Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Që Presidenti të mos jetë më pazar!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 12 vite më parë

Blendi Fevziu
Që Presidenti të mos jetë më pazar!

Gjeni një President! Ta gjejmë një President! A njeh një President? A ke një emër për President? Kush mund të jetë President? Si s’ju vjen në mend një emër Presidenti? Kë pranon Berisha, Rama apo Meta për President? Kë duan amerikanët? Ç’thotë Brukseli? Të jetë nga Veriu, apo nga Jugu? Konsensual, apo me 71? Këto fraza dhe pyetje të nxjerra nga debatet në të gjitha studiot televizive shqiptare këto ditë dëshmojnë sërish, për të tretën herë, një fakt të thjeshtë. Atë që Shqipëria hyn çdo pesë vjet në një krizë ciklike, gjithnjë e zgjidhshme, por gjithnjë e shëmtuar dhe banale në formën që shfaqet, krizën e Presidentit. Them gjithnjë e zgjidhshme sepse në fund, me konsensus apo jo, me pajtim apo me forcë, ajo merr rrugë.

Por deri në atë pikë, e gjithë klasa politike shqiptare bëhet protagoniste e një shfaqjeje të shëmtuar, një teatri absurd. Nuk dua të bëj një shikim historik. Dua vetëm të kujtoj se të gjithë liderët politikë shqiptarë dolën të qeshur përpara kamerave në vitin 2002 për të deklaruar emrin e Presidentit konsensual, atë të Artur Kukos, ambasador i Shqipërisë në Bruksel. Njeri me integritet të spikatur këta 20 vjet, Kuko mbërriti në Tiranë për të lëshuar një deklaratë që i befasoi të gjithë: ai s’kishte ndër mend ta pranonte këtë detyrë, dhe në fakt, nuk është se për këtë e kish pyetur paraprakisht dikush. Kuko iku, ndërsa Nano e Berisha u mbyllën nën presionin e kohës (brenda 2 orësh duhej të gjenin një emër se skadonte afati) dhe pranuan emrin e parë që iu ra në tavolinë, atë të Alfred Moisiut.

Pesë vjet më pas, tavolina e zgjedhjes së Presidentit u bë edhe më komike. Hynin e dilnin emra, bëheshin biografi, ndërkohë që dy–tri propozime të para refuzuan dhe shumë të tjerë çonin SMS ku kërkonin që emrat e tyre të mos përmendeshin në tryezë, se nuk kishin ndër mend të shkonin në atë pozitë. Dhe se për hir të integritetit të tyre profesional e moral, nuk donin të bëheshin objekt diskutimesh për një gjë që nuk e pranonin dot.

Tavolina ra më në fund me një konsensus, sërish një gjeneral. Por Arian Zaimi, që u kthye urgjent nga Brukseli në Tiranë, e mësoi vetëm në Rinas se ndërkohë që kishte qenë në fluturim, ishte shkarkuar. Politika qe bërë pishman dhe ai u detyrua të kthehej mbrapsht. Pa dyshim, i lënduar dhe shembulli klasik i talljes me një proces që nuk meriton të jetë i tillë.

Tryeza dështoi dhe kjo çoi në idenë e ndryshimit të Kushtetutës, për ta bërë zgjedhjen e Presidentit më të thjeshtë dhe më pak stresuese. U duk sikur u gjet një lloj zgjidhjeje, që Presidenti t’i kthehej politikës, por nuk ishte kështu. Këtë vit, përfolja e emrave u kursye. Nuk pati një tryezë ku gjithkush të përmendte kë i vinte në mend, kë i kishin sugjeruar apo kë mendonte se mund të ishte President i këtij vendi, por në listën e parë të maxhorancës prej 5 personash, dy refuzuan që në 15 minutat e para. Tani jemi sërish në një pikë ngecjeje ku Zaganjori është deklaruar nga njëra palë, por nuk pranohet nga tjetra. Interesi e donte që PS të mblidhte tryezën e opozitës dhe të bënte kundërpropozimet e saj.

Nëse tryeza e opozitës shqiptare do të prodhonte një listë ose një emër me CV më të mirë se sa ajo e Zaganjorit, i takon maxhorancës të heqë dorë nga ai dhe të pranojë ofertën e opozitës. Pra t’i japë konsensus asaj. Nëse opozita nuk gjen dot një kandidat më të mirë, atëherë i duhet t’i japë konsensus Zaganjorit. Në fund të fundit, Presidenti është emër, dhe jo procedurë. Ne po zgjedhim Presidentin e shtetit dhe nuk po hartojmë procedurën se si zgjidhet ai. Zgjedhjen e përcakton Kushtetuta, dhe për këtë arsye opozita duhet të gjejë sa më parë një kandidaturë më të mirë se e maxhorancës, ose duhet të deklarojë se është e paaftë të prodhojë një emër tjetër dhe të pranojë këtë.

Jashtë këtij diskutimi, siç e thashë në fillim, e gjitha ngjan një procedurë fyese për shtetin dhe kandidatin vetë. Pra fyese për atë që pritet të jetë kreu i shtetit, kushdo qoftë ai. Zgjedhja Presidentit s’mund të jetë më një bingo. S’mund të jetë një proces ku të gjithë vijnë vërdallë duke kërkuar emra dhe duke bërë biografi. Ku momentin e fundit dikush nxjerr nga xhepi një emër dhe të lodhur nga refuzimet, diskutimet apo presioni i kohës, shumica përgjigjen me një: “Hajde ky!”. Ku njerëzit të mos kenë më dyshimin nëse kandidati do të jetë një President i mirë apo mediokër, por ta njohin paraprakisht stilin dhe filozofinë e tij. Ku vetë klasa politike të mos këtë frikë nga një emër politik.

Për këtë arsye dhe për ta çuar deri në fund procesin e nisur me ndryshimet kushtetuese katër vjet më parë, do të ishte mirë që zgjedhja e Presidentit të modifikohej sërish. Le të zgjidhet nga populli. Me kaq kompetenca sa ka. Siç bën Maqedonia, Kroacia, Bullgaria dhe siç po tenton ta bëjë edhe Kosova më së fundi. Përderisa ne nuk dimë ta zgjedhim Presidentin siç bëjnë grekët dhe italianët, me të cilët kemi një procedurë, le t’u kthehemi vendeve më problematike. Le t’i kthehemi konkurrimit të hapur dhe sfidues. Më mirë se sa kulisave dhe bindjes së katër politikanëve, le t’i besojmë votës së popullit.

Gabimi i politikës është më i rëndë, gabimi popullit është gjithnjë më i pamundur. Le të jenë kandidatët të njohur që më parë; le të shpalosin platforma dhe ide; le të futen në një garë ku ai që vendos, në fund të fundit, është sovrani dhe ku nuk mund të kemi më një President të rastësishëm. Por një President që e meriton të jetë e tillë. Një meritë që është konfirmuar në formën më të mirë që bota njeh që prej krijimit të saj e deri më sot, atë me votë të drejtpërdrejtë popullore. Kemi frikë nga vota dhe s’kemi frikë nga tryeza, që në çdo rast nuk mund të konfirmojë një personalitet më mirë se sa një votë e lirë…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama