Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ilir Meta dhe marreveshja me PD!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 12 vite më parë

Blendi Fevziu
Ilir Meta dhe marreveshja me PD!

Ilir Meta ka vendosur të largohet nga koalicioni qeverisës. Vendimi i paralajmëruar një vit më parë me darkën e Gjirit të Lalzit, por i vështirë për t’u besuar me një analizë normale, ka ndodhur më në fund. Nuk është e lehtë të gjykosh një vendim të tillë, zhvillimet e të cilit janë disaplanëshe dhe përfshijnë shumë aktorë. Ato shtrihen nga kalkulimet zgjedhore te pragmatizmi politik, nga morali te lehtësia me të cilën politikanët e kapërcejnë dhe e shpërfillin atë.

Në anën tjetër, vendimi i Metës nuk peshon vetëm mbi të dhe Partinë Demokratike të Sali Berishës me të cilin ai ka pasur një marrëveshje që prej korrikut të vitit 2009. Ai provokon një rikonfigurim të ri të koalicioneve parazgjedhore, që shumë veta e kishin llogaritur ndryshe deri të dielën në mbrëmje. Por pa hyrë në to, duhet thënë që vendimi i Ilir Metës ndahet në dy pjesë: E para është raporti mes LSI dhe PD dhe e dyta ai mes LSI dhe PS.

I dyti është më problematik dhe më kompleks. Përreth vendimit për t’u bashkuar në një koalicion elektoral me Edi Ramën qëndrojnë shumë hatërmbetje të së shkuarës; mosbesim reciprok; akuza të forta; tentativa për ta asgjësuar politikisht njëri–tjetrin dhe më i vështiri, “21 Janari”! Por kjo është një llogari që Meta dhe Rama e kanë bërë vetë dhe që duhet ta përballin vetë, qoftë me moralin politik në vend, qoftë me të zhgënjyerit në njërën apo tjetrën anë të logove që kanë të përbashkët përcaktimin “Socialiste”! Në shkrim, do të doja të merresha më shumë më pjesën e parë, raportin mes PD dhe LSI dhe impaktin që ky vendim do të ketë mes tyre.

Përtej një hutimi të parë në shumë prej mbështetësve të PD; përtej një ndjenje “tradhtie” apo “mosmirënjohjeje” që e artikuluan shumë prej tyre, duket se vendimi i Metës në raport me PD është fare normal. Madje, një shenjë treguese e normalitetit politik në vend. Meta dhe Berisha nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në korrik 2009, e cila në vija të përgjithshme parashikonte bashkëqeverisjen për 4 vjet. Brenda këtij objektivi primar, parashikohej edhe zgjidhja e disa ngërçeve, siç ishte dalja në një formacion të përbashkët në zgjedhjet lokale të 2011s- dhe zgjedhja e Presidentit të ri të vendit në 2012-n. Ndryshe nga parashikimi i shumë fallxhorëve politikë dhe mediatikë, koalicioni funksionoi.

Vendi u qeveris për 4 vjet më radhë; nuk u provokuan zgjedhje të parakohshme nga ndonjë krizë qeveritare; LSI dhe PD bashkuan votat në zgjedhjet lokale, duke arritur një fitore mjaft të rëndësishme, kryesisht për të djathtën në Tiranë dhe e fundit, sërish bashkë, i dhanë vendit një president që vinte nga radhët e PD, por me një profil politik tejet korrekt. Pra, në këtë këndvështrim, LSI dhe PD kanë qenë korrekte me njëra-tjetrën, pavarësisht pakënaqësive meskine dhe ankesave që vinin nga njëra apo tjetra palë. Në prag të zgjedhjeve të reja, LSI ka marrë një tjetër vendim.

Me gjasë ajo do të rreshtohet me PS dhe këtë po e bën publike 24 ditë përpara detyrimit për të dorëzuar në KQZ listat e koalicioneve elektorale. Biseda Berisha–Meta është transmetuar deri tani si një bisedë politike normale dhe duhet parë si e tillë. Vendimi i Metës është kosto e tij, qoftë ajo një zgjidhje e mirë apo zhgënjyese, por nuk ka të bëjë me PD. PD e dinte se një koalicion paraelektoral me LSI ishte thuajse i pamundur. Të dyja janë parti ideologjikisht të ndryshme dhe nuk mund të ndërtonin as një program dhe as një qëndrim të njëjtë ndaj fenomeneve historike, që më së shumti përcaktojnë kufirin mes të majtës dhe të djathtës në Shqipëri. Shumë veta mund të kenë llogaritur një LSI kryesuese të një poli të tretë, por kjo gjë që e mendonin shumë prej komentatorëve nuk ka ndodhur.

LSI ka bërë një zgjidhje më shumë pragmatiste sesa morale, por theksoj edhe një herë, kjo është zgjedhje e saj. PD e dinte që do të dilte në zgjedhje me koalicionin e saj dhe ajo duhet të jetë e përgatitur për t’i fituar e vetme zgjedhjet. Ka ende kohë për të bërë kalkulime, për të zgjeruar koalicionin, për të mobilizuar ata që kanë qenë gjithnjë të djathtë, për t’u lehtësuar nga një sërë akuzash që opozita i ka bërë deri tani qeverisjes dhe që me gjasë, nuk ia bën dot më dhe për të ndërtuar një filozofi fituese.

Zhgënjimi dhe hutimi nga ikja e LSI nuk ka bazë dhe Berisha është i pari që e ka kuptuar dhe po e artikulon këtë. Forcat politike konkurrojnë me votat e tyre; me programet e tyre dhe zgjedhjet janë frymë e besim dhe jo vetëm mbledhje e shumëzim votash. Natyrisht, fitorja e PD në 2005-n dhe 2009-n është ndihmuar edhe nga fakti që LSI doli më vete në zgjedhje, por lokalet e 2007-s dëshmuan se e djathta mblodhi më shumë vota në rang vendi sesa PS dhe LSI bashkë. Ndaj, vendimi i LSI mund të ketë pështjelluar ndonjë kalkulim të herët dhe të pamenduar paraelektoral, por në thelb ai është një gjest më se korrekt politik në raport me PD. Dhe një shtysë për të rigrupuar votat më mirë në ngjyrimin e tyre real politik!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama