Sfidat dhe risqet e buxhetit 2013

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 7 vite më parë

Arben Malaj
Sfidat dhe risqet e buxhetit 2013

Buxheti i vitit 2013 mund të përballet me disa risqe dhe sfida jo të lehta, të kushtëzuara nga tre faktorë: nga përkeqësimi i keqqeverisjes së vendit, vazhdimi i krizës se eurozonës dhe nga keqpërdorimi për efekte elektorale.

Sfidat tona ekonomike janë të kushtëzuara së pari nga  cilësia e qeverisjes së vendit, nga garantimi i lirisë së pronës, nga liria nga korrupsioni dhe kapja e shtetit, nga krijimi dhe mbështetja e një administrate sa më profesionale dhe e qëndrueshme.

Rënia ekonomike, rritja e deficitit dhe borxhit nuk ndodh vetëm sepse ekonomitë e vendeve të tjera janë në krizë, kjo ndodh kryesisht sepse keqqeverisja e vendit tonë po thellohet akoma më shumë. Keqqeverisja, më shumë se sa kriza globale, po pengon rritjen ekonomike.

Dështimi në integrimin e vendit, rritja e korrupsionit deri në pikën që të mbetemi të fundit në Europë, kapja e shtetit, përkeqësimi i administratës fiskale duke u renditur në vendin e 160-të në botë, liria e shtypur e pronës, dhe shtypja e lirive ekonomike nga kapja e shtetit do të kenë efektet e tyre negative edhe në vitet e ardhshme.
Në vitin 2013 do të arrijmë dhe do të trashëgojmë nivelin më të lartë të borxhit publik, i cili në vitin 2005 ishte 468 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2013 do të jetë 896 miliardë lekë, ose rreth 192% më i lartë.  Në kushtet kur rritja ekonomike edhe për disa vite të tjera do të jetë e dobët, rrezikohemi të kemi rritje të borxhit në nivele akoma më të larta. Rritja e borxhit dhe e kostos së tij deformon prioritetin e shpenzimeve  buxhetore dhe të taksave, imponon rritje të të ardhurave dhe shkurtim të shpenzimeve, kryesisht atyre sociale.

Në vitin 2013 do të kemi nivelin më të lartë të interesave të borxhit, në rreth 3.6% të PBB-së, ose rreth 14.3% të shpenzimeve totale të buxhetit. Totali i interesave do të jetë 51 mld lekë, 40 për borxhin e brendshëm dhe 11 për borxhin e jashtëm. Investimet me burime të brendshme në vitin 2013 do të jenë 25 milionë lekë, pra interesat janë 160% e këtyre investimeve. Kostoja e borxhit mund të përkeqësohet në të ardhmen, sepse ekonomia shqiptare gjithnjë e më shumë po mbështetet me huamarrje të huaj, e cila nuk është më me terma lehtësues, por me terma tregtarë. Pavarësisht nga  përzgjedhja e interesave, fikse apo luhatëse, do të paguajmë një kosto më të rëndë për financimin e ekonomisë sonë.

Në vitin 2013, mbështetja buxhetore për arsimin dhe shëndetësinë është shumë e ulët, respektivisht 3 dhe 2% e PBB-së. Kjo krijon risqe për faktorët kryesorë që do të influencojnë sa e lartë, e qëndrueshme dhe cilësore do të jetë rritja ekonomike në periudhat afatmesme dhe afatgjata. Pa iu rikthyer rritjes ekonomike në nivele 6-8%, sfidat e uljes së borxhit, uljes së papunësisë dhe varfërisë janë shumë të vështira.

Aktualisht, në kushtet kur ka rënë konsumi dhe investimi privat, në kushtet kur është shtrënguar dhënia e kredive, që të mos dëmtohet/ulet më tej rritja jonë ekonomike, shteti ndërhyn për të rritur kërkesën agregate në ekonomi. Por kjo duhet të jetë e mirëstudiuar për përmasat, strukturën e ndërhyrjes dhe vetëm periudha të limituara. Nëse pretendohet se rritja ekonomike do të jete 4%, rritja e deficitit dhe borxhit mund të ishte më e moderuar. Kjo do ta pengonte rritjen e borxhit dhe kostos së tij, duke krijuar për të ardhmen hapësira më të mëdha ndërhyrëse nëse rritja ekonomike do të jetë në rënie apo negative.

Rritja ekonomike në vitin 2013 dëmtohet nga borxhi i papaguar rreth 200 milionë euro që qeveria i ka biznesit privat, duke e lënë në krizë likuiditeti. Zinxhiri i borxheve të këqija ndaj dhe midis biznesit mund të rritet duke rrezikuar të bllokojë rrugët e qarkullimit të gjakut në ekonomi.

Rritja ekonomike në vitin 2013 pengohet nga kreditë e këqija të sistemit bankar, që janë rreth 23% e totalit. Bankat hezitojnë të kreditojnë ekonominë duke vështirësuar rritjen ekonomike, pa të cilën nuk mund të ketë stabilitet të financave publike. Mosdhënia e kredive dëmton edhe vetë sistemin bankar.

Qeveria deklaron se është për taksa të ulëta, por në fakt rezulton me borxhet më të larta. Nga rreth 50% që ishte projeksioni për borxhin publik në vitin 2008 dhe që vlerësohej si niveli që nuk e përkeqësonte stabilitetin e financave publike dhe krijonte hapësira për ndërhyrje në raste të recesionit ekonomik, borxhi publik 2013 është propozuar të jetë 62.63% (në fakt, është më i madh).

Taksa të “ulëta”, por që rrisin borxhin – është politika fiskale që prodhon krizë. Rritja e mirëqenies nga rritja e borxheve është një politikë e dështuar, ajo shërbeu në 2008-n si katalizator i krizës globale.

Maxhoranca aktuale pretendon se mbështet filozofinë e qeverisë së vogël, por rezulton qeveri e dështuar. Në pamundësi për të bërë reformat në ekonomi, afrohet fshehja e deficitit dhe borxhit, shkurtim të investimeve publike në sektorët jetikë të vendit. Gjatë viteve 2010-2011 investimet në arsim dhe shëndetësi janë shkurtuar 30-50%.
Sipas qeverisë, investimet në rrugë janë e vetmja strategji antikrizë. Por edhe këtu ka shumë probleme. Segmentet rrugore nisin dhe nuk përfundojnë, duke u zvarritur shumë dhe duke keqpërdorur taksat. Numri i lartë i aksidenteve janë një barrë e rëndë për individët, familjet dhe buxhetin. Rruga Fier-Tepelenë nuk po mbaron as pas 8 viteve. Rruga Fier-Vlorë u katandis në Levan-Pus i Mezinit. Aksi Kardhiq – Delvinë  është copëzuar dhe bllokuar disa herë. Bypass-i i Fierit zvarritet pa fund, ndërsa bypass-i i Vlorës në vitin 2013 do të financohet vetëm 7%, sa për të bërë ndonjë tender dhe për të prerë një shirit në prag të zgjedhjeve.

Fodullëkun e qeverisë për madhështinë e 100-vjetorit të pavarësisë së vendit e bëri “pis” gjendja e rrugëve për të shkuar deri në Vlorë dhe situata e vështirë që iu krijua Vlorës duke bllokuar buxhetin e Bashkisë dy muaj përpara kësaj feste kombëtare.

Buxheti vitit 2013 është vazhdim i dështimeve të viteve të mëparshme, ku rritja ekonomike ka rënë, të ardhurat kanë rënë, papunësia dhe varfëria është rritur. Vetëm gjatë tri viteve, 2010-2012, janë realizuar 89 miliardë lekë më pak të ardhura, ose 850 milionë dollarë. Kjo shifër është sa 6.5% e PBB-së dhe sa investimet publike me burime të brendshme të dy viteve buxhetore. Qeveria kërkon stimul në vitin 2013, kur ka dështuar të mbledhë paratë dhe përdor investoi/stimuloi ekonominë gjatë viteve të mëparshme. Buxheti vitit 2013 me rritje 3% të PBB-së së borxhit publik, synon stimul në ekonomi apo keqpërdorim të tij për objektiva elektorale, qeveria e ka të vështirë të fshehë të vërtetën.

Rritja ekonomike e parashikuar 4% është jorealiste – kjo vështirëson mbledhjen e të ardhurave dhe do ta “detyrojë” qeverinë të bëjë herë pas here bllokim administrativ të buxhetit, bllokim të pagesave ndaj biznesit dhe enteve buxhetore, duke e rritur borxhin e keq të saj ndaj tyre.

Në buxhetin 2013 nuk është parashikuar shlyerja e borxheve të këqija ndaj kompanive private, pa zgjidhjen e të cilave nuk do të ketë rritje të investimeve private në ekonomi, nuk do të ketë rritje punësimi.

Në këtë buxhet nuk është parashikuar si do të përballohet çdo kosto shtesë e krizës së energjisë, thjesht me rritje borxhi, e rëndë për t’u përballuar.
Shqetësimi për risqet e buxhetit 2013 rritet kur konstaton se qeveria të ardhurat nga privatizimi dhe rritjen e nivelit të deficitit kërkon t’i bëjë me vendim qeverie. Qeveria kërkon të menaxhojë jashtë miratimit dhe kontrollit të Parlamentit të ardhurat nga privatizimet dhe rritjen e kufirit të borxhit. Kjo është jo kushtetuese dhe e rrezikshme, sidomos nga një qeveri në ikje.

Të ardhurat nga privatizimet potenciale duhet të sjellin përmirësim të financave publike, duke përdorur jo më pak se 50% të tyre për të ulur borxhin publik, një pjesë për të shlyer borxhet ndaj kompanive private, një pjesë për të reduktuar koston e krizës së energjisë. Pjesa tjetër duhet përdorur për investime në ekonomi, duke u fokusuar në përfundimin e investimeve të zvarritura, se sa duke filluar investime të copëzuara me fokus elektoral.

Vendi kërkon reforma në pjesën e financave publike. Tatimi duhet të jetë më i drejtë. Barra tatimore duhet shpërndarë më mirë midis grupeve sociale. Të ardhurat në buxhet duhet të rriten. Struktura e shpenzimeve buxhetore po përkeqësohet. Duke mos ndërmarrë reforma strukturore dhe duke reduktuar buxhetin për arsimin dhe shëndetësinë, po dëmtojmë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike.

Taksat e ulëta dhe borxhi i lartë është politikë fiskale e dështuar. Siç theksoi edhe presidenti i Komisionit Europian, z. Barroso: “…çdo euro më shumë e përdorur për kostot e borxheve është një euro më pak e përdorur për zhvillim”. Ndaj duhet të ketë një ekuilibër më të mirë midis përmasave të paketave për nxitjen e ekonomisë dhe përgjegjshmërisë për stabilitetin e financave publike.

Sfidat e një vendi nuk mund të përballohen pa kredibilitetin moral të qeverisë. Ndërsa qeveria harxhon miliarda lekë për të “zbukuruar” të sotmen, shqiptarët, nga pasiguritë e së ardhmes, kanë reduktuar konsumin dhe investimet për biznes, duke vështirësuar rritjen ekonomike.

Ndërsa të ardhurat nga fitimet e biznesit kanë rënë mbi 50%, ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale është rritur, edhe pse shqiptarët kanë më pak të ardhura të disponueshme, depozitat bankare rriten. Kjo rritje vjen kryesisht nga pasiguria, janë rritje që tregojnë frikë për të ardhmen, frikë nga krizat politike. Kur qytetarët dhe investitorët e çdo vendi kanë frikë të konsumojnë dhe pasiguri të investojnë, nuk ka buxhet qeveritar që mund ta nxjerrë ekonominë nga kriza. Pa rikthimin e sigurisë për të ardhmen, pa rritjen e konsumit dhe investimit privat, ekonomia  tkurret, ndërsa borxhet, papunësia, varfëria dhe pabarazia rriten.

Duhet të minimizohet risku që në vitin 2013 të keqpërdoret buxheti në 6 muajt e parë të vitit, siç ka ndodhur përpara zgjedhjeve në vitet 2007, 2009 dhe 2011. Në këto vite, me mbingarkesë elektorale, qeveria ka përdorur 65-80% të investimeve në muajt e parë të vitit, duke rritur huamarrjen e brendshme 200-400%, kjo i ka lënë financat publike pas zgjedhjeve në situatë kritike.

Duhet të hiqen nga ligji i buxhetit 2013 pjesët jokushtetuese të neneve (9 dhe 18) për të përdorur të ardhurat nga privatizimi dhe rritur deficitin me vendim qeverie, si dhe për të mos përfshirë në kufirin e borxhit publik garancitë për import energjie.

Duhet të kërkojmë që qeveria të depozitojë në Parlament shpërndarjen e buxhetit në tremujorë, bazuar në të dhëna disavjeçare, për të pasur një përdorim sa më harmonik të tij që në gjashtë muajt e parë të vitit dhe për të eliminuar riskun e keqpërdorimit elektoral.

Qeveria, për shkak të pasigurive, duhet të rritë fondin e kontingjencës në mënyrë që të garantohet stabiliteti makroekonomik nga mosrealizmi i të ardhurave.
Kontrolli parlamentar për buxhetin e vitit 2013 nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave duhet të bëhet çdo muaj dhe duhet të jetë transparent për publikun.
Keqpërdorimi elektoral i buxhetit të vitit 2013 dhe përkeqësimi i stabilitetit të financave publike do të ishte i dhimbshëm për çdo individ dhe familje që jeton në varfëri dhe për çdo shqiptar që meriton një të ardhme më të mirë.

Panorama

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama