Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Presidenti i Ilir Metës

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 12 vite më parë

Armand Shkullaku
Presidenti i Ilir Metës

Ilir Meta do të ketë tundur kokën fort ndërsa ka lexuar të dielën e kaluar editorialin e Edi Ramës, ku bëhej thirrje të bashkohej çdo votë për të rrëzuar maxhorancën, pikërisht në ditën që do të fillonin bisedimet PD-PS për të zgjedhur Presidentin e Republikës. Me siguri ka menduar se politika është e padrejtë duke “i caktuar” atij për pjesë një parti të vogël dhe një aguridhi politik si Edi Rama një parti shumë më të madhe. 

Ankthi për të rrëzuar Berishën me çdo çmim nxori në shesh faktin se shqetësimi i vërtetë i Ramës nuk ishte t’i jepte vendit një President konsensual, por të lëkundte maxhorancën dhe të shkonte drejt krijimit të një qeverie tjetër, sigurisht duke vënë në hesap edhe votat e LSI. E në këtë pikë, Ilir Meta, edhe nëse do të kishte dashur, nuk kishte asnjë mundësi të ishte në sinkron me opozitën që nuk ndiqte më një vijë politike, por reflektonte pasiguritë e liderit të saj. Përfshirja e procesit presidencial në një paketë me tri pika të tjera dhe thirrja për rrëzimin e qeverisë me vota të dyshimta në Kuvend në ditën kur kërkohej konsensus mes palëve, lanë të kuptohet qartë se Rama, më shumë se sa për Presidentin e ri, ishte i interesuar të provokonte Berishën dhe numrat e tij në Kuvend.

Këtë logjikë politike Ilir Meta nuk mund ta ndiqte dot. LSI mori përsipër të bëhet faktor vendimtar në zgjedhjen e Presidentit të Republikës duke u nisur nga parimi që ai duhet të gëzojë një konsensus sa më të gjerë, të jetë në harmoni me sugjerimet e partnerëve ndërkombëtarë, të qytetarëve dhe frymës kushtetuese. Për këtë qëndrim, që LSI e shpalli si parimor dhe jo partiak, Ilir Meta u duk gati të sakrifikonte edhe aleancën me Berishën kur deklaroi se nuk do të votonte një kandidat vetëm të Partisë Demokratike, aq më pak një drejtues të lartë të saj.

Ky pozicion i LSI, që erdhi duke u forcuar pas darkës së famshme të ngjalave dhe takimit publik me Ramën në “Sheraton”, u dyshua shumë si pasojë e një marrëveshjeje të heshtur mes dy forcave politike për të shkuar bashkë në zgjedhjet e 2013-s. Madje komente e shkrime të shumta nisën ta legjitimojnë këtë afrim jomoral si zgjedhja e së keqes më të vogël për të luftuar një të keqe më të madhe, si nevojë jetike që të arrihen numrat për të mposhtur Berishën në zgjedhjet e ardhshme dhe, oreksi vjen duke ngrënë, për ta rrëzuar atë brenda kësaj vjeshte dhe për të zgjedhur një Kryeministër të ri nga kompromisi Rama-Meta.

Vetë Ilir Meta as i mohoi dhe as i pohoi të gjitha këto variante, duke pasur komoditetin t’i shihte gjërat në distancë nga të dyja palët dhe të priste zhvillimet e reja politike. Por, në të gjitha rastet ai zyrtarisht u kujdes dhe u mbajt fort pas parimit se çdo lëvizje e tij bëhej në emër të integrimit të Shqipërisë, duke i dhënë atij një shans nëpërmjet zgjedhjes së Presidentit konsensual. Edhe nëse do të kishte një çarje të maxhorancës, për LSI ajo do të ishte pasojë e qëndrimit kokëfortë të Berishës, dhe jo e ndonjë pazari të fshehtë me PS. Integrimi, dhe jo interesi, ishte motoja që shpalli Meta si kryefjalë të të gjitha lëvizjeve të tij.

Në këtë proces, futja e paketës me katër pika nga PS në tryezën e bisedimeve dhe kërkesa e Ramës për të rrëzuar qeverinë përpara 28 nëntorit, e zhvendosi rolin e LSI. Ajo nuk mund të bashkohej me opozitën në këtë pikë sepse përpjekja e saj zyrtarisht parimore për ta detyruar aleatin më të madh të zgjidhnin një President konsensual do të zhvlerësohej dhe gjithë shqetësimi për integrimin e Shqipërisë do të dukej një farsë. Edi Rama ka shpresuar se Sali Berisha do t’i shkonte deri në fund propozimit të tij për të zgjedhur një figurë të lartë të PD në postin e Presidentit dhe kësisoj LSI do të legjitimonte daljen nga koalicioni dhe afrimin me PS, e kështu ka nxituar ta komplikojë procesin presidencial. Por nuk ka bërë gjë tjetër vetëm sa ka trembur një aleat të mundshëm dhe i ka dhënë mundësi kundërshtarit që tërheqjen ta shndërrojë në fitore.

Duke ndërmarrë një akt, të panatyrshëm për profilin e tij politik, Sali Berisha i dha Ilir Metës kauzën për të cilën ai luftoi publikisht, Presidentin konsensual. Emri i Xhezair Zaganjorit doli si produkt jo vetëm i marrëveshjes mes PD dhe LSI, por edhe si një kandidat me profil jopartizan dhe në përputhje me kriteret që vetë Meta kishte dashur t’i shihte të mishëruara te kreu i shtetit. Me këtë lëvizje, Ilir Meta mund të thuhet se arriti ta rivendosë veten në qendër të politikës, të përcaktojë një proces në përputhje me pritjet e partnerëve ndërkombëtarë dhe të rrisë ndjeshëm kuotat e tij në zgjedhjet e ardhshme. Ky të paktën ishte aksioni i dukshëm i LSI në dritën e diellit.

Nga ana e tij, Edi Rama, për të joshur Ilir Metën, i dha atij deri dje atributet e një partneri të besueshëm për të zgjedhur Presidentin e Republikës. Ai legjitimoi faktin që një kandidat që do të gëzonte mbështetjen e LSI do të konsiderohej edhe një kandidat konsensual, ndaj kundërshtimi i Xhezair Zaganjorit është gracka ku Rama vetë e futi veten dhe vështirë t’i japë besueshmëri e arsye refuzimit të tij. Por, mbi të gjitha, nxitimi për të shpallur një afrim me Ilir Metën dhe opinioni që e mbështeti këtë afrim si të vetmen mundësi për të fituar ndaj Berishës, legjitimoi edhe diçka tjetër: se Rama i vetëm nuk fiton dot. Në 2013-n kryetari i PS nuk ka kujt t’i ankohet. Ai mbetet padroni i një partie më të madhe se sa aftësitë e tij politike.

Ilir Meta duhet ta tundë kokën fort sa herë që përballet me këtë fakt. Ai vetë, katër vota e tij i luajti edhe këtë herë në maksimum. Po sikur të kishte më tepër?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama