PD, PS, LSI dhe Presidenti!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 10 vite më parë

Blendi Fevziu
PD, PS, LSI dhe Presidenti!

Shqipëria ka sot dy presidentë! Bujar Nishani, Presidenti i zgjedhur, gëzon të gjitha të drejtat që ka edhe paraardhësi i tij, Presidenti në detyrë, Bamir Topi. Ai pritet të ulet në karrigen nr. 1 të shtetit në datën 24 korrik, por telenovela ka marrë fund që në fillimjavë. Dhe ka marrë fund, ashtu siç pritej dhe siç duhej të ndodhte realisht, me një President politik. Eksperimenti me Drejtësinë apo shoqërinë civile dështoi, edhe pse, si zoti Zaganjori, ashtu edhe zoti Hoxha, qenë kandidatë dinjitozë, që do ta nderonin këtë vend nëse uleshin në zyrën e kreut të qeverisë. Por, nëse seria e fundit e Presidentit, ose e emrit të tij, mbaroi këtë të hënë në orën 19:00, një tjetër serial nis prej tij. Ai i raportit të forcave politike me këtë proces dhe qasjes së tyre ndaj tij.

Ka tri formacione që u përfshinë dhe secili mund të bëjë bilancin e tij.

E para është Partia Demokratike. Lideri i kësaj partie deklaroi që në muajin shtator që kreu i shtetit do të jetë një drejtues i lartë i PD. Edhe pse thuajse të gjithë e përkthyen këtë si një deklaratë në favor të kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, emri i saj nuk u shqiptua zyrtarisht asnjëherë. Në fund të një procesi 18-ditor, PD arriti të çojë në postin e kreut të shtetit ministrin e saj të Brendshëm, një njeri me integritet dhe i ekuilibruar, siç shkruan edhe vetë Rama në një editorial të tij të disa muajve më parë. Nishani u zgjodh me një shumicë thjeshtë dhe nuk ka asnjë dyshim që një President konsensual mund të kishte qenë një zgjidhje më e mirë. Por, përderisa konsensusi nuk u gjet, Nishani është sot President dhe maxhoranca ka arritur t’i përmbahet premtimit të saj për një President politik nga drejtuesit e PD!

E dyta është Partia Socialiste. Socialistët deklaruan se ata nuk do të lejojnë që një drejtues apo deputet i PD të shkojë në krye të shtetit. Rama mori një seri lëvizjesh për të ndaluar një fitore të mundshme të PD në Parlament, duke nisur që nga afrimi me Metën (duke u ngritur mbi akuzat e ashpra reciproke) e deri te kërcënimi përmes një editoriali se do të tentonte bashkimin e të gjitha votave për shkarkimin e Berishës. Nuk ka asnjë dyshim që Rama ishte shumë afër objektivit të tij, por edhe këtë herë ai u dogj sërish nga mungesa e vendimmarrjes dhe paaftësia për të thënë PO dhe JO në momentin që duhet. Hallakatja në detaje dhe jo në thelbin e problemit dhe këmbëngulja për gjëra dytësore në vend të asaj kryesores, i humbi atij shansin për të penguar PD që të çonte në Presidencë një drejtues të lartë të saj. Nuk ka asnjë dyshim që për Ramën vetë dhe për forcën politike që ai përfaqëson, si zoti Zaganjori, ashtu edhe zoti Hoxha do të kishin qenë kandidatë më të mirë se sa zoti Nishani. Përmes uljes së tyre në zyrën e kreut të shtetit, Rama do t’i tregonte publikut që kish korrur fitoren e parë reale ndaj Berishës që nga shkurti i vitit 2007. Ai e dinte se si njëri, ashtu edhe tjetri, më shumë se sa kandidatë të Berishës, qenë kandidatë të imponuar nga Meta.

Dhe të imponuar si pasojë e një mirëkuptimi me të. Sidomos në rastin e parë, ai mund të kishte thënë OK duke iu rrëfyer gjithë shqiptarëve se bashkëpunimi PS – LSI e kish detyruar Berishën të tërhiqej dhe mund ta regjistronte këtë si një fitore të tijën. Rama nuk e bëri këtë. Refuzoi dy emrat e zyrtarizuar, plus tre të tjerë të propozuar zyrtarisht, plus një tjetër të ofruar nga ambasadori Arvizu, dhe në fund as vetë nuk propozoi një emër konkret. Ai mund të shqiptonte emrin e Nanos që e komplikonte shumë skemën në Parlament. Mund të thoshte atë të Meidanit apo Milos, të Pëllumbit apo Dokles. Rama refuzoi të përmendte emra, duke propozuar të vetmin person që nuk e njihte, zv.shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Emër dinjitoz, por pa CV-në e Zaganjorit apo të Hoxhës.

Në fund Rama bëri edhe një tjetër gabim, që ai s’duhej ta përsëriste sërish. Refuzoi të merrte pjesë në votim duke dëshmuar frikë. Frikë se nuk e kontrollon dot Grupin dhe se nga e majta drejt së djathtës mund të rridhnin vota që do ta legjitimonin më shumë kandidatin e maxhorancës. U bë e dyta herë që PS në opozitë nuk voton për Presidentin në Parlament. Në fakt, detyra e opozitës është të votojë. Të votojë KUNDËR dhe me sa më shumë evidentim. Sepse ajo shpreh mospëlqimin e saj në emër të opozitës. Sepse ajo dëshmon një qëndrim dhe ky qëndrim shprehet me votë. Ikja nga vota është ikje nga një detyrim që ka ndaj votuesve të majtë që s’e pëlqejnë këtë President dhe nuk e aprovojnë zgjedhjen e tij.

E treta është LSI, që s’ka asnjë dyshim që është fituesja morale e këtij procesi, por edhe mjaft serioze në garë. Nuk ka asnjë dyshim që Meta (me apo pa marrëveshje) i bëri një shërbim të pashembullt Ramës. Ai nxori jashtë loje kandidaturat e larta të PD, ai pengoi zgjedhjen e Presidentit me një propozim vetëm nga PD dhe hapi rrugën për një proces të vërtetë. Proces ku Berisha ishte i pari që lëshoi duke hequr dorë nga kandidatët e tij dhe duke pranuar dikë të propozuar nga LSI. Vetë zgjedhja e LSI në rastin e Zaganjorit, por edhe në mbështetjen e Hoxhës, ishte principale, dhe jo zgjedhje kulisash.

Meta i kushtoi rëndësi procesit dhe emrit. Ai i qëndroi luajal Ramës duke i dhënë mundësinë të thoshte PO për një emër dhe të dilte fitues nga kjo garë. Në fund, kur u kuptua që konsensus nuk gjendej dhe figurat jashtë politikës e kishin vështirë ta mbanin këtë peshë, sërish LSI nuk e pengoi procesin. As imponoi një figurë politike që vinte prej saj. Ajo e moderoi deri në atë pikë, sa dha konsensus për një figurë me integritet të spikatur moral, por edhe të parapëlqyer nga Rama vetë, që kish deklaruar se me Nishanin në vend të Berishës sjellja ndaj opozitës dhe dialogu politik në vend do të ishin më normalë. Meta bëri zgjedhjen e tij për të shmangur një krizë për Shqipërinë dhe në fund ai ka të drejtën të thotë që ky ishte akti i tij i vërtetë politik, vënia në funksionim e katër votave të tij mes grupeve të PD dhe PS!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama