Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Edhe diktaturat te ligjshme jane

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 17 vite më parë

Mentor Kikia
Edhe diktaturat te ligjshme jane

Sali Berisha është padyshim protagonisti i zhvillimeve më të mëdha politike të këtyre 17 viteve, disa prej të cilave do të mbeten si njolla të errëta në historinë postkomuniste të vendit tonë. Por ai është padyshim edhe politikani më i suksesshëm. Jo sepse u ringrit nga humnera e ‘97-ës, që vetë e hapi, për të rimarrë pushtetin, porse ai dëshmoi se është "zhongleri" më i madh i politikës edhe me lëvizjet e mëpastajme. Një vit më parë, kur pushteti mund t‘i kishte rrëshqitur nga duart për hiçgjë, ai arriti ta zgjedhë Presidentin e vendit nga radhët e partisë së tij me ndihmën e votave të një grupimi parlamentar të kontrolluar nga Fatos Nano, armiku më i madh politik i tij deri atëherë.

Dhjetë muaj më pas, qeveria e tij tronditet sërish dhe sërish ai është në buzë të greminës. Një shpërthim gjigant në Gërdec, që përtej tragjedisë së shkaktuar, u bë dëshmia më skandaloze e korrupsionit që kishte përfshirë sferat më të larta të qeverisë së tij. Më e pakta që duhej të kishte ndodhur deri tani, ish-ministri i tij i Mbrojtjes duhej të ishte në burg. Pas shfajësimeve të shpeshta publike, se ai nuk dinte gjë për atë që ndodhte në Gërdec, kolegu ynë, Andi Bushati, e nxori zbuluar, kur publikoi raportet e Shërbimit Informativ që e kishin informuar atë dhe kreun e shtetit për operacionet atje, duke i shuar kështu çdo alibi personale.

Një gazetë prestigjioze amerikane e implikoi qeverinë shqiptare në një aferë korruptive trafiku armësh e municionesh me Afganistanin, duke hapur një tjetër kapitull skandalesh qeveritare. I gjendur mes këtyre zhvillimeve, ne mbajmë mend se si Kryeministri Berisha ndërronte kartopecetat çdo dy minuta, ndërsa djersinte para mikrofonëve dhe gazetarëve, të cilët kërkonin të dinin më shumë për tragjedinë. Por Berisha, pikërisht në këtë tallazi, ridel nga balta dhe jo vetëm që nuk lëkundet fare nga pozitat e tij, nuk dorëzon ministrin e tij të implikuar këmbë e kokë, sulmon në mënyrë të frikshme një nga tribunat më të mëdha mediatike të botës, por arrin të marrë sërish në dorë frenat e politikës, ndryshon edhe Kushtetutën, duke i betonuar edhe më shumë kompetencat e tij ligjore.

Pra, pikërisht në kohën kur qeverisja e tij duhej të ishte në teh të thikës, ai, për herë të dytë brenda një viti, arrin të marrë sërish me koncesion opozitën dhe të hedhë lumin jo pa u lagur, por edhe i hekurosur. Dhe tashmë ai është i sigurt se deri në zgjedhje, jo një Gërdec e një skandal, por njëmijë të tillë të plasin, ai nuk bie nga pushteti.

Në verën e vitit 2005, Ben Blushi, ndërsa vazhdonte të mos e besonte se populli kishte rikthyer në pushtet Sali Berishën, i tha tërë trishtim Kryeministrit të ri, programi i qeverisë të të cilit po votohej në Kuvend: "Ju kishit vënë një bast me veten për t‘u rikthyer në pushtet dhe e fituat atë. Ju lumtë!". Por, tani pas tre vjetësh, Berisha jo vetëm që i ka fituar të gjitha bastet, por ai edhe i ka parablerë ato, ashtu si bëjnë bastexhinjtë e ndeshjeve të futbollit, që paguajnë gjyqtarët për fabrikimin e rezultateve. Tashmë, me vetë ndihmën e socialistëve. Ashtu si në proverbin e nuses me mullixhiun, më parë Nano e më pas Rama, për inat, ose nga frika, e sho-shoqit vajtën e u futën në krevatin e Berishës, edhe pse e dinë mirë se askush nuk ka dalë i fituar kur ka bërë pazar me të.

Pas gjithë kësaj, edhe neve jashtë këtij "mulliri", ku nuk merret vesh kush është nusja e kush vjehrra, s‘na mbetet veç t‘i themi Berishës: Ju lumtë, kjo është politika dhe ju e luajtët atë për bukuri për llogari të interesave tuaja!

Por, përtej kësaj, neve na duhet të analizojmë rreziqet tona nga këto pehlivanllëqe të Berishës. Në vitet ‘80, në kohën e krizës së madhe ushqimore, mbajmë mend sesi një shishe vaji shitej detyrimisht me një pako margarinë, një allasoj gjalpi artificial që ta shpifte. Ashtu edhe Berisha, paketën ligjore të reformës zgjedhore (një "mall" ky i mbështetur publikisht nga shumica e njerëzve dhe i certifikuar edhe nga faktori ndërkombëtar), e shiti dhunshëm bashkë me ndryshimet e tjera kushtetuese, që janë regresi më i madh për demokracinë shqiptare. Atij i duhej të fuqizonte kompetencat e tij, ndaj vajti e zbuloi një nen të Kushtetutës së një vendi me monarki si Spanja dhe ia saldoi si parafabrikat Kushtetutës së vendit të tij, që është republikë parlamentare. Referimi ndaj Kushtetutës së një mbretërie për një republikë, është një skandal më vete, por Berisha është gati t‘i referohet edhe Kushtetutës së Birmanisë, nëse i duhet ndonjë nen tjetër për pushtetin e tij.

Të gjithë, të majtë e të djathtë, e dinë se ndryshimet kushtetuese, përveç atyre të reformës zgjedhore, janë paralajmërime ogurzeza për demokracinë. Madje, më herët, ata i kundërshtuan dhe u habitën kur hapën dosjen e panë se, veç reformës zgjedhore, Berisha, në mënyrë të paparashikuar, kishte gatuar dhe ndryshime të tjera në Kushtetutë. Por ata iu bindën kokulur kryetarëve të tyre, si Berishës ashtu edhe Ramës, sepse ky ishte i vetmi shans që ata të shpresojnë të hyjnë në listat e mbyllura të deputetëve. I bindur se udha e tij, pas gjarpërimit nëpër fshatra e qytete të Shqipërisë, do të përfundojë në Kryeministri, Rama nuk ngurroi të shesë aksione të opozitës te Berisha, për të forcuar karrigen e Kryeministrit, ku shpreson të ulet së shpejti. Megjithatë, që të bëhet Kryeministër, Ramës i duhet të ndeshet tashmë me një Kryeministër edhe më të fortë nga ç‘ishte. Duke menduar për karrigen e tij të së nesërmes, Rama ia shndërroi atë në piedestal që tani Berishës. Dhe në piedestal, për së gjalli, qëndrojnë diktatorët, pasi heronjve u ngrihen më pastajmi përmendoret, kur bëmat e tyre të jenë përjetësuar. Historia na tregon se shumica e diktatorëve kanë qenë udhëheqës popullorë në fillimet e tyre, por pushteti pa kufi i ka bërë më pas të tillë. Dhe ky pushtet është siguruar gjithmonë me ligj, pasi edhe diktaturat me ligje drejtohen, paçka se kujt i shërbejnë më shumë ato.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama