Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Disa përgjigje për pikëpyetjet mbi LGBT

Shkruar nga: Igli Totozani  
Botuar më: 12 vite më parë

Igli Totozani
Disa përgjigje për pikëpyetjet mbi LGBT

Në punën e përditshme për mbrojtjen, respektimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut (kohët e fundit, atë të pakicës LGBT), ne udhëhiqemi nga një numër aktesh juridike ndërkombëtare dhe shqiptare, – të cilat na e lehtësojnë ndikimin dhe ndihmojnë shumë në arritjen e rezultateve konkrete gjatë veprimtarisë institucionale. Dhe ka vend për të qenë optimistë në këtë drejtim.  Shqipëria ka nënshkruar më 2008-n Deklaratën e OKB-së mbi “Orientimin seksual dhe identitetin gjinor”; ka nënshkruar dhe ratifikuar dy vite më vonë Protokollin nr. 12 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, si dhe ka një kuadër të plotë ligjor “Për mbrojtjen kundër diskriminimit”. Publiku shqiptar e di gjithashtu që të drejtat dhe liritë themelore të komunitetit LGBT janë përfshirë brenda Rekomandimit 11 të BE-së “Liritë dhe të drejtat e njeriut”, duke qenë kësisoj vendimtare edhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Por ka një parim, më të padukshëm, më të heshtur, më personal, i cili e udhëheq mbrojtjen ndaj çdo diskriminimi: ai i vënies së vetes nën lëkurën e tjetrit, i përpjekjes për të kuptuar ndjenjat që ai provon, i përpjekjes për të kuptuar dhimbjen, pasigurinë dhe stigmatizimin; i përpjekjes për të kuptuar një jetë të ndrydhur dhe njëherazi i  përpjekjes për ta ndryshuar këtë rrjedhë e për të pasur në të mirë të gjithë shoqërisë, një jetë njerëzore që jetohet siç duhet.

Ta vendosësh veten në vendin e atij që ka nevojë për ndihmë është një akt i ndjeshmërisë dhe dashurisë njerëzore që na ndihmon të gjithëve sepse ndihmon bashkëjetesën. Ne kemi ecur përpara në këtë drejtim, por lufta kundër homofobisë dhe transfobisë është shumë larg të konsideruarit e fituar.

Personalisht kam kuptuar shumë nga jeta e bashkëqytetarëve tanë lesbikë, gei, biseksualë e transgjinorë këto muajt e fundit. Dhe nuk do të doja të isha në vendin e tyre kur ata trajtohen në mënyrë të padrejtë në përditshmërinë e tyre, kur tregohen me gisht nga të tjerët, kur diskriminohen për shkak të shfaqjes së homoseksualitetit të tyre; më keq akoma, kur u mohohet shërbimi dhe ndihma shëndetësore, kur pushohen nga puna apo nuk arrijnë kurrë në një të tillë, kur keqtrajtohen nga policia apo thjesht urrehen.

Është ky një realitet i trishtë që e jetojmë shpesh në të gjitha vendet e rajonit. Sepse përveç të tjerave, e kaluara jonë, shpesh e ngjashme, regjimesh diktatoriale, e bënë më zulmëmadh vesin e diskriminimit dhe, sigurisht, më të vështirë jetën e kësaj pakice; e bën njëkohësisht më të vështirë luftën kundër homofobisë dhe transfobisë, por edhe më të fortë sfidën tonë: atë të barazisë efektive përpara ligjit, pavarësisht orientimit seksual dhe identitetit gjinor, parimit të mirënjohur që Kushtetuta jonë e ka në qendër, në zemër të saj. Si do t’ia arrijmë kësaj?

Ka më shumë se një rrugë për t’ia arritur: Së pari, – por jo nga rendi i gjërave, – nëpërmjet një debati publik të hapur e të qytetëruar, korrekt, të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Një debat i tillë është më se i nevojshëm sepse ka dëshmuar se e rrit ndërgjegjësimin qytetar, e rrit ndjeshmërinë publike për shqetësimet e qytetarëve tanë, e rrit vëmendjen e administratës publike dhe asaj private për këtë çështje. Ky debat ndihmon të kuptohet se e vërteta e këtyre bashkëqytetarëve është shumë më e thjeshtë se ç’duket dhe më lehtë e pranueshme për çdo zemër dhe mendje demokratike. Këta bashkëqytetarë nuk kërkojnë më shumë se pjesa tjetër e shoqërisë: të drejtat e njeriut të zbatohen efektivisht si për të gjithë të tjerët.

Duhet kuptuar se në këtë debat, përfaqësuesit e lartë politikë, klasa politike në vend kanë një përgjegjësi shumëfishe. Për një numër politikanësh, të heshtësh mbi këtë argument është gjëja më e mirë. Por kjo heshtje nuk është gjëja e duhur, kur kemi përballë bashkëqytetarë për të cilët është problem i rëndë, qoftë edhe afishimi publik i mënyrës së tyre të jetesës. Shpeshherë – disa forma populizmi politik, të ndërgjegjshme ose jo për dëmin e tyre – çojnë drejt legjitimimit të diskriminimit dhe më tej akoma. Një rëndësi jetike ka gjithashtu ajo ç’ka do ta konsideroja si përditshmëria e zbatimit të kuadrit ligjor ekzistues. Në këtë kuadër ka shumë për të bërë. Duke filluar që nga ankesat që përditë mbërrijnë në dyert e institucioneve tona, deri te trajnimet me administratën publike dhe ato private.

Një pyetje që bëhet shpesh kur flitet për diskriminimin e kësaj kategorie është: Çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen e afërt dhe atë të largët? Për të thënë diçka më konkrete, po citoj në ndihmë një personalitet të spikatur, komisarin për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, z. Hammamberg. Ja ç’sugjeron ai për politikat publike të shteteve anëtare:

1. Reformim i legjislacionit për t’u garantuar edhe personave LGBT të njëjtat të drejta si të tjerët. 2. Reagim dhe masa adekuate ndaj të gjithë atyre individëve që në kundërshtim me ligjin marrin masa për të ndaluar manifestime paqësore, ose që shfrytëzojnë pozitat e tyre influencuese, për të përhapur paragjykime mbi orientimin seksual. 3. Rishikim i mësimit të historisë për të qartësuar në mënyrë objektive krimet e nazizmit ndaj personave LGBT si dhe çdo trajtim tjetër të padrejtë prej të cilit kanë qenë viktima. 4. Mësimdhënia shkollore do të duhet të përfshijë një informim objektiv mbi homoseksualitetin dhe të inkurajojë respektimin e diversitetit dhe të drejtat e minoriteteve. 5. Bashkëpunim i ngushtë i autoriteteve me organizatat e shoqërisë civile dhe aktivistët e të drejtave të personave LGBT. 6. Konsiderimi si shkelje e rëndë – e krimit të urrejtjes ndaj personave LGBT. 7. Shndërrimi i luftës kundër diskriminimit bazuar tek orientimi seksual – si një nga prioritetet e institucioneve tona, të gjykatave, Komisionerit Antidiskriminim, Avokatit të Popullit etj.

Kohët e fundit, gjatë përfshirjes në debatet publike në lidhje me të drejtat e pakicës LGBT, më kanë bërë disa herë një pyetje: Po sikur të ishin të tillë fëmijët tuaj? Pyetje së cilës i kam dhënë një përgjigje, të cilën më pëlqen ta ndaj sot me lexuesit: Do t’i respektoj dhe do t’i dua gjithmonë njësoj fëmijët e mi, në çfarëdo rrethane. Aspak nuk do të më shqetësonte orientimi i tyre seksual apo identiteti i tyre gjinor. Shqetësimi im do të ishte një tjetër: Në cilin vend do të jetonin ata? A do t’ua krijonte ky vend hapësirën dhe mundësinë për të jetuar të lumtur e të realizuar? Shqipëria e tolerancës shekullore i ka të gjitha potencialet për të qenë edhe sot shembull i një shoqërie të respektit ku ka vend për të gjithë.

*Avokat i Popullit

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama