Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

C'ndodhi me te djathten?!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 11 vite më parë

Blendi Fevziu
C'ndodhi me te djathten?!

E majta shqiptare është befasuar nga rezultati që ajo vetë ka arritur në zgjedhje! 23 qershori ka konfirmuar një maxhorancë të panjohur prej vitesh, e cila pritet të arrijë në kufijtë e 84–85 mandateve, por që ç‘është më e keqja, e ka reduktuar përfaqësimin e së djathtës në thuajse 55-56 deputetë! Por nëse befasimi i së majtës është tretur shpejt në euforinë e fitores dhe në triumfin mbi Berishën, e djathta ngjan e shokuar dhe e paqartë për atë që ka ndodhur. Asnjë nga drejtuesit e lartë të PD nuk di të përkthejë votën e 23 qershorit dhe përgjegjësia zbret nga problemi themelor në një seri problemesh jo dhe aq dytësore. Probleme që po t’i mbledhësh bashkë krijojnë pazëllin e humbjes traumatike. Disa prej tyre, por në radhë të parë analistët, kanë filluar të hedhin hipotezat e para dhe të gjithë bashkë drejtojnë gishtin te lideri historik i selisë Blu, Sali Berisha.

Argumentet ende të pasistemuara sapo kanë filluar të shfaqen. Ka njerëz që thonë se Berisha e personalizoi fushatën duke e kthyer në një referendum pro apo kundër tij. Kjo për një njeri që militon në politikë prej 23 vitesh dhe që ka 8 vjet në pushtet ishte fatale; Ka njerëz që thonë se fushata e Berishës ishte një strategji krejtësisht e gabuar. Sondazhet rrëfejnë se PD kishte një diferencë prej –5% më 16 prill me koalicionin e majtë, ndërsa kjo diferencë u shndërrua në –16% më 11 qershor, kur rezulton sondazhi i fundit. Ajo ka humbur 11% në dy muaj, duke prishur rregullsinë që qeveria rritet në fushatë.

PD u soll si parti që kryesonte, duke i lënë fushë të lirë kundërshtarit, duke mos e sulmuar atë dhe duke u sjellë sikur të ishte 10 pikë para; Ka njerëz që thonë se imazhi mediatik i PD ishte po ashtu një katastrofë. Debatuesit e famshëm dhe të frikshëm të PD u zhduken nga studiot televizive, duke i lënë hapësirë kundërshtarit; prania e PD në ekran iu la në dorë një ministreje arrogante dhe konfuze. Berisha vetë u dashurua me stilin e taun holleve që më shumë të kujtonin takimet e Hoxhës gju më gju me popullin, sesa ato të një lideri perëndimor dhe modern. Se ai i shmangu gazetarët me të njëjtin stil dhe me po ato fraza siç kishte vepruar Nano në vitin 2005.

Madje arriti deri aty sa klonoi edhe emisione në TV, siç nuk kish ndodhur kurrë këto 23 vjet, dhe që përbëjnë një precedent të rrezikshëm për median; Ka njerëz që thonë se Berisha shmangu llogaridhënien te publiku dhe se mungesa e llogaridhënies ndëshkohet me votë; Ka njerëz që thonë se për herë të parë në jetën e tij Berisha tentoi të mos ishte vetvetja. Ai iu largua imazhit të liderit që kishte frymëzuar për 23 vjet të djathtën; e burrit të shtetit serioz dhe imponues (atë për të cilën e pëlqenin dhe e besonin) dhe filloi të vinte mbi fytyrë maskën false të një burri shakaxhi dhe të një reperi në tentativë. Kjo ishte, sipas sondazheve të kundërshtarëve, bonusi më i madh që ai u bëri konkurrentëve në finish të fushatës. Krijoi te publiku një konfuzion, i cili përputhej me etiketimet që atij po i bënte lideri i opozitës dhe ironinë e padrejtë të këtij të fundit me moshën e Kryeministrit; Ka të tjerë që thonë se Berisha nuk prezantoi një program solid dhe nuk ngjalli te publiku besimin që ngjalli Rama qoftë edhe me kurajën e tij për të prezantuar një program të shkruar dhe të përmbledhur në një libër përballë gazetarëve;

Ka të tjerë që thonë se Berisha gaboi me premtimet elektorale, tatimet, grupet e interesit, privatizimet, korrupsionin, listën e deputetëve, leximin e pakënaqësisë së shqiptarëve në zgjedhjet e 2011-s, fytyrat e lodhura që qëndronin në kabinetin e tij prej tetë vitesh. Ka të tjerë që thonë edhe të tjera e do thonë edhe më shumë ditët në vijim. Ka njerëz që do t’i sulen brenda partisë së tij dhe jashtë saj për t’i kërkuar përgjegjësinë për këtë humbje. Unë besoj se shumë prej këtyre tezave janë të vërteta dhe shumë të tjera të ekzagjeruara, por unë nuk besoj se Berisha humbi thjesht prej tyre. Veç një arrogancë mbresëlënëse që shfaqej hapur te Jozefina Topalli e që së fundmi përfshiu edhe atë vetë, Berisha nuk mund ta shmangte humbjen. Ai humbi sepse kishte ardhur koha të humbiste.

Sepse në politikën pluraliste të pas vitit 1990, ai është pa dyshim lideri më i madh dhe më i rëndësishëm politik. Ai ishte një talent i rrallë që i mundi një nga një konkurrentët që kishte përballë, nga Ramiz Alia te Fatos Nano, dhe nga ky i fundit te Edi Rama në 2009-n. Berisha shënjoi fort këtë çerek shekulli të historisë së Shqipërisë, por edhe fuqitë, edhe talenti, edhe frymëzimi kanë një kufi. Çdo lider, sado i madh qoftë, humb një ditë. Kështu humbi Theçeri, Koli, Andreoti. Nëse gjithçka më sipër Berisha do ta kishte bërë më mirë, ai mund të siguronte një humbje më të ngushtë ose edhe një fitore të zbehtë, por kjo ka pak rëndësi.

Berisha humbi pas dy mandatesh rresht dhe pas 13 vitesh në pushtet. Ai ka fituar më shumë zgjedhje se kushdo tjetër në këtë vend; ashtu siç edhe ka humbur. Ai e ka mbajtur të djathtën në pushtet falë një talenti brilant, edhe kur ka qenë në kufijtë e mundësive. Ai vetë dhe të djathtët duhet të jenë krenarë për këtë. Duhet të jenë krenarë për dy mandatet e tyre; edhe për pesë vitet që e drejtuan vendin në fillim të viteve ’90. Duhet të krenohen për atë që kanë lënë pas dhe të kuptojnë se loja e demokracisë dhe e pluralizmit është e tillë, fiton dhe humbet. Dhe në demokraci, humbja është po aq fitore nëse ti di ta kuptosh dhe ta lexosh me dinjitet. Ndaj, ajo që duhet të bëjë e djathta është të lexojë e analizoje humbjen dhe të përgatitet për betejën e radhës. Në demokraci nuk ka asnjë të humbur të përjetshëm, siç nuk ka edhe fitues të tillë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama