Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Europianët e duan Europën e Bashkuar

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 12 vite më parë

Arben Malaj
Europianët e duan Europën e Bashkuar

Inspirimi i Europës së Bashkuar vazhdon të jetë i qartë dhe influencues. Edhe pse Europa e Bashkuar ndodhet në një krizë të lidershipit të saj, në një krizë të rëndë të papunësisë, deficiteve dhe borxheve të larta, edhe pse eurozona ndodhet përballë sfidave të mëdha për zgjidhjen e krizës së saj, edhe pse ka jo pak skeptikë që parapëlqejnë të parashikojnë shpërbërjene euros, eurozonës dhe Europës së Bashkuar, sipas sondazhit të fundit, opinioni dhe vlerësimi i publikut europian është optimist për të ardhmen e saj.

Më shumë se 8 në 10 europianë (në 34 shtetet ose territoret e intervistuara) mendojnë se vendet anëtare duhet të punojë bashkë dhe më pranë njëri-tjetrit për të përballuar krizën dhe besojnë se pas kësaj krize Europa do të fuqizohet. (http://ec.europa.eu/public_opinion/ archives/eb/eb77/eb77_first_en.pdf) Ndërsa në vitin 2011, rreth 63% e të intervistuarve vlerësonin se BE ka forcë të mjaftueshme për të mbrojtur interesat ekonomike të Europës, në vitin 2012 janë rreth 85% që kërkojnë që vendet e BE-së të rrisin bashkëpunimin.

Të intervistuarit vlerësojnë se “Europa 2020″ ka objektiva realistë për të modernizuar ekonominë e BE-së, me synimin për ta bërë sa më konkurruese, me rritje ekonomike dhe kohezionin social të qëndrueshëm. Ata vlerësojnë se hapja dhe modernizimi i tregut të punës dhe ndihma ndaj shtresave të prekura më rëndë nga kriza duhet të jenë prioritet i strategjive dhe politikave të BE-së në të ardhmen. http://ec.europa.eu/europe2020/ index_en.htm I qartë është mesazhi pro Europës së Bashkuar edhe kur shikon mbështetjen për euron dhe eurozonën.

Dhjetë vjet pas prezantimit të euros dhe në kulmin e një krize të thellë të saj, rezulton se 52% e të gjithë të intervistuarve dhe 62% e europianëve të eurozonës mbështesin monedhën e përbashkët. Mesazhi kryesor vlerëson se europianët po bëhen më pak pesimistë, shumica e të intervistuarve mendojnë se pjesa më e vështirë e krizës është kaluar. Perceptimi i tyre luhatet ndjeshëm sipas situatës aktuale që kalojnë ekonomitë e vendeve të tyre. Në Suedi, Luksemburg dhe në Gjermani, më shumë se 75% thonë se ekonomia e tyre është në pozita të mira. Ndërsa në Greqi, Spanjë, Irlandë, Portugali, vetëm 5% vlerësojnë se vendet e tyre nuk janë në krizë. Eurobarometri e studioi opinionin e të intervistuarve në tri nivele: personal, kombëtar dhe në nivel të Europës së Bashkuar. Në nivel personal, shqetësimet kryesore të të intervistuarave janë: rritja e çmimeve, papunësia dhe gjendja në ekonomitë e vendeve të tyre.

Në nivel kombëtar: papunësia, situata aktuale ekonomike e vendit të tyre, rritja e çmimeve dhe borxhet e larta të qeverisë, janë katër shqetësimet kryesore. Papunësia shprehet si shqetësimi kryesor në 17 vende anëtare të BEsë. Në Spanjë janë të shqetësuar nga rritja e papunësisë 76% e të intervistuarve, në Portugali 68% dhe në Irlandë 62%. Në nivel europian, shqetësimet kryesore janë katër. Nga 54% e të anketuarve, situata ekonomike shihet si shqetësimi numër një me të cilin po përballet BE. Ky tregues është përmirësuar me 5% në raport me sondazhin në vjeshtë të vitit 2011. Tri shqetësimet e tjera janë: qëndrueshmëria e financave, papunësia dhe inflacioni.

CILAT JANË PRITSHMËRITË PËR TË ARDHMEN?

Vlerësime optimiste konstatohen te mbështetja për strategjinë e rritjes së Europës deri në vitin 2020. Rreth 75% e të intervistuarve nga 27 vendet e BE-së vlerësojnë se në 12 muajt e ardhshëm ekonomia e tyre do të jetë e njëjta ose e përmirësuar. Rreth 78% e europianëve mendojnë se është e rëndësishme të modernizohen tregjet e punës për të rritur punësimin dhe të ndërtohet një sistem efektiv i mbrojtjes sociale për shtresat më të ekspozuara dhe më të goditura nga krizat. Rreth 73% e europianëve theksojnë rëndësinë e mbrojtjes së ambientit, duke kërkuar një rritje ekonomike që përdor me efikasitet dhe efektivitet burimet natyrore, që i ruan pasuritë natyrore, që ndot sa më pak dhe mbron ambientin nga efekti serë. Kjo imponon modernizimin e ekonomisë europiane. Ekonomia e gjelbër duhet të jetë prioriteti i së ardhmes, duke përmirësuar raportin midis rritjes ekonomike, burimeve natyrore dhe ambientit. Ekonomisë së gjelbër i njihet edhe një avantazh specifik në daljen nga kriza, zhvillimi i saj ka një raport më të mirë midis rritjes ekonomike dhe rritjes së punësimit.

Në të gjitha vendet e BE-së perceptimet për të ardhmen janë përmirësuar, pavarësisht se ka akoma një numër jo vogël që mendojnë se e keqja më e madhe nuk ka ardhur ende. Ky sondazh tregon se ndërsa në lidershipin politik europian dhe global ka pa qartësi, pa vendosmëri dhe mosbashkëpunim efektiv për masat antikrizë, qytetarët europianë e rikonfirmojnë mbështetjen e tyre për Europën e Bashkuar. Kriza aktuale nuk ka prekur vetëm Europën, nuk ka prekur “kryesisht” Europën e Bashkuar, ajo rrezikon sot ekonominë globale. Ekonomia amerikane ndjehet e paaftë të ringrihet pa ringritjen e ekonomisë së Europës së Bashkuar. Ekonomia japoneze ka vite nën një recesion të zgjatur. Ekonomia britanike, edhe pse është jashtë eurozonës, rrezikon të kalojë në një recension të thellë.

Në vendet e grupit BRIC po shfaqin shenjat e ndaljes së ritmeve të larta të rritjes ekonomike, çka e bën më të gjatë krizën dhe më të vështirë rikthimin te nivelet e para krizës. BE përfaqëson sot bllokun ekonomik më të madh dhe më të integruar. BE është donatori më i madh në ndihmën e huaj për vendet dhe rajonet më të prekura nga varfëria dhe sëmundjet e shekullit. Europianët e duan Europën e Bashkuar, shumica e tyre shpresojnë se pas krizës aktuale BE do të dalë më e integruar. Ata duan ta shohin BE konkurrentin numër një në botë, i cili është edhe objektivi kryesor i Strategjisë së Europës 2020. Ekonomia globale është sot më e integruar, por edhe më e ndërvarur. Mbështetja e projektit të Europës se Bashkuar, dalja e saj sa më parë nga kriza aktuale, thellimi i integrimit brenda saj, suksesi i këtij projekti u afron europianëve mundësi më të mira për të ardhmen e tyre dhe lehtëson sfidat globale.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama