky model i mbështetur në propagandën banale, gënjeshtrat hiperbolizuese të tipit komunist ose fashist të Shqipërisë si vend fanar i Europës, u dënua më 23 qershor përfundimisht. Në këtë kapërcim Bashës i duhet dhënë kohë, por ama ekziston një lloj shprese se ai do ta kapërcejë këtë model, siç u duk në fushatën për Tiranën. Megjithëse Basha fitoi në mënyrë të padrejtë Tiranën (dhe nuk ka bërë triumfalistin me përjashtim të disa momenteve të garës së tij për kryetar), ai arriti një rezultat të mirë, pikërisht duke shikuar para dhe jo mbrapa, duke mos atakuar kundërshtarin në planin personal dhe familjar etj., etj. Opozita e Bashës duhet të jetë opozitë përmbajtësore, jo e spekulimeve që me një pikë ujë ndërtojnë një oqean propagandistik, siç bënte Berisha. E vërteta është se Basha ka nisur keq në këtë periudhë me reagimin për INSTAT-in apo me reagimin për gjoja largimet e paligjshme nga puna, për të cilat ai vetë s’ka ndonjë primat të mirë në Bashkinë e Tiranës, ndërsa qeveria e re s’ka filluar akoma nga puna.


Basti në suksesin e Bashës është bast në fitoren e një brezi, e një fluksi të ri drejtuesish politikë, e një profesionisti, një juristi në drejtimin e një partie shqiptare, dhe ka shanse të kthehet në bast për një model të ri udhëheqjeje politike. Basha e ka vetë në dorë të tregojë se lidhja e tij me Berishën nuk është lidhje kërthizore, diçka që do ta dënonte përfundimisht atë në politikë së bashku me atë që e futi aty, e pse jo dhe PD-në, krijesën politike që iu dhurua të drejtojë. Pra ai e ka në dorë të tregojë se është vetëm protektor i përkohshëm i interesave politike të Sali Berishës, siç e quajti Selami Xhepa, por jo dhe i interesave materiale të tij. Nëse ai e kapërcen këtë model të vjetër, retrograd, këto paragjykime rreth tij, s’ka çudi se PD-ja mund të kthehet në pushtet pas 4 vjetësh. Zgjedhjet e 23 qershorit treguan se në këtë periudhë tranzicioni në Shqipëri, nuk ka ligjësi të qëndrueshme politike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama