“Përfitimet” dhe risqet e privatizimeve para zgjedhjeve

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 7 vite më parë

Arben Malaj
“Përfitimet” dhe risqet e privatizimeve para zgjedhjeve

Situata e krijuar në sektorin energjetik të vendit, mossuksesi i deritanishëm i privatizimeve të bujshme të CEZ-it dhe ARMO-s, problematika e krijuar që në hapat e parë të negocimit të kontratës së privatizimin të Albpetrolit, vërtetojnë shqetësimin e ngritur publikisht nga opozita mbi risqet e rritura për dështimin e privatizimeve në prag të zgjedhjeve.

Edhe pse argumentohet se në thelbin e tij privatizimi nuk është një politikë buxhetore, por një politikë ekonomike që synon të rrisë efikasitetin e kompanive publike apo sektorëve të ndryshëm, konstatohet se  qeveria “Berisha” ka synuar të kundërtën. Sa më shumë para në prag të zgjedhjeve dhe sa më pak mbështetje dhe kontroll pas tyre. Rezultati: qeveria ka marrë disa para për t’i shpërdoruar për qëllime elektorale, ndërsa ekonomia, tregu dhe konsumatorët paguajnë çmimin e mossuksesit deri në dështim të këtyre privatizimeve.

Provat janë të qarta, asnjë përfitim real nga pasuritë e mëdha të naftës apo të prodhimit të energjisë nga burime ujore nuk ka ndier deri tani ekonomia dhe  konsumatori shqiptar. Problemet janë përkeqësuar, çmimet si për energjinë, edhe për naftën, kanë pasur një rritje të përshpejtuar, me të lartë se kurrë. Cilësia e naftës dhe energjisë së blerë vazhdon të ketë probleme. Disa objektiva ekonomike, siç janë  investimet e deklaruara në momentin e privatizimit, ulja e humbjeve teknike dhe joteknike, efektet sociale me punësimin apo raportet me ambientin, vazhdojnë të mbeten detyrime të paplotësuara.

Rezulton se qeveria ka synuar vetëm të marrë disa para të shpejta përpara zgjedhjeve, ndërsa vendi rrezikon që nga dështimi i privatizimeve të paguajë gjobat e rënda nga arbitrazhet ndërkombëtare. Rasti i GE me një gjobë prej 20 milionë dollarësh, penaliteti që pritet të jetë shumë më i lartë nga prishja e një kontrate koncesioni në naftë dhe risku potencial i një arbitrazhi ndërkombëtar me CEZ-in, mund t’iu rëndojnë shumë taksapaguesve shqiptarë.

Entet rregullatore akoma nuk po arrijnë të mbrojnë tregun dhe konsumatorin nga politikat populiste të qeverisë dhe nga tendencat për fitime të “shpejta” të kompanive private.

Opozita, edhe në konsultat me IFN, ka shprehur që në fillim të procesit shqetësimin se privatizimet në prag të zgjedhjeve e vështirësojnë, qoftë edhe përkohësisht,  fillimin e mbarë të kompanive private për shkak të pasigurisë nga ngërçet e krizave politike menjëherë pas zgjedhjeve, për shkak se mungesa e shtetit ligjor, respektimi i detyrimeve kontraktuale dhe zbatimi i ligjit është i dobët, vullneti i konsumatorit për të respektuar rregullat e reja në këto situata është i ulët, ndërsa ndërhyrjet e qeverisë edhe mbi kompanitë private për punësim apo biznes janë të larta.

Një risk i shtuar pas privatizimit për kompanitë e reja  është edhe koncepti i qeverisë, që pasi merr milionat e të ardhurave nga privatizimi, pasi i keqpërdor për efekte elektorale, mundohet të krijojë idenë në publik se tashmë çdo përgjegjësi do të jetë e privatit.

Në rastin e tregjeve të rregulluara, qeveria nuk mund t‘i lajë duart nga detyrimi për reformat ligjore dhe hapat konkretë të krijimit të ambientit të biznesit që eliminojnë vështirësi dhe kosto shtesë për atë treg, i cili kalon nga monopol natyror i administruar nga shteti, në monopol natyror i menaxhuar nga një kompani private. Shndërrimi i monopoleve natyrore në monopole private trajtohet gjatë në literaturën ekonomike për risqet e efekteve zinxhir që ka falimentimi i një monopoli natyror, ku këshillohet që entet rregullatore dhe qeveria duhet ta “mbrojnë” kompaninë private nga një dështim i sforcuar.
Më konkretisht, cilat janë efektet negative të  dështimit të Entit Rregullator, qeverisë dhe kompanisë “CEZ”? Çfarë risqesh dhe impaktesh negative mund të krijohen në ekonominë tonë?!

Situata e krijuar me CEZ-in duhet parë edhe në aspektin e Investimeve të Huaja Direkte. Suksesi i saj nxit ardhjen e investimeve të tjera serioze, dështimi i saj rrezikon rritjen e tyre. Deklaratat e drejtuesve të CEZ Group në Reuters dhe Bloomberg kanë shumë ndikim tek investitorët privatë, ato krijojnë apo konsolidojnë perceptimet negative për mundësinë për biznes në vendin tonë. Shqetësimet në rritje po deklarojnë edhe kompani apo shoqata të biznesit vendas dhe të huaj në Shqipëri. Problematikat e identifikuara në raportin e Bankës Botërore “Doing Business 2013” apo Forbes duhen trajtuar me shumë përgjegjësi dhe duhen përmirësuar me prioritet. Në rast të kundërt, dështimet do të ndikojnë negativisht në rritjen e kostove dhe pasigurive dhe në uljen e investimeve të huaja.

Zinxhiri i borxheve të këqija, arrestimi i punonjësve të një kompanie private, ndërhyrja në stacionet e shpërndarjes së energjisë dhe deklaratat publike për djegien e tyre nëse nuk rilidhet energjia, abuzimet në mbledhjen e tatimeve e taksave, mosrimburismi i detyrimeve të paguara tepër, janë momente që do ta rëndojnë pozicionin tonë në rast të një arbitrazhi ndërkombëtar me CEZ-in. Duhet qartësuar risku që ndërsa qeveria mori para zgjedhjeve të vitit 2009 rreth 125 milionë dollarë, nëse ky privatizim dështon, CEZ mund ta penalizojë vendin tonë me një gjobë që mund të shkoje 250-500 milionë dollarë, e cila duhet të paguhet pas zgjedhjeve 2013. Gjoba mund të jetë sa 50-100% e investimeve publike të një viti nga burimet e brendshme, që financohen nga taksapaguesit shqiptare.

Përmirësimi i situatës kërkon që konsumatorët publikë e privatë, kompani apo individë, duhet të paguajnë dritat bazuar në kontratat ligjore të furnizimit. Raportet midis tyre dhe CEZ-it duhet të zgjidhen ligjërisht dhe jo nëpërmjet qeverisë. Qeveria duhet të garantojë reformat apo skemat e financimit për ujësjellësit dhe institucionet e konsideruara të sigurisë kombëtare, çka edhe në këtë rast nuk nënkupton mospagesë të mallit apo shërbimit të blerë. Rimbursimi i shtresave  në nevojë duhet të jetë i menjëhershëm, që ata të mos penalizohen dhe të mos rritet borxhi i keq i kompanive private.

Enti Rregullator duhet të mbikëqyrë profesionalisht  respektimin e të gjitha detyrimeve të CEZ-it, si investimet e parashikuara, uljen e humbjeve, mosaplikimin e ndërprerjeve kolektive, faturimet abuzive etj. Entet duhet ta bëjnë mirë detyrën e tyre në çdo kohë, në dinamikë dhe shumë të dokumentuar, që të rriten përgjegjësitë e palëve dhe të mbrohen taksapaguesit nga deformimet e tregut dhe dështimet e kompanive private. Gjithnjë synimi kryesor duhet të jetë suksesi i një privatizimi, i cili duhet të matet te përmirësimet në tregun përkatës dhe te konsumatorët përkatës, siç janë blerësit e energjisë, të ujit, shërbimeve telefonike, shërbimeve bankare etj.

Vonesa në investime në rrjetin shpërndarës të energjisë ka ndikuar negativisht në këtë situatë të krijuar. Ndoshta Banka Botërore duhet ta rishikojë mundësinë që të mbështesë investimet për përmirësimin e rrjetit shpërndarës si një kusht i rëndësishëm për uljen e humbjeve dhe rritjen e cilësisë së furnizimit, reduktimin e kufizimeve apo eliminimin e ndërprerjeve kolektive. Në rast të kundërt, kostot e dështimit të një privatizimi të këshilluar dhe ndjekur nga afër edhe prej saj, mund të jenë shumë më të mëdha. Qeveria shqiptare le ta konsiderojë këtë kredi si domosdoshmëri të përmirësimeve të rrjetit me efekt direkt në uljen e  humbjeve teknike dhe efekt indirekt edhe në uljen e humbjeve joteknike, si dhe të ridiskutojë detyrimet e CEZ-it ndaj kësaj kredie që nuk duhet të vonohet.
Qe të krijohet një ambient i ri besimi, që të rritet vullneti për pagimin e detyrimeve, CEZ duhet të rrisë bashkëpunimin me konsumatorët privatë dhe publikë, duke u garantuar furnizimin dhe cilësinë e energjisë, duke shmangur faturimet abuzive, duke eliminuar ndërprerjet kolektive dhe duke ristrukturuar borxhet e këqija të konsumatorëve privatë. Këto mund të krijojnë një ambient besimi dhe respekti reciprok midis kompanisë “CEZ” dhe konsumatorëve të saj, i cili aktualisht është i dëmtuar rëndë.

Pas situatës së krijuar dhe të rinegociuar, ERE duhet të ndjekë në mënyrë periodike dhe nga afër respektimin e të gjitha kushteve specifike të vendosura nga CEZ-i, si dhe deformimet që ka tregu i energjisë nga subvencionet indirekte të qeverisë apo nga zinxhiri i borxheve të këqija të rritura në nivele kritike edhe nga mospagesat e enteve dhe kompanive publike. Enti, CEZ dhe qeveria shqiptare duhet të rrisin bashkëpunimin në qartësimin e problematikës dhe të identifikojnë zgjidhje oportune duke synuar suksesin e privatizimit dhe jo dështimin e përshpejtuar apo të sforcuar të tij.

Për problemet dhe sfidat e privatizimeve në tregjet e rregulluara, një kontribut më të mirë mund të japin edhe komisionet parlamentare të sektorëve përkatës dhe sidomos Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave. Duhet të zhvillohen seanca dëgjimi ku mund të ballafaqohen drejtpërdrejt entet rregullatore, kompanitë private, qeveria dhe grupet e interesit. Transparenca e këtyre seanca për publikun është e detyrueshme.

Fakti që disa tregje edhe në vendet më të zhvilluara janë të rregulluara dhe të mbikëqyrura, tregon se në këto raste është pranuar edhe nga neoliberalët që duart e padukshme të tregut të lirë në këto raste nuk e mbrojnë dot konsumatorin, pasi konkurrenca është e kufizuar ose mungon, ndërsa deformimet e tregut nga politikat populiste të qeverive dhe tendencat për fitime të shpejta të kompanive private mbeten risqe me kosto të mëdha që rëndojnë mbi konsumatorët dhe taksapaguesit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama