Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

PS rrotullohet rreth Ilir Metës

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 12 vite më parë

Armand Shkullaku
PS rrotullohet rreth Ilir Metës

E dënuar të përjetojë pasiguritë e liderit të saj, Partia Socialiste e Shqipërisë do të hyjë në sezonin e ri politik, që është edhe sezon elektoral, me dilemën e madhe të një koalicioni të mundshëm me LSI e Ilir Metës. Ideja se vetëm një bashkim i tillë mund t’u japë fitoren socialistëve në zgjedhjet e ardhshme, po e tërheq zvarrë aksionin politik dhe strategjinë elektorale të PS pa vendosur qartë se cilat do jenë pikat e forta të fushatës së ardhshme. Eksponentë kryesorë të së majtës shfaqen të ndarë në mënyrën se si e mendojnë opozitën në muajt që kanë mbetur deri në zgjedhje, gjë që reflekton pikërisht mungesën e një filozofie të qartë politike, e cila do të orientonte veprimin e përbashkët në këtë periudhë delikate. Mospërcaktimi i Edi Ramës për një rrugë konkrete që duhet të ndjekë PS, mban pezull energjitë opozitare, ndërsa koha ecën me shpejtësi. Divergjencat që janë shfaqur së fundi brenda kampit opozitar, e kanë të gjitha burimin te mungesa e përgjigjes së prerë ndaj dilemës: Me apo pa LSI. Kjo dilemë themelore, që e mundon Ramën më shumë se gjithçka tjetër, ka të ngjarë ta mbajë peng PS deri në prag të zgjedhjeve të ardhshme dhe t’i krijojë probleme serioze brenda vetes.

Problemet kanë nisur të ndihen që tani, kur shihet së largu që në PS njerëzit janë të ndarë sa i takon nevojës ose jo të një bashkimi me LSI. Mbështetësit e tezës së një koalicioni edhe me djallin vetëm për të mundur Berishën, janë tërhequr disi pas përdorimi spektakolar që Ilir Meta i bëri liderit të tyre të gjatë në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Ky zhvillim u dha zë të tjerëve që e kundërshtojnë bashkimin Rama- Meta dhe janë kundër idesë disfatiste se pa LSI socialistët nuk vijnë dot kurrë në pushtet. Për arsye ideologjike apo pragmatike, afrimi ose jo me LSI po rëndon mbi gjithë vendimmarrjen e PS. Çështja LSI po shndërrohet në aksin kryesor, ku Edi Rama dhe partia e tij po rrotullohen muajt e fundit, pa qenë në gjendje të prodhojnë diçka të re politikisht. I gjithë veprimi opozitar ka mbetur thjesht tek antiberishizmi.

Jo vetëm në PS, por edhe tek elektorati i majtë, pothuajse është pranuar hapur kapitullimi pa kushte, ndaj mundësisë apo aftësisë së Edi Ramës për të krijuar një frymë opozitare, një front entuziast shumë më të gjerë se PS që do të çonte në ndërrimin e pushtetit. Edhe ata që nuk e thonë me zë të lartë, e kanë të qartë brenda tyre se Edi Rama nuk është lideri që ata kishin ëndërruar. Përfundimisht, Rama nuk është nga ai soj politikanësh që frymëzojnë dhe të bëjnë ta ndjekësh pas prej pasionit dhe entuziazmit që përçon. Ky është një opsion i fshirë në rrugën e opozitës për të ardhur në pushtet.

Mirëpo Edi Rama nuk po rezulton as lideri i mençur që bën kalkulime të sakta e skica të studiuara, mbi të cilat të ndërtojë koalicione të qëndrueshme që do t’i siguronin më shumë vota sesa koalicioni i rivalit të tij, Kryeministrit Sali Berisha. Për shkak të paaftësisë apo të pasigurisë, kur kanë mbetur disa muaj deri në zgjedhje, askush nuk di të tregojë të paktën ndonjë vizatim të qartë të Ramës se si do të duket koalicioni i majtë, nëse do të ketë një të tillë. Pakënaqësia e aleatëve të vegjël është ndjesia e vetme që perceptohet pas veprimeve të Ramës. E ky i fundit nuk mund të vendosë asgjë në lidhje me ta, pa gjetur një përgjigje se çfarë do të ndodhë mes tij dhe Ilir Metës.

Nëse zgjedhjet nuk do të kishin një afat për t’u mbajtur, Edi Rama me siguri mund ta shtynte gjithë jetën duke menduar se çfarë do të bënte me LSI. Por ai duhet të veprojë tani për të pasur kohën e nevojshme të organizimit të koalicionit të majtë dhe të fushatës elektorale. Të marrë një vendim, ky ndoshta është dënimi më i madh që mund t’i japësh Edi Ramës. E këtë herë ai është i dënuar të vendosë. Nga ana e tij, Ilir Meta nuk ka asnjë emergjencë për të ndërmarrë veprime i pari. Ai është në qeveri, në aksion të vazhdueshëm për të forcuar radhët e veta dhe në pritje të ndonjë oferte interesante nga Rama. Meta i njeh mirë ankthet e kryetarit të PS dhe nuk ka ndër mend t’ia lehtësojë ato, përkundrazi. Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë e mundojnë ato Ramën dhe aq më i dobët do të jetë ai përballë tij në ndonjë negociatë të mundshme. Zotëruesi i aksioneve të arta të LSI-së nuk ka arsye të trokasë në derën e PS. Është kjo e fundit që ka nevojë për të.

Në këto rrethana duket i pakuptimtë dhe me pasoja të rënda hezitimi i gjatë për të vendosur diçka. Edi Rama ose duhet të shpallë ndarjen përfundimtare me LSI dhe të mos e mendojë atë si të vetmen mundësi për të ardhur në pushtet, ose të ulet me Ilir Metën dhe t’i dorëzojë ofertën e tij të bashkëpunimit që sigurisht do t’i kushtojë tepër shtrenjtë. Pra, ose të rrezikojë i vetëm, ose të ndajë me Metën gjithçka që mund të fitojë. Zgjedhja e rrugës së parë kërkon shumë mobilizim, ndërtimin e një koalicioni perfekt me gjithë aleatët e tjerë të mbetur dhe luftë pa kompromis edhe me LSI, pa menduar më për ndonjë darkë me ngjala. Rruga tjetër është çështje pazari dhe do ta çojë PS në fushatë duke u ndeshur vetëm me gjysmën e qeverisë, sikur pjesa tjetër nuk ekziston fare. Një përvojë e njohur për PS vitet e fundit, ku ka zgjedhur të bëjë opozitë vetëm ndaj zyrtarëve të caktuar, të denoncojë skandale apo biznese ku nuk ka vetë interesa dhe të lërë hapur çdo shteg për bashkëpunim e përfitim. Gjithsesi, cilëndo prej rrugëve që do të zgjedhë, Edi Rama duhet ta bëjë tani. Me apo pa Ilir Metën, PS nuk mund të mbetet pezull në prag të zgjedhjeve. Duhet marrë një vendim, edhe kur ai pritet nga Edi Rama. Përndryshe, çorientimi do të shtohet dhe çmimi do të rritet.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama