Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Fenomeni Meta!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 11 vite më parë

Blendi Fevziu
Fenomeni Meta!

Berisha humbi! Rama nuk fitoi! PD ra 10%; PS u shtua 0.6%. Forca e vetme politike që tronditi Shqipërinë e 23 qershorit ishte pa dyshim LSI e Ilir Metës. Po çfarë ka ndodhur me LSI? Ç‘ka ndodhur me votuesit shqiptarë? Si shpjegohet që forca politike për të cilën u shpik një sistem zgjedhor që supozohej se do ta linte jashtë, e futi brenda duke e bërë në një farë mënyre partinë që përcakton pushtetin në Shqipëri? Si shpjegohet që nga peng i marrëveshjes zgjedhore PD – PS të prillit 2008, LSI ia arriti të mbajë peng të dyja partitë e mëdha bashkë?! Që më shumë se sa nga forca dhe organizimi i tyre, këto dy grupime varen tani nga lëkundjet e LSI dhe qëmtojnë me ankth humorin politik të Ilir Metës?! I dha pushtetin PD më 2009-n duke bashkuar votat me të dhe ia riktheu pushtetin PS, së cilës po ashtu ia kishte humbur falë votave të saj më 2005-n dhe 2009-n! Përtej këtyre konfirmoi se pushteti në Shqipëri do të varet ende dhe për shumë kohë nga pozicionimi i partisë që sot vetëm parti e vogël s’mund të quhet më.


Si shpjegohet që kasandrat politike dështuan në parashikimet për të? LSI mori më 2009-n po aq vota sa më 2005-n. Nuk ra dhe nuk u zhduk; LSI u bashkua me PS më 2007-m dhe PD më 2011-m në zgjedhjet lokale, dhe të dyja fituan. Që në këto zgjedhje, kur të gjithë besonin se do të rrudhej nga pesha e akuzave dhe nga morali i thyer i marrëveshjes me PS, fitoi 200%!? Dhe tashmë është një realitet politik 10-vjeçar. Më i fortë dhe më triumfues se kurrë.


Natyrisht që në këtë situatë, që shumë veta s’i japin dot përgjigje dhe ku shpjegimi nuk është kaq i thjeshtë; në këtë gjendje ku asnjë nga ne nuk thotë dot një argument bindës, një gjë është e sigurt: të pretendosh se LSI i ka blerë votat është të justifikosh një humbje dhe të thjeshtëzosh një fenomen që shkon shumë përtej kësaj. Natyrisht, në Shqipëri ka votë klienteliste; ka votë të blerë dhe votë të trafikuar. Si kudo në Ballkan. Por të kalosh nga 72 mijë vota në 185 mijë, do të thotë të mos shohësh një fenomen që kërkon shpjegim realist.


Tabloja nuk është e plotë dhe analiza s’mund të jetë krejtësisht e saktë, por një seri problemesh mund të nënvizohen që tani.


E para, këto qenë zgjedhjet e para në 22 vitet e pluralizmit në Shqipëri ku dy forcat kryesore politike hynin pa asnjë kartë morale. PS e rrënoi kartën e saj të opozitarizmit falë bashkimit me LSI, pjesë e pushtetit dhe të cilën e kish akuzuar jo pak; PD e humbi moralin që mund të ndërtonte pas ikjes së LSI duke qëndruar në pushtet me votat e 3 socialistëve të zhgënjyer dhe me përfshirjen e tyre në listat e saj elektorale. Madje shkoi në ekstrem kur jo vetëm i përfshiu duke lënë jashtë demokratë, por tentoi t’i reklamonte edhe si një hapje. Një hapje e ngjashme me atë që e çoi Sarkozinë në katastrofë në zgjedhjet lokale të 2009-s, pas përfshirjes në qeveri të Kushnerit.


Në këtë mungesë të kartës morale, aq e domosdoshme për partitë e mëdha, përfitoi LSI, parti e organizuar dhe pragmatiste. Ku morali vdes, fillon pragmatizmi, dhe LSI është më pragmatiste dhe më e kujdesshme se çdo forcë tjetër politike.


E dyta, vota e 23 qershorit qe një votë kundër arrogancës së qeverisjes. Kjo nuk do të thotë thjesht arroganca e disa ministrave. Jo, flitet për një arrogancë më të gjerë, më piramidale. Për arrogancën që shfaqej në sportelet e legalizimeve; në ato të hipotekave; në sjelljet e drejtorëve me mësuesit e nxënësit nëpër shkolla; në arrogancën e deklaratave mediatike e më gjerë. Meta nuk ka qenë kurrë një lider arrogant. Ka shumë gjëra për të cilat mund ta kritikosh, por historia e tij është ajo e një njeriu politik të rritur falë dëgjimit dhe begenisjes së gjithkujt, një dimension që shumë veta e humbasin në Shqipëri në momentin që ngjiten në pushtet. LSI ka punuar shumë me klientelizmin dhe klientelizmi është në thelb e kundërta e arrogancës.


E treta, Ilir Meta përfitoi nga fushata e shurdhët e PD ndaj tij dhe as vetë nuk e acaroi atë. Meta ishte i vetmi që u shfaq si një lider i vërtetë, paqësor dhe i gatshëm për të ndërhyrë mes palëve dhe për t’i paqtuar ato në interes të Shqipërisë, siç ndodhi me miratimin e tri ligjeve. Tensionet qenë një dimension i munguar i tij dhe me gjasë këto luajtën jo pak rol.


E fundit, Ilir Meta e krijoi dhe e nguliti idenë që LSI do të jetë sërish në pushtet; me të majtën apo të djathtën, dhe me këtë mënyrë u dha një justifikim pragmatist të gjithë atyre që donin një strehë për të qëndruar sërish pranë pushtetit.


Dyzetekatërvjeçar; me një karrierë brilante që nis ende pa mbushur 24 vjeç, kur u zgjodh nënkryetar i PS (me kryetarin në burg); Kryeministër në moshën 30-vjeçare; disa herë zv.kryeministër dhe ministër; Meta ishte i vetmi njeri politik që ia doli të krijojë një formacion të vetin dhe të suksesshëm. Ai nuk u reduktua si gjithë shizmat e tjera dhe mbi të gjitha ka rrëfyer që gjithçka në politikë e ka fituar vetë. Kjo ishte karta e tij e besimit, që e ka bërë sot, pa dyshim, njeriun politik më të rëndësishëm në vend. A do të dijë ai ta mbajë këtë peshë dhe ta çojë më tej? Me gjasë po! Edhe pse raporti i tij me Ramën në këta 15 vjet ka qenë problematik. Por sot ai e di që është njeriu kyç i politikës, dhe kjo i jep më shumë qetësi!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama