Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Zaganjori dhe Presidenti i Shqipërisë!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 12 vite më parë

Blendi Fevziu
Zaganjori dhe Presidenti i Shqipërisë!

Xhezair Zaganjori dha dorëheqjen! Ajo që kishin paralajmëruar të gjithë ata që besonin se dalja jashtë politikës për President ishte një mëkat, ndodhi! Kandidati konsensual i maxhorancës, një njeri me integritet dhe CV brilante, bëri atë që do të bënte çdo njeri me formim si i tiji, por që s’mund ta bëjë në asnjë rast një kandidat për President: u thye nga presioni i medias dhe politikës. Zaganjori dha dorëheqjen pa u konsultuar as me ata që e propozuan, me gjasë i fyer nga gjuha e përdorur ndaj tij nga opozita në seancën e djeshme dhe nga komentet e shtypit.  Mund të hedhësh shumë hamendje se përse ai e ka bërë këtë veprim, përse e bëri tani dhe jo kur Rama e refuzoi zyrtarisht një javë më parë; përse nuk u konsultua me ata që e propozuan e të tjerë, por të gjitha këto s’kanë vlerë.

Ai dëshmoi se është një qytetar i mirë dhe një kandidat i keq për President. Sepse një njeri që nuk mund të përballojë presionin e kritikave në Parlament apo në media, nuk jep asnjë garanci që mund të përballojë situata më kritike në krye të shtetit shqiptar. Nuk dihet se si do të kishte qenë reagimi i tij si President nëse do të kishte probleme me zgjedhjet, nëse si Presidenti Meidani do të gjendej në një situatë të ngjashme me atë të 14 shtatorit, apo si Topi në atë të 21 janarit. Mund edhe të rrinte në zyrën e tij, siç bëri Presidenti aktual, por kreu i shtetit nuk është vetëm për ceremoni.

Nuk është vetëm për të parakaluar dhe për të qëndruar në një lozhë në Parlamentin e vendit në hapje të tij. Presidenti është kreu i shtetit dhe pavarësisht funksioneve të tij të reduktuara, në momente të caktuara ai duhet të jetë një lider i vërtetë. E para dhe e fundit karakteristikë e tij është mospërkulja përpara presioneve dhe shantazheve. Dhe qëndrimi mbi palët. Në botën politike të sulmojnë me dhe pa të drejtë, shpifin, të përbaltin, por një njeri që merr përsipër të hyjë aty, i di këto që më parë. I merr parasysh dhe duke i kalkuluar të gjitha, merr vendimin e tij.

Nga ky vështrim, zgjedhja e maxhorancës ka qenë një dështim. Ata kanë zgjedhur një CV brilante, një qytetar dhe profesionist thuajse perfekt, por një President që s’bën. Ata besuan se do të humbnin një jurist për të fituar një President, për fat, Zaganjori e kuptoi vetë. Ai u largua, sepse ndryshe, ne do të humbnim një jurist të mirë për të fituar një President të keq!

Në dy shkrime rresht unë i kam qëndruar idesë që Presidenti duhet të jetë politik. Një figurë politike, kushdo qoftë ajo. Klasa politike shqiptare duhej ta kërkonte konsensusin këtu. Nuk mund t’i vihet në kurriz një njeriu një punë që s’e bën dot dhe një punë të cilën s’e ka bërë kurrë. Natyrisht që dikush mund ta bëjë edhe pa eksperiencë, por si përkufizim, shanset për të dështuar janë më të mëdha se sa ato për të qenë i suksesshëm kur vjen nga jashtë politikës. Në fund të fundit, siç thotë një miku im, shqiptarët edhe shalqirin e blejnë me provë, ndërsa Presidentin duan ta zgjedhin me CV. Pa dhënë asnjë provë nëse e bën dot atë punë apo jo!

Dështimi “Zaganjori” është i treti spektakolar në eksperimentin e klasës politike për ta gjetur Presidentin jashtë saj. Rasti “Kuko” dhe rasti “Zaimi” në 2002-shin dhe 2007-n e kanë bërë procesin me titull “Kërkohet një President” thuajse qesharak. Tani ka nevojë për seriozitet. Presidenti duhet kërkuar në atë komunitet që mund ta bëjë këtë detyrë dhe që merr përgjegjësi. Në atë komunitet që përgatitet me vite për një angazhim të tillë dhe që nuk e ka bonus apo bingo për hir të balancave në Parlament. Dhe, në fund të fundit, një President i fortë dhe me integritet nuk i dobëson kryetarët e partive politike që e zgjedhin atë, por përkundrazi, i vlerëson më shumë.

Po zgjedhim një President dhe për fatin tonë të keq, për të tretën herë rresht, i gjithë procesi përfundon qesharak. Natyrisht, që në ngut e sipër do ta gjejmë një President. Por që historia të mos përsëritet sërish, le ta kthejmë procesin ashtu siç duhet. T’ia japim atë popullit që ta vendosë në zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm, 5 vjet më pas. Vota e popullit është e vetmja, në fund të fundit, që nuk gabon kurrë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama